AKTUALITET

Paketa anti-shpifje si Transparenca.al? Çfarë u bë me faqen e propagandës qeveritare

12:56 - 15.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Socialistët e drejtuar nga Edi Rama kanë vendosur që, për të gjitha akuzat në adresë të tyre, të përballën në gjykatë për shpifje. Me paratë e fituara sipas kryeministrit do të krijohet Fondi i Edukimit, për t’i investuar ato në kopshte e shkolla.




Shumë herë ka folur për të ashtuquajturën paketë antishpifje, por deri tani një masë e vetme që është marrë është ajo për regjistrimin në QKB të portaleve.

Vetë kryeministri e gjykon se situata e krijuar në qeverinë e tij, me akuzat e bëra, janë si pasojë e një “gjyleve me baltë” që vijnë nga opozita dhe mediat. Një nismë të ngjashme për kriminalizimin e shpifjes, socialistët e tentuan edhe në vitin 2015, por u tërhoqën pas presioneve edhe ndërkombëtare, ku spikati OSBE-ja, që shfaqën shqetësim se kjo do të penalizonte punën e gazetarëve. Shpifja ka qenë pjesë e Kodit Penal në Shqipëri deri në vitin 2012, kur qeveria “Berisha” asokohe, pas një këmbëngulje të fortë ndërkombëtare, e hoqi veprën nga Kodi Penal, duke e kaluar në një çështje që trajtohet në kuadër të Kodit Civil, siç është edhe aktualisht.

Por pa u marrë shumë me paketën antishpifje, për të cilën dhe kryeministri Rama nuk ka dhënë shumë detaje le të merremi pak me portalin Trasparenca.al.

Në 15 tetor 2015, drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga do të njoftonte për ngritjen e këtij portali. Sipas Fugës ky portal do të kthehej në një pikë referimi për gazetarët dhe publikun e gjerë.

Këshilli i Ministrave ka ndërmarrë një nismë të re; transparenca.al është portali i ri online, në të cilën ne si qeveri do të ofrojmë gjithë informacionin e nevojshëm, për çdo akuzë apo pretendim të ngritur qoftë nga media, qoftë nga opozita,” deklaronte Fuga në një deklaratë të regjistruar në video.

Me shpresën se ky portal do të kthehet në një pikë referimi për gazetarët, të cilët do të kenë mundësi të informohen përpara se të shkruajnë, por edhe për publikun e gjerë,” shtonte ai.

Por megjithatë, tani rreth 3 vite më pas, rekordi i këtij instrumenti propagandistik i pashoq në botën perëndimore, ka qenë i zbehtë dhe nuk i ka ndaluar raportimet kritike të medias ndaj qeverisë “Rama” dhe as akuzat e opozitës.
Po të klikosh tani në këtë portal do të shikoni se postimi i fundit është në 20 janar 2017.

Që nga nisja e këtij portali deri në postimin e fundit, nuk janë bërë më shumë se 100 përgënjeshtrime. Por një tjetër aspekt është që kryeministri Edi Rama nuk jep llogari për ERTV-në, një televizion për kryeministrin dhe i ngjeshur me rubrika propagandistike. Akoma dhe më shumë, burime të besueshme kanë thënë për Gazetën Shqiptare se për ERTV-në punojnë të paktën 17 persona dhe asnjë qytetar shqiptar nuk ka dijeni se nga kryhen pagesat për këta punonjës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.