KULTURË

Nadarët dhe Marubët, ngjashmëria e dy botëve në fotografi

13:10 - 14.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Ju do të zbuloni botën e spektaklit parisien. Paul Nadar ishte i dashuruar me një aktor, gjë që nuk i pëlqente të atit (themeluesit të studios Felix Nadar), por Paul është në fakt fotografi i parë që doli nga studioja e tij dhe shkoi drejt botës së artit. Kjo është një ekspozitë estetike dhe historike, por mbi të gjitha është një ekspozitë me arkiva”. Mbrëmjen kur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër u çel ekspozita “Nadar mes rregullave dhe tekave”, kuratori Michel Poivert foli pak për fotografët francezë, Felix e Paul Nadar. Më tej, ai mbajti të nesërmen në “Marub” një bisedë mbi atelierin Nadar, duke u përqendruar tek evoluimi i traditës së portretit nga ai klasik i Felix Nadar, tek pozat e stisura të të birit Paul, i cili fotografon jashtë studios, në teatrot dhe skenat e kohës, duke iu përshtatur ndryshimit të mentalitetit, mes romantizmit dhe modernes. Kjo bisedë kërkoi të ndërtojë një krahasim mes veprës së Paul Nadar dhe asaj të të atit Felix: si evoluon tradita e portretit romantik nga shekulli XIX në shekullin XX? Si i rishpik Paul kodet e famës, duke inauguruar edhe traditën e portretit të artistëve jashtë studios?




Qasja e bisedës kërkonte të përcillte se si Nadari i ri iu përshtat ndryshimit të kohërave dhe mentalitetit, mes romantizmit dhe modernes. Nga e gjithë biseda, duke pasur në vëmendje edhe bashkëkohësinë mes Nadarve dhe Marubëve, mund të gjesh linja krahasimi: të dyja atelietë kanë fokusuar emrat më në zë të kohës së tyre, nga emrat e artit te familjet e mëdha, të dy atelietë kanë dokumentuar botën që ndryshonte para syve të tyre; të dy atelietë i kanë “retushuar” fotografitë për të përcjellë me to imazhet e mesazhet që për ta qenë me rëndësi. Retushimi i kohës në ditët tona mund të kuptohet si fotoshop. Trashëgimia që kanë lënë pas dy studiot, edhe pse në dy realitete të ndryshme, kilometra larg, në dy botë kaq larg, ku dasia ka të bëjë edhe më kulturën dhe ndikimet e dasitë mes orientit e oksidentit, gjen sërish pikëtakime që e bëjnë këtë ekspozitë në “Marub” edhe më të nevojshme se ç’mund të kuptohet në pamje të parë. Imazhet e civilëve, kompozimi, portretet e kërkuara e të përzgjedhura për t’u fiksuar e për t’u përcjellë në motmote, anipse në dy botë disi larg, rreken të na sjellin kaq pranë ngjashmëritë përtej dasive dhe na bën të kuptojmë se qe një kohë, kur ne mundëm të ishim të njëkohshëm me perëndimin e mundëm njëfarësoj të jemi në një hap me ta, në fotografi.

BISEDA
Michel Poivert e nis bisedën duke nxjerrë në pah se Nadarët kanë fotografuar kërcimtare të njohura të kohës, njerëz të veshur me kostume. Ai përqendrohet më shumë tek biri se sa tek ati kur thotë se, “ai u kërkon personazheve të luajnë para aparatit fotografik dhe studioja fotografike kthehet në një skenë teatri”. Vë në dukej po ashtu se është një shpikje e Nadar, që e koncepton studion si një hapësirë ku mund të bëhet teatër, ku mund të ketë skena duke rindërtuar skenat teatrale aty. Nadar i ri, pasi thyen rregullat e estetikës së kthjelltësisë së të atit, realizon një sërë portretesh me shumë artifice, siç janë ata të aktorëve në skenat e teatrit. “Paul Nadar bën një fotografi për të cilat krijon edhe sfonde. Edhe në fondin e “Marubit” shihet edhe inkuadrimi apo kuadrati i fotografive. Duke parë gjithë sfondin e fotografisë, mund të thuhet se fotoja është një ndërtim. Shpeshherë krijohen skena që tërhiqet vëmendja. Mund të bëhen krahasime mes babait e birit, Felix e Paul ku i biri e transformon studion në një skenë teatri. Ka edhe skena qesharake, kur artisti është i përqendruar në punë dhe krah tij del edhe asistenti”, tha Poivert. Për të, në imazhet e sjella ka një takim të fotografisë, teatrit dhe kulturës.

Vihet re se një element i rëndësishëm i fotografisë është në këtë kohë edhe retushimi, ku ka retushim profesional, thënë ndryshe një lloj fotoshopimi i sotëm, që personazhet e fotografuara të dukeshin më bukur. “Retushimi ishte element i rëndësishëm, sepse kishte ripikturim elementësh. Vihet re në ekspozitë për shembull se si duket Sarah Bernard para dhe pas retushit”. Poivert sqaron se në fund të shekullit të 19-të, në Paris njerëzit e famshëm nuk ishin më shkrimtarët, por aktorët dhe Paul Nadar e kuptoi që publiku donte fotografi të njerëzve të teatrit. “Studio e Nadar kthehet në skenë teatri, ku aktorët riluajnë pjesët e tyre para aparatit”, thotë ai. Mandej, Nadar nis të shkojë në teatër me aparat për të kapur çastet e interpretimit, mimikat e skenat ndaj dekori është ai i teatrit. “Ai tregonte dy anët e jetës në atë kohë, jetën e spektaklit dhe jetën jashtë tij. Vjen një moment që bëhet vështirë të dallohet cili është personazhi aktor e cili është ai civil, njeri i thjeshtë. Të gjithë shfaqen me kostume.

Kostumet kishin një vlerë të veçantë në ceremonitë zyrtare, për studiot fotografike dhe për teatrin. Ndonjëherë ka diçka komike te personazhet, ka një bashkim të reales me imagjinatën në fotografitë e Nadar. Ai ka arritur të përcjellë edhe ndjeshmërinë në imazhe, qoftë kur ka fotografuar fëmijë, qoftë kur ka fotografuar dy të dashuruar”, thotë kuratori i ekspozitës gjatë bisedës. Pas daljes nga studio për në teatër, ai del nga studio, edhe për të fiksuar me aparat Francën e kohës. “Nis të fotografojë monumentet, largohet nga studiot e personazhet, merr aparatin në dorë e del të fotografojë historinë. Fotografon stacionet e trenit, gjithë industrinë e transportit që sapo kishte filluar, ndërtimet industriale, monumentet që janë në shkatërrim dhe arrin të fotografojë edhe lëvizjet e personazheve. Nga fotografitë fikse të njerëzve që pozonin për të, ai kalon në fiksimin e imazheve në lëvizje”, vëren kuratori. Fotografitë tanimë sjellin popullsinë e thjeshtë në përditshmërinë vet. Kuratori vëren se imazhet me gjithë kohën kur u shkrepën, janë bashkëkohore dhe kemi pothuaj një estetikë industriale. “Janë disa fotografi e ndërtesa që më vonë shkatërrohen, ndaj kanë vlerë të madhe sot, sepse kanë dokumentuar historinë”, thotë ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.