OPINION

Sikur opozita të thellohej në raportet e KLSH!

07:45 - 20.10.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Komisionin e Ekonomisë për zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2017 jep një pasqyrë të problematikës së sotme të financave tona publike. Krahas evidentimit të të metave të konstatuara, ai synon përmirësimin e qeverisjes publike, sidomos rritjen e përgjegjësisë së strukturave vendimmarrëse qeveritare, duke zbatuar standardet ndërkombëtare të raportimit të treguesve makroekonomikë, si niveli i borxhit, i deficitit buxhetor, etj. Institucioni ka audituar përputhshmërinë e hartimit, zbatimit, monitorimit dhe raportimit të Buxhetit të Shtetit.  Gjetjet e KLSH-së, nëse do të lexoheshin me vëmendje nga opozita jonë, do të përbënin një aset të vyer të vënies përpara përgjegjësisë të strukturave qeveritare. Dhe, sikurse KLSH e ka përsëritur në vijimësi çdo vit në paraqitjen në Kuvend të këtij raporti auditimi jetik për mbarëvajtjen e financave të Shtetit, përgjegjësia për suksesin apo mossuksesin e financave publike nuk duhet lënë kurrsesi vetëm në personin e ministrit të Financave.




Shëndoshja dhe garantimi i qëndrueshmërisë së treguesve kryesorë financiarë është një punë dhe përgjegjësi e përbashkët. Asnjë nga ministritë e linjës ose institucionet e tjera qendrore të pavarura nuk mund të lajnë duart si Pons Pilati, përpara përkeqësimit të këtyre treguesve. Shqetësimi kryesor i KLSH-së në raportimin e zbatimit të Buxhetit të Shtetit për vitin e kaluar, i shprehur i plotë në opinionin e auditimit, bazuar në standardet ndërkombëtare të fushës, ISSAI-t, është se për disa zëra buxhetorë, përfshirë nivelin e deficitit dhe borxhit publik, institucioni ka konstatuar devijime materiale (sasiore dhe cilësore) në drejtim të hartimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit jo në përputhje me ligjet financiare të shtetit. KLSH e thekson rritjen shqetësuese të detyrimeve të prapambetura sërish (kujtojmë eksperiencën e hidhur të viteve 2012-2013.

Në vitin 2013, në paraqitjen e raportit të zbatimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2012, KLSH, përpara FMN-së dhe Bankës Botërore theksoi riskun e akumulimit të këtyre detyrimeve për Buxhetin). Sipas saj, ato janë jo më pak se 19 miliardë lekë, ose 152 milionë euro. Këto detyrime të prapambetura nuk janë raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, por janë konsideruar si shpenzim i periudhave të ardhshme, duke mbajtur artificialisht të ulët deficitin buxhetor. E njëjta gjë edhe për treguesin e borxhit publik, i cili nëse konsiderohet edhe detyrimi për rimbursim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (i TVSH-së në 11 miliardë lekë ose 88 milionë euro), shkon në nivelin 72% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit. Kjo është mjaft shqetësuese, kur në strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, e përgatitur për të realizuar qëndrueshmërinë dhe shëndoshjen e financave tona publike, objektivi i uljes së borxhit publik në fund të vitit 2017 ka qenë 65.5% e PBB(!). Pra, jemi afro 7 për qind ose mbi 1 miliard euro prapa! Ndërkohë, shpenzimet nga Buxheti i Shtetit për pagesat për koncesionet e tipit PPP (Partneritet Publik-Privat) nuk futen në borxh. Këto lloj kontratash përfshijnë detyrime disavjeçare të Buxhetit të Shtetit, shpenzime këto të domosdoshme për realizimin e projekteve të miratuara.

Vetëm për vitin 2017, shpenzimet e Buxhetit të Shtetit nga 11 tipa të tillë kontratash koncesionare ishin rreth 6,45 miliardë lekë, ose mbi 51 milionë euro. Këto shpenzime do të vijnë vetëm duke u rritur, duke arritur në vitin 2021 në 144 milionë euro. Një barrë e rëndë, problematike për Buxhetin tonë. Për këto arsye, KLSH-ja ka rekomanduar që në planifikimin dhe realizimin e treguesve të borxhit të merren në konsideratë këto kosto financiare që mbartin projektet PPP. Ndërkohë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk i raporton këto shpenzime në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar, që kërkojnë që të tilla kontrata të raportohen në stokun e borxhit publik.

Disiplinimi i financave publike, shmangja e devijimeve në raportimin e treguesve financiarë, si  dhe zbatimi i rekomandimeve të përsëritura ndër vite (rekomandimi i KLSH-së për uljen e borxhit publik daton që në vitin 2012) duhet dhe gjithnjë është e mundur të jenë kuaj beteje për opozitën tonë. KLSH-ja si institucion i depolitizuar dhe që respekton standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t nuk mund të prodhojë politika. I takon politikës, në radhë të parë opozitës që ta bëjë. Të thellohet në këto raporte auditimi, që i japin lëndë të parë të mrekullueshme për të sfiduar pozitën, duke prodhuar opozitarizëm të mirëfilltë konstruktiv dhe duke fituar pikë tek qytetarët, pasi përmirësimi i treguesve të financave publike ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e shërbimeve publike dhe të nivelit të jetesës së çdo shqiptari.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. More Fatos,”a je i marre-a hiqesh” thone shkodranet..I kerkon opozites,te vere perpara pergjegjesise strukturat qeveritare?!?!?! E kush i pyet ata?,Per te gjitha shkeljet qe konstatojne ne administraten shteterore dhe qeveri, KLSH,rezultatet duhet t’i dergoje ne prokurori dhe gjykata,dhe t’i ndjeke procedurat e tyre,deri ne fund ,simbas ligjeve ,ku te jepen denime,simbas gabimeve-fajeve,korrupsionit,vjedhjeve dhe shperdorimeve te fondeve,apo te detyrave.Jo opozita,por as edhe ndonje individ i vecante i PS,apo rilindjes,nuk mund te beje ate qe kerkon ti.Rastin me konkret,ke Ish minisstrin e financave.Edhe vete titulli qe i ke vene shkrimit,sikur thote:Sikur halla te kishte te tjera,do quhej xhaxha,por meqenese ajo ka te veten,e quajne halle.

    Përgjigju ↓