AKTUALITET

Nis gara për 41 drejtues shërbimesh mjekësore në QSUT, zbardhen kriteret

14:30 - 16.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Deri në 5 nëntor, të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të fitojnë një pozicion si drejtues shërbimi në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mund të aplikojnë duke dorëzuar dokumentacionin përkatës. “Gazeta Shqiptare” publikon sot listën e plotë me shërbimet e QSUT-së, në të cilat ofrohet pozicioni i punës drejtues shërbimi. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka zbardhur kriteret që duhet të plotësojnë aplikantët si dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë prej datës 19 tetor. Përkatësisht gara do të vijojë për të fituar një pozicion në një nga 41 drejtuesit e shërbimeve mjekësore në QSUT. “Data e aplikimit për procedurën e përzgjedhjes së kandidaturave për drejtues të shërbimit në strukturat shëndetësore universitare do të jetë nga data 19.10.2018 ora 09:00, deri më 05.11.2018, ora 16:00. Dokumentacioni duhet të dorëzohet pranë zyrës së burimeve njerëzore të Fakultetit të Mjekësisë. Data e zhvillimit të konkurrimit do të jetë data 19.11.2018, dhe në vijim”, – theksohet në njoftim.




Kriteret dhe dokumentacioni
Kandidati i interesuar duhet të ketë një përvojë klinike/diagnostike jo më pak se 10 vjet në specialitetin përkatës, ku të përcaktohet qartësisht specialiteti ku është ushtruar aktiviteti mjekësor dhe data e nisjes dhe përfundimit (nëse ka përfunduar) të eksperiencës përkatëse. Kështu, aplikantët duhet të dorëzojnë një kërkesë me shkrim të shoqëruar me fotokopjen e dokumentit të identifikimit, një curriculum vitae, diplomë në “Mjekësi të Përgjithshme”, diplomë e specialitetit të shërbimit, diplomë e titullit “Profesor”, (nëse ka); diplomë e titullit “Profesor i Asociuar”, (nëse ka); diplomë “Doktoratë”/PhD, të mbrojtur në një nga Universitetet e Shqipërisë, të BE-së, SHBA-ve, Kanadasë, Turqisë, Australisë ose Japonisë. Sakaq, diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit duhet të jenë njohur dhe njehsuar, sipas legjislacionit në fuqi nga strukturat përkatëse. Kandidatët që kanë vetëm shtetësi të huaj duhet të paraqesin certifikatën e mbrojtjes së gjuhës shqipe, me përjashtim të rasteve kur kandidati ka kryer një cikël të plotë studimesh në gjuhën shqipe dhe paraqet diplomën e noterizuar. Ndërkohë, kandidati duhet të dorëzojë nga Urdhri i Mjekut edhe licencën e ushtrimit të profesionit, vërtetim anëtarësimi nga Urdhri i Mjekut si dhe një vërtetim që nuk ka asnjë dënim të dhënë nga ky institucion.

“Duhet të dorëzohet kontrata ose vërtetimi që është mjek pedagog me kohë të plotë jo më pak se 5 (pesë) vjet), me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar në IAL-në përkatëse dhe të ketë të njëjtin specialitet në shërbimin shëndetësor universitar, për të cilin kandidon, ose të jetë/të ketë qenë mjek pedagog me kohë të plotë i strukturave universitare homologe të Bashkimit Evropian ose vendeve anëtare të OECD. Në rastet kur asnjë nga pjesëtarët e stafit mjekësor nuk plotëson kriterin e sipërpërmendur, mund të pranohen edhe kandidatë me përvojë akademike, jo më të shkurtër se 8 (tetë) vjet, pa ndërprerje si pedagog me kohë të pjesshme”, – thekson MSHMS. Ndërkohë, konsiderohet si përvojë akademike aktiviteti didaktik i kryer në institucione publike të arsimit të lartë apo në institucione jopublike të arsimit të lartë, të akredituara dhe në programe studimi të akredituara brenda vendit, në periudhën e përvojës së kryer. I njëjti kriter vlen edhe për institucionet dhe programet e akredituara/e njohura në një nga vendet e Bashkimit Evropian ose vendet anëtare të OECD. Nevojitet që kandidati të mos ketë qenë asnjëherë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë dhe më tej duhet të paraqesë edhe dokumentet që provon aftësitë profesionale dhe organizative. Projekti 4-vjeçar për zhvillimin dhe drejtimin e shërbimit i paraqitur nga i interesuari duhet të paraqesë të dhëna dhe produkte konkrete të matshme, të cilat do të shërbejnë më pas si bazë për vlerësimin e punës së drejtuesit të ardhshëm të shërbimit që i ka paraqitur ato. “Kërkesa dorëzohet pranë zyrës së burimeve njerëzore të fakultetit, pjesë e të cilit është shërbimi ku do të konkurrojnë. Kujdes! Dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë në origjinal ose kopje e noterizuar në gjuhë shqipe. Në rast paraqitjeje dokumentacioni në gjuhë të huaj, ky i fundit duhet të dorëzohet i përkthyer dhe noterizuar”, -nënvizohet në shpalljen e ministrisë.

Lista e Shërbimeve të QSUT

1. Shërbimi i Kardiologji I
2. Shërbimi i Kardiologji II
3. Shërbimi i Kardiokirurgjisë
4. Shërbimi i Kirurgjisë Vaskulare
5. Shërbimi i Gastrohepatologjisë
6. Shërbimi i Hipertonisë dhe Mjekësisë Interne
7. Shërbimi i Endokrinologiisë
8. Shërbimi i Nefrologjisë dhe Hemodializës
9. Shërbimi i Laboratorit të Imunologjisë
10.Shërbimi i Laboratorit të Gjenetikës
11.Shërbimi i Urgjencave Polivalente
12.Shërbimi i Anestezi Reanimacionit
13.Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme I
14.Shërbimi i Kirurgjisë Urologjike II
15.Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Digjestive III
16.Shërbimi i Djegie Plastike
17.Shërbimi i Laboratorit Klinik Biokimik
18.Shërbimi i Laboratorit Mikrobiologjik
19.Shërbimi i Imazherisë dhe Mjekësisë Nukleare
20.Shërbimi i Toksikologjisë Klinike
21.Shërbimi i Laboratorit të Anatomisë Patologjike
22.Shërbimi i Neurologjisë
23.Shërbimi i Psikiatrisë
24.Shërbimi i Neurokirurgjisë
25.Shërbimi i Neurovaskular (Stroke dhe Post Stroke)
26.Shërbimi i ORL
27.Shërbimi i Okulistikës
28.Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve I
29.Shërbimi i Pediatrisë së Specialiteteve II
30.Shërbimi Onkohematologjisë
31.Shërbimi i Nefrologjisë Dhe Dializës Pediatrike
32.Shërbimi i Kirurgjisë Infantile Pediatrike
33.Shërbimi i Reanimacionit Pediatrik
34.Shërbimi i Urgjencës dhe Pediatrisë së Përgjithshme
35.Shërbimi i Pediatrisë Infektive
36.Shërbimi i Onkologjisë
37.Shërbimi i Hematologjisë
38.Shërbimi i Sëmundjeve Infektive
39.Shërbimi i Reumatologjisë
40.Shërbimi i Alergologjisë
41.Shërbimi i Dermatologjisë


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.