KULTURË

Sabiha Kasimati: Evolucioni është në natyrën e gjërave

16:20 - 16.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Më akuzuan për terroriste. U thashë: Unë kam studiuar për biologji dhe jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Me dhunë nuk shkohet dot as në socializëm, as në demokraci; shkohet drejt shkatërrimit”. Këto kanë qenë fjalët e fundit në qeli që Sabiha Kasimati i rrëfente shoqes së vet.
Dje, në ditën e parë të vitit akademik universitar 2018-2019, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përuroi këndin e kujtesës për Kasimatin, në Muzeun e Shkencave të Natyrës, që tashmë mban emrin e saj. Nderi i Kombit dhe themeluese e këtij muzeu, për të nderuar kontributin e saj profesional dhe integritetin në takimin e djeshëm morën pjesë dhe vlerësuan figurën e saj, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës prof. dr. Spiro Drushku, rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Mynyr Koni, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla dhe Uran Butka, në prani të përfaqësuesve të shumtë të botës akademike, familjarëve, studiuesve, studentëve dhe trupit diplomatik.




Me realizimin e këndit informues në hyrje të Muzeut, Autoriteti vëren se përmbush një ndër detyrat e tij të informimit qytetar përmes kërkimit shkencor, në funksion të së vërtetës historike dhe përballjes me të shkuarën. Pas një pune më shumë se njëvjeçare të institucionit, të bashkërenduar me projekte të shkencës, hedhjes dritë mbi të kaluarën dhe ridimensionimit të personaliteteve, u bë e mundur që Sabiha Kasimatit t’i jepet një vend nderi në Muzeun që e ideoi, konceptoi, propozoi e themeloi, para se të dënohej dhe ekzekutohej brutalisht, për t’u braktisur në harresë dhjetëravjeçare. Vetë Muzeu është organizuar ashtu siç Sabiha Kasimati e ideoi në dokumentin me të cilin ia propozoi ministrit të Arsimit të asaj kohe, Ernest Koliqit.

KËNDI
Këndi i kujtesës përmban materiale që e prezantojnë Kasimatin si shkencëtare dhe personalitet kurajoz. Ai është finalizuar nga bashkëpunimi i një grupi ndërdisiplinor me historianë, biologë, arkivistë, gazetarë e kërkues shkencorë dhe një pjesë e të dhënave ekspozohen për herë të parë. Narrativa e jetës dhe veprimtarisë së Sabiha Kasimatit është bazuar në dokumente, shkresa, raporte e fotografi të rralla; pas propozimit të AIDSSH më 8 mars të këtij viti, për t’i dhënë emrin e saj Muzeut të Shkencave të Natyrës, vendim i miratuar unanimisht nga Senati i Universitetit të Tiranës.

Prej vitesh, studiues të shumtë, bazuar në kërkime të shumta arkivore, përmes publikimeve të ndryshme kanë synuar ridimensionimin e figurës së saj për t’i dhënë vendin që i takon në historinë dhe shkencën shqiptare. Presidenti i Republikës e ka nderuar me medaljen “Për veprimtari patriotike” dhe në kuadrin e grupit të 22 intelektualëve të pushkatuar, si “Nderi i Kombit”. Duke i prezantuar këto studime në një institucion arsimor, Autoriteti i njeh të rinjtë dhe publikun e interesuar me personalitetin e Kasimatit dhe, përmes dokumenteve e dëshmive, ndihmon në ringritjen e emrit të saj. Në mjediset e Muzeut dje u shfaq edhe një film dokumentar mbi jetën e Sabiha Kasimatit, i gazetarit Ferdinand Dervishi.

Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula në fjalën e mbajtur dje tha se në kënd reflektohet me narrativë të pasur, – bazuar në dokumente, foto, raportime, procesverbale apo vendime, – jeta e saj me zhvillime domethënëse dhe veprimtaria shkencore e prerë në mes, në të cilën Kasimati ka kontribute të spikatura sa i përket iktiologjisë. “U desh më shumë se një vit që të rindërtohej figura e kësaj zonje të rrallë, të spikatur në secilin mjedis ku bënte pjesë, origjinale dhe e guximshme, e thellë dhe vizionare. Puna jonë për këtë vazhdon. Një libër i plotë me shkrime të studiuesve të fushave të ndryshme, me dokumente arkivore dhe foto të rralla pritet të dalë së shpejti. Po ashtu, një axhendë praktike, e dizenjuar posaçërisht, bazuar në punën e saj shkencore dhe arritjet si studiuese do të jetë së shpejti në duart e studentëve dhe profesorëve; që Sabihaja të kujtohet përmes veprimtarisë e kontributeve konkrete, jo vetëm për mënyrën tragjike si mbylli sytë”, bëri me dije kryetarja e Autoritetit. Sula tha se në fillim të këtij viti, Autoriteti ka hapur arkivat dhe në bashkëpunim me institucionet, kontribuon në ridimensionimin e personaliteteve të ndryshme të dijes, të përndjekur nga Sigurimi i Shtetit.

Sabiha Kasimati është në dhjetëshen e parë të studiuar, shumë shpejt pjesë e një platforme interaktive në shqip dhe anglisht, me të dhëna e detaje interesante për shumë emra të njohur të shkencës dhe edukimit.

Autoriteti e ka hapur dosjen e Sabiha Kasimatit me kërkesën e familjarëve para më shumë se një viti. Më 15 shtator të 2017-ës, figura dhe personaliteti i saj u përkujtuan në mjediset e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Po atë ditë, veç dosjes së saj të plotë, u bë e njohur edhe diploma e studiueses, e sjellë nga Universiteti i Torinos, në bashkëpunim me ambasadën italiane. Shumë aktorë u përfshinë në procesin e hedhjes dritë mbi figurën komplekse të Sabiha Kasimatit. “Duke i dhënë një vend nderi Sabiha Kasimatit në hyrje të tij, Autoriteti, në bashkëpunim me partnerët ka realizuar misionin e vet themelor, hapjen dhe nxitjen e dialogut përmes shkëmbimit të informacionit me universitetet, duke u dhënë mundësi të gjithëve të njihen me materialet e Kasimatit”, tha Sula, duke shtuar se Autoriteti ka ndërmarrë projekte serioze për hulumtimin në jetën dhe veprën e personaliteteve të anatemuar nga regjimi komunist, në përpjekje për t’i shpluhurosur dhe sjellë në të sotmen përmes qasjes shkencore, asaj të të drejtave të njeriut dhe dëshmive të rezistencës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.