Nostalgji

Nostalgji/ Redon Makashi: Së shpejti rikthehet në skenë grupi “Arb”

16:00 - 14.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Redon Makashi: Së shpejti rikthehet në skenë grupi “Arb”




Faqeve te gazetave i ka munguar prej kohësh një rrëfim prej tij, por sot, kantautori i mirënjohur Redon Makashi, rikthehet në “Bluetooth” me një intervistë elektrizuese… Mes angazhimeve të shumta koncertore në qytete të ndryshme bregdetare, Redoni sjell për ne detaje tejet ekskluzive nga karriera dhe jeta e tij private. Një rrëfim që nis me një lajm special: “Dua të ribashkoj grupin ‘Arb’”, që vijon me planet për realizimin e albumit të tretë, dhe përfundon me deklaratën: “Jam i dashuruar”… Zbuloni në vijim të kësaj interviste speciale, të rejat më të fundit nga jeta e Redon Makashit…

Si ka nisur kjo verë për Redonin?
Me shumë punë. Çdo javë kam ftesa për koncerte “live” në klube të ndryshme verore, përgjatë gjithë vijës bregdetare në Shqipëri. Veç kësaj, nuk mungojnë as performancat “live” në pub-e të ndryshme në Tiranë.

Me çfarë po merreni aktualisht?
Aktualisht jam në përfundim të albumit tim të tretë, i cili ka kohë që është gati, por është shtyrë për shkak të disa vonesave nga ata që do të jenë sponsorët e tij.

Zakonisht artistët e mirëfilltë, ndonëse kanë shumë vite në skenë, realizojnë pak albume. Është kjo një strategji e të gjithëve ju?
Në fakt, është tamam ashtu siç thua dhe ti. Po të vësh re edhe artistët e tjerë që kanë vite në skenë, kanë pothuajse të njëjtin numër albumesh. Unë tani po flas për veten më konkretisht, nuk kam një numër të konsiderueshëm albumesh, për shkak se kërkoj që muzika që do të luhet në sfond të këngëve të mia, të jetë e “gjallë” dhe jo kompjuterike. Kjo dëshirë e imja kërkon më shumë kohë për t’u realizuar dhe është pak më e vështirë natyrisht, andaj dhe kohët e fundit po mendoj gjithmonë e më shumë, që grupi “Arb”, në të cilin edhe unë kam qenë pjesë dikur, të ribashkohet.

Nga ju ka lindur kjo ide?
Prej kohësh shqiptarët kanë kuptuar se muzika “live” është muzika e emocioneve të mëdha. Prandaj dhe pronarët e komplekseve apo klubeve të ndryshme, kërkojnë që këngëtarët e ftuar të kenë edhe bandën e tyre muzikore me vete. Veç kësaj, shumë njerëz të brezit tim më ndalojnë në rrugë dhe më pyesin në ka ndonjë shans që të ribashkohet grupi “Arb”. Unë jam duke biseduar me djemtë, Gentin, Altinin dhe Genin, dhe ka gjasa që shumë shpejt të rishfaqet në skenë grupi ynë.

Po sa i përket ribashkimit të “Tre Musketjerëve”, mund të na tregoni si u ndjetë?
Më erdhi keq që u mblodhëm vetëm për një natë, megjithatë vura re se pavarësisht mungesës së gjatë, njerëzit na pritën shumë mirë. U shkëmbeva sërish me sytë që vinin dhe na dëgjonin në kohën që ne performonim në lokalin tonë. Ndonëse kanë kaluar vite qëkur jemi ndarë, kjo gjë nuk u vu re fare, u duk sikur ishim ndarë vetëm për disa ditë pushime. E them këtë, pasi ne u morëm vesh shumë mirë me njëri-tjetrin në skenë, ishim të përpiktë në çdo notë, nuk kishim asnjë gabim, pavarësisht se nuk kishim zhvilluar asnjë provë parapërgatitore. Unë sigurisht ndjeva nostalgji për ato kohë, u emocionova pa masë, dhe siç e thashë dhe më sipër, më erdhi shumë keq që ribashkimi u bë vetëm për një ditë, pasi shumë oferta na erdhën për të performuar edhe në vende të tjera, por Eltoni pas 2 ditësh duhej të nisej dhe si pasojë, asnjëra nuk u pranua.

I rikthehemi sërish karrierës tuaj. A keni në plan ndonjë videoklip, dhe pse realizoni kaq pak të tilla?
Unë eci me këtë parim: “Më mirë pak e saktë, se sa shumë e për lumë”. Më mirë e di që realizoj një videoklip të veçantë edhe pse të kushtueshëm, por që i reziston kohës dhe mbetet gjatë në mendjet e njerëzve, se sa një videoklip për të kaluar radhën. Më mirë bëj një të saktë, se sa pesë që s’kanë asnjë vlerë. Aktualisht kam në plan një videoklip, kisha dëshirë që të dilte këtë verë, por do të mbetet për t’u publikuar në ditët e para të tetorit. Kam realizuar një këngë të re me tekst të Timo Fllokos, e cila premtoj se do të jetë shumë interesante.

Si do të titullohet kënga, dhe cila do të jetë fabula e saj?
Jemi ende në dilemë mes 2 titujve: “Katastrofë” dhe “Asgjë nuk ndalet”. Kënga do të flasë për Tiranën time, e cila tashmë ka ndryshuar shumë. Këtë këngë ja dedikoj gjithë gjeneratës sime, të cilët sikundër dhe unë, nuk njohin më rrugët e qytetit të tyre, nuk kanë më asnjë kujtim nga fëmijëria në lagjen e tyre etj.

Sipas jush, çfarë e bën të suksesshëm një këngëtar?
Një këngëtar e bën të suksesshëm arti i tij, mbi të gjitha origjinaliteti me të cilin ai e sjell këtë art përpara syve të publikut. Krijimi i një profili individual e bën të paharrueshëm një këngëtar. Pse të gjithë i njohin këngët e Pirro Çakos, Ardit Gjebresë, apo Sandër Gjokës?! Sepse të gjithë këta kanë mundur t’i rezistojnë kohës me këngët dhe zërin e tyre.

Me cilin prej kolegëve shkoni më mirë?
Me të gjithë shkoj shumë mirë, por do të veçoja marrëdhënien që kam me Sandër Gjokën, e kam mik të ngushtë prej vitesh dhe së fundmi po menaxhoj dhe koncertet e tij. (qesh)

Të flasim tani pak për jetën private. A është i dashuruar Redoni?
Sigurisht që po.

Keni në plan të martoheni?
Ende nuk kemi asgjë konkrete, por do t’ju njoftoj sapo të kem diçka të re.

Do t’i kushtoni ndopak kohë të dashurës tuaj këtë verë?
Patjetër, edhe ajo ka vendin e saj.

Ky shkrim u botua më 24 korrik 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.