Nostalgji

Nostalgji/ Eli & Sinani, dasma që i bashkoi

16:00 - 18.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Eli & Sinani, dasma që i bashkoi




Vera është stina e dasmave. Dhe këtë herë ajo do të ketë edhe një risi. Pikërisht një këngë dasme që do të mund të këndohet dhe kërcehet në gjithë trojet shqiptare. Kjo ka qenë ideja e realizuesve të këngës, që do të sjellë në skenë dhe në një klip tashmë të realizuar, dy këngëtarë me emër siç janë e pakrahasueshmja e motiveve të jugut, Eli Fara dhe këngëtarin e njohur nga Kosova, Sinan Vllasaliu. Në këtë intervistë me këngëtaren Eli Fara do të mësojmë më tepër rreth kësaj pune të re, ndërsa ajo do të ndajë me ne edhe copëza të tjera rrëfimesh, që lidhen sa me aktivitetin veror, aq edhe me pushimet e këngëtares…
Eli, këto ditë del kënga juaj në duet me këngëtarin nga Kosova, Sinan Vllasaliu. Si lindi ideja e këtij bashkëpunimi?
Ideja erdhi nga Kosova, nga menaxheri i këngëtarit, besoj, më të mirë, më në zë dhe më në modë, tani për tani, Sinan Vllasaliut, të cilën unë e prita me kënaqësi, sepse m’u duk një lidhje interesante.

Kënga, çfarë motivi ka?
Pikërisht motivi ka qenë ajo që më ngacmoi më shumë. Kërkesa ishte për një këngë me motive jugu, kështu që unë u ndjeva komode sepse ajo është linja ime.

Mund të na e tregoni pak fabulën e këtij klipi?
Kur u bashkuam, unë, menaxheri i këngëtarit, Sinani, Flori Mumajesi, që ka krijuar muzikën, bashkë me Ervin Gonxhin diskutuam gjatë faktikisht. Si do ta gjejmë linjën? Si do të bashkohemi? Çfarë duhet të bëjmë? Dhe menduam të bëjmë një gjetje për këtë bashkim, këtë bashkim të Jugut me Veriun, aq më tepër të jugut të Shqipërisë me Kosovën dhe thirrëm dhe poetin e këngës, Jorgo Papingjin. E mbas shumë diskutimesh, gjetjesh, zbuluam që duhej të krijonim një dasmë të madhe shqiptare, Kosovë, Shqipëri, Çamëri. Kjo ishte gjetja, muzika është shumë e bukur, të gjithë instrumentistët që marrin pjesë në të, janë të mrekullueshëm. Janë dy klarinetistët më të mirë të Shqipërisë besoj. Është Zhani Struga nga Korça dhe Shaban Çela që është këtu në Tiranë, shumë i talentuar edhe ai. Luan në violinë Ervin Gonxhi, sigurisht shtoi kësaj edhe vokalin e Sinanit, pavarësisht se nuk është zhanri i tij, pasi kjo këngë është jug, duke qenë se është një këngëtar profesionist, duke pasur një klas në zë, dhe qytetari gjithashtu, tingëllon shumë bukur. Që në testimet e para që janë bërë tek njerëzit e afërt që janë të zakonshëm, duket që reagojnë shumë bukur ndaj këngës.

Është një muzikë popullore, apo ka edhe ndërthurje me modernen?
Është popullore e thekur.

Xhirimet e klipit, janë realizuar tanimë? Çfarë vendi zgjodhët?
Xhirimet kanë përfunduar. Zgjodhëm një kala, për të bërë një dasmë të bukur shqiptare të të gjitha trojeve. Sigurisht që një kala i përmblidhte të gjitha këto, dhe zgjodhëm kalanë e Shkodrës, Kalanë e Rozafës në Shkodër, duke qenë se është edhe një ambient i pashfrytëzuar shumë, dhe ka një pamje shumë të bukur. Meqë kënga është jug, vendi është veri. Klipin e realizoi Max Production dhe kemi një grup çiftesh me kostume nga të gjitha zonat e Shqipërisë, Kosovës, Çamërisë. Kemi edhe një grup çam që kërcen shumë bukur, besoj që ka pamje madhështore, siç mund ta imagjinojmë se do të jetë Shqipëria, Kosova dhe Çamëria bashkë, kështu është edhe pamja në këtë këngë.

Kur e keni parashikuar që të dalë klipi?
Besoj që duhet të dalë shumë shpejt. Përderisa është verë e nxehtë dhe njerëzit mendojnë të pushojnë, të kënaqen, të dalin në darkë, të dëgjojnë muzikë të bukur, apo të mbushen, të kenë një motiv, do të jetë për këtë verë gati, ndoshta dhe për një javë.

Përveç kësaj sipërmarrjeje, ju merrni pjesë edhe tek “Maratona e këngës popullore”. Me çfarë kënge jeni paraqitur këtë herë?
Tek Maratona këtë herë nuk jam me një krijim të ri, është një këngë e vjetër: “Përse të rrit mamaja ty”, që unë kam dashur ta realizoj përfundimisht, sepse e kanë kënduar edhe këngëtarë të tjerë, por unë doja që t’i vija atë pikën, që të mos preket më, sepse është këngë shumë e bukur që mua më ka pëlqyer dhe me një orkestracion të Adi Hilës, erdhi në një atmosferë shumë të këndshme të tipit show. Kështu që, besoj se do të pritet bukur.

Dhe, në cilat koncerte do të merrni pjesë?
Unë isha na hapjen e Maratonës në Elbasan dhe kam përcaktuar që të jem në Maqedoni, Tetovë, në Strugë, në Pogradec, edhe në Vlorë.

Çfarë është stina e verës për Elin?
Stina e verës… Pushime, punë, pra një kombinim mes pushimeve dhe punës. Janë këto ambientet e verës, që ta ndryshojnë pak atë ritmin e punës që ke gjatë vitit. Kam qenë në Vlorë, në Velipojë, pres të shkoj në Borsh, edhe në Vlorë përsëri, me këto të Maratonës, gjëra të tilla. Xhirime, klipe…

Keni marrë ngjyrë çokollatë, kjo tregon që i keni filluar pushimet. Cili ka qenë vendi në të cilin keni marrë rrezet e para të diellit?
Nuk është se kam bërë pushime, pushime. Kam kaluar ndonjë moment shplodhës, e kam gdhirë një natë të tërë në Ulqin, jam kthyer në 4 të mëngjesit. Kam edhe një apartament modest në Durrës, kam fjetur atje, kam dalë 2 orë, nuk dua të dukem kur dal atje në fakt, dhe është hera e parë që unë dal të marr rreze në mes të njerëzve, aq më tepër në Shqipëri, gjithmonë pushimet i kam bërë jashtë.

Dmth, është hera e parë që i bëni pushimet në Shqipëri?
Po, është hera e parë. Nuk mund t’i quaj pushime, i quaj kështu pushime vjedhurazi, dhe në plazh nuk dua të bie në sy, vishem shumë thjeshtë, dua të maskohem, nuk dua të më shohin që jam aty, pasi dua ta shijoj pushimin në të tërën e vet.

E ndjeni këtë shqetësim, shikimet?
Jo për kompleks, po dua të jem rehat. Nuk kam ndonjë qejf të madh të bëj show.

Nëpër koncertet verore këndojnë më së shumti këngëtare të reja. Ju si ndjeheni në këto ambiente pushuesish?
Koncertet nëpër bregdet janë të këndshëm. Por, është një gjë që për pushime ka mjaft familjarë, dhe në qoftë se brezi im ka një familje, e edukon brezin e ri, dhe kur shkoj në koncerte thonë, “ua Eli Fara” dhe ata janë kuriozë të të shohin. Pastaj surprizohen edhe nga pamja ndoshta, edhe nga të qenit në kontakt çdo herë në koncerte, në talk show, ndoshta edhe spektakli i fundit “Dancing with the Stars” bëri të vetën dhe të gjithë janë kuriozë të më shohin, dhe madje më përgëzojnë. Dmth, fjala e parë që më shohin është: “Të kemi ndjekur në ‘Dance…’ ishe shumë mirë, ishe shumë bukur, ke bërë shumë mirë”, gjëra të tilla.

Si e kujtoni atë eksperiencë tanimë, ndonëse nuk kanë kaluar shumë kohë?
Si një nga më interesantet, më të veçantat në karrierën time.

Mbi 20 vjet karrierë në muzikë, cili ka qenë kulmi?
Kulmin nuk besoj se e kam arritur, përderisa jam duke punuar. Shpresoj të bëj edhe ndonjë çudi tjetër.

Cili ka qenë bashkëpunimi i parë, si e kujtoni?
Bashkëpunimi i parë është me Merita Halilin, një nga rivalet e mia mund të them në karrierë. Edhe mund të them, sigurisht, që të paktën unë, kam qenë, jam dhe do të mbetem mike e vlerave, e këngëtareve dhe artisteve që kanë vlera.

Meqë e përmendët vetë që e keni pasur një rivale, si u puqët në atë bashkëpunim?
Në Amerikë, kur kemi marrë pjesë nëpër koncerte dhe në mbrëmje të ndryshme, na ka shkuar në mendje, pse të mos bënim diçka bashkë, të preknim njerëzit. Dmth, është shumë interesante që Eli dhe Merita, të cilat kanë qenë rivale nëpër show, të këndojnë të dyja. Dhe unë ja kam thënë në fakt, që unë të bëj jugun, ti Shqipërinë e Mesme dhe të bashkohemi në një gjë bashkë. Kështu, kur u zhvillua spektakli i dancit sportiv, erdhi dhe Merita dhe thamë, “ua, tani do ta bëjmë”. Po ishte menduar më përpara, si ide e kishim me kohë.

Po tani, e këndoni si këngë?
Po sigurisht, kur shkojmë nëpër koncerte, e sidomos në Kosovë. Duket se në Kosovë organizimet janë më të sofistikuara dhe janë më afër të vërtetës së muzikës shqiptare në fakt, se sa në Shqipëri, sa i përket muzikës popullore shqiptare. Atje, patjetër që duetin e bëjmë.

Po bashkëpunimet, si kanë vijuar më pas?
Pastaj, më vonë ka qenë më Dr.Florin dhe Albanin, ka qenë “Miss Albania” në 2007 dhe kemi hapur mbrëmjen. Ka qenë një bashkëpunim i këndshëm si fabul, dhe ky është bashkëpunimi i tretë.

Si i vlerëson këto bashkëpunime? Çfarë kanë të veçantë?
Shumë ndryshe dhe shumë të veçanta. Ndryshe nga njëra-tjetra, nuk kanë ndonjë gjë të përbashkët. Kjo është e bukura, që unë kam bashkëpunim me një të Shqipërisë së Mesme, kam me rininë në gjininë e rrepit, dhe tani me Kosovën.

Ky shkrim u botua më 31 korrik 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.