Sociale

Të vetëpunësuarit në bujqësi do të paguajnë më shumë sigurime

15:45 - 17.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të vetëpunësuarit në bujqësi do të paguajnë më shumë kontribute vullnetare. Ministria e Financave është duke hartuar një draft për ndryshimin e skemës së pensioneve që lidhet pikërisht me pensionet e fshatit. Aktualisht të vetëpunësuarit në bujqësi në zonat fushore paguajnë 38.400 lekë në vit ndërsa për zonat malore 29.400 lekë, çka sipas ministrisë paraqet diferencë të ndjeshme me të vetëpunësuarit në qytet, të cilët paguajnë 66.240 lekë në vit. Deri më tani diferenca është paguar nga buxheti i shtetit, por për të shmangur, atë që dikasteri i financave e quan diskriminimin midis të vetëpunësuarve, propozohet që të vetëpunësuarit në bujqësi kanë detyrimin të paguajnë kontributet e llogaritura mbi një pagë minimale për ta, që mbetet për t’u përcaktuar me vendim qeverie. Kjo do të thotë se masa e kontributit të sigurimeve shoqërore që do të paguhet do të jetë sa 23% e kësaj page. Për shembull, nëse paga minimale për të vetëpunësuarit në fshat do të përcaktohet në masën 20 mijë lekë, atëherë masa e kontributit do të shkojë në 55.200 lekë në vit. Gjithashtu, në rast se të vetëpunësuarit në bujqësi do të duan të kontribuojnë më tepër, me qëllim për të përfituar një pension më të lartë, atëherë do të kenë mundësinë që mund të paguajnë edhe mbi nivelin e pagës minimale në shkallë vendi, që sot është 24 mijë lekë në muaj. Ndër-kaq, projektligji i propozuar i hap rrugën edhe shtyllës së tretë të pensioneve, që është vendosja e një sistemi të detyrueshëm privat. Megjithatë, sipas relacionit të Financave, kjo ka nevojë për studime më të plota, sidomos për kostot e biznesit, tregjet e investimeve, zhvillimin e tregjeve financiare apo mbikëqyrjen.




Zyrtare
Në faqen zyrtare ISSH bën me dije se të gjithë ata fermerë që ushtrojnë aktivitetin e tyre bujqësor apo blegtoral në fshat, mund të kenë një sërë përfitimesh nëse sigurohen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Në njoftimin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore bëhet me dije se nga ky sigurim fermerët mund të përfitojnë pension, vizita mjekësore pa pagesë si dhe kompensimin e çmimit të barnave në rast sëmundjesh. “Të nderuar fermerë! Sigurimi në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për ju që ushtroni aktivitet bujqësor dhe blegtoral, është investimi më i mirë që mund të bëni për veten dhe familjarët tuaj. Nga ky sigurim ju përfitoni: Pension pleqërie; Pension invaliditeti; Pension familjar për fëmijët tuaj; Sigurim për barrëlindjen për nënat e reja; Vizitën mjekësore pa pagesë dhe kompensimin e çmimit të barnave mjekësore në rast sëmundjeje. Mos humbisni kohë, mendoni për të ardhmen tuaj!”,-thekson ISSH në faqen e saj zyrtare.

Kushtet e përfitimit
Bazuar në ligjin “Për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor”, personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë disa kushte. Kështu individi duhet të ketë mbushur moshën 16 vjeç; të jetë i/e aftë për punë; dhe të mos jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë. Gjithashtu, i vetëpunësuari në bujqësi duhet të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale. Por ai edhe mund të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinjë. Vlen të theksohet se ka të drejtë të sigurohet çdo person deri në mbushjen e moshës për të dalë në pension.

Pagesa e kontributeve
Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm dhe ky i/e vetëpunësuari/a, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh. “Ndërkohë, i/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkërisht.

Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj”,-thekson ISSH. Sakaq, afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik. Të vetëpunësuarit në bujqësi paguajnë kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore, për vitin në vazhdim, pavarësisht nëse janë të pasiguruar për vitet pararendëse. Periudhat, për të cilat nuk janë paguar kontributet, nuk njihen si periudha sigurimi. Ndërkohë të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk arrijnë të plotësojnë kushtin minimal të vjetërsisë në punë, për të përfituar pension të pjesshëm, mund të kryejnë pagesa kontributesh pas plotësimit të moshës për pension, por me kusht që ato t’u korrespondojnë periudhave para plotësimit të moshës për pension dhe të mos jetë caktuar ende asnjë lloj pensioni dhe për këto periudha do të paguhet sipas masës së kontributit. ISSH thekson se të vetëpunësuarit në bujqësi, të cilët nuk i kanë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për periudhat e kaluara, por që i kanë pasur kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi, pavarësisht nga vendbanimi aktual, mund t’i paguajnë kontributet për këto periudha sipas masës së kontributit, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për vitin kur kryhet pagesa.

Kushtet për t’u siguruar

Personi që futet në skemën e detyruar të sigurimit shoqëror për t’u siguruar si i/e vetëpunësuar në bujqësi, duhet të plotësojë këto kushte:
1. Të ketë mbushur moshën 16 vjeç;
2. Të jetë i/e aftë për punë;
3. Çdo person mund të sigurohet deri në mbushjen e moshës për pension;
4. Nuk duhet të jetë i siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë;
5. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi duhet:
– Të banojë në të njëjtin rreth ku ka tokën bujqësore në pronësi ose në përdorim, dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore e blegtorale;
– Të banojë në fshat dhe të zhvillojë veprimtari bujqësore dhe blegtorale, megjithëse tokën mund ta ketë në rrethin fqinjë.

Pagesat e kontributeve
1. Sigurimi si i/e vetëpunësuar në bujqësi është i detyrueshëm.
2. I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat fushore, duke filluar nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 38 400 lekësh.
3. I e vetëpunësuari/a në bujqësi, që banon në zonat malore, nga data 01.08.2015 e në vazhdim, paguan kontributet për sigurimet shoqërore, kundrejt detyrimit tremujor, të llogaritur mbi bazën e masës vjetore prej 29 400 lekësh.
4. Pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhen bashkërisht. Ato janë të detyrueshme dhe paguhen individualisht një herë në tre muaj.
5. Afati i fundit i këtyre pagesave është jo më vonë se dita e fundit e muajit të tretë, brenda çdo tremujori kalendarik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.