OPINION

Xhamia që meriton Prishtina dhe rreziku i përsëritjes së gabimit të Tiranës

07:30 - 17.10.18 Adri Nurellari
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditëve të fundit në Kosovë është rihapur debati për stilin arkitekturor të xhamisë së re të madhe të Prishtinës. Me sa duket  me insistimin e Bashkësisë Islamike të Kosovës, kjo xhami e re do të ndërtohet duke kopjuar arkitekturën e xhamisë së Sulltan Selimit II në Edirne që arkitekt Sinani ka pas ndërtuar në periudhën 1569-1575. Në këtë mënyrë përsëritet gabimi i Tiranës duke e privuar qytetin nga mundësia e pasjes së një objekti publik madhështor me arkitekturë origjinale bashkëkohore.




Së pari, duhet thënë që me komunitetin mysliman në Tiranë ashtu sikurse në Prishtinë është bërë një padrejtësi duke e vonuar kaq shumë ndërtimin e një xhamie të madhe. Xhamia qendrore e Prishtinës, ashtu sikurse edhe kjo e Tiranës janë vonuar si pasojë e një kompleksi inferioriteti të kombinuar edhe me nuanca islamofobie nga e cila ka vuajtur një pjesë e elitës shqiptare. Qeverisjet e njëpasnjëshme lokale të Tiranës, të të gjitha krahëve politikë, kanë refuzuar për dy dekada të tranzicionit që të japin lejen e ndërtimit për xhaminë e madhe të Tiranës për të cilën është bërë kërkesë që në 1993. Edhe pse nuk e kanë shprehur haptazi, këta drejtues të qeverisë lokale duke dashur të duken “më katolikë se papa” kanë refuzuar që të ndërtohet një objekt i madh kulti islamik nga frika se mos binte keq në sy të huajve. Ka qenë për të ardhur keq fakti që myslimanëve, që përbëjnë shumicën në Tiranë, nuk iu lejohej ndërtimi i xhamisë së madhe në tokën e zotëruar prej Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ndërkohë që Katedralja katolike e Shën Palit u ndërtua në fund të vitit 2001 ndërsa Katedralja Ortodokse ‘Ngjallja e Krishtit” u përfundua në vitin 2012, që të dyja në tokë shtetërore. Ky diskriminim i hapur është përdorur shpesh si evidencë nga klerikët radikalë për të kultivuar ndjesinë e viktimizimit dhe getoizimit tek shumë besimtarë myslimanë.

Mirëpo situata sot është bërë edhe më absurde, sepse u kalua në ndryshim 180 gradë nga pengimi i ndërtimit të xhamisë prej “turpit” të dimensionit oriental te ndërtimi i një xhamie me arkitekturë osmane mesjetare. Rama u kujtua për të lejuar ndërtimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës vetëm në fund të mandatit të tij të tretë si kryetar bashkie, pak javë para zgjedhjeve të vitit 2011. Asokohe u bë një konkurs ndërkombëtar që u fitua nga projekti spektakular i danezit Bjarke Ingels, i cili sot konsiderohet si një ndër arkitektët bashkëkohor më të mirë në botë. Mirëpo për arsye banale politike Basha sapo e zëvendësoi Ramën në krye të bashkisë, e anuloi projektin modern të xhamisë dhe e zvarriti edhe më tutje këtë çështje. Drita e gjelbër finale për xhaminë u dha pak javë para zgjedhjeve të parlamentare të vitit 2013 ku edhe u miratua projekti otoman që po ndërtohet sot. Prandaj unë po shpresoj që Prishtina të nxjerri mësime nga pësimet e Tiranës duke mos ndërtuar një xhami me arkitekturë osmane të para 6-7 shekujve, por një xhami të denjë për shekullin 21.

I njëjti gabim u bë edhe me ndërtimin e katedrales katolike të Prishtinës “Nënë Tereza”. Ajo përveçse u ndërtua e stër-madhe në kundërshtim me atë që ishte parashikuar nga plani rregullues urban, u ndërtua në stil arkitektonik romanesk që i takon mesjetës. Idealja do të ishte që edhe arkitektura e katedrales të ishte bashkëkohore dhe objekti të mos ishte i atyre përmasave të ekzagjeruara që e bën të stonojë me pjesën përreth. Një tjetër gjë që e bën më qesharake situatën, është fakti që aty ku duhet me të vërtetë të vlerësojmë e kujdesemi për trashëgiminë otomane, tregohet neglizhencë. Kjo pasi në Kosovë ka rastisur që të prishen xhami shekullore otomane autentike për t’u transformuar e zmadhuar. Për mos të folur pastaj se si nuk tregohet kurrfarë kujdesje për të konservuar apo restauruar trashëgiminë monumentale osmane të qyteteve të ndryshme të Kosovës duke nisur nga çarshia e Prishtinës.

Duhet thënë që arkitektura osmane ka qenë pararojë për kohën e vetë dhe arkitekti më i shquar i këtij stili, Sinani, është konsideruar si Mikelanxhelo i Lindjes. Mirëpo po ashtu, duhet kuptuar se ajo arkitekture nuk ishte gjë tjetër përveç se arkitektura e mëparshme bizantine e ndryshuar duke gërshetuar nuanca stilistike nga Azia Qendrore dhe Lindja e Mesme. E theksoj këtë fakt për të treguar se xhamitë nuk duhet që të jenë medoemos me arkitekture otomane për t’u konsideruar xhami të denja pasi baza e kësaj arkitekture është faktikisht Bizanti kristiano-ortodoks.

Arkitektura fillestare e xhamive kuptohet që ishte arabe, pasi xhamia e parë thuhet të ketë qenë shtëpia e profetit Muhamed, e cila ka shërbyer si xhami në shekullin VII. Ajo kishte karakteristika tipike të një shtëpie arabe: një oborr i gjerë i rrethuar nga dhoma të gjata të mbështetura nga shtylla. Mirëpo islami duke u përhapur nëpër botë mori stile arkitekturore lokale nga më të ndryshmet duke variuar nga stili turk e pers tek malaj, hindu e kinez. Kjo do të thotë se arkitektura e xhamisë varion sepse është formuar kryesisht nga traditat vendit ku është ndërtuar dhe teknologjisë së kohës.

Për të qenë xhami e pranueshme për liturgjinë, klerin dhe besimtarët, një ndërtesë duhet thjeshtë të ketë disa elemente bazike e mandej stilet arkitekturore mund të jenë ç’të duan.  Këto elemente  janë oborri apo sahni që nënkupton një sallë lutjesh; muri i kiblës që tregon drejtimin e Kiblës; mihrabi që është një thellim gjysëmqarkor në murin e xhamisë që tregon kiblën; kupola apo kubeja që simbolizon kupën e qiellit dhe minarja apo kulla nga ku bëhet thirrja për lutje. Gjithashtu tipike për xhami janë minberin ose foltorja e hoxhës si dhe dekorimet.

Kosova është shteti më i ri në Evropë dhe, gjithashtu, ka popullsinë më të re në Evropë, e nuk ka përse të mbetet peng i së kaluarës. Prishtina meriton një xhami që të jetë ajka e arkitekturës ndërkombëtare sot sikurse qe avangardë arkitektura osmane në kulmin e saj kur edhe u ndërtua Xhamia Blu (Sulltan Ahmet) nga arkitekt Sedefqar Mehmeti Biçakçiu i Elbasanit. Përderisa ne përfitojmë nga arritjet e njerëzimit, nga teknologjia moderne duke përdorur makina, avionë e iphone, përse duhet që të ndërtojmë ndërtesa që i përkasin një epoke kur njerëzit përdornin vetëm kuaj e deve. Arkitektura e asaj kohe, ishte e kushtëzuar nga nevoja, botëkuptimi, shija, teknologjia e kohës ndërkohë që sot të gjitha këto elemente kanë ndryshuar radikalisht. Stilet arkitekturore me të cilat ndërtojmë, sikurse edhe zhanret e tjera artistike si muzika apo piktura, pasqyrojnë kulturën, shijet, nevojat e shoqërisë që i krijon. Arti mund të konsiderohet si një gjuhë që në mënyrë të pashmangshme evoluon me kalimin e kohës. Ne nuk vishemi më me fustanella, tirqe, çitjane e xhubleta si në kohën kur u ndërtuan xhamitë otomane, atëherë përse duhet të ndërtojmë në stilin e atëhershëm duke shpërfillur ndryshimet që kanë ndodhur në shoqërinë tonë prej asaj kohe.

Për këtë gjë fundja nuk ka nevojë që të shpikim rrotën, por të veprojmë siç kanë vendosur të veprojnë vende të tjera të botës që e kanë shumicën e popullsisë myslimane. Kështu për shembull xhamia më e madhe në Pakistan, xhamia Faisal është ndërtuar me arkitekturë moderne në 1987 dhe po ashtu xhamia Negaranë Kuala Lampur,  quajtur ndryshe xhamia kombëtare e Malajzisë është ndërtuar me stil modern në 1965. Indonezia dy xhamitë më të mëdha të saja, atë të Sumatrës Perëndimore dhe Istiqlal në Xhakartë, i ka, gjithashtu, mban firmën e arkitektit britanik John McAslan. Xhamia e Madhe e Algjerit, që është duke u ndërtuar në Algjeri dhe që ka për t’u bërë xhamia e tretë më e madhe në botë,  është dizajnuar me arkitekturë moderne nga kompania gjermane KSP Jürgen Engel. E njëjta gjë mund të thuhet për projekte madhështore moderne arkitekturore si Xhamia e Parkut Lindor në Manama të Bahreinit, xhamia Abdul Rahman Siddique në Dubai, xhamia KAFD dhe ajo KAPSARC në Riad të Arabisë Saudite, Baitur Rauf Jame në Daka të Bangladeshit, Yesil Vadi dhe Şakirinnë Stamboll, Assyafaah në Singapor etj. Anembanë Evropës gjithashtu janë ndërtuar xhami  që janë perla të arkitekturës moderne sikurse janë Qendra Islamike dhe Xhamia në Rjekë të Kroacisë, xhamitë e Këlnit dhe Penzbergut, Nusrat Xhahan në Kopenhagen të Danimarkës, Baitul Futuh në Londër etj. Por ka edhe raste shqiptare, sikurse është xhamia e Ballies në Elbasan, e cila është duke u ndërtuar me një arkitekturë shumë të hijshme bashkëkohore e që është mirëpritur me kënaqësi nga banorët e të gjitha feve.

Përveç se për klerikët dhe besimtarët myslimanë, objekti i xhamisë së re të Prishtinës ka rëndësi edhe për mbarë shoqërinë, sepse do të jetë një ndër ndërtesat publike më të mëdha. Fatkeqësisht Kosova ka pasur shumë shanse të humbura për të ndërtuar ndërtesa publike të mëdha me arkitektë të njohur ndërkombëtarë, mirëpo janë zgjedhur arkitektë mediokër “me të njofshëm”.  Prandaj nëse do të përzgjidhej një projekt bashkëkohor për Xhaminë Qendrore të Prishtinës, sikurse është ai i Zaha Hadid, Prishtinës do i përmirësohej reputacioni e do i shtohej edhe një atraksion turistik. Arkitektët e famshëm si Hadid janë shndërruar në marka apo brande më vete dhe krijimet e tyre të viteve të fundit. Kështu, për shembull, qendra Heydar Aliyev E Zaha Hadid në Baku të Azerbajxhanit është një ndër destinacionet kryesore për turistët. Kështu mund të thuhet se janë shndëruar në ikona për qytetet përkatëse Guggenheim Museum në Bilbao apo Shtëpia Vallëzuese në Pragë të Frank Gehry-t,  Burj Al Arab në Dubai nga Tom Wright, Kullat Petronas në Kuala Lampur nga Cesaro Pelli, Marina Bay Sands nga Moshe Safdie; Qyteti i Artit dhe Shkencës në Valencia nga Calatrava, Reichstag në Berlin i Norman Foster etj.

Përpos kësaj nuk ka përse medoemos të ndërtohet në qendër të Prishtinës kjo xhami. Prishtina është një qytet në zhvillim e sipër dhe tendenca e qyteteve moderne është që të jenë policentrike, për ta shpërndarë ngarkesën e trafikut por edhe mirëqenien ekonomike në mënyrë sa më proporocionale nëpër gjithë hapësirën urbane. Pikërisht për këtë arsye do të ishe me vlerë që kjo xhami kur të ndërtohet mos të cenoje trashëgiminë arkitektonike të Prishtinës, ashtu si është ajo moderniste e ish-komuniste, por të ndërtohet në pjesët e reja në zgjerim të qytetit sikurse janë Lakrishtja apo Rruga B. Prishtina dhe mbarë Kosova, qoftë si pasojë e luftës e qoftë e zhvillimin e vrullshëm e të shkujdesur urban që pasoi, ka humbur shumë nga trashëgimia e saj monumentale, prandaj është mirë që jo vetëm trashëgimia otomane e qendrës e lënë pas dore, por edhe komplekset e ndërtimeve të periudhës së Jugosllavisë të rishqyrtohen me sy historiani dhe të merren në mbrojtje e mirëmbahen.

Së fundmi ka edhe një element shumë të rëndësishëm ideologjik tek nevoja për një stil arkitekturor modern e që ka të bëj me dimensionin universal të fesë islame që hamendësohet të jetë e vlefshme për çdo kohë.  Pra një stil arkitekturor modern lë të kuptohet se feja islame nuk i përket vetëm të kaluarës por edhe të tashmes e të ardhmes. Gjithashtu, një arkitekturë bashkëkohore që është etnikisht neutrale, i jep  goxha më shumë legjitimitet e besueshmëri xhamisë më të madhe në Kosovë, sesa po të ndërtohej në stil osman, i cili mund konsiderohet nga shumë zëra si reminishencë e ish-pushtuesve. Për një shoqëri të re si e Kosovës ku rinia mezi pret të bëhet pjesë e botës së zhvilluar, është e arsyeshme që edhe bashkësia islame të komunikojë e bëhet tërheqës për brezat e rinj, mes të tjerash nëpërmjet arkitekturës moderne të objekteve të kultit, duke dhënë kështu mesazhin se ky institucion di të eci në hap me kohën.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pershendetje! Profeti yne i dashur Muhamed paqja dhe shpetimi i Allahut qofte mbi te ka lene nje thenie shume te vyer !
    “Perj shenjave te Kijametit eshte ndertimi i xhamijave lluksoze dhe zbukurumi i tyre!”
    Pra gjithe ky material i gjate propagandistik medioker qe kerkon te jape nje alibi se feja islame edhte e hapur per te marre leksione nga ata qe ngrejne ushtri dhe vrasin 24 ore besimtaret qe vejne koken ne sexhde per Allahun, nga politikane analiste dhe pseudo intelektuale qe i kane bankat me dollaret qe marrin per te hedhur balte mbi Fene Islame eshte nje farse! Humbje Kohe! Profeti na ka thene qe Allahu muslimaneve u ka dhene si dhurate te falen kudo vetem jo ne varreza dhe vende te ndyta! E gjithe toka eshte vend falje dhe vendi me i mire eshte shtepia juaj! Pervec namazeve farz dhe xhumase qe falen ne xhami! Allahu i ruajt besimtaret e Kosoves sepse po tradhetohen nga politikanet e tyre!

    Përgjigju ↓