AKTUALITET

Zhbëhet qendra historike e Tiranës, u hapet rrugë ndërtimeve në ish-monumente

13:25 - 18.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Një vendim qeverie i datës 3 tetor, publikuar së fundmi në Fletoren Zyrtare ka rrudhur ndjeshëm qendrën historike të Tiranës dhe zonën e mbrojtur rreth saj. Nga Ministria e Kulturës, “Gazeta Shqiptare” ende nuk mundur të marrë një zë specialisti që të sqarojë se cilat janë arsyet e kësaj VKM-je, e hartuar dhe miratuar pas asaj të një viti më herët. Megjithatë, përtej rreshtave e neneve që janë pakësuar këtë herë, specialistë të besueshëm të trashëgimisë kulturore, të kontaktuar nga “GSH” në kushte anonimati, pasi kanë krahasuar dy zonifikimet, kanë bërë me dije se tkurrja e zonës së mbrojtur është e frikshme.




“Nxjerrin nga mbrojta mjedisin e Muzeut Kombëtar, të gjithë zonën anash dhe mbrapa Pallatit të Kulturës, parqet e gropës së Hajdin Sejdisë, zonën e mbrojtur midis Kacelit, ‘Ushtarit të Panjohur’ dhe Bibliotekës Kombëtare, parqet para Parlamentit deri te ura e Tabakëve. Gjithashtu, e gjitha zona e gjelbër dhe sportive (fusha e Pallatit të Pionierëve) përgjatë Lanës deri te Rruga e Elbasanit, vilat e ish-Bllokut nga Lana deri te Instituti Arteve, zona e Gardës dhe parku mbrapa korpusit qendror të universitetit, zona e gjelbër dhe me vila mbrapa dhe anash ish-‘Sheratonit’, fusha e gjelbër mbas Kryeministrisë dhe brezi me vila nga piramida deri te stadiumi”, thotë një specialist për “Gazeta Shqiptare”.

Një tjetër specialist i kontaktuar nga “GSH” shtoi se zonifikimi i ri sipas VKM-së, duke qenë se nuk ka në mbrojtje anët rrethuese të Kullës së Sahatit u hap rrugë ndërtimeve edhe aty. Qeveria në këtë mënyrë rrëzon vetveten, sepse në fillim të këtij viti, me Ligjin e ri për Trashëgiminë Kulturore, premtoi të ishte e rreptë me shkelësit e parimeve dhe neneve në mbrojtje të trashëgimisë, duke saktësuar madje me krenari edhe përfshirjen në ligj të peizazhit historik, që me këtë VKM dhe me ato të tjerat para kësaj, i vënë flakën një herë e përgjithmonë. Ç’peizazh po ruhet me ligjin e ri, kur gjithë ç’njihej nga ky qytet, po shformësohet në mënyrë të parikthyeshme?
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, përmes një reagimi të shkurtër e cilëson si “Anarki totale në fushën e trashëgimisë. E gjitha në emër të modernizimit oligarkesk, degradues për një qytet të brishtë, me pak trashëgimi dhe pa hapësira të gjelbra, si Tirana. Anarki e ndërtuar me kujdes, e imponuar nga lart, në institucionet mbrojtëse, të cilat janë shndërruar në ‘pështymore ambulance’. Bie zona e mbrojtur e Tiranës pas 19 vjet lufte (1999-2018)”.

ÇFARË ËSHTË NË MBROJTJE
Në VKM vihet në dukje se qendra historike në qytetin e Tiranës është hapësira urbane me vlera të rëndësishme urbanistike-arkitekturore, që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit dhe arritjet në arkitekturë, si xhamia e Et’hem Beut, ndërtimet administrative dhe kulturore, të aksit monumental të viteve ‘30–‘40, si dhe shembuj të spikatur të arkitekturës të pas viteve ‘50. Hapësira urbane e qendrës historike në qytetin e Tiranës përfshin ansamblin historik urban në bulevardin “Zogu I” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sheshin “Skënderbej”, Sheshin “Nënë Tereza”; Sheshin “Italia” dhe hapësirat e gjelbra. Parimisht, thuhet se plani i përgjithshëm vendor i qytetit të Tiranës merr parasysh kufijtë e zonifikimit të qendrës historike, zonës së mbrojtur të saj dhe zonës arkeologjike A, të Kalasë së Tiranës. Neni përcakton në VKM “Ndërhyrjet në zonën mbrojtëse”, ku “kryhen restaurime, adaptime, rikonstruksione dhe ndërtime të reja për të rritur vlerat brenda saj arkitektonike dhe funksionale, të cilat duhet të jenë në harmoni me vlerat e ansamblit, por, lejohet edhe ndërtim, rikonstruksion i rrjetit rrugor dhe i shesheve, për përmirësimin e infrastrukturë”.

Çfarë do të thotë kjo? Nëse kalaja është qendër historike, zona përreth saj është zonë mbrojtëse dhe në të lejohen ndërhyrjet e mësipërme. Sa i takon studimit, projektimit dhe zbatimit të punimeve në zonën mbrojtëse, VKM thotë se, “projektet e ndërtimeve të reja, rikonstruksionit të ndërtesave në këtë zonë, hartohen nga projektues ose subjekte projektuese të licencuara në projektim për kategorinë e mësipërme për fushën e ndërtimit. Projektet shqyrtohen dhe miratohen sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit”. Me gjasë ky është neni ku djalli fshihet në detaje.

REAGIMI I PD
Përmes një reagimi për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, tha dje se, “të gjitha përpjekjet për të shkatërruar Teatrin Kombëtar, e heqin me VKM nga kategoria zona të mbrojtura. Nga sot e kemi godinë pa status dhe në bazë të planit urbanistik u hapet rrugë projekteve të ndërtimit që ka Rama dhe Veliaj. Me vendimin nr.582, datë 3.10.2018 Këshilli i Ministrave ka miratuar ‘Deklarimin e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe përcaktimin e zonës mbrojtëse të saj dhe miratimin e planit të ruajtjes’. Në këtë VKM, qeveria ka përjashtuar godinën e Teatrit Kombëtar nga zona e qendrës historike të qytetit, duke mos e vendosur askund në përmbajtjen e VKM. Godina e Teatrit Kombëtar është nxjerrë si një godinë pa status të trashëgimisë kulturore”. Zhupa shtoi se në vendim shihet harta treguese e zonimit të qendrës historike, zonën e mbrojtur dhe zonën arkeologjike, ku duket qartë që godina e Teatrit Kombëtar nuk ekziston në zonimin e qendrës historike. Sipas saj, qeveria me këtë VKM u ka hapur rrugë ndërtimeve që do të ndodhin në ketë zonë, duke u mbështetur kështu dhe në rregulloren e Planit të Përgjithshëm të Bashkisë Tiranë, të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit në 2017, ku në nenin 21 të kësaj rregulloreje përcaktohet që në këtë zonë lejohet miksimi i kategorive të strukturave të ndryshme si banime, hotele, agro-turizëm, qendra tregtare etj.

“Pavarësisht që Presidenti Meta e ktheu ligjin, pavarësisht antikushtetutshmërisë, pavarësisht protestave të përditshme qytetare, Rama dhe Veliaj vazhdojnë planin për t’i dhënë ‘Fusha sh.p.k’ kullat te trualli i Teatrit Kombëtar”, përfundoi Zhupa.

ZONAT QË NUK MBROHEN MË

– Mjedisi i Muzeut Kombëtar
– Zonën e Pallatit të Kulturës
– Parqet e gropa e Hajdin Sejdisë
– Zona pranë Bibliotekës, Parlamentit deri te ura e Tabakëve
– Fusha e ish-Pallatit të Pionierëve
– Vilat e ish-Bllokut deri tek Instituti Arteve
– Zona e Gardës dhe parku mbrapa korpusit
– Zona me vila tek ish-”Sheratoni”
– Brezi me vila nga piramida deri te Stadiumi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.