OPINION

Një komb në rrezik

07:30 - 15.10.18 Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Çmimi “Nobel” në Ekonomi për vitin 2018 u nda ndërmjet studiuesve William D. Nordhaus nga Universiteti i Yale-s (ShBA) dhe Paul M. Romer nga Universiteti i New York-ut (ShBA), për futjen në agjendën e diskutimeve në shkencën e ekonomisë të dy çështjeve që kanë qenë objekt shqetësimi për një kohë të gjatë për shoqërinë, ndryshimet klimaterike dhe inovacioni në fushën e teknologjisë.




Shkurt, deri dje, kemi paguar karburantin dhe komoditetin e lëvizjes me makinë, por jo çmimin e ndotjes së atmosferës; kemi paguar gjithnjë më pak për teknologjinë e re dhe jemi kënaqur që kompjuterët shiten më lirë, por nuk na ka interesuar se bashkë me çmimin, është zhvlerësuar edhe gjenerata e dijes. Nëse vëmë përballë ekonomistët e tregut të lirë me aktivistët për mbrojtjen e interesave të publikut, të parët, në përgjithësi, llogarisin dhe promovojnë vetëm kostot e drejtpërdrejta të mallit; grupi i dytë interesohet edhe për kostot që prodhimi e qarkullimi i këtij malli ka në natyrë a shoqëri. Arritja është kur mbrojtja e interesave të publikut vjen nga radhët e vetë ekonomistëve, ose nga brenda.

Në këtë mjedis tejet konservativ, dy amerikanët patën kurajën, vizionin e largpamësinë të identifikojnë dhe llogarisin dëmin që i bëhet shoqërisë nga djegia e karburantit në mënyrë të pakontrolluar dhe zhvlerësimi i dijes, duke ndërhyrë me variabla të rinj dhe krijuar modele matematikore që e shndërrojnë në vlerë këtë dëm. Studimet u shndërruan në apel për qeveritë për të mos bërë sehir. Dhe falë gjetjeve të tyre, sot pothuaj të gjithë shtetet kanë vendosur taksën e ndikimit negativ në përbërjen e atmosferës nga djegia e karburanteve (e njohur si taksa e karbonit), ndërkohë që janë ndërgjegjësuar për investimet e vazhdueshme që duhen bërë për të mbështetur e nxitur shkencën e teknologjinë.

Gjuha vete ku dhëmb dhëmbi! Duke referuar përsëri tregun dhe mosfunksionimin e tij në mënyrë ideale në segmente të caktuara, që do të thotë nevojën që kemi si shoqëri për të korrigjuar mekanizma të caktuar të modelit fillestar (template) të tregut, përpos sa më sipër, mund të ngrihet edhe një shqetësim tjetër, në fakt, i vjetër për vendet e tjera, por jo për vendin tonë: A funksionon idealisht tregu i lirë edhe në sektorin e arsimit? Thënë ndryshe, kur blejmë shërbimin që ofron një universitet a një shkollë, domethënë arsimimin nga çasti i regjistrimit deri në atë të pajisjes me diplomë, çmimi që paguajmë mbulon të gjitha kostot që llogarisin zakonisht ekonomistët, duke filluar nga amortizimi i ndërtesës ku bëhet mësim, pagat e pedagogëve dhe shumë të tjera. Në mënyrë ideale, çmimi mbulon kostot që referon vetëm shërbimet që ofrohen nga çasti i regjistrimit deri në atë të diplomimit, pra kënaqin individin për çfarë ka paguar. Çmimi nuk merr në konsideratë kostot që duhet të paguajnë brezat e ardhshëm nga furnizimi me këta të diplomuar, të cilët do të hartojnë politika e marrin vendime edhe në emër të tyre. Kjo kosto ekstra quhet eksternalitet dhe në rastin e shkollës, në përgjithësi, duhet të jetë pozitive: me supozimin që universiteti ka qenë cilësor dhe të diplomuarit ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e vendit.

Që kjo kosto të mos jetë negative, pra që të diplomuarit të mos “ndotin” atmosferën tonë sociale dhe të dëmtojnë zhvillimin e progresin e vendit në dhjetëra vitet në vijim, na duhet një ent rregullator që jo vetëm të certifikojë cilësinë e këtij shërbimi, por edhe të ofrojë informacion për studentët se çfarë ndodh në këto shkolla.

Në vitin 1983, Këshilli Kombëtar për Ekselencën në Arsim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, harton një raport me titull “Një komb në rrezik”. Raporti përshkruante standardet e ulëta në performancën e nxënësve amerikanë, ndërkohë që vetë kurrikulën e cilësonte si një menu kafeneje, ku antipasta dhe ëmbëlsira mund të merren lehtë si pjata kryesore dhe, vetë mësuesit, si të papërgatitur. Raporti kërkonte ndryshime në përmbajtjen akademike, duke e cilësuar si mediokre apo edhe katastrofë për sistemin amerikan, si dhe rritjen e pritshmërive për cilësinë e sasinë e dijes dhe të mësimdhënies.

A jemi edhe ne “Një komb në rrezik”? Për të arritur në një konkluzion të tillë, na duhen raporte të kësaj natyre, që, në fakt, mungojnë, por kemi arsye të shqetësohemi se menuja që ofrohet është jo vetëm e tipit “kafe”, por edhe vetë kafeja shpesh nuk është as kafe, por lëng gështenjash. Për ilustrim dhe në vijim të argumentit shtruar më sipër, po marr shembullin e një programi edukimi që ofrojnë dy universitete të ndryshme që përgatisin mësues. Në Universitetin publik të Tiranës, për t’u diplomuar “Mësues për arsimin e mesëm”, një student ndjek një program Bachelor tre vjeçar në një degë të caktuar dhe, më pas, edhe një Master Profesional dy vjeçar, ku integrohen njohuri nga pedagogjia me njohuri më të thelluara në disiplinën përkatëse. Në përfundim, titulli është “Mësues për arsimin e mesëm në lëndën… (të themi gjeografi)”. Një diplomë të ngjashme ofrojnë edhe disa universitete private, por tashmë me emërtimin e reduktuar “Mësues për arsimin e mesëm” (?) dhe në përfundim të ndjekjes së një Masteri Shkencor. Po t’i kthehemi edhe një herë programit të studimit që ofron Universiteti i Tiranës, Masteri Shkencor të themi në gjeografi, të orienton drejt një fushe krejtësisht të ndryshme nga ajo e mësimdhënies. Edhe një ilustrim tjetër. Falë interpretimit të gabuar që i bëhet ligjit për arsimin e lartë, ekziston ideja se Masteri është shkalla që të ngjit më lart. Për shembull, nëse mbaron studimet Bachelor për Arsim Fillor, përfundimi i studimeve Master të shndërron Mësues për Arsimin e Mesëm të Ulët. Në kushte të tilla, studentët-klientë, në mungesë të informacionit, mund të blejnë një produkt i cili në terma afat-gjatë rezulton në kosto negative jo vetëm për shoqërinë, por edhe për ata vetë, reflektuar, për shembull, në numrin e madh të të diplomuarve që mbesin në provimin e shtetit kur kërkojnë të fillojnë punë në profesion.

Në kontekstin e teorive ekonomike, në rastin e këtyre dy programeve krejtësisht të ndryshëm, tregu quhet i dështuar jo vetëm për shkak të vlerës negative të eksternalitetit që mbart produkti i prodhuar (lexo studentit të diplomuar) dhe nëpërmjet së cilës deformon shoqërinë, por edhe të diferencave të theksuara të të njëjtit produkt ofruar nga shitës të ndryshëm (lexo mësues të arsimit të mesëm diplomuar nga universitete të ndryshme).

Kufizimet e tregut të lirë, veçanërisht kur kemi të bëjmë me sfida që kërkojnë zgjidhje në terma kohorë afat-gjatë, njihen prej një kohe të shumë të gjatë. Por që këto kufizime të mos kthehen në kosto me efekt negativ, duhet reaguar. Apeli këtu është për forcimin e rolit rregullator të agjencive të licencuara, sikundër ndodh në të gjitha vendet ku arsimi ecën përpara. Dhe për prindërit të bëjnë kujdes në zgjedhje!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.