MILOSAO

Errësirë? Aspak e tillë!

14:50 - 14.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ftesë për rizbulimin e Europës së Vjetër dhe qytetërimit të saj rreth 8000 vjeçar në pellgun Danubian, si dhe vlerat themelore të mishëruara në të. Asnjë qytetërim nuk mund të funksionojë pa pasur vlera themelore. Por çfarë ndodh nëse këto vlera mbeten vetëm në letër? Do të shfaqen patjetër probleme të mëdha. Kohët e fundit, mes kakofonisë për ndryshimet në BE, na kërkohet jo vetëm që të ruajmë bashkësinë e kësaj aleance, por njëkohësisht të bëjmë të mundur që gjithsecili t’i gëzojë këto vlera.




Në këtë aspekt, mund të marrim disa shembuj të vlefshëm nga periudha kur shoqëri të barabarta, të shtrira në territore nga më të ndryshmet, bashkëjetonin në paqe dhe zhvillonin tregti përtej hapësirave të tyre, dhe ku gjithkush mund të përfitonte pa dëmtuar tjetrin. Bëhet fjalë këtu për mënyrën e organizimit të një prej qytetërimeve më të vjetra në botë: Europa e Vjetër, e cila – në mënyrë krejt unike në historinë e njerëzimit – ekzistoi për më shumë se 3000 vjet.

BE-ja u konsolidua në një kohë kur vizioni i politikës qe fuqimisht optimist dhe u projektua mbi vlera themelore që bazoheshin në përparimin njerëzor. Bëhet fjalë për dekadën e viteve 1990 kur u duk se Lufta e Ftohtë kishte përfunduar përgjithmonë dhe u besua se parimet e demokracisë do të rrënjoseshin thellë në ish-vendet socialiste, dhe BE-ja do të zgjerohej vazhdimisht duke iu përmbajtur gjithmonë këtyre vlerave. Ky besim ishte veçanërisht i fortë në Shqipëri, ku “të qënurit si gjithë Europa” dhe mundësisht arritja e anëtarësimit në BE ishin synimet parësore.

Por besimi në fuqinë shëruese të rendit demokratik dhe të bashkëpunimit ndërkufitar i asaj kohe është tashmë thërrmuar në të gjithë Europën. Moskuptimi i nocionit të demokracisë dhe solidaritetit u shfaq dukshëm gjatë krizës ndërkombëtare të refugjatëve, luftës në Siri, krizës së Krimesë e shumë të tjera.
Krizat po shfaqen gjithashtu edhe brenda BE-së, ku spektri i populizmit dhe nacionalizmave po ngre krye. Kriza në Kataloni na tregon qartë se sa pranë mund të jetë fillimi i një konflikti. A mund të lejohet që komb-shtetete të sapo formuara të trondisin unitetin e brendshëm të BE-së? Nga ana tjetër, a mund të sakrifikohet autonomia e rajoneve të ndryshme në altarin e së mirës së përbashkët të BE-së nga pushtetet e forta qëndrore apo nga vendimet e Komisionit në Bruksel? Po kështu, përtej BE-së, hapja e papritur e debatit mbi ndryshimin e kufijve të Kosovës sjell një krizë tjetër të mundshme shumë afër Shqipërisë.

Për gjithë arsyet e mësipërme, ato që quajmë “vlera themelore” bëhen më të rëndësishme se kurrë, edhe pse – ose sepse – lidershipi politik në disa vende duket se po kërkon t’i flakë ato tutje. Këto vlera përfshinë, ato që mund të quajmë me gjuhën e Deklaratës së Pavarsisë të ShBA-ve “self-evident” (të vetkuptueshme): e drejta e vetvendosjes, barazia e të gjithëve përpara ligjit, barazia ndërmjet gjinive në shoqëri e në vendim-marrjen politike, parimet e një ekonomie tregu me dimensione shoqërore si dhe liria e individëve për të vendosur mbi veprimet e tyre.

Nga tekstet historike kemi mësuar se grekët e lashtësisë patën idenë gjeniale, saktësisht në vitin 507 PES, të fillonin praktikën e qeverisjes demokratike e cila përfshinte disa prej këtyre vlerave. Kleisantheni mbahet si themeluesi i kësaj demokracie në Athinë, i ndjekur prej Perikliut. Çdo qytetar kishte të drejtën e votës në formimin e asemblesë së popullit (Eklesia). Megjithatë, vetvendosja dhe barazia nuk ishin absolute. Gratë athinase gëzonin shumë të drejta, por jo atë të votës. Ato ishin qytetare, por qytetare pa zë. Gjithashtu, shoqëria greke ishte e ndarë në dy grupime të mëdha, në atë të njerëzve të lirë dhe të atyre jo të lirë, domëthënë skllevërit, të cilët nuk ishin pjesë e vendim-marrjes demokratike. Pra, nëse hedhim një sy pas në këtë histori të demokracisë athinase dhe e perceptojmë atë si një arritje vezulluese, shikimi ynë mjegullohet në një fare masë.
E çfarë mund të themi për idetë e Revolucionit francez të 1789-ës? “Liberté, égalité, fraternité” (Liri, barazi, vllazëri) janë termat që të vinë ndërmend pothuajse automatikisht. Mirëpo, për atë kohë, këto koncepte bazë ishin kontradiktore në thelbin e tyre. Fjala “fraternité” (vllazëri) na dikton menjëherë që barazia nuk përfshinte gruan – e cila vazhdonte të mos votonte e të mos merrte pjesë në vendim-marrje. Pra, revolucionarëve të atëhershëm as që u kishte rënë ndërmend të kujdeseshin për barazinë gjinore.
Idetë që u ngritën në piedestal të shenjtë nga baballarët themelues të ShBA-ve në Deklaratën e Pavarësisë së 1776-ës si dhe Kushtetuta e parë e këtij vendi kishin gjithashtu kufizimet e tyre. Në atë kohë, mendohej si e pamundur t’i jepej fund skllavërisë, kështu që revolucionarët e “shtynë” për më vonë debatin politik rreth kësaj çështjeje. Banorët e parë të Amerikës, të cilët prej europianëve të ardhur u quajtën “Indianë” (pra, banorë të Indisë) – që në vetvete është shprehje e një paditurie të thellë – nuk përmënden fare si realitet shoqëror. Po kështu, as që u mendua që gratë, madje as ato që vinin prej Europës, të mund të kishin të drejta të barabarta me burrat. U desh lufta e përgjakshme civile e viteve 1861-1865 për t’i dhënë fund skllavërisë në ShBA. Përpjekjet e mëdha për t’i dhënë barazinë popullsisë vendase si dhe për të shtrirë tek gratë të drejtën e votës apo edhe të tjera të drejta, arritën suksesin vetëm në shekullin e XX.

Koncepti qëndror i teorisë ekonomike moderne (në sensin klasik të përkufizimit) i atribuohet skocezit Adam Smith, në veprën e titulluar “Pasuria e kombeve” e vitit 1771, do të shndërohej në “biblën” e tregut kapitalist. Aty thuhet që tregu ekonomik vetërregullohet gjithmonë në mënyrë gati magjike me efekte që sjellin pasurimin e kombeve. Megjithatë, vetërregullimi i tregjeve u provua – më së fundmi me krizën ekonomike globale – që s’ishte veçse një mit. Ekonomisti Bengt Holmstrom, që u nderua me çmimin Nobël për ekonomi në vitin 2016, thotë se Adam Smithi nuk arriti të kuptonte se si ngjarje të paparashikueshme mund të kenë pasoja shkatërrimtare për rrjetin e tregut kapitalist. Baza e një ekonomie tregu me qasje sociale, në kuptimin e vërtetë të fjalës, nuk do të mund të formulohej përpara shekullit të XX – dhe aktualisht është e rrezikuar nga manipulatorë të fuqishëm që mbeten deri diku të fshehur prej publikut (shiko www.investigate-europe.eu).

Luftrat, krizat, të ndërthurrura me periudha të shkurtra paqeje janë karakteristikat konstante që përshkojnë gjithë historinë e shkruar të njerëzimit. Qysh prej kohës kur Homeri na njeh me Luftën e Trojës e deri në ditët tona, historia njerëzore ka trashëguar një paradigëm konstante të bazuar mbi konfliktualitetin. Përse nuk shkëputemi dot prej kësaj logjike? Përse nuk përmendet kurrë fakti që ka ekzistuar në Europë një epokë më se 3000 vjeçare paqeje? Sepse në traditën tonë të edukimit gjithçka që ka ekzistuar përpara epikave homerike trajtohet si “periudhë e errët”. Përtej Luftës së Trojës dhe periudhës mikenase, errësira bëhet edhe më e dendur.
Megjithëse shkenca e arkeologjisë ka hedhur një farë drite mbi të ashtuquajturën “periudhë e errët”, klisheja e errësirës vazhdon të qëndrojë ende sot e fuqishme. Mos vallë është e pashpresë që të gjenin gjurmë të vlerave themelore të njerëzimit nga një epokë kaq të largët?

Kohët e fundit arkeologët kanë kryer gërmime intensive në zonën e Europës juglindore, falë kjo edhe mundësive të krijuara me rënien e komunizmit në 1990-91. Sidoqoftë, edhe përpara viteve 1990, pas një pune prej disa dekadash, arkeologia lituano-amerikane Marija Gimbutas arriti të identifikojë themelet e një qytetërimi të lashtë (para indo-europian), të cilin ajo e quajti “Europa e Vjetër” dhe që sot përcaktohet gjithashtu prej disa studiuesve si “Qytetërimi Danubian”, një qytetërim që shtrihej kryesisht rreth pellgut të Danubit. Në thelb të analizës së saj Gimbutas thotë se komuniteti njerëzor që jetonte në Europën e Vjetër gëzonte kushte paqësore jetese. Ndërkohë, tradicionalistët, që mbështesin teorinë e ex oriente lux (“drita vjen nga lindja”) dhe që shohin Mesopotaminë si djepin e qytetërimit, nuk e morrën seriozisht Gimbutasin dhe tezën e saj mbi “Europën e Vjetër”. Ata e hodhën poshtë këtë tezë duke e cilësuar atë si një konstruktim të rremë nostalgjik.

Pas vdekjes së Marija Gimbutasit në 1994, kaleidoskopi i njohjeve mbi “Europën e Vjetër” dhe zhvillimeve kulturore të saj është zgjeruar e thelluar dukshëm përmes gërmimeve arkeologjike, si dhe punës kërkimore në lëmin e historisë dhe gjuhësisë. Ekspertët tashmë dinë që Europa e Vjetër pati zhvilluar mjete teknologjike dhe struktura komplekse shoqërore të cilat nuk ekzistonin në asnjë vend tjetër të botës në atë kohë. Rreth viteve 6000 PES, në Europën e Vjetër pati filluar një fazë zhvillimi e cila çoi në lindjen e një kulture të avancuar. Të paktën aty rreth viteve 5300 PES Europa e Vjetër kishte arritur majat e zhvillimit botëror në fusha të tilla si:
– Kovaçët e Europës së Vjetër zhvillun teknika shkrirjeje të metaleve, fillimisht të bakrit (rreth 5400 PES) dhe më pas të arit (rreth 4600 PES) duke bërë të mundur shkrirjen e bakrit në tonelata të tëra si dhe krijimin më të hershëm të objekteve artistike prej ari. Shumë objekte bakri të kësaj periudhe janë zbuluar gjithashtu në zonën e Maliqit dhe disa prej tyre ka të ngjarë të jenë prodhuar po aty.

– Banorët e Europës së Vjetër ndërtuan struktura banimi dy-katëshe dhe tempuj me përmasa monumentale.
– Sistemi i shkrimit që ata përdornin është më i vjetri në botë, të paktën 1500 vjet më i vjetër se shkrimi egjiptian dhe sumerian. Ata gjithashtu patën përdorur një sistem simbolesh po aq të vjetër për numrat.

– Në mijëvjeçarin e pestë PES, qytetet e para kishin lindur, disa prej tyre me më shumë se 10000 banorë dhe shtriheshin në një gjërësi prej rreth 400 hektarësh. Ka të dhëna se funksiononin me një infrastrukture administrative me “këshilla qytetarësh” që organizoheshin në bazë lagjesh e udhehiqeshin nga lider i zgjedhur nga banorët.
Një gjë që nuk ekzistonte në Europën e Vjetër, sepse nuk kishte nevojë, ishin kufijtë politikë. Popullsitë e rajoneve të ndryshme ndërvepronin me njëri-tjetrën në një mjedis që ishte pothuajse tërësisht pa konflikte të dhunshme. Ajo që i bashkonte këto popullsi ishin tradita kulturore dhe struktura e tyre shoqërore, por mbi të gjitha, interesat e përbashkëta ekonomike. Mirëqenija e Europës së Vjetër ishte e bazuar në tregtinë intensive që zhvillohej përgjatë bregut të Danubit (prej nga lind termi “Qytetërimi Danubian”) si dhe zonave përreth tij. Tregtia detare shtrihej nga brigjet e Detit Mesdhe deri në Detin e Zi, duke përfshirë gjithë Ballkanin dhe Shqipërinë e sotme. Vinèa (në Sërbinë e sotme), Turdaº (në Rumaninë e sotme) dhe Varna (në Bullgarinë e sotme) ishin të gjitha qendra të rëndësishme tregtie. Në Shqipërinë e sotme, Maliqi është ndoshta më i njohuri ndër këto qendra të lashta, por padyshim që ka edhe të tjera.

Lidhjet tregtare përfshinin të gjithë ata që merrnin pjesë në to dhe që e bazonin biznesin e tyre në atmosferën e një besimi të ndërsjelltë. Çfarë roli do të kishin luajtur kufijtë politik në një kontekst të tillë? Besimi reciprok ishte çelësi i funksionimit të Europës së Vjetër. Zgjerimi i fuqishëm i rrjetit tregtar në atë kohe nuk mund të mendohej pa këtë bazë të besimit tek tjetri. Ky rrjet shkëmbimesh tregtare arriti të shtrihej në Azinë e vogël (Anatoli), drejt veriut (deri në Poloni) dhe drejt perëndimit (Francë dhe pjesën jugore të Anglisë). Rrugët tregtare mbulonin kështu një gjatësi mbi 3000 km. Kërkimet mbi Europën e Vjetër tregojnë që shoqëritë e mbuluara nga ky rrjet i gjërë shkëmbimesh karakterizoheshin nga barazia dhe nga një funksionim demokratik i strukturave administrative, ku mbizotëronte paqja:
– Gratë kishin barazi me burrat në Europën e Vjetër. Arkeologët bien dakort që shumica e prodhimeve ishte rezultat i punës së përbashkët të grave dhe burrave, dhe mendojnë gjithashtu që tregtia përgjatë lumenjve ka shumë mundësi të ishte në dorën e grave.

– Në qytetet e asaj periudhe nuk ka shenja lagjesh elitare apo mbetje ndërtimesh luksoze, thjesht sepse nuk ekzistonte një grup elitar që ta pretendonte këtë status. Varrezat dhe sendet e gjetura në to nuk japin asnjë provë për ndarjen e shoqërisë në të pasur dhe të varfër. Në disa raste, në varre grash janë gjetur sende simbolike, por që lidhen më shumë me njohjen e tyre si themeluese të fisit apo të familjes së zgjeruar.

– Arkeologët nuk kanë zbuluar mure mbrojtëse rreth qendrave të banimit, qofshin këto fshatra apo qytete; si dhe në asnjë shtresë gërmimesh nuk janë gjetur shenja shkatërrimi nga zjarre të shkaktuara si pasojë e përplasjeve konfliktuale.

– E mira e përbashkët ishte parimi udhërrëfyes. Kushtet e balancuara të jetesës për të gjithë sollën arritjen e një shoqërie që vepronte mbi bazën e bashkësisë, ku interesi i përgjithshëm qëndronte mbi atë individual duke mos favorizuar pasurimin privat. Të ardhurat e tregtisë ndaheshin në mënyrë të barabartë ndërmjet pjesëmarrësve në prodhim dhe në tregti. Prona komunale e kishte përpaësi.

Jehonën e së mirës së përbashkët si vlerë themelore të shoqërisë e gjejmë në teorinë politike të Platonit, mendimi i të cilit pasqyron elementë trashëgimie kulturore të Europës së Vjetër. Ndërmjet të tjerash, ai thotë se shprehja që nënkupton të mirën e përbashkët në greqishten e vjetër, to agathon, ka origjinë para-greke dhe është huazuar nga gjuha e mëparshme që flitej atje (në Athinë, si dhe në treva të tjera të Ballkanit jugor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, njerëzit që flisnin këtë gjuhë u quajtën nga grekët Pellazgë).
Qytetërimi i pellgut Danubian, ku këto vlera themelore u shfaqën së bashku, lulëzoi në mënyrë të qëndrueshme për një periudhë 3000 vjeçare, që fillon rreth viteve 6000 dhe zgjati deri aty rreth viteve 3000 PES. Europës së Vjetër nuk i erdhi fundi nga fakti që kjo shoqëri ishte e paqëndrueshme. Rrjedha e ngjarjeve ndryshoi, mund të thuhet, nëpërmjet një force majeure (rasti madhor) që mori shkas nga migrimet e blegtorëve nomadë të cilët vinin nga stepat e Rusisë jugore. Këta ishin proto-indo-europianët.
Ata erdhën valë-valë në kohë të ndryshme, në rajone të ndryshme të Europës. Në terma të përgjithshëm, përgjatë mijëvjeçarit të tretë PES, përsa i përket Ballkanit, grekët u vendosën në Hellas, trakët në Bullgarinë e sotme dhe Ilirët në zonën e Ballkanit perëndimor. Çfarë ndodhi pastaj është aktualisht objekt studimesh intensive, por duket qartë që trashëgimia kulturore e Europës së Vjetër (së bashku me vlerat e saj thelbësore) u shkri me traditat Indo-europiane. Këto të fundit përfshinin gjithashtu hierarkinë shoqërore dhe konfliktet e armatosura, që nomadët e ardhur nga stepat e futën në shoqërinë e re europiane.

Dy fjalë të greqishtes së vjetër e reflektojnë shumë mirë këtë përmbysje kulturore: amilla që do të thotë “kompeticion paqësor” dhe eris që do të thotë “konflikt i dhunshëm, përballje ushtarake”. Amilla ka origjinë para-greke dhe nënkupton konkurrencë paqësore në tregti ose gara sportive. Eris ka origjinë greke (indo-europiane) dhe përdoret për të përshkruar luftrat e shumta civile të grekëve.

Një fjalë tjetër greke e huazuar nga Europa e Vjetër është eirene që do të thotë “paqe”. Ndoshta, huazimi i kësaj fjale ka rrjedhur si rezultat i përplasjeve të dhunshme e të vazhdueshme të cilat mund të kenë evokuar nostalgjinë për periudhën e gjatë paqësore të Europës së Vjetër, apo më thjesht, si nevojë për të shprehur një koncept që grekëve indo-europianë iu mungonte. Në çdo rast, kemi një shpjegim të mundshëm për huazimin në gjuhën greke të një koncepti kaq kyç siç është eirene.
A ka sot një trashëgimi të Europës së Vjetër? Padyshim që ka, për më tepër në një vend si Shqipëria, që siç përmendëm më lart shtrihet tërësisht brenda territorit të atij qytetërimi jetëgjatë të lashtësisë. Madje mund të themi se Shqipëria zë një vend gjeografikisht të rëndësishëm për kërkimet arkeologjike në hapësirën ku u zhvillua kultura e Europës së Vjetër dhe njëkohësisht është edhe vendi më pak i studiuar në këtë aspekt. Po kështu, ndryshe nga vende të tjera ish-komuniste, as sot nuk kryhen studime etnografike në Shqipëri, ndërkohë kur elementë të mundshëm që burojnë nga kultura e asaj kohe të largët mund të jenë ende të gjallë në kulturën popullore. Nga ana tjetër, familjarizimi me idenë e të jetuarit sot në një truall që mban nën vete gjurmë kaq të lashta të historisë botërore, atë të Europës së Vjetër, do të thotë të rrisësh sensin e përgjegjësisë së shqiptarëve dhe, para së gjithash, atë të shtetit me qëllim që të ndikosh në politikat që ai ndjek.

Së fundi, nëse do të shohim Europën e Vjetër dhe të njohim vlerat tona themelore në të, mund të përfitojmxs elementët e saj positive dhe të nxjerrim mësime të dobishme. Qytetërimi i pellgut Danubian ka hedhur dritë në historinë e njerëzimit si dhe mund të hedhë edhe më shumë. Për ne, në të tashmen, ajo mund të duket tepër larg dhe ndoshta me ndriçim të zbehtë – por sidoqoftë është një burim drite për t’u ndjekur. Është një lloj drite që mund të na udhëheqë madje edhe në ndërtimin e modeleve të ardhshme për Bashkimin Europian. [Fundi]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.