Kryesore

Qendra historike e Tiranës, një VKM për zonën e mbrojtur

11:50 - 17.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një Vendim i Këshillit të Ministrave që mban datën 3 tetor ka në fokus “Deklarimin e Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj, sipas hartës së zonifikimit që i bashkëlidhet”. Dokumenti i publikuar në Fletoren Zyrtare(që hyn në fuqi menjëherë), është një “plan për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e qendrës historike të Tiranës dhe zonës mbrojtëse të saj”. Dokumenti në fjalë do të dojë në vijim komentet e specialistëve të Ministrisë së Kulturës dhe oponentëve, por në parim ajo përcakton se hapësira urbane në mbrojtje e qytetit të Tiranës përbëhet nga Qendra Historike, Zona mbrojtëse dhe Zona arkeologjike A e Kalasë së Tiranës. Brenda këtyre zonave përfshihen ansamble historike urbane, monumente të kategorisë së parë dhe monumente të kategorisë së dytë, zona me potencial arkeologjik, zona të gjelbra, sheshe dhe objekte pa status.




VKM-nr.-582-date-3.10.2018-2

Po parimisht, thuhet se plani i përgjithshëm vendor i qytetit të Tiranës merr parasysh kufijtë e zonifikimit të Qendrës Historike, zonës së mbrojtur të saj dhe zonës arkeologjike A, të Kalasë së Tiranës, si dhe rregullat për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e tyre. Në VKM vihet në dukje se Qendra Historike në qytetin e Tiranës është hapësira urbane me vlera të rëndësishme urbanistike-arkitekturore, që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit dhe arritjet në arkitekturë, si xhamia e Et’hem Beut, ndërtimet administrative dhe kulturore, të aksit monumental të viteve ‘30–‘40, si dhe shembuj të spikatur të arkitekturës të pas viteve ‘50. Hapësira urbane e Qendrës Historike në qytetin e Tiranës përfshin Ansamblin historik urban në bulevardin “Zogu I” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; Sheshin “Skënderbej”, Sheshin “Nënë Tereza”; Sheshin “Italia” dhe hapësirat e gjelbra.

QENDRA HISTORIKE DHE NDËRHYRJET
Vendimi përcakton se zona mbrojtëse shtrihet përreth Qendrës Historike, ruan vlera historiko-kulturore, me të cilat plotëson dhe pasuron vlerat e qendrës historike. Vëren se në të ndodhen objekte monumente kulture të kategorisë së parë dhe të dytë dhe objekte pa status; vëren se zona arkeologjike A e Kalasë së Tiranës ndodhet brenda zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të qytetit të Tiranës dhe se rregullat për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e zonës arkeologjike A, përcaktohen me plan të veçantë. Neni 6 mbetet për t’u parë me interes, sepse ai përcakton ndërhyrjet në Qendrën Historike. Parimisht thuhet se ndërhyrjet në Qendrën Historike kanë si qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Brenda kësaj qendre kryhen:
a) Ndërhyrje sistematike konservuese, restauruese dhe të mirëmbajtjes në qendrën historike, si dhe në
monumentet e të dyja kategorive, bazuar në kriteret për konservimin dhe restaurimin; b) Ritrajtime, rikonstruksione dhe rifunksionalizim të objekteve me status, duke respektuar kompozimet dhe pamjen e jashtme, si dhe tërësinë e ansamblit arkitektonik urban; c) Ndërhyrjet rehabilituese në rrjetin rrugor, sheshe dhe hapësira të gjelbërta, duke ruajtur kompozimin urban; ç) Ndërhyrje (rindërtime, rikonstruksione, rehabilitime) në objektet pa status, në përputhje me “Planin e përgjithshëm vendor” të qytetit të Tiranës.

Ndërkaq, neni 7 merret me “Ndërhyrjet në zonën mbrojtëse”, ku sipas VKM-së, në këtë zonë kryhen restaurime, adaptime, rikonstruksione dhe ndërtime të reja për të rritur vlerat brenda saj arkitektonike dhe funksionale, të cilat duhet të jenë në harmoni me vlerat e ansamblit, por, lejohet edhe ndërtim, rikonstruksion i rrjetit rrugor dhe i shesheve, për përmirësimin e infrastrukturës.

Çfarë do të thotë kjo? Nëse kalaja është qendër historike, zona përreth saj, është zonë mbrojtëse dhe në të lejohen ndërhyrjet e mësipërme.
Neni 8 vendos që projektet e restaurimit të monumenteve të kulturës hartohen nga institucione shtetërore të specializuara ose nga subjekte të licencuara për këtë qëllim. Projektet shqyrtohen dhe miratohen në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, në vijim “KKTKM”. Zbatimi i punimeve të restaurimit kryhet nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, në vijim DRTK-ja ose subjekte të licencuara për këtë kategori ndërtimesh. Thuhet se studimet dhe projektet e rikonstruksionit në qendrën historike hartohen nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, në vijim IKTK-ja, DRTK-ja ose nga subjekte të licencuar në fushën e restaurimeve. Projektet shqyrtohen dhe miratohen paraprakisht në KKTKM dhe vijojnë procedurën përkatëse sipas ligjit për planifikimin e territorit. Zbatimi i punimeve të rikonstruksionit kryhet nga subjekte të licencuara për këtë kategori. Studimet dhe projektet për ndërhyrje në rrjetin rrugor, infrastrukturën nëntokësore hartohen nga subjekte projektuese të licencuara në projektim për kategorinë e mësipërme për fushat përkatëse, në bashkëpunim me IKTK dhe DRTK.

Sa u takon studimit, projektimit dhe zbatimit të punimeve në zonën mbrojtëse vendoset që “projektet e ndërtimeve të reja, rikonstruksionit të ndërtesave në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte projektuese të licencuara në projektim për kategorinë e mësipërme për fushën e ndërtimit. Projektet shqyrtohen dhe miratohen sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit”, si edhe “studimet dhe projektet për ndërhyrje në rrjetin rrugor, infrastrukturën nëntokësore hartohen nga subjekte projektuese të licencuara në projektim për kategorinë e mësipërme për fushat përkatëse. Projektet shqyrtohen dhe miratohen sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit. Zbatimi i punimeve kryhet nga subjekte të licencuara për këtë kategori sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territori.

Më tej për të gjitha çështjet që nuk trajtohen dhe për pasojë nuk zgjidhen në këtë rregullore, sipas kompetencave, ato zgjidhen nga ministritë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, nëpërmjet institucioneve të specializuara. Shkelja e kësaj rregulloreje, thotë VKM, ndiqet nga dispozitat e ligjit nr. 27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.