Intervista

Filologjiku plotëson 95.5% të kuotave në nivelin bachelor

14:45 - 18.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Edhe pse viti i ri akademik 2018-2019 ka nisur, maturantët që ende nuk kanë arritur të shpallen fitues në një prej programeve të studimit, kanë një mundësi të fundit. Në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, në dy raundet e para të aplikimeve janë plotësuar 95.5% e kuotave të përcaktuara. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, dekani i këtij fakulteti, Sabri Laçi tregon se pjesa e mbetur e kuotave boshe do të plotësohet gjatë raundit të tretë të regjistrimeve. Sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, këtë vit akademik, programet e mësuesisë kanë pranuar vetëm maturantët me një mesatare mbi notën 7, e ky fakultet ka 3 programe të tilla, respektivisht në Histori, Gjeografi e Gjuhë-Letërsi. Fakulteti i Histori-Filologjisë edhe këtë vit do të shpërndajë bursa merite për studentët ekselentë, por edhe bursa nevoje për ata që janë në vështirësi ekonomike apo pjesë të kategorive të veçanta. Ndërkohë dekani i bën thirrje të interesuarve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në master të nxitojnë, pasi 20 tetori është afati i fundit i aplikimeve.




Sa është numri i studentëve që janë regjistruar në Fakultetin e Histori-Filologjisë për vitin e ri akademik 2018-2019?
Për vitin e ri akademik 2018-2019, në 5 programet e nivelit bachelor në Fakultetin e Histori-Filologjisë në dy raundet e para janë plotësuar 95.5% e kuotave. Kjo do të thotë se ka një ecuri me të vërtetë shumë të mirë dhe jemi optimistë se pjesa e mbetur e kuotave boshe do të plotësohet gjatë raundit të tretë.

Përkatësisht sa përqind e kuotave janë plotësuar në 5 degët e nivelit Bachelor në këtë fakultet?
Vlen të theksoj se në programin Gjuhë-Letërsi janë plotësuar 98% e kuotave; në Gazetari janë plotësuar 88% e vendeve të vëna në dispozicion; ndërsa në programin Gjeografi janë plotësuar 96% e kuotave. Ndërkohë në degën Histori janë plotësuar 98% e kuotave, në një kohë që në Arkeologji janë zënë 96% e vendeve të vëna në dispozicion për studentët.

A ka pasur kërkesa për programet e studimit që ofron ky fakultet gjatë raundit të tretë?
Normalisht që ka pasur kërkesa. Sekretaria mësimore po mban dosjet e të gjithë aplikantëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e fakultetit dhe në mbylljen e fazës së pranimit të aplikimeve, do të bëhet shqyrtimi i tyre bazuar në kriteret e përcaktuara nga komisionet e posaçme pranë çdo departamenti. Nisur nga nota mesatare e secilit aplikant, do të pranohen ata që renditen të parët pasi kanë ngelur shumë pak vende.

Fakulteti i Histori-Filologjisë ka tri programe studimi mësuesie që kërkojnë si kriter kryesor mesataren mbi 7 për këtë vit të ri akademik. Sa ka ndikuar kjo në rritjen e nivelit të studentëve të pranuar?
Në këtë fakultet ka tri programe studimi mësuesie që kërkojnë një mesatare mbi 7, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë ku përcaktohej se programet e mësuesisë do të pranojnë maturantët me mesatare mbi notën 7. Përkatësisht ne kemi 3 degë të tilla që janë Histori, Gjeografi dhe Gjuhë- Letërsi. Pjesa dërrmuese e maturantëve që kanë aplikuar këtë vit te FHF e kanë mesataren mbi notën 8, e kjo është shpresëdhënëse për të ardhmen.

Si e priti fakulteti ditën e parë të vitit të ri akademik?
Në ditën e parë të vitit të ri akademik, Fakulteti i Histori- Filologjisë organizoi një ceremoni shumë të këndshme ku ishte e pranueshme edhe ministrja Lindita Nikolla si dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Shumica e studentëve pjesëmarrës ishin studentë të vitit të parë dhe pjesa tjetër ishte stafi akademik i fakultetit.

A do të jepen bursa këtë vit nga FHF këtë vit?
Sigurisht që do të japim bursa. Këto bursa do të jepen sipas kritereve të përcaktuara në ligj për studentët që vijnë nga familje me të ardhura jo të mira si dhe për studentët që janë pjesë e kategorive të veçanta. Por vlen të theksoj që bursa do të jepen edhe për studentët ekselentë, të cilët do të përfitojnë mbështetje financiare.

Kur është afati i fundit i aplikimeve për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të studiojnë në një prej programeve të nivelit të dytë master në këtë fakultet?
Masteri ka filluar regjistrimet që prej 1 tetorit e këto regjistrime do të vazhdojnë deri në 20 tetor. Deri më tani ecuria është pozitive e jemi shumë të kënaqur pasi të 12-të programet në master (4 mastera profesionalë dhe 8 mastera shkencorë) janë drejt plotësimit të kuotave të fundit. Të gjitha degët janë të kërkuara pasi ne nuk kemi pasur tendencën të hapim shumë programe, por të ofrojmë ato degë që kanë mundësitë më të mëdha për punësim në të ardhmen. Këtë vit kemi një master të ri profesional të hapur në departamentin e Gjeografisë, përkatësisht në degën Sistemi i Informacionit Gjeografik i Aplikuar që është në përputhje me kërkesat e tregut e kështu studentët do të dalin specialistë në të ardhmen. Ky program është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë e është një prurje krejt e re.

A ka laboratorë të përshtatshëm në Fakultetin e Histori-Filologjisë ku studentët të mund të kryejnë praktikat mësimore?
Normalisht që para se të hapet një program i ri institucioni mendon që të krijojë të gjitha kushtet për një mësimdhënie optimale. Ne kemi ngritur edhe një laborator të ri për studentët e të gjitha departamentet kanë një laborator. Më tej vijnë praktikat në terren dhe praktikat profesionale. Kemi një ekip profesorësh të angazhuar për formimin e mëtejshëm të studentëve.

Sa përqind e studentëve arrijnë të punësohen pas diplomimit?
Nuk them dot një shifër të saktë. Por mund të them se studentët në këtë fakultet vijnë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë e pasi diplomohen dëshirojnë të qëndrojnë të gjithë në Tiranë. Por deri më tani mund të them se shumë prej studentëve tanë kanë filluar punë në profesionin e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.