Intervista

Suela Bako: Pak dashuri, ju lutem! Klithma e tradhtisë në skenën shqiptare

13:30 - 16.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Vepra “Tri gra dhe Misugi” është e konceptuar në formën e tri letrave. Një e shkruar prej bashkëshortes, tjetra prej së dashurës, dhe një letër e së bijës, e cila rrëfen mënyrën sesi e ka ndier këtë histori dhe humbjen e së ëmës, “Tri gra” është një roman tronditës për pasionin njerëzor. Është historia tragjike e një pasioni të pamundur i shkruar në tri letra, që i drejtohen të njëjtin person nga tri gra të ndryshme. Në fillim të duket sikur kemi të bëjmë me një histori të zakonshme dashurie jashtë martese. Në fakt, Inoue do të japë verisonin e dashurisë së mallkuar, asaj që jo doemos do i rezistoj kohës. Kjo histori e jashtëzakonshme e letërsisë japoneze do të ngjitet në skenën e “Teatrit Eksperimental “në datat 18-19-21-25-26-27-28 tetor. “Tri gra dhe Misugi”, është një dramatizim nga novela e famshme e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Me aktorët Suela Bako, Romir Zalla, Anila Muçaj dhe muzika nga Elona Islamaj pritet që ky dramatizim të jetë i paharrueshëm. Për të folur për këtë shfaqje ekskluzivisht për “Gazeta shqiptare” vjen Suela Bako, e cila rrëfen të fshehtat e punës intensive dhe adhurimit që ka për veprën japoneze. Përtej aktrimit Bako na zbulon dhe disa “sekrete” të vogla të familjes.




Na tregoni diçka për subjektin e shfaqjes “Tri gra dhe Misugi”?
“Tri gra dhe Misugi” është dramatizim i veprës së Inuoue Yasushi që përkthehet në Shqip “ Çiftja”. Është një vepër, e cila ka ardhur në Shqipëri herët. Unë nuk e dija para ’90-ës, po më thanë që ka ardhur para këtij viti. Veprën e kam lexuar diku rreth 2005-2006 dhe më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Përkthimi që unë kam lexuar është nga Helena Kadare ndërkohë që vepra që unë po vë në skenë është një dramatizim i Anxhela Çikopanos, sigurisht me mua që kam konceptuar shfaqen, si dhe këtë lloj vënie midis personazheve që qarkullojnë dhe i vishen një personi që në rastin konkret qëlloj të jem unë. Vepra në thelb ka tri letra që i dërgohen të njëjtit person. Këto letra vijnë nga tre gra të ndryshme sigurisht me një lidhje të ngushtë mes tyre që i drejtohen një burri, Misugit. Lidhja mes këtyre grave është që njëra prej tyre është gruaja e Misugit, tjetra është e dashura nga një lidhje jashtë martesore, ndërsa e fundit është vajza e të dashurës, e cila, në fakt, vinte dhe kjo si një fëmijë e një martese të prishur. Është një vepër e jashtëzakonshme, e thellë, e dashur. Vepra i ka hyrë qenies njerëzore femërore në palcë, në nyje të nervit, në nyje të ndjesisë, por pa lënë mënjanë figurën e mashkullit pasi përmes këtyre tre grave neve nuk njohim vetëm grua, po njohim dhe mashkullin me pushtetin e tij. Njohim rëndësinë e mashkullit në jetën e një femre dhe atë se çfarë mund të bëj ose të zhbëj prezenca e tij në jetën e saj.

Sa e vështirë është të jesh nën petkun e një personazhi japonez?
Unë, në fakt, jam nën petkun e tri personazheve japonezë, të tri grave. Ato zhvillohen, transformohen në skenë. Mendoj që në këtë rast vështirësia qëndron pikërisht tek kalimi nga lëkura e njërës tek lëkura e tjetrës. Është sfidë, por është kaq tunduese sa jam shumë e lumtur që ia bëra vetes këtë dhuratë. Kam vite që e mendoj. Kur kam lexuar veprën sikur e pashë shfaqen, se si ato gra mund të ngriheshin mbi mua edhe unë të isha mbi to apo nën to. Për vite me radhë kam tentuar, jam tërhequr, fati dhe zoti e deshi që ky të ishte viti i realizimit të kësaj ëndrre.

Ç’të veçantë kanë këto personazhe?
Ato janë sa të ndryshme, aq edhe të ngjashme. E them këtë pasi tek të treja gratë fshihet një ndjeshmëri e thellë, një shpirt i brishtë që në dukje kamuflohet me një krenari, diku-diku edhe kokëfortësi. Janë gra, të cilat përmes këtyre tre letrave thënë në gjuhën e teatrit përmes monologjeve në pamje të parë dalin si një gjë krejtësisht e qartë që nuk fsheh asgjë poshtë. Do të mjaftojnë vetëm 2-3 minuta për të kuptuar se do të mjaftojnë vetëm 2-3 minuta për të kuptuar se çfarë oqeani fshihet pas kësaj pike uji në dukje. I bashkon forca, energjia, dashuria, pasioni, ideja fikse për një dashuri ideale dhe i ndan perceptimi mbi këtë dashuri, të përjetuarit e dëshpërimit, zhgënjimit, tradhtisë i ndan, gjithashtu, mënyra se si hakmerren. Janë shumë të ndryshme në hakmarrje secila prej tyre e për mendimin e tyre mënyra që ato gjejnë është spektakolare. Askush nuk bën asgjë kundër mashkullit që i drejtohet, përkundrazi e kanë sfidën me veten. në përgjithësi kam përshtypjen se gratë e kanë sfidën me veten, kjo është një gjë që më tundon shumë. Gratë kanë nevojë të sfidojnë veten më shumë se këdo tjetër.

Cila është risia që sjell në Shqipëri shfaqja që do të vini në skenë?
Mbase është përkëdhelie, po parapëlqej të them që risia e kësaj shfaqje është fakti që vepra është konceptuar si një teatër brenda teatrit, jo për herë të parë në fakt pasi kemi parë shpesh teatër brenda teatrit, por në këtë formë besoj që është një risi. Fakti që është një aktor që luan tre personazhe besoj që është një risi. Unë jam përpjekur shumë të ruaj idenë e një teatri dhome. Çfarë dua të them me ketë është një teatër ku spektatori është pjesë e tij dhe ku nuk merret vesh se ku është ulur spektatori e ku është ulur personazhi. Kjo do të thotë që janë të shkrirë me njëri-tjetrin. Jam shumë e interesuar dhe kurioze të di impaktin te spektatori, po nuk kam mundësi t’jua them tani se si do të ndihet i pështjelluar në këtë mënyrë dhe në këtë vënie skenike. Salla ‘Gëte’ ta ofron në mënyrë të shkëlqyer këtë mundësi. Unë kam parë shfaqje atje dhe e kam ndjerë veten pjesë të shfaqjes prej faktit që ti do të shohësh aktorin, por pas aktorit është një spektatori dhe ti befas komunikon me spektatorin dhe kjo bën që spektatorët të ndërveprojnë me njëri-tjetrin ashtu sikurse dhe aktorët. Në sytë e mi është një eksperiment dhe një moment shumë interesantë në teatër që ta ndjesh veten pjesë të shfaqjes duke qenë spektatori i saj. Gjithçka në skenë ndodh live. Kalojmë nga një personazh tek tjetri, në thelb kemi një aktor dhe një regjisor që po bën një shfaqje teatri dhe nuk e kuptojmë çfarë po ndodh e befas shohim se si ky aktor e kjo regjisore shkrihen dhe bëhen vetë shfaqja. Një ide e imja e kësaj vepre që shpresoj të komunikoj është për të ndërtuar dy linja paralele mes personazheve të Inuoues që janë Misugi dhe tri gratë e tij dhe personazhet e shfaqjes së teatrit, personazhit të regjisorit, aktores, asistent regjisorit dhe instrumentistes. Kemi një paralelizëm delikat, elegant, jo të sforcuar që mezi pres të shoh se si do komunikojë ky lloj paralelizmi. Gjithmonë kam qenë shumë e interesuar për marrëdhëniet njerëzore në jetën reale. Në këtë përpjekje marrëdhëniet njerëzore që krijohen në një ambient teatror mbase jo vetëm, por fakti që ti rri dhe konsumon ditën me të njëjtit njerëz ndan me to, punën, pasionin gjithçka e kjo bën që shpesh të krijohet një lloj kimie mes kolegëve që shkon përtej marrëdhënies ndërmjet tyre. Kjo më intereson ta nxjerr dhe jam përpjekur ta përcjell me shfaqjen time.

Shpeshherë aktori flet me personazhet. Si ka qenë përballja juaj me ta?
Eksperiencë e paparë. Aktroi dhe regjisori në këtë rast kanë folur shumë me njëri-tjetrin. Fakti që kam në krah Romirin, që është bashkëshorti im, po kjo nuk ka lidhje fare pasi në punë ne jemi dy njerëz, të cilët e harrojmë njëri-tjetrin dhe jemi dy njerëz shumë të përkushtuar e të devotshëm në punën tonë. Ka qenë një mbështetje shumë e madhe për të gjitha vrimat e mia të zeza, të cilat herë-herë duken si mbytëse, por me ndihmën e tij i kemi superiuar. Megjithatë ne e kemi shijuar shumë si një eksperiment teatror. Patjetër që unë e kam provuar veten si regjisore, pasi jam prej vitesh regjisore në televizion. Kam 4-5 vite që tentoj dhe realizoj filma të shkurtër me ndërmendjen për të arritur tek një film i gjatë shumë shpejt. Unë jam regjisore, por në rastin konkret duket si sfidë më e madhe pasi doja shumë që të realizoja dhe të sillja në skenë këto tri gra, të cilat kam përshtypjen që nuk më përfaqësojnë mua, por çdo grua. Për t’u kthyer përsëri te regjia, unë e kam shijuar shumë anën e konceptimit dhe realizimit të shfaqjes. Nuk jam vetëm, jam me Romirin kështu që nuk është aq dramatike sap o të mos ishte ai. Për mua kjo është tentative e parë në regji teatri dhe nga kjo pikëpamje, gjithashtu, është sfiduese. Jam shumë e lumtur që arrita ta realizoj. Se si pak rëndësi ka, procesi është I rëndësishëm.

Kritika më e ashpër që keni marrë?
Në lidhje me këtë shfaqe kritika më e ashpër që kam marrë është refuzimi, sepse unë kam tentuar të bashkëpunoj me regjisor që para një viti, por nuk e di nuk e kanë gjetur veten. Janë stepur, u është dukur një vepër letrare jo fort e përshtatshme për teatër. Gjithmonë refuzimi është një arsye për tu motivuar dhe jam sinqerisht shumë e lumtur që e kam realizuar. Kritikat I pres mbas shfaqjes, sepse unë nuk bëj një shfaqe për t’u kryer. Jo, unë bëj një shfaqje për të marrë kënaqësi. Kam gjëra që dua ti them, kjo është e rëndësishme shumë dhe po i them nëpërmjet saj. Kjo shfaqe lind brenda meje, nuk lind nga forma apo për të bërë çudira, po lind nga nevoja për të thënë e për të komunikuar ndjesi shumë të rëndësishme njerëzore. Ato gjëra të cilat rrallëherë ia themi vetes me zë, unë marr guximin për t’i thënë me zë.

Pas kaq vitesh dashuri, ankohet akoma Romiri për “Edrën”?
Unë nuk kam qenë kurrë “Edra” në jetën time. Pavarësisht se shumë njerëz kur më njihnin për herë të parë thoshin “Ua nuk e kishim imagjinuar kështu Edrën!”. (qesh) Të gjithë mendonin se realisht Romiri fliste për gruan e tij të vërtetë. Ndonjë çik “Edra” jemi ne, të gjitha femrat janë, por unë nuk e shoh veten si Edra. Ne kemi një raport shumë të mirë. Edhe fakti që jemi kolegë të së njëjtës fushë besoj që nuk na jep shumë mundësinë për të qenë shumë Edra, sepse ia dimë hallet njëri-tjetrit ia dimë shqetësimet, njohim profesionin vështirësitë. Në këtë sens unë nuk e ndjej fare veten Edra. Nuk besoj se kam qenë ndonjëherë në jetën time Edra.

Përtej aktrimit, sa dinamike është jeta juaj?
Shumë dinamike. Sa herë ndihem e lodhur gjërat mbarojnë dhe kur nuk kam ndonjë gjë për të bërë filloj çmendem nga fakti që s’kam gjë për të bërë. Kështu që nuk mund të jetoj dot pa këtë dinamikë, falë zotit arrij ta përballoj atë. Aktualisht kam vetëm një javë që jam e fokusuar te shfaqja se kam pasur shumë gjëra të tjera nëpër duar. Është shumë e bukur dinamika e jetës sime. Kam vetëm një problem të vogël, që më bën të rri larg pak larg fëmijëve e kjo më trishton pak, por pjesë e jetës edhe kjo.

Çfarë amvise është Suela?
Është amvisë e mirë. (qesh)Me përjashtim të këtyre momenteve të tmerrshme kur nuk mundem të gatuaj, sepse nuk kam kohë. Suela është një familjare e devotshme pret, përcjell. Gatuan shtron dreka, i ngre ato. Vetëm kur jam shumë e impenjuar i refuzoj ato, por prap vjen jeta në ritmin e saj.

Porosia që u jepni më shpesh fëmijëve?
Unë jap shumë porosi fëmijëve. Të dëgjojnë veten e tyre, atë personin që fshehin brenda. Unë besoj shumë që në këtë jetë i suksesshëm është ai që ka dëgjuar veten pavarësisht se çfarë lloj suksesi ka qenë ai. E rëndësishme është të dëgjosh veten dhe t’i përgjigjesh instinktit tënd. Unë them që nuk gabon lehtë instinkti. Pastaj jeta është shumë e koklavitur dhe pa u përkushtuar në studim, në punë nuk arrin asgjë. Përpara asaj që prindërit thonë gjithmonë mëso, unë dua që ata të bëhen njerëz të mirë dhe të dëgjojnë veten e tyre, kjo është më e rëndësishmja.

Ka diçka që do kishit dashur ta ndryshonit nga rrjedha e kohës?
Ka momente që më duket sikur dua t’i ndryshoj të gjitha dhe ka momente që them se nuk dua të ndryshoj asgjë. Në fund të fundit unë jam kjo që jam sot, për hir të kësaj jete që kam bërë dhe kam jetuar fort, në mënyra të ndryshme, në përpëlitje të ndryshme mbase se herë-herë nuk ka qenë e mundur të bëja punën që doja, që po e bëj këto 4-5 vitet e fundit në një vrull të frikshëm. Më është dashur të punoj në televizion. Edhe atje kam dhënë maksimumin tim. Nuk kam asnjë pishman, kam mësuar shumë dhe vazhdoj të mësoj. Është e lehtë të thuash që doja të bëja jetën e kësaj apo asaj, por jo. Unë do bëja prap po këtë jetë dhe do të përpiqesha po njësoj e të luftoja sërish kështu. Do kisha dashur që në atë jetën tjetër nëse do përsëritej ta kisha pak më të thjeshtë dhe më të lehtë jetën, pasi kjo që kam kaluar nuk ka qenë dhe aq e lehtë, por mbase nuk do isha kështu po mos të ishte e lehtë. (qesh)

Përkufizimi që do i jepnit lumturisë?
Gëzohu me atë që ke.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.