SPORT

Viti i errët i Gjermanisë, Lëv rinon skuadrën

11:00 - 18.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vetëm 3 fitore në 11 ndeshje, 2 barazime dhe plot 6 humbje. Për të përshkruar vitin 2018 të Gjermanisë mjaftojnë këto shifra. Në 6 ndeshje zyrtare gjermanët kanë shënuar 3 gola dhe kanë pësuar 9. Kombëtarja e trajnerit Lëv mori një goditje të fortë në Rusi dhe ende nuk po arrin ta marrë veten, siç e vërtetoi edhe humbja e fundit me Francën. Në Ligën e Kombeve, Gjermania rrezikon të zbresë nga grupi i saj, por në raport me humbjen e turpshme 3-0 me Holandën, në Francë skuadra u pa më e gjallë dhe më solide. Në fakt, ishte një skuadër krejt ndryshe, sepse trajneri Joakim Lëv kishte bërë 5 lëvizje në formacion, pra kishte ndryshuar 50% të grupit. Ai kishte hequr nga formacioni Hektor, Boateng, Myler, Çan dhe Uth, duke i zëvendësuar me Shulc, Syle, Kherer, Gnabri dhe Sané. Kështu, 10 lojtarët që ishin në fushë dje në mbrëmje, përveç portierit Nojer, të gjithë bashkë bënin 23 vjet më pak se ata që luajtën me Holandën. Trajneri Lëv ka nisur kështu ndryshimin e gjeneratave në kombëtare, aq shumë të kërkuar nga shtypi dhe tifozët. Për këtë arsye, humbja me Francën kishte një shije ndryshe nga ajo me Holandën apo dhe eliminimi nga Botërori.




Në Francë zbriti në fushë Gjermania e së ardhmes, që ka në përbërje të rinj të talentuar, të motivuar dhe ambiciozë. “Paraqitja ishte shumë e mirë, sepse të luash kështu dy ditë pas asaj humbjeje të shëmtuar me Holandën, është fantastike. Kishim kurajë dhe sulmuam, duke treguar se kemi individualitete. Humbja ishte e pamerituar”, – tha trajneri Lëv pas ndeshjes. Përveç skuadrës, edhe trajneri dha sinjale të rëndësishme. Të shumtë janë në Gjermani ata që kanë dyshime, nëse është Lëv njeriu i duhur për rilindjen, pasi është shumë i lidhur me lojtarët që e shpallën kampion bote. Në ndeshjen e Francës, që pritej t’i kushtonte stolin, ai u tregua i guximshëm dhe u besoi të rinjve. Më shumë se trajneri, tani në shënjestër është vënë Myleri. Sane është 7 vjet më i ri se ai dhe ka luajtur shumë më mirë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.