MILOSAO

Në kujtim të Atit të Shenjtë, Gjon Pali II

10:50 - 21.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Karol Bachura – Viti 2018 përkon me 25 vjetorin e vizitës së parë apostolike në histori të Atit të Shenjtë Gjon Pali II në Shqipëri si dhe viti i 40 vjetorit të zgjedhjes së Polakut, kardinalit Karol Vojtilla (Karol Ëojty³a) në Selinë e Shenjtë- Papës së parë jo-italian në më shumë se pesë shekuj.




Më 22 tetor bëhen plot 40 vjet nga inaugurimi i Pontifikatit të Gjon Palit II, të cilit i ndriste udhën deviza “Totus Tuus”- jam i gjithi Yti, Mari. Ky qëndrim i Shenjtit Gjon Pali II na ka mësuar jo vetëm neve, besimtarëve të kishës katolike-romane, por edhe më gjerë,- i ka mësuar gjithë njerëzimit si të fal, si të dialogojë me përfaqësuesit e besimeve të tjera, si të dojë të afërmin, por edhe si të largohet nga kjo botë.
Në Homilinë e ditës së inaugurimit të Pontifikatit, 22 tetor 1978, shenjti Gjon Pali II bëri thirrje për të mposhtur frikën: “Mos u frikësoni. Hapjani, hapjani dyert Krishtit. Hapjani dyert pushtetit të tij shpëtues, hapini kufijtë e shteteve, regjimeve ekonomike dhe politike, fushave të gjera të kulturës, qytetërimit, zhvillimit”. Ky mesazh është aktual sot e gjithë ditën, edhe në raport me shqiptarët, që të mos u frigohen sfidave, të mos tremben nga reformat, të mos i frikësohen të ardhmes.
Evropa dhe integrimi i saj kanë qenë me siguri një nga shqetësimet parësore të Gjon Palit II, çka e dëshmoi në gjithë pontifikatin e vet. Ai ka qenë i bindur se dy mushkëritë e Evropës, lindorja dhe perëndimorja, i janë asaj të domosdoshme për të qenë një Evropë e plotëruar.
Për Gjon Palin II thelbin e konceptit Evropë nuk e përcaktonin kufijtë e saj gjeografikë. Element i qenësishëm i identetitit të saj- ka qenë dhe mbetet kultura. “Sepse historia e Evropës është si ai lumi i madh, tek i cili derdhen shumë degëzime dhe përrenj, ndërsa laryshmëria e traditave dhe kulturave që përmban janë një thesar i madh i saj”- ka thënë Gjon Pali II në GnieŸno në vitin 1997.

Ndaj sot, në pritje të vendimit vitin tjetër të Këshillit Europian mbi çeljen e mundshme të negociatave me Shqipërinë, po i lejoj vetes të parafrazoj disa fjalë të shenjtit Gjon Pali II që edhe sot Evropa që të mund të mbushet plotësisht me frymë ka nevojë për të dyja mushëritë- mushkëritë e BE-së dhe mushkëritë e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë të domosdoshme për realizimin e idesë së bashkimit të kontinentit. Dhe bash këtu bëj një pyeje retorike – A do të ishte vallë e plotë kultura evropiane pa kulturën e pranishme në trojet e Shqipërisë së sotme, e kësaj kulture që vjen nga kohërat parahomerike, apo mbretërisë ilire?
Personalisht nuk kam për ta harruar kurrë 16 tetorin e vitit 1978, kur disa minuta para orës 19:00 mbarë bota mësoi se ishte zgjedhur papa i ri- një papë nga një vend i largët, një papë polak, papë nga përtej perdes së hekurt. Në Poloni qarkullon një anegdotë, sipas së cilës, kur njëri nga udhëheqësit e byrosë politike të partisë punëtore të bashkuar polake kishte mësuar mbi zgjedhjen papë të kardinalit Vojtilla, pat bërtitur “O Zot!”- kësi ateistësh kemi pasur në Poloni. Ndërsa mua më janë ngulitur thellë fjalët e babait tim, që më 15 tetor 1978, për habi të baballarëve të kombit nuk e përjashtonte mundësinë e zgjedhjes papë të ndonjë polaku. Pas konfirmimit të parandjenjave të tij, një ditë më pas, pikërisht në datën 16 tetor 1978 babai konstatonte se ajo ditë, dita e zgjedhjes së Vojtillës në selinë e shenjtë kishte për të qenë “fillimi i fundit të komunizmit”. Historia i dha të drejtë.

Karol Bachura – Ambasador i Republikës së Polonisë

Kur në vitin 1979 papa Gjon Pali II vizitoi Poloninë, në Varshavë tha disa fjalë që shenjuan nisjen e çmontimit të murit të Berlinit dhe zgjedhës komuniste. “Thërras, unë, biri i tokës polake, njëherësh unë, Gjon Pali II, papa. Thërras nga thellësia e këtij Mijëvjeçari, thërras në vigjilje të Festës së Predikimit, thërras bashkë me ju të gjithë Jepini liri shpirtit, jepini liri shpirtit dhe ndërrojani fytyrën tokës. Kësaj toke”- dhe e çliroi. Polakët nisën të ndiejnë bashkësinë si kurrë më parë. Një vit më vonë lindi lëvizja “Solidaritet” që grumbulloi rreth vetes 10 mln njerëz të punës në popullsinë 30 milionëshe të vendit, shtypur nga gjendja e luftës dhe që përgjatë një dekade po e gërryente totalitarizmin komunist, të rënë përfundimisht në 4 qershor 1989. Duhet kohë dhe një reflektim i thellë, por edhe distancim historik, për të kuptuar ndikimin e jashtëzakonshëm të shenjtit Gjon Pali II mbi fatet e botës, në reformimin e kishës dhe jetësimin e vendimeve të Konciliumit II të Vatikanit mbi zgjerimin e frymës së ekumenizmit dhe Dashurisë Hyjnore që fle në secilin prej nesh.

Në prill 1993 kur Gjon Pali II- si papa i parë në histori erdhi në Tiranë dhe Shkodër artikuloi disa fjalë: “Vëllezër dhe motra shqiptarë. Ju përshëndes me gjithë zemër, Fort të dashur. Zoti mbroftë atdheun tuaj. Zoti mbroftë popullin shqiptar kudo në botë. Në emër të Zotit ju përqafoj të gjithëve dhe ju bekoj”.
Por nuk ishte ky rasti i vetëm kur papa Gjon Pali II u adresohej shqiptarëve. Ishte i vetëdijshëm për shtypjen e regjimit të Hoxhës. Është i njohur botërisht qëndrimi i Tij ndaj figurës së Nënë Terezës dhe udhëheqja e procesit të beatifikimit të saj gjatë pontifikatit të Tij. Sidoqoftë në fillim të viteve ‘80 shenjti Gjon Pali II kishte për të thënë: “Pas popullit polak më shumë dua popullin shqiptar, dhe kjo për dy arsye: së pari për shkak se shqiptarët kanë vuajtur për një kohë shumë të gjatë, shumë padrejtësisht, dhe së dyti ngaqë i kanë dhënë botës Nënë Terezën e Kalkutës”.
Me siguri që kjo është një nga arsyet pse kisha në Bathore është e para në botë me emrin e shenjtit Gjon Pali II- e shuguruar gjashtë ditë pas kanonizimit të Gjon Palit II. Jo në Poloni, jo në Itali, apo gjetkë në botë, por bash këtu, në Shqipëri. Po këtu, në Shqipëri, vullnetarët nga kishëza lokale arritën të përgatitnin dhe vinin në skenë këtë vit në Tiranë, me thjeshtësinë dhe sinqeritetin e tyre, musicall mbi jetën e Karol Vojtillës- Gjon Palit II me titull “Lolek”.
Si polak kam pasur fatin të takohem personalisht me shenjtin Gjon Pali II në vitin 1986, në rezidencën verore papale, në Castel Gondolfo, në Itali. Kjo audiencë, bashkë me përfaqësues të komunitetit polak, ka lënë gjurmë të thellë në jetën time dhe është kthyer në një dritë që qartëson qoftë edhe terrin më të llahtarshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.