Sociale

“Luarasi” nis vitin e ri akademik, ceremoni mikpritëse për studentët

09:00 - 16.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Universiteti “Luarasi” hapi dje dyert për të pritur qindra studentë, duke shënuar kështu fillimin e vitit të ri akademik 2018-2019. Nëpërmjet një ceremonie të mikpritëse, ky institucion elitar i arsimit të lartë nisi me sukses projektimin e ëndrrave të të rinjve, të cilët nëpërmjet diplomës së “Luarasit” do të sigurojnë një të ardhme profesionale të sigurt. Rektori i universitetit, Prof. Dr Et’hem Ruka në fjalën e tij përshëndetëse iu uroi suksese të gjithë studentëve. Ai theksoi se pas përfundimit të rrugëtimit akademik, të rinjtë do të jenë juristë, ekonomistë e informaticienë të shkëlqyer në tregun e punës. “Jemi shumë të nderuar që ju kemi këtu. Nuk kam parë ndonjëherë studentë më të mrekullueshëm sesa jeni ju në këtë sallë. Ju po vini si maturantë dhe të jeni të bindur se nga dyert e këtij institucioni do të dilni si juristë, ekonomistë dhe si teknologë të informacionit dhe inovacionit. ‘Luarasi’ është një ndër katër shkollat më të mira të larta në vend. Synimi është që të jetë një shkollë elitare, një shkollë ku transmetohen dije, ku gjithçka zhvillohet në rregull, në mënyrë të pastër dhe duhet të bëni maksimumin që të përfitoni sa më shumë që të bëheni profesionistët më të mirë të Shqipërisë”, – tha Ruka në fjalën e tij përshëndetëse.




Studentët e shkëlqyer
Synimi kryesor i Universitetit “Luarasi” është të tërheqë në gjirin e vet sa më shumë studentë të shkëlqyer. Edhe këtë vit të ri akademik, niveli i maturantëve që përzgjodhën këtë universitet është tejet i lartë. “Dita e parë në Universitetin ‘Luarasi’ ishte një ditë e jashtëzakonshme, plot me emocione e pritëm edhe studentët e vitit të parë që zgjodhën këtë universitet. Organizuam një ceremoni të mrekullueshme, që në fund të fundit ishte një vazhdim i bashkëbisedimit që kemi pasur me maturantët gjatë këshillimit të karrierës në të gjithë Shqipërinë. Jemi shumë të kënaqur që kanë ardhur studentë të mrekullueshëm, me rezultate shu-më të larta nga nota 8-10, çka na bën që këtë produkt ta kthejmë në përgjegjësi, në mësimdhënie, në kualitetin e përgatitjes së studentëve. Është një angazhim që ne e kemi marrë gjatë kësaj fushate promovuese dhe dua t’i siguroj studentët, por edhe prin-dërit e tyre që këta maturantë që ulen për herë të parë sot në auditorë, do jenë profesionistë të së ardh-mes”, – tregon rektori.

Masat
Më tej Prof.Dr. Ethem Ruka bën me dije se Universiteti “Luarasi” i ka marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë perfekt gjatë procesit mësimor dhe shton me bindje se në këtë institucion elitar studentët do të gjejnë atë çka kanë ëndërruar. “Detyra jonë është që ëndrrat e tyre t’i kthejmë në realitet. Do të doja me gjithë zemër të uroja suksese për studentët dhe të dalin me 10-ta nga rrugëtimi akademik, sepse në fund të fundit këta të rinj do ndryshojnë Shqipërinë”, – thotë Ruka.

Fakulteti i ri
Për t’u gjendur sa më pranë nevojave të tregut, Universiteti “Luarasi” çel këtë vit edhe fakultetin më të ri, atë të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit. Zv.rektorja për kërkimin shkencor pranë këtij universiteti, Anni Dasho Sharko tregon se bashkëpunimet nuk do të mungojnë për të ndërthurur sa më shumë teorinë me praktikën. “Dita e parë ishte një kënaqësi për të gjithë ne pedagogët, plot me emocione njëkohësisht. Është dita e parë edhe për hapjen e fakultetit më të ri, atij të Tekonologjisë së Informacionit dhe Inovacionit. Informatika Ekonomike dhe Teknologjia e Informacionit janë dy programe bachelori, të cilët ishin sot (dje) së bashku për të ndarë idenë si do të shkojmë bashkë gjatë tri viteve, si do të qasemi në konceptin e ri që jo vetëm mësojmë, por edhe punojmë; në konceptin që jo vetëm mësojmë, por jemi edhe pjesë e akademisë Cisco, e akademisë Microsoft.

Pra, jo vetëm mësojmë, por jemi edhe pjesë e qendrës së Inovacionit që do të vijë së shpejti në fakultetin e ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Inovacionit, që është një risi për studentët”, – thotë Sharko.

Vetë studentët që ulen për herë të parë në audiotorët e “Luarasit” e shohin këtë universitet si çelësin kryesor që do të hapë dyert për të ardhmen e tyre profesionale. “Jam studente në vitin e parë në Fakultetin e Drejtësisë dhe jam shumë e lumtur që jam pjesë e ‘Luarasit’. Godina është fantastike, por mbi të gjitha pedagogët janë të mrekullue-shëm dhe shumë miqësorë. Unë zgjodha ‘Luarasin’, pasi është një ndër universitetet më të mira në Shqipëri dhe e shoh si institucionin që do më sigurojë të ardhmen”, – tregon një prej studenteve. Ata, plot emocione tregojnë se ndihen shumë të lumtur që janë pjesë e këtij institucioni elitar. “Unë kam zgjedhur të vazhdoj studimet në degën e Teknolo-gjisë së Informacionit, pasi e kam pasion këtë degë. Jam shumë i emocionuar, por mund të them se ‘Luarasi’ është një universitet elitar, prandaj bëra këtë zgjedhje”, – thotë një tjetër student i vitit të parë. Me fillimin e vitit të ri akademik 2018-2019, ‘Luarasi’ vijon misionin e tij, edukimin dhe përgatitjen e të rinjve profesionistë në tregun e punës, me një staf të specializuar e standarde bashkëkohore.

Programet master
Në pjesën e programeve master, dy programet janë master profesional në siguri kibernetike dhe informacioni dhe master shkencor në teknologji informacioni dhe inovacioni. Për t’u gjendur sa më pranë studentëve, institucioni elitar i arsimit të lartë ka çelur 3 mastera profesionalë në Fakultetin Ekonomik për vitin e ri akademik 2018-2019. Tri degët e reja në ciklin e dytë të studimeve janë Marketing dhe Reklamë, Financë dhe Menaxhim Risku si dhe Kontabilitet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.