MILOSAO

In memoriam, Fatos Arapi (1930-2018)

09:25 - 14.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pak ditë më parë ndërroi jetë poeti i njohur shqiptar Fatos Arapi. Është nga të pakët shkrimtarë shqiptarë, që pati fatin e madh të ndjente prej së gjalli se ishte pjesë organike e klasikëve të njohur shqiptarë. Ndaj, askush nuk u habit që Parlamenti shqiptar mbajti një minutë heshtje për të, kurse Biblioteka Kombëtare, çeli menjëherë një ekspozitë me veprat e tij.




Për shumë vite kishte heshtur dhe zgjedhja e tij ishte respektuar nga komuniteti i njerëzve të artit dhe jo vetëm. Duke e parandjerë ndoshta limitin e jetës, por edhe krizën e madhe morale të vendit, ai i ishte përshfaqur publikut vetëm përmes veprës së vet. Por, jo përmes komunikimit. Refuzonte për këdo…

Fatos Arapi mbetet një nga poetët më të vyer të gjuhës sonë, me një lirizëm të këndshëm, që mund të lexohet edhe për shumë fasha shoqërore. Nuk shqetësohej shumë për atë që mund të thoshin dhe të kumtonin të tjerët, sepse e quante misionin e vet të përfunduar në letërsi. Duhet thënë se vepra e Fatos Arapit nuk është masive ndaj tashmë për kritikët ka mundësi të shumëllojta për ta shqyrtuar e për të gjetur elementë dhe pika vlerësimi të ndryshme. Një ndihmë e madhe erdhi nga vetë i ndjeri që u nda ballëhapur me jetën dhe madje edhe duke kërkuar ndjesë për prodhimin e para viteve ’90, paçka se në krijimet e asaj kohe gjenden shumë nga poezitë e tij më të mira.

Fatos Arapi ishte i lindur në vitin 1929 në Vlorë, ku qëndroi deri për arsimimin e mesëm, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Duhet vlerësuar se për shumë vjet ishte gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Me emrin e tij janë të lidhura shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Kulmin e arriti në vitin 2008, kur meritoi “Kurorën e artë” në aktivitetin e madh poetik “Mbrëmjet e poezisë strugane”, një çmim që deri më atëherë s’i ishte dhënë asnjë poeti shqiptar.

Në vitin 2014 u përmblodh e gjithë krijimtaria e tij ndër vite në katër vëllime : “Më jepni një emër : poezi të zgjedhura 1962-1989”; “Në kaq pak Tiranë : poezi të zgjedhura 1990-1996”; “Urna e vogël : poezi të zgjedhura 1997-2003” dhe “Një buzëqeshje e pabesueshme : poezi të zgjedhura 2005-2010”. (b.an)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.