DOSSIER

Ekskluzive/ Mehmeti: Poeti Fatos Arapi s’pajtohet me realitetin tonë politik

16:50 - 15.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Një nga shkrimtarët që i nxori më shumë probleme regjimit komunist të para viteve ’90-të dhe që i shpëtoi paq hekurave të burgut, ka qenë Fatos Arapi, i cili u ndesh që në hapat e parë të krijimtarisë së tij letrare në fillimin e viteve ’60-të me diktatin e egër komunist, për të shpëtuar prej tij vetëm me shembjen e atij regjimi. Gjë të cilën do ta shohim edhe në mjaft nga kapitujt pasardhës të këtij libri dhe jo vetëm, ku në disa Plenume të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe, gjithashtu, Byrosë Politike e sekretariatit të Komitetit Qendror, është marrë në analizë krijimtaria e tij dhe në raporte të mbajtura në ato mbledhje, Arapi është etiketuar pothuajse si “armik i popullit”.




Një nga këto Plenume të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku Arapi është etiketuar si “delja e zezë” është dhe ai i 26 tetorit të vitit 1966, i drejtuar nga vetë Enver Hoxha, me temë: “Rritja e rolit të letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave”, ku raportin kryesor e mbajti Ramiz Alia. Pas atij raporti, fillimisht e para që e ka marrë fjalën, ka qenë Fiqërete Shehu, e cila pasi është solidarizuar me raportin, është ndalur te vepra e fundit e Fatos Arapit, me titull “Drama e një partizani pa emër”, e cila, gjithashtu, ishte kritikuar ashpër dhe në raportin e mbajtur nga Ramiz Alia. Pas shumë diskutimeve, në fund të mbledhjes së atij Plenumi, fjalën e ka marrë kryeministri Mehmet Shehu, i cili i ka bërë një analizë të thellë krijimtarisë së Arapit, duke cituar mjaft nga poezitë e tija, njësoj sikur të ishte një kritik letrar nga më të përgatiturit nga ana profesionale dhe politike. e cila duhet thënë se ishte një gjë jo e zakontë për kryeministrin Shehu, pasi ai Plenum mbahej për Letërsinë dhe Artet, ku tonin mbledhjes ia jepnin zakonisht ata kuadro të lartë që e mbulonin atë sektor në rrugë partie, dhe kësisoj, Mehmti nuk para “përzihej” shumë në ato punë.

Po përse kishte ndodhur kjo, pra përse Mehmeti dhe bashkëshortja e tij e kishin sulmuar ashpër poetin Fatos Arapi? Lidhur me këtë, ka dhënë vetë versionin e tij, Fatos Arapi në mjaft biseda që ka bërë me autorin e këtij libri, por edhe publikisht në dy-tre shkrime dossier te “Gazeta Shqiptare” , duke e argumentuar sulmin e Mehmetit, me mllefin e vjetër që ai kishte me vëllanë e Fatosit, Vllas Arapin, ish-partizan në Brigadën e Parë Sulmuese, që komandonte Mehmeti. Sipas Fatosit, Mehmeti nuk ia fali kurrë Vllasit, faktin që ai; në vitin 1943 njoftoi fshehurazi “Xhepin”, (Sadik Premten) që të largohej menjëherë nga Vlora, pasi ai (Vllasi), do të eleminohej fizkisht me urdhër të Mehmetit nga një skuadër partizane e asaj brigade që e mbante Premten të izoluar dhe nën kontroll të rreptë.

Dhe mos ekzekutimi i Premtes do t’i kushtonte shtrenjtë jo vetëm Mehmetit, por edhe Hysni Kapos, gjë të cilën Enver Hoxha ua mbajti mbi kokë si “shpata e Damokleut” deri sa ishte gjallë, duke ua përmendur sa herë që kishte ndonjë pakënaqësi ndaj tyre. Dhe sipas Fatosit, (gjë e cila është konfirmuar edhe nga disa dokumente arkivore të bëra publike këto vitet e fundit), pikërisht për atë shkak, Vllas Arapi u ekzekutua nga komunistët pak kohë pas mbarimit të Luftës, në rrethana misterioze që për vite me radhë nuk u zbardhën kurrë. Eliminimi fizik i Vllasit nga “shokët e tij të armëve” ishte dhe një nga brengat më të mëdha që e shoqëroi Fatosin gjatë gjithë jetës së tij, madje duke e pasur atë si personazh kryesor pothuaj në të gjitha veprat që ai ka shkruar, si p.sh.

“Drama e një partizani pa emër”, “Më jepni një emër”, etj. etj. Por, referuar këtij dokumenti që po publikojmë në këtë kapitull të librit, si dhe disa të tjerëve në kapitujt pasardhës, pyetja e parë që shtrohet normalisht, është: “Po përse Fatos Arapi nuk përfundoi prapa hekurave të burgut”, atje ku kishin shkuar edhe mjaft kolegë të tij që kishin shumë më pak “mëkate” se ai?! Edhe kjo pyetje, e ka një përgjigje: Sa nga ajo që Fatosi kishte qenë partizan, madje bashkë me të motrën dhe vëllanë, kontributi dhe emri i madh si patriot, i babait të tyre, Tol Arapit, por dhe lidhjet e tij farefisnore, si p.sh. me vëllëzërit Papajorgji (Harrilla dhe Justini, djemtë e tezes së Fatosit), etj. Por një nga arsyet kryesore që thuhet se Fatosi i shpëtoi burgut, ishte krushqia që ai kishte me Ministrin e Brendshëm Kadri Hazbiu, (djali i motrës së Fatosit, Lirisë, Agron Aranitasi, kishte për grua, vajzën e Kadriut), ndërsa babai i dhëndrit të Kadriut, Hajdar Aranitasi, ishte, gjithashtu, një nga funksionarët e lartë të atij regjimi. Gjithsesi këto mbeten për t’u parë, ndërsa në këtë kapitull po publikojmë me shkurtime disa nga dokumentet e Plenumit të XV-të, ku Mehmet Shehu, “kryqëzoi” poetin Fatos Arapi duke e konsideruar mes të tjerave si; “element që nuk pajtohej me atë realitet politik, pasi kishte konfuzion në trurin e tij”.

Fjala e hapjes së Plenumit nga Enver Hoxha

Në dokumentin arkivor të atij plenumi, (AQSH F. 14. Aparati Komitetit Qëndror. V. 1965, d. 2. fq. 1) pas rendit të ditës me temën që cituam më lart, shkruhet: “Plenumin e kryesoi sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Enver Hoxha, asistonin të gjithë kandidatët dhe anëtarët e Komitetit Qëndror, me përjashtim të shokëve: Haki Toska, Nexhmije Hoxha të sëmurë, dhe Vito Kapo, Nesti Nase dhe Rrapi Gjermeni jashtë shtetit.

Zhvillimi i Mbledhjes

Shoku Enver Hoxha. Shokë, në këtë mbledhje jemi prezent 76 anëtarë dhe kandidatë të Komitetit Qëndror, mungojnë me arsye pesë anëtarë dhe kandidatë, shumica është prezent dhe mbledhjen e deklaroj të hapur. Sipas rendit të ditës, që ju keni marrë, sot ne do të shqyrtojmë raportin e Byrosë Politike të KQ mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve për edukimin komunist të masave, që do të mbajë anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia dhe diskutime. Jemi dakort që plenumi të zhvillojë punimet me këtë rend dite? Kush është dakort të ngrejë dorën (të gjithë shokët aprovojnë që plenumi të zhvillojë punimet me këtë rend dite). Si të ftuar në këtë mbledhje marrin pjesë sekretarët e parë të KP të rretheve që s’janë anëtar plenumi, ministrat dhe njerëz të letërsisë dhe artit. Jeni dakort që këtë shokë të marrin pjesë në plenium? Kush është dakort të ngrerë dorën. (Të gjithë shokët u shfaqën dakort) Atëhere, shokë, fillojmë”.

Diskutimi i Fiqret Shehut

Shokë, duke bërë një analizë të gjithanshme e të thellë punës së deritanishme në sektorin e letërsisë e arteve, dhe duke përcaktuar orientimin për të ardhmen, raporti i Byrosë Politike i mbajtur në këtë Plenium nga shoku Ramiz Alia hap para shkrimtarëve dhe artistëve horizonte të reja e do t’i frymëzojë ata për një krijimtari me përmbajtje sa më të lartë ideologjike e me nivel sa më të denjë artistik, gjë që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të drejtë të letërsisë dhe arteve në vëndin tonë. Në raport shtrohen qartë edhe detyrat e organizatave të partisë për një udhëheqje e përdorim më të mirë të letërsisë dhe arteve në punën për edukimin ideo-estetik të masave. Për këtë arsye, ky Plenium i K.Q ka një rëndësi të madhe për të gjithë partinë. Por ky plenium ka një vlerë të veçantë për organizatën e partisë të qytetit të Tiranës, për një arsye se institucionet qendrore artistiko-kulturale dhe shumica dërmonjëse e shkrimtarëve dhe artistëve ndodhen në Tiranë. Kështu nga 220 anëtarë e kandidatë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve krijonjës në të gjithë vëndin, 180 janë në qytetin tonë dhe në 3 institucionet qendrore artistike janë 131 artistë ekzekutonjës. Këtej del qartë si rëndësia që ka ky plenium i KQ për organizatën tonë të partisë ashtu edhe përgjegjësia që bie mbi ne që punojmë në komitetin e qytetit të Tiranës, si sekretarë të tij dhe si anëtarë të Pleniumit të KQ, për të metat dhe dobësitë që janë vërtetuar në sektorët e letërsisë dhe arteve, e për çfaqjet e huaja në krijimtarinë e disa shkrimtarëve dhe artistëve, për të cilat u fol në raportin e Byrosë Politike. Në këto kushte bëhet akoma më i nevojshëm përmirësimi i punës ideologjike për ta ruajtur të pastër inteligjencën tonë të sektorëve të artit e letërsisë dhe për të evituar çfaqet e huaja në letërsi e arte, sado të vogla qofshin, për t’i luftuar ato që në embrion, për të mos lënë që të rriten e të bëhen pastaj tendencë, të bëhen të dëmshme për shoqërinë tonë.

Në raportin e Byrosë Politike, ndër të tjera, u bëhet një analizë e gjithanëshme disa shfaqjeve të huaja që janë vërejtur në letërsi dhe arte, duke u treguar edhe burimi i tyre si dhe rrugët për kapërcimin e tyre. Duke u munduar të mos bëj përsëritje, unë dëshiroj të theksoj se, nën pretekstin e novatorizmit ose të kërkimit të së “resë” në art dhe për të qenë “origjinale”, nën pretekstin e luftës kundër “skematizmit”, “arkaikes”, konservatorizmit dhe “shabllonizmit” nën pretekstin e “shprehjes së realitetit”,-në krijimtarinë e disa shkrimtarëve që punojnë në qytetin e Tiranës, janë vërejtur qëndrime të huaja ideologjikisht e shtrembërime të realitetit të sotëm e të luftës nacional-çlirimtare. E në këtë drejtim, përveç dramës së Fatos Arapit “Drama e një partizani pa emër”, që përmendet në raport e që është me të vërtetë një shembull shumë tipik, sepse në të mohohet haptaz heroizmi i kohës së luftës, shtrembërohet realiteti i atyre viteve të lavdishëm të luftës revolucionare të popullit tonë, duke i bërë të gjithë personazhet të frikëshëm, të lëkundur, mund të përmirësohet poema e po këtij autori “i përkasim komunizmit”, në të cilën ai i përforcon këto pikëpamje të tij, duke ngritur flamurin kundër heroit pozitiv dhe arrin deri aty sa të njollosë heroizmin partizan. Me këtë poemë autori polemizon, me përçmim, me gjithë shkrimtarët dhe poetët tanë që kanë ngritur lart në veprat e tyre heroizmin e partizanëve, për të cilët akoma nuk është shkruar sa duhet.

Nën pretekstin e paraqitjes së jetës ashtu siç është, në ndonjë rast, është shtrembëruar edhe realiteti i ditëve tona, siç është bërë p.sh. në dramën e Naum Priftit “Rrethimi i Bardhë”, autori i së cilës, veç të tjerave, siç paraqitet në vepër, as që i njeh sadopak marrëdhëniet shoqërore që ekzistojnë në shoqërinë tonë të re. Duke u nisur, qoftë edhe nga kjo vepër e dështuar, duket qartë edhe një herë se sa rëndësi të madhe ka për shkrimtarët dhe artistët njohja e jetës, si kusht i domosdoshëm për të krijuar një vepër letrare e artistike me përmbajtje të lartë ideologjike e ideo-artistike. Dhe duhet thënë se njohja e jetës nuk është një problem thjesht organizativ, për zgjidhjen e të cilit duhet të merren vetëm disa masa, duke dërguar disa shkrimtarë o artistë në bazë, siç mendojnë disa. Njohja e jetës nga shkrimtari e artisti është në rradhë të parë një problem i rëndësishëm ideologjik, sepse të njohësh e të pasqyrosh jetën realisht në krijimtarinë letraro-artistike, nuk do të thotë të jetosh vetëm fizikisht në bazë o të shkosh si për ekskursion në ndërmarrje o kooperativë, por të përpiqesh të njohësh thellë marrëdhëniet shoqërore midis njerëzve, ta njohësh punëtorin në marrëdhënie me shokët e me makinën, të hysh thellë në mentalitetin dhe psikologjinë e personazheve që do pasqyrosh, të shohësh qëndrimin e tyre ndaj punës, pronës etj, të njohësh idealet për të cilat ata luftojnë e aspiratat e tyre.

Letërsia për fëmijë është zhvilluar shumë pas çlirimit. Kjo është shumë pozitive. Por mua më duket se nuk pajtohet me parimet tona që fëmijët t’i edukojmë me përralla ku heronj janë mbretërit, princeshat apo magjistaret. Edhe këtu shkrimtarët tanë mund të gjenin subjekte jo vetëm në natyrën e në jetën që na rrethon, por edhe në folklorin tonë të pasur e të shëndoshë. Së fundi, më duket se duhet menduar më shumë për brezin e ri duke botuar vepra që frymëzojnë akte patriotizmi dhe heroizmi si dhe për zgjerimin dhe nxitjen e njohurive të të rinjve të moshave 12-18 vjeç duke përkthyer më shumë vepra vulgarizimi shkencore e teknike. Aprovoj plotësisht raportin e Byrosë Politike mbi letërsinë e artin të mbajtur nga shoku Ramiz Alia dhe angazhohem se do të vë të gjitha forcat për të kryer detyrat që na vë Partia në këtë Plenum të Komitetit Qëndror.

Diskutimi i Kryeministrit Mehmet Shehu

Shokë, çështja që u shtrua në raportin e Byrosë Politike dhe po shqyrtohet në këtë Plenium “Mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, ka rëndësi të dorës së parë, sepse letërsia dhe artet konsiderohen nga partia si armë e fuqishme ideologjike në duart e saj për të luftuar të keqen dhe për të përhapur të mirën, për të vënë “gozhdën e fundit në arkivolin e borgjezisë” dhe për të krijuar anjeriun e ri, botën e re socialiste dhe komuniste. Jo më kot Stalini i ka quajtur shkrimtarët dhe artistët “inxhinjerë të shpirtit të njerëzve”. Është e vështirë që të gjesh një përcaktim tjetër më të përsosur mbi rolin e njerëzve të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave. Që këtej del se, po të duam që të rritet roli i letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave, duhet që letrarët dhe artistët të bëhen me të vërtetë “inxhinjerë të shpirtit të njerëzve”. Kjo do të thotë që ata më parë të pastrojnë shpirtin (ndërgjegjen) e tyre, pastaj të futen thellë në ndjenjat e njerëzve që përbëjnë ambientin, shoqërinë tonë, t’i studjojnë mirë këto (shpirtin dhe ndjenjat) dhe nuk mund të themi se nuk jemi vurnerabël nga influenca e këtij presioni ideologjik. Shkrimtari ose artisti, sidomos sot në kushtet tona, duhet të jetë tepër i qartë në shprehjet e tij. Ai shkruan dhe krijon për popullin. Në qoftë se populli nuk i kujton vjershat ose shkrimet, ose pikturën, ose skulpturën, ose muzikën e tij, këto nuk vlejnë asnjë grosh. Sot jemi në regjimin socialist, ku populli është në fuqi. Shkrimtari që është bir i popullit, s’ka pse ta veshi shkrimin e tij me mjegull, me fraza të pakuptueshme, me alegoria që krijojnë dyshime tek lexonjësi. Popullit i duhet folur hapur, qartë dhe me thjeshtësinë realiste artistike. Forca e fjalës artistike nuk qëndron në maskimin dhe errësimin, në vështirësitë e kuptimit, por në thjeshtësinë realiste artistike dhe në efektin e drejt për drejtë që ajo bën në ndjenjat shpirtërore të lexonjësit. Ne kemi nevojë për stilin popullor. Veçse “stili popullor-ka thënë Lenini-qëndron shumë larg nga vulgarizmi, nga banalizmi…Shkrimtari i thjeshtë nuk parakupton një lexues që nuk mendon, që nuk do apo që nuk di të mendojë…Shkrimtari vulgar parakupton një lexues që nuk mendon dhe që nuk është i aftë të mendojë…, i servir “të gatshme” të gjitha konkluzionet e një teorie të caktuar, kështu që lexuesi, s’ka nevojë ta përtypë, por vetëm ta gëlltirë këtë çorbë”. Shkrimtarët tanë duhet të jenë jo vullgarë por të thjeshtë.

Dhe mua nuk më duket që krijimtaria artistike në sferat e letërsisë, nuk duhet të mbetet pothuaj monopol pothuaj i vetëm i shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve. Pse të mos u hapim dyert masave të gjera punonjëse që të shkruajnë vjersha, tregime, novela e kritika? S’ka gjë, asgjë të keqe. S’ka rrezik të zbresim në vulgarizëm, por do krijohen mundësi më të mëdha për seleksionimin dhe shkrimtarët e afirmuar që duhet të lozin rolin e frymëzuesit e të pararojës në këtë veprimtari krijonjëse masive, do të gjejnë dhe ata vetë frymëzim në to, kurse kultura do të bëhet e masave në një shkallë më të madhe. Ndonjë shkrimtarë i sëmurë, për të fshehur kundërshtimin e tij, ndën maskën e novatorizmit, thyen e përmbys çdo rregull të shprehjes artistike, i paraqet mejtimet e tij të rrumbullakosura në formë veze, që mund të kujtohen edhe kështu edhe ashtu-edhe për mirë –edhe për keq. Ky tip ka kundërshtuar realitetin e aktualitetin tonë por nuk guxon që ta thotë mejtimin e tij haptas nëpërmjet fjalës artistike sepse ka frikë, por megjith’atë gjen forma “të përshtatshme”, “artistike”, forma të tjera “të reja” për të shprehur mejtimin e tij të dyshimtë.

Ja p.sh. se ç’thotë Fatos Arapi në vjershat e tij të botuara nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”: “Shkoj nëpër rrugë të porsaçelura / dhe fishkëllej ndër buzë tani / këngët e mija që askush s’i njeh… D.m.th. ai është futur në “rrugë të porsa çelura”, por që as këto rrugë të tija s’i njeh kush, si njeh populli. Pse? Sepse janë të huaja për popullin. Dhe më poshtë ai konkludon: “Lumturi tjetër / botës i duhet!/ Dhe më e drejtë / dhe më njerëzore…D.m.th., sipas tij tek ne s’ka lumturi sepse s’ka drejtësi, s’ka ndjenja njerëzore. Ose në një vjershë: “Un’ erdha të kuptoj / Që jeta është e bukur / E madhe sa shpesh herë / Në madhështinë e saj / Gëzim e frikë ndjejmë”. D.m.th. se ai ka frikë në qoftë se s’e ndjen veten fajtor? Ose nga kush ka frikë? Frikë nga armiqtë e atdheut? Atëhere s’je poet por je frikacak. Frikë nga diktatura e proletariatit? Ahere e ndjen veten fajtor para saj. Ky është një poet i ri që ka bërë edhe ndonjë vjershë të mirë. Por me këto vargje që cituam, dhe me shumë të tjera si këto, ai paraqet pikëpamjet politike të tij nëpërmjet fragmenteve të ndryshme, të mbira nëpër vargjet e tij si bari i keq në kopsht. Ja ç’thotë autori vetë në një vjershë të pabotuar: “Unë s’ju kuptoj dot që të gjithëve / Ju s’më kuptoni dot të gjithë / Po…qoftë një grimcë / prej meje në kapet / ahere më kapët ju tërësisht./ Unë jam i tëri / nëpër fragmente / Ka nëpër botë plot të pangrënë / Ecin mbi tokën barkuritur”. A nuk kemi të drejtë të mejtojmë se ky poet nuk pajtohet plotësisht me botëkuptimin dhe me realitetin e jetës sonë? Natyrisht që ai mund të jetë i ndreqshëm akoma dhe ne duhet të përpiqemi ta ndreqim, mbasi, fakt është se ai ka shkruar edhe ndonjë vjershë të mirë. Siç duket, ai ka konfuzion në trurin e tij. Por si mund të shërohet vetëm nëpërmjet këshillave të urta dhe kritikave miqësore, në qoftë se nuk ka vendosur që të shoj më tej në konfuzionin e kundërshtimit të tij politik dhe ideologjik.

Kritika letrare duhet të zgjerohet. Vetëm me kritikë të hapët mund të ndreqen njerëzit. Dhe mua më duket se kritika letrare duhet bërë jo vetëm nga disa persona që specializohen si kritikë letrarë. Kur një vjershë, një roman, ose një pjesë muzikore nuk janë në rregull nga pikëpamja politike ose ideologjike, këtë kritikë mund ta bëjë jo vetëm ai që është specializuar si kritik letrar ose muzikor, por edhe çdo njeri i artit, bile çdo qytetar i thjeshtë. Prova më e mirë për të marrë çertifikatën e qytetarisë për një vepër artistike është opinioni publik, i frymëzuar nga mësimet e partisë. Duhet thënë se kritika dhe autokritika midis shkrimtarëve tanë, nuk është në lartësinë e duhur. Shkrimtari ose artisti duhet të ketë inisiativë dhe kurajo për të thënë fjalën e vetë. Pa një luftë opinionesh nuk mund të zhvillohet arti dhe kultura. Dhe kjo luftë duhet bërë nga vetë artistët dhe shkrimtarët e jo të pritet çdo gjë nga lart, nga partia. Natyrisht partia e drejton artin e kulturën. Por vetë-veprimi në sektorin e letërsisë dhe artit merr një rëndësi më të madhe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.