Sociale

Vendimi, zbardhen kuotat për shpenzimet ushqimore për rreth 900 persona

17:30 - 15.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Janë përcaktuar kuotat financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve për të gjithë të moshuarit dhe fëmijët që marrin shërbime në institucionet rezidenciale publike të përkujdesjes shoqërore. ‘Gazeta Shqiptare‘ zbardh sot vendimin e plotë të ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu si dhe tabelat përkatëse mbi numrin e përfituesve, ditët e qëndrimit të tyre në këto qendra dhe kuotën ditore të përmirësuar. Aktualisht nga ky vendim preken rreth 900 persona, ndër të cilët 285 të moshuar dhe 205 fëmijë të moshës 0-15 vjeç. “Niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve, për klientët që përfitojnë shërbime në institucionet rezidenciale publike të përkujdesjes shoqërore, është: Për të moshuarit e vendosur në shtëpitë e të moshuarve, në 360 lekë; për fëmijët e vendosur në shtëpinë e fëmijës 0-3 vjeç, të vendosur në institucionet e përkujdesjes, në 360 lekë”,-theksohet në udhëzim.




Në këtë të fundit bëhet me dije se për fëmijët e grup-moshës 4-5 vjeç të vendosur në institucionet e përkujdesjes, kuota ditore për ushqimet është 400 lekë ndërsa për fëmijët e grup-moshës 6-12 vjeç të vendosur në institucionet e përkujdesjes, është 440 lekë. “Për fëmijët e grup-moshës 13-15 vjeç të vendosur në institucionet e përkujdesjes, në 480 lekë. Për fëmijët e grup-moshës 16-18 vjeç të vendosur në institucionet e përkujdesjes, në 500 lekë.

Për përfituesit mbi moshën 18 vjeç të vendosur në institucionet e përkujdesjes, në 520 lekë. Për përfituesit e vendosur në qendrat e zhvillimit të moshës 7-11 vjeç, në 400 lekë. Për përfituesit e vendosur në qendrat e zhvillimit të moshës mbi 11 vjeç, në 500 lekë”,-bëhet me dije më tej në Fletoren Zyrtare. Në qendrat ditore polivalente, niveli i kuotave financiare për shpenzimet ditore të ushqimeve, për klientët që përfitojnë shërbime në qendra ditore publike të përkujdesjes shoqëror, është 230 lekë; në qendrat ditore të zhvillimit, kuota e përcaktuar është 320 lekë; ndërsa në shtëpinë e fëmijës është përcaktuar një kuotë ditore prej 320 lekësh. Niveli i kuotës financiare për shpenzimet ditore ushqimore për kuzhinierët dhe ndihmëskuzhinierët, që punojnë në këto institucione, është i barabartë me 60% të kuotës financiare ditore për ushqim, për kategoritë e përfituesve të përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij udhëzimi.

Efektet financiare të përballimit për shpenzimet e ushqimit nga rritja e nivelit të kuotës financiare të shpenzimeve për ushqim, përballohen nga fondet e buxhetit qendror, të programuara për shërbimet e përkujdesjes shoqërore. Udhëzimi Nr. 689, datë 2.10.2018 për nivelin e kuotave të shpenzimeve për ushqime në institucionet publike rezidenciale e komunitare të përkujdesjes shoqërore ka hyrë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe e shtrin efektin financiar nga data 1.10.2018.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.