MILOSAO

“Lutja” e Gazmend Lekës, një grishje për lutje e gjithë shoqërisë

14:30 - 21.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Viti 1991. Kroatët luftojnë me mjetet e fundit kundër makinerisë së stërmadhe ushtarake serbe. Anipse besimi, forca dhe dashuria për atdheun nuk mjaftojnë. Atëherë, dikujt i shkon në mënd një gjetje e jashtëzakonshme. Në sheshin kryesor të qytetit thirren për çdo natë të luten, të gjithë qytetarët. Dhe, kështu ndodh. Në një orë të caktuar të mbrëmjes, e cila koinçidon me momentin e agresionit të ish-popullit vëlla, kroatët të gjithë luten. Po, po luten. Pleq, të rinj, gra dhe burra. Më pak të rinj. Këta të fundit janë thirrur nën armë. Me ungjij në dorë, çdokush që e ndjente veten kroat lutej. Për çfarë? Për atdheun! Për tokën! Për shtëpinë! Fëmijët, që kanë shkuar në luftë! Bukën! Gjithçka…Si i huaj, mes turmës që shndrit me qirinj, më mbet ndërmend një nga pak momentet e sinqerta sesi një popull i bën mirëseardhjen agut të së ardhmes. Lutja është pragu i lirisë, që pakkush e di me siguri se do vijë. Lutja ishte shpresë…Mbase edhe fund. Por, lutja është lutje…





Me konceptin e “Lutjes” do të na vinte më mirë ta identifikonim jo thjesht ekspozitën e fundit të Gazmend Lekës, që qëndron e hapur te FAB prej ditësh, por grishjen që e gjithë shoqëria jonë duhet të bëjë para verdikteve të mëdha. Pasi në këtë çoroditje ka mbetur vetëm lutja për të rivendosur një lloj stadi kundër gjendjes amorfe ku ndodhet vendi ynë. Por ne nuk lutemi. Ne vetëm mallkojmë. Urrejmë. Ankohemi. Më së shumti shfryjmë.
E gjithë krijimtaria e Lekës, sipas fjalëve të tij, është vetë një Lutje. Ai e bën këtë ritual në çdo moment, derisa të presë momentin e duhur, kur do i duhet të marrë nga qenia e tij supreme lejen dhe energjinë e duhur për punë. E tillë është edhe linja e paraqitur prej 24 punësh e autorit, që është e shpërhapur në të tre hapësirat e FAB, ku ndërthuret një narrativë metafizike dhe pikëpamja e autorit që në një farë mënyre na përcjell botën e tij të pafolur para kavaletit, mjedisit dhe të papriturës, që rrethon të gjithë procesin e punës.

E veçanta në të gjitha punët e autorit është se përpara punëve të ekspozuara ke vetë pezullin, që ngërthen krijuesin para fillimit. Është gjendja e autorit para se të mbartë energjinë e nevojshme për të punuar, është momenti i mbarsjes së pafolur. Autori në konceptin e tij e shpjegon lutjen si një akt, që na shoqëron jo thjesht në ditën fizike, por si një akt, që shoqëron gjithçka e cila ndodh në jetë. Kjo e bën ekspozitën, që duhet thënë se është zgjidhur në mënyrë shumë të kursyer pa ekses, për meditime të thella dhe tepër serioze. Ato lidhen me nevojën e ndaljes së gjatë në procesin e meditimit dhe jo vetëm, si edhe kërkesës për të shkuar në hapësirën ekzistenciale, ku njeriu gjen personalitetin e vet të padyzuar.

Ky akt murgëror, që mund të thotë dikush, është si një paqe e thellë shpirtërore, që zbulon pak a shumë trandjen e madhe të autorit para krijimit, grishjet, por edhe frikërat e mundshme, që shoqërojnë të papriturën në procesin e punës. Disa syresh, zgjidhur në koleksionin e tij të grafikave në mënyrë humoristike nga Goya shekuj më parë. Porse autori ka një mbarsje tjetër dhe kjo lidhet me energjinë e tij të bazës ku ushqehet, të gjithë formimin dhe mbi të gjitha përsiatjen e tij filozofike.
Mbase gjërat nuk shkojnë si duhet, atëherë kur tamam duhet kurse Telajot, penelatat, tavoloci diku, apo vetë autori që herë gjendet i shtrirë, herë menduar, herë mbi telajot i duhet të gjejë sinergjinë me këtë territor metafizik aspak miqësor. Ajo i ngjet disi momentit, kur zjarri merr jetë nga prekja e elementëve që e shkaktojnë atë. Pikërisht, ky është momenti, kur autori jonë e kërkon fillesën e tij, ndërsa në një rast të kundërt e lëshon atë në funksion të mosbërjes.
Është e vështirë të kuptosh sesa zgjat ky moment, që shoqëron Lutjen, dikush mund të thotë një dekik, një tjetër një kapsallitje syri, një tjetër kohë pa fund, por e gjitha duket se është e lidhur me atë transfigurimin e imazhit, derisa të bëhet e dukshme. Me pak fjalë, kjo ekspozitë është si një autoportret i brendshëm, intim, tejet sekret, i ngjizur në 24 piktura, si 24 copëza të një mozaiku ekzistencial.

Leka e ka konsideruar veprën e tij gjithnjë si një akt të gjatë lutjeje, që: “… fillon çdo ditë me lindjen e diellit”. E shkruar, që në vitin e largët 1994, ajo mbetet ende sot e pandryshuar, si përkufizim dhe udhërrëfyes i njërës prej krijimtarive më të vrullshme të kohës që jetojmë.
Në rrjedhën e shumë ekspozitave personale: “Black Box”, “Kutia e Zezë e Qenies”, “Ikarus”, “Simbolon”, “Molla”, “Natura Morta” dhe së fundmi “Taso”, lutja, për herë të parë, nuk i drejtohet më një teme të caktuar, porse ofrohet si një vështrim i krijuesit në dimensionin e vet më shpirtëror, zhytur thellë në habitatin e tij, si prifti i lartë i qytetërimeve të para, në kërkim të gjuhës së vjetër, për të vazhduar atë dialog që nisi në gjenezë të kohës, shkruan kuratori i tij Ermir Hoxha, duke na futur më institucionalisht në këtë univers. Punët e Gazmend Lekës janë më shumë se “Lutje”, janë grishje ku shqiptarët duhet të heshtin dhe të mendojnë para se të akuzojnë dhe bërë gjëra pa sens.

Lufta në Kroaci vazhdoi për katër vjet të tëra, kurse gjak pa fund dhe shtëpi të tëra u rrafshuan në tokë. Gjithsesi, Lutja e atyre mbrëmjeve e të gjithë njerëzve, tregoi sesa mund ta bashkojë popullin një akt sublim. “Shqiptarët” kanë nevojë për Lutjen, kurse njerëzit e artit duhet të ndalojnë para “Lutjes”…

Koncepti kuratorial

Në heshtjen tonë, ne të gjithë lutemi. Lutemi për shëndetin e trupit e më së shumti, lutemi për shëndetin e shpirtit.
LUTJA është një akt i gjatë që kryhet në vetmi të plotë. Në shurdhërinë e hapësirës, si për të gjithë ne, ashtu dhe për artistin, ajo është kredhja në një dimension tejet personal, ku rregullat dhe arsyeja tokësore bëhen të pafuqishme e përthyhen.
LUTJA është akti përgatitor para kryerjes së një riti antik, që ndoshta zë fill që nga muret e errëta të shpellave prehistorike.
LUTJA është akti i murgjve, para pikturimit të ikonave, për t’i bekuar ato me frymë krijimi.
LUTJA është një akt i thellë shpirtëror, para se të ngjizet vepra. Është shpërthim që paraprin mpiksjen e imazhit mbi sipërfaqen e bardhë sterile. Penelat, telajot, tavoloci i stërmunduar… të gjitha janë aty, gati për t’u sakrifikuar.
Ta flasësh e ta përflasësh atë, është gjithnjë e vështirë. Pavarësisht bisedave të gjata me artistin, në momentin fundor, logjika të bën të kuptosh, që ajo është një territor metafizik, që nuk duhet prekur, por si pa kuptuar, ajo bëhet e vërtetë për të gjithë ne.

Duket sikur artisti krijon Gjithçka nga Hiçi, pasi krijimin vërtet e paraprin Heshtja e Madhe. E gjatë sa një fraksion sekonde, apo sa një përjetësi, artisti dhe objektet që e rrethojnë, humbasin gravitet. Ato ngrihen nga dimensioni tokësor, për t’u rigjetur në një nivel të ri metafizik, ku marrëdhënia me hapësirën dhe hyjnoren, ngjizen përfundimisht ndryshe.
Kjo ekspozitë i dedikohet kësaj Heshtjeje të Madhe. Aty, si në një manifest artistik, pesha e arsyes dhe trupi i artistit, përhumben në një perspektivë personale, ndërkohë që studioja kthehet në tempullin e tij vetjak. Ai është aty, i vetëm, me personazhe reale e irreale, me miq e demonë, erën e vajit të linit dhe tingujt e muzikës. Mes rrëmujës së përhershme, ato ngatërrohen e përzihen njëra me tjetrën. Në mes të kësaj rrëmuje, i përulur, fanitet imazhi i tij, që endet i vetmuar në studio, i përndjekur shpesh nga imazhi i fundmë i një varri fantazmë, apo nga një hije-kryq “i rastësishëm”, gjithë-përfshirë në një dimension shpirtëror të thellë, tërësisht i zhveshur nga çdo gjë materiale, si në një rit shamanik, ku qiellorja dhe tokësorja bëhen njësh.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.