AKTUALITET

Shqipëria pranon zgjerimin në Jon me 12 milje, por Turqia paralajmëron luftë

14:49 - 21.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias i dorëzoi zyrtarisht detyrën ditën e shtunë kryeministrit Alexis Tsipras, i cili njëherësh do të ushtrojë edhe këtë detyrë, teksa i komunikoi se Greqia është gati të zgjerojë ujërat territoriale nga 6 deri në 12 milje detare.




Në fazën e parë, tha ai, Greqia do të zgjerojë sovranitetin e saj drejt perëndimit nga ishujt Diapontia, një grup ishujsh të vegjël në Detin Jon, në Antikythera, një ishull që gjendet midis Peloponezit dhe Kretës. Por, sipas planit do të zgjerojë sovranitetin edhe në Egje.

Kotzias tha se kjo lëvizje përbën “për herë të parë zgjerimin e sovranitetit të vendit, qëkur Dodekanezi u bë pjesë e Greqisë në vitin 1947”. Zgjerimi në Jon nuk ka gjasa të has asnjë kundërshtim nga fqinjët, si  Italia dhe Shqipëria.

Por, megjithatë Egjeu mbetet një propozim krejt i ndryshëm. Kjo pasi Turqia ka kërcënuar në të kaluarën se një veprim i tillë, i cili e kthen Egjeun në një liqen grek, është një shkak për luftë.

Ligji për Detin

Ujërat territoriale janë një shtrirje në det e sovranitetit kombëtar të një vendi, përtej brigjeve të tij. Ato konsiderohen të jenë pjesë e territorit kombëtar të vendit dhe i japin atij të drejtën e patrullimit, kontrollit nga ajri si edhe gëzojnë të drejtën e kontrollit të pjesshëm mbi transportin, megjithëse anijet e huaja (si ato civile, ashtu edhe ato ushtarake) normalisht garantojnë kalimin e lirë përmes ujërave territoriale.

Greqia ka të drejtën ligjore të shtrijë territorin detar deri në 12 milje detare, siç parashikohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin e Detit.

Pothuajse të gjitha shtetet bregdetare i përmbahen atij ligji, duke përfshirë Turqinë, e cila që nga viti 1964 ka zgjeruar ujërat territoriale në Detin e Zi dhe në Mesdhe deri në 12 milje detare.

Kur ratifikoi Konventën, Greqia paraqiti një deklaratë ku thuhej se “koha dhe vendi i ushtrimit të këtyre të drejtave … është çështje që varet nga strategjia e saj kombëtare”.

Qeveritë e njëpasnjëshme greke janë përmbajtur nga ushtrimi i kësaj të drejte ligjore. Gjashtë milje detare kanë qenë në fuqi që nga viti 1936 dhe që atëherë ka pasur një debat të vazhdueshëm nëse Greqia duhet të zgjasë deri në 12 milje detare.

Kërcënimi i Turqisë

Nëse Greqia shtrin ujërat e saj territoriale në Egje, ajo do të rrisë kontrollin e saj nga 43 përqind (që e ka aktualisht) në 71 përqind. Ujërat ndërkombëtare do të reduktohen nga 49 përqind në më pak se 20 përqind.

Kjo është arsyeja pse Turqia ka kërcënuar për luftë. Ajo pretendon se Egjeu është një rast i veçantë dhe nëse zbatohen dispozitat e Ligjit për Detin, Turqia do të pakësohet nga Deti.

Greqia kundërshton argumentet e Turqisë duke thënë se sipas ligjit, e drejta e kalimit është plotësisht e mbrojtur dhe madje e zgjeruar.

Duke përdorur këto të drejta, madje edhe anijet luftarake nga vendet e tjera mund të lëvizin qetësisht nga ujërat territoriale greke dhe ato mes ishujve, siç është bërë sot.

Tensionet mbi çështjen “12 milje” nisën midis dy vendeve në fillim të viteve 1990, kur Ligji i Detit do të hynte në fuqi.

Më 9 qershor 1995, parlamenti turk deklaroi zyrtarisht se veprimi i njëanshëm i Greqisë do të përbënte një rast për luftë.

Kjo deklaratë është dënuar nga Greqia si shkelje e Kartës së Kombeve të Bashkuara, e cila ndalon “kërcënimin ose përdorimin e forcës kundër integritetit territorial ose pavarësisë politike të çdo shteti”. Burimi: greekreporter


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.