OPINION

“Financimet greke”, janë korrupsion, jo konspiracion!

12:04 - 22.10.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Konspiracioni i madh që ka shpërthyer rreth financimeve të Ministrisë së Jashtme greke për shtypin shqiptar, janë një banalitet që tregojnë më shumë nivelin e korrupsionit në qeverinë greke, se sa ndonjë kompromentim të shtypit shqiptar.




Bëhet fjalë për një fond sekret të Ministrisë së Jashtme greke, i cili është në dispozicion të politikave të saj në rajon. Ky fond ka ekzistuar qysh kur ka egzistuar ajo ministri dhe është përdour rregullisht.

Në vitet ’90 ai ishte një fond me ndikim, pasi është përdorur për të financuar politikanë dhe gazetarë shqiptarë për të qenë luajalë me politikat e Athinës. Është përdorur po ashtu për bursa dhe specializime të një numuri jo të vogël intelektualësh shqiptarë, që kryenin një intership për kulturën dhe gjuhën greke.

Por rëndësia e Greqisë për Shqipërinë në vitet ’90 ishte shumë e madhe dhe metodat e ndikimit të saj ishin shumë më të lehta.

27 vite më vonë kjo është më tepër një histori korrupsioni e zyrtarëve grekë me fondet e tyre, se sa një korruptim i shtypit shqiptar. Pak a shumë Ministria e Jashtme greke ka vepruar si kompanitë e mëdha greke në Shqipëri, që u bënë shkolla të korrupsionit, sa i përket marketingut. Në fillim ato jepnin reklama për shtypin shqiptar direkt, pastaj CEO e tyre (drejtorët) krijuan secili nga një kompani reklamash me njerëz të besuar të tyre, dhe i jepnin përmes kompanisë që të mbante 20 deri 40 përqind, derisa në fund arritën që vidhnin gjithë lekët e reklamave. Dhe natyrisht shumica falimentuan.

Tre nga katër bankat greke janë shitur dhe i kanë blerë shqiptarë. Kompanitë celulare po ashtu. Korrupsioni i brendshëm dhe përpjekja për të vjedhur dhe lekët e reklamave, i bëri ata model të abuzimit në sektorin privat në Shqipëri. Sot një nga kompanitë më të mëdha të marketingut të reklamave të Greqisë në Shqipëri, më lehtë t’i ndërpret reklamat po shave LSI-në, se sa po shave Ciprasin.

E njëjta histori duket qartë që është dhe kjo e fondeve të Ministrisë së Jashtme greke. Debati në qeverinë greke nuk është pse është financuar shtypi shqiptar, apo maqedonas, pasi ato para, për atë punë janë, por pse nuk janë harxhuar mirë paratë. Kjo nënkupton, pa dashur të përmend emra, që paratë janë mbajtur në një rreth të ngushtë të Ministrit të Jashtëm, të cilët ngjashëm si CEO e bankave apo kompanive celulare greke në Shqipëri, krijuan një rrjet trafiku për t’i rimarrë vetë këto para. Dhe për aq sa ka rrjedhur informacioni nga zyrat e shtetit grek, bëhet fjalë për disa portale anonime pa pikë ndikimi në gjuhën greke apo shqipe, që drejtohen nga njerëz që ose punojnë rrotull ambasadës greke, ose janë njerëz të lidhur direkt me zyrtarë të lartë në Athinë.

Pra ëshët thjeshtë çështje korruptive e shtetit grek dhe jo çështje e korrupsionit të shtypit shqiptar.

Shtypi shqiptar është boll më i korruptuar se sa kjo histori. Shumica e portaleve shqiptare paguhen në të zezë, ose nga zyrtarë të korruptuar shqiptarë, ose nga mafia shqiptare, që është ku e ku më zi se paratë e Greqisë.

Ministria e Jashtme Ruse, publikoi para disa mujash ankesën e saj se fondet e harxhuara në shtypin shqiptar, (dhe këto i përcaktonte me emra) kishin rezultuar jo eficente. Por nuk u bë zhurmë në shtypin shqiptar. Ju duk normale kjo gjë. Për Greqinë bëhet zhurmë, jo se janë patriotë antigrekë, por se nuk ka marrë askush para dhe mendojnë se kush është ai “bir kurve”, që ua ka marrë nga duart lekët.

Se shtypi shqiptar është thjeshtë mbledhës gjobash. Është më keq se sa të financohej nga Greqia, apo Rusia. Dhe nëse duhet të ketë ndonjë debat për këtë çështje, le të ketë për financimet informale në shtypin shqiptar. Le të na e shpjegojë dikush ku i gjejnë paratë portale apo redaksi të paregjistruara që punojnë në të zezë, pa pasur reklama, dhe që mbajnë në punë deri në dhjetë vetë. Nuk i paguan Greqia, qetësohuni! As Rusia. I paguajnë shqiptarët e një bote të padukshme për shtetin dhe shoqërinë.

Greqia e ka humbur rëndësinë dhe për më tepër ndikimin në shtypin shqiptar, për shumë arsye. Greqia është bërë e parëndësishme për shtypin shqiptar, jo vetëm se nuk është një burim të ardhurash për të, por se vetë Greqia nuk ka interes të përfshihet në këtë histori. Ndikimi i Greqisë në shtypin shqipar, nuk mund të arrihet me blogje të tipit të silogjeve të Vorioepirit, të cilët nuk ndikojnë dot as tek grekët.

Greqia e ka humbur rëndësinë dhe për shkak të njerëzve që përzgedh për kauzat e saj. Disa individë që tundin flamurin grek në Shqipëri e fyejnë dyfish Greqinë, pasi e keqpërdorin atë për interesa të tyre. Për shembull politikanë si Nerënxi, bëhen nga antigrek, në pro grek në varësi të planit rregullues të Himarës. Të tjerë i kanë përdorur fondet e Greqisë, për t’u pasuruar personalisht, për të rregulluar bursa apo shtëpi.

Greqisë i mungojnë heronjtë e saj në Shqipëri, pasi për fat të keq të saj, i ka përzgjedhur sikur t’i zgjidhnim ne vetë, me dorën tonë, kryesisht batakçinj. Dhe për të mbuluar historitë e tyre korruptive, ata bëjnë sikur përfaqësojnë në Shqipëri, “Agimin e Artë” dhe jo politikën normale greke. Dhe si të tillë, nuk ndikojnë dot, as tek grekët e Shqipërisë, e jo më tek shqiptarët.

Financimi i shtypit nga Greqia, do të ishte për t’u marrë në konsideratë, nëse do të prekte median kryesore në vend, dhe nëse do të krijonte mekanizma marketingu të qëndrueshëm që shtypi shqiptar të kishte një lloj varësie prej tyre. Atëhere ishte për t’u marrë në konsideratë, pasi shtypi shqiptar që nuk ka cipë të marrë para të zeza dhe nga vrasës, nuk skuqet të marrë edhe nga Greqia. Por qetësohuni, se thjeshtë Greqisë nuk i duhet shtypi shqiptar dhe shtypit shqipar nuk i duhet Greqia.

E gjitha çfarë thuhet është një skemë vjedhjesh fondesh nga vetë grekët. Ngjajmë si vëllezër në këtë pikë. Nuk kemi pse zihemi!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.