KULTURË

Ridvan Dibra/ Me “Legjendën e vetmisë” në Paris

14:45 - 20.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Bala tash është qorr. Por ani: të verbër shokët e pranojnë. Edhe ai nuk ndihet aq i vetmuar si dikur”




Një roman psikologjik, duke shqyrtuar temën e një kënge të vjetër popullore, për përjashtimin, vetminë dhe hakmarrjen në një stil të pastër dhe shumë gojor.
Para pak kohësh u zhvillua në Paris, në librarinë “Editions intervalles 2”, veprimtaria e titulluar “Mbrëmje letrare shqiptare”. Në praninë e shumë lexuesve, fran-cezë dhe shqiptarë, u bë prezantimi i dy librave të përkthyer kohët e fundit në frëngjisht: i romanit “Legjenda e vetmisë” i autorit Ridvan Dibra (në frëngjisht me titullin “Le Petit Bala. La Légende de la solitude”), i përkthyer nga Evelyne Noygues dhe i botuar nga Shtëpia Botuese “Le Ver à Soie”, Paris; si dhe i librit “Shqipëria: kështjella përballë vetes” i Sébastien Colson – njëlloj udhërrëfyesi, ku autori synon të japë çelësin për ta kuptuar Shqipërinë bashkëkohore. Moderatorë të mbrëmjes ishin gazetarët Dauphiné Libéré dhe Sébastien Colson.

Përmes pyetjeve, por edhe diskutimeve, të pranishmit treguan interes për romanin “Legjenda e vetmisë”, duke vlerësuar përmbajtjen, gjuhën dhe stilin e veprës, si dhe cilësinë e përkthimit në frëngjisht. Romani “Legjenda e vetmisë”, botim i Shtëpisë Botuese “ONUFRI”, është shpallur si romani më i mirë i botuar në hapësirat mbarëshqiptare për vitin 2012, duke fituar çmimin “Rexhai Surroi”.

Në shënimet e botuesit francez, për këtë roman thuhet mes të tjerash: “Duke e marrë temën nga një këngë e vjetër ballkanase, Ridvan Dibra na ofron një roman psikologjik mbi përjashtimin, vetminë dhe hakmarrjen me theksa herë – herë edipianë. Me një stil të kthjellët e të drejtpërdrejt e kredh lexuesin në mendimet torturuese dhe në psikologjinë e të riut Balë, i cili, pas vdekjes së pashpjegueshme e mizore të babait të vet, duket se është plotësisht i izoluar nga një mjedis aspak miqësor. I bindur se bëhet fjalë për një vrasje dhe se e njeh mjaft mirë identitetin e vrasësit të babait, Bala i Vogël nis e fantazon gjithë kohës për hakmarrjen…”

Kurse në një analizë kritike të veprës në frëngjisht, poeti e kritiku Radu Bata shkruan mes të tjerash se: “Pas vdekjes brutale të babait, i bindur se bëhet fjalë për një vrasje dhe se e njeh identitetin e vrasësit, Bala i vogël ia kushton kohën e tij fantazive të hakmarrjes. Duke e marrë temën nga një këngë e vjetër ballkanase, Ridvan Dibra ofron një mozaik letrar, duke firmosur një tregim mjaft drithërues… Përmes syve të Balës shohim sesi jeta nis dhe e humb domethënien, ndjekim me ankth ligësinë e mizorinë e njerëzve. I ndarë mes njerëzimit e pyllit, Bala tërhiqet pak e nga pak drejt këtij të fundit. Dhe aty në strofullën e pyllit ai rigjen veten, gjen shpirtrat e tij që e pajtojnë disi me jetën… Bala është një fëmijë me ndjeshmëri ekstreme, një fëmijë që e gatuan fatin e tij me intensitetin e një Zoti të ri të territ… Eshtë shkrimi i Ridvan Dibrës, i bukur dhe interaktiv (duke sfiduar lexuesin), që “marton” poetikisht këto argumente: kapituj të shkurtë dhe fraza të thjeshta, idetë e sinkronizuara që vijnë si refrenet e një kënge, titujt dhe fundet e kapitujve që përmbledhin në pak fjalë çka ndodh; si në rrëfimet e dikurshme. Përkthimi i përcjell me sqimë këto veçori dhe i bën ato të natyrshme…”

Në një intervistë të dhënë, Dibra është shprehur se “Vazhdoj të kem aq shumë pikëpyetje brenda vetes, aq shumë dilema e pyetje pa përgjigje. Nëse ato do të reshtin një ditë (çka s’ka logjikë të ndodhë), nuk besoj se do të shkruaj më. Kuptohet, shtysë “frymëzimi” është edhe shumëçka tjetër që në një mënyrë a në një tjetër, lidhet me ato që thashë në fillim, domethënë me grindjet e mia të brendshme. Kjo ndodh edhe në ato vepra që lexuesit mund t’i duken krejt “larg meje”, si për shembull te romani im i fundit, “Legjenda e vetmisë”. Një konceptim i tillë i krijimit, bën që proza ime të jetë e varfër me personazhe; në romanet e mia ndesh jo më shumë një apo dy-tri karaktere. Në një kuptim, jam rrekur të bëj një prozë sa më vertikale: drejt thellësive e mistereve të qenies. Sa ia kam arritur, e gjykojnë të tjerët”.

Duhet përmendur se ky roman, i përkthyer në frëngjisht, është përzgjedhur në listën e ngushtë të veprave që konkurrojnë për çmimin e përkthimit në Francë Le Grand Prix SGDL – 2018, fakt ky që dëshmon punën plot talent e përkushtim të përkthyeses Evelyne Noygues, e cila është autore e disa përkthimeve nga shqipja në frëngjisht në prozë, poezi e dramaturgji.

E diplomuar i Inalco, përkthyesja e disa veprave letrare botuar në Francë dhe Shqipëri si dhe studiuesja në fushën e historisë dhe letërsisë, Evelyne NOYGUES, shkoi në Shqipëri për studimet e saj në fund të viteve 1980, para se të banonte atje 1991-1994 duke punuar në frëngjisht dhe shqip. Ajo kthehet atje rregullisht për projekte asociative, letrare dhe artistike. Së fundmi, ministrja Mirela Kumbaro bëri me dije se përkthyesja Evelyne Noygues është në garë për çmimin e përkthimit në Francë me librin e Ridvan Dibrës mbështetur nga Ministria e Kulturës me Fondin e Përkthimit nga gjuha shqipe.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.