Kryesore

Rrëfimet e të mbijetuarve të komunizmit në një botim

12:40 - 21.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – “Shqipëria është e vogël për të parë, po edhe për të qarë”, kjo frazë e thjeshtë e znj. Gjelë Gjikola, e mbijetuara e Kampit të Tepelenës, flet më shumë se qindra faqe diskutimesh pa bereqet që na vijnë nga diskursi politik i ditës. Ne të gjithë, si njerëz të lirë, duhet të kërkojmë së bashku të vërtetën duke krijuar marrëdhënie të tjera besimi me njeri-tjetrin. Liria ekziston në masën ku të gjithë janë të lirë. Nga përmbajtja e kujtimeve tona, mënyra se si ne kujtojmë dhe ajo që ne do të zgjedhim si ideal, e gjitha kjo do të ndikojë në zgjedhjen tonë se si do të bëhemi. Por, të kujtuarit nuk është i mjaftueshëm. Në sajë të kujtimeve ne do të njohim atë se çfarë duhet të bëjmë sot. Prof. Dr. Gjergj Sinani ndalet gjatë te raporti ynë me kujtesën e me lirinë në botimin me rrëfimet e të mbijetuarve të komunizmit.




Tregimi im, është detyrim moral për prindërit e mi, për veten time, për ju o bij, për bashkëvuajtësit e mi dhe për shoqërinë”, thotë një i mbijetuar i diktaturës. Historitë e rrëfyera në këtë botim hapin faqe të historive personale që premtojnë dhimbje, lot e vuajtje. Por dialogu shoqëror që synojmë të edukojmë e zhvillojmë për të shkuarën mund të realizohet vetëm nëpërmjet kësaj hapjeje e dokumentimi. Sepse është përballja me të vërtetën ajo që e çon shoqërinë drejt shërimit dhe rivendos ekuilibra. Kjo përballje nënkupton edhe zbardhjen e fateve të të pafajshmëve dhe nderimin i sakrificës së atyre që ia dolën me dinjitet njerëzor, duke njohur përjetimet e tyre, përmes zërave të tyre. Ky është hapi i rëndësishëm që hedhim sot”. Një tekst hyrës nga Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, të vë para një prezantimi të menjëhershëm të gjendjes që krijohet teksa shfleton.

Sula vëren se EDHE MURET KANË VESHË u titullua platforma e rrëfimeve të mbledhura nga AIDSSH, me historitë e mbledhura me kujdes dhe përgjegjësi, përmes zërave të padëgjuar, AIDSSH i jep një shans më shumë mbështetjes së kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar, krahas qasjes së papenguar në dokumentet e Sigurimit të Shtetit në diktaturë.  Metodologjia e EDHE MURET KANË VESHË u zhvillua në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të Shëruar dhe Parandaluar”, i zbatuar nga AIDSSH, me mbështetjen e UNDP Shqipëri dhe qeverisë së Italisë, të cilët mbështetën edhe këtë botim të parë të kësaj kolane. I falënderojmë për mbështetjen! Botimi i parë përmbledh dëshmitë e të mbijetuarve të Kampit të Internimit në Tepelenë 1949-1953. Ky botim do të ndiqet nga dëshmi të tjera të të mbijetuarve, si dhe nga dëshmitë e tepelenasve bashkëkohës të kampit, duke synuar përshkrimin e përjetimeve të tyre në bashkëjetesën e detyruar me të internuarit e asaj periudhe.

NJË QASJE MBI LIRINË

Prof. Dr. Gjergj Sinani vëren në parathënien e librit se ndarja e pushteteve, liria e shtypit, njohja e pronës private dhe mbrojtja e saj me ligj si dhe zhvillimi i një shoqërie civile, janë disa nga mjetet që mund të përdoren me efektivitet të lartë për të realizuar qëllimet e mësipërme. Sinani shton se në funksion të këtyre qëllimeve është edhe zbulimi, mbledhja e dëshmive të njerëzve që përjetuan dhunën dhe terrorin totalitar komunist 45-vjeçar, që sakrifikuan jetën, rininë e tyre qoftë për shkak të ideve dhe akteve vetjake, qoftë për shkak të lidhjeve familjare, njohja me kalvarin e jetës, qëndresa e atyre që kaluan nga ferri i Maliqit, Tepelenës, Spaçit, etj. dhe bërja publike e tyre. Rënia në kontakt me këto dëshmi ka impakt të drejtpërdrejtë transformues të vetëdijes njerëzore, sepse nuk ka qenie njerëzore të mos krijojë respekt dhe nderim për cilindo vuajtës të asaj diktature, pasi të lexojë dhe njohë këto dëshmi, nuk ka qenie njerëzore të mos ndryshojë mendësi e këndvështrim për të kaluarën, që tjetër i ishte paraqitur dhe tjetër ishte realisht. 

E keqja  e një individi dhe është e vështirë të zhbëhet, po ajo e një regjimi të tërë të organizuar në të gjitha strukturat dhe instrumentet e tij? Aq më keq me një jetëgjatësi 45-vjeçare?

Sipas prod.Dr. Gjergj Sinanit në debatin rreth shkrimit të një “historie zyrtare” dhe konkurrencës që po i bën kujtesa, është e domosdoshme që të tregohen dallimet dhe ndikimet reciproke. Ku qëndrojnë dallimet dhe konvergjencat ndërmjet historisë dhe kujtesës? A ka një detyrë të kujtesës? Cili duhet të jetë roli i historianit në debatet shoqërore rreth historisë dhe kujtesës?  “Termat ‘bashkëfajtorë’ apo ‘të paanshëm’ si duhen përdorur saktë shkencërisht dhe si janë përdorur shpesh abuzivisht nga politika për të justifikuar krimin komunist, mbuluar përgjegjësit dhe penguar drejtësinë që të kryejë procese të rregullta ndaj tyre? Ka edhe shumë pyetje të tjera të cilat nuk mund të zgjidhen nga baza të thjeshta empirike, por kërkojnë padyshim njohje të thellë të proceseve historike, njohje të vlerave njerëzore dhe metodën e duhur për të ndërtuar diskutimin, analizën dhe vlerësimin sa më saktë e sa më mire”, pyet profesori.

Për të, historia dhe kujtesa janë dy fusha të ndryshme; çdo njeri ka kujtesën e vet, me kujtime të mira apo të këqija; Kujtesa ruan gjurma të të kaluarës, të brendësuara, të shkrira në identitetin tonë. Në nivelin individual nuk ka kurrë dy kujtime identike. Por, kujtesa është edhe kolektive, që krijohet nga shumë individë, por edhe ajo është gjithnjë nën ndikimin e asaj të tashmeje kur krijohet.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.