Intervista

Salianji: Opozita, nën presionin e qytetarëve për të rrëzuar Ramën

13:00 - 22.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Ervin Salianji, një ndër deputetët më aktivë të opozitës, ndodhet në rreshtin e parë të saj sa herë që bëhet fjalë për përballje politike, ndaj dhe është më i sulmuari nga mazhoranca e majtë. Por, Salianji tregon për “Gazeta Shqiptare” se do të vazhdojë të denoncojë me fakte dhe prova konkrete për çdo rast korrupsioni qeveritar. Ai thotë se asgjë nuk e shantazhon e as nuk e blen dot. I pafrikësuar në misionin për të përfaqësuar, sipas Salianjit qindra mijëra qytetarë mbështesin sot PD-në.




Z.Salianji, kohët e fundit gjithnjë e më shpesh ju shohim me dosje në duar, çfarë përmbajnë ato…?
Kanë qenë dosje për raste të denoncuara nga opozita, dosje të plota për përfshirjen e shtetit për të sajuar, prishur apo fabrikuar prova dhe dëshmitarë për të shpëtuar ministrin e Brendshëm. Kanë qenë dokumente shkresore të institucioneve apo video ku faktohej qartë se si shteti sot përdorte metodat e ‘Sigurimit’ vetëm për të përfshirë opozitën. Dosjet e tjera që shihni janë fakte për denoncimet e qytetarëve apo institucioneve që vijnë te Partia Demokratike, si institucioni më i beshueshëm për shqiptarët sot. E patë se si me dokumentet e Ministrisë së Brendshme u faktua se nga sistemi TIMS Balla udhëtonte 57 herë me trafikant, që ka përfituar miliona euro tendera dhe pasuri publike në zonën e tij. Të tilla fakte dhe prova kemi publikuar dhe do të publikojmë sapo të bëjmë verifikimet e nevojshme për çdo rast.

Pse kaq shumë kallëzime penale mes jush dhe Ballës, PD-së dhe PS-së?
Ne kemi bërë kallëzime penale për shpërdorimet e fondeve publike, për korrupsion dhe lidhjet e qeverisë dhe deputetëve me krimin e organizuar dhe favorizimet që i bëhen krimit. Deputetët e opozitës, përfshirë mua, janë të kallëzuar nga një i dënuar për trafik droge, Agron Xhafaj. Paditë e tjera të PS dhe Rama-Balla, dyshja qeverisëse i bën për të “blerë kohë” duke iu thënë shqiptarëve që jemi të gjithë njëlloj, që të gjithë shkojmë në prokurori dhe gjykata, por askush nuk e harron që opozita shkon sepse denoncon krimin, ndërsa qeveria për miliona euro abuzime, për favorizim të krimit etj. Ne nuk jemi njëlloj. Ata janë përfitues, shkatërrues dhe plaçkitës të Shqipërisë, ndërsa ne denoncues të zullumeve të tyre dhe shpresa e vetme që kanë shqiptarët.
Taulant Balla përmes disa fotove ju akuzon se keni lidhje me persona me precedentë penalë…
Budallallëqe, unë nuk jam në pushtet dhe nuk kam asnjë mundësi për të favorizuar askënd, po ashtu nuk kam mundësi të verifikoj askënd për aktivitetin e tyre. PS dhe qeveria kanë të gjitha institucionet për të dërguar para përgjegjësisë penale cilindo që shkel ligjin. Unë këtë do të beja. Nuk ka askush asnjë mundësi për të përfituar apo për të qenë mbi ligjin.

Ju jeni përfshirë në çështjen “Babale”, duke dëshmuar edhe në prokurori, por a besoni se do të mund të vërtetoni akuzat tuaja, ndërkohë që PD vazhdon të akuzojë prokurorinë si vegël të qeverisë?
Ne i kemi faktuar akuzat dhe çdo qytetar e ka parë me zë, me figurë dhe me shkresa se si është përfshirë qeveria për të fabrikuar një aktor. Qytetarët e panë se si shkoi në burg Agron Xhafaj, pasi i fshihej drejtësisë prej vitesh. Sot prokuroria e pavarur do të duhej të bënte drejtësi për Ramën, Xhafajn, Veliun për shpërdorim detyre, pengim të drejtësisë etj. Dita për të dhënë llogari edhe ata para drejtësisë do të jetë e afërt.

Ju jeni deputeti më i sulmuar nga mazhoranca, për cilat arsye?
Besoj se arsyet janë të qarta për çdo qytetar. Unë kam qenë dhe do të jem aktiv në denoncime me fakte për çdo rast korrupsioni qeveritar. Asgjë nuk më shantazhon, as nuk më blen dot, as nuk më tremb në misionin për të përfaqësuar qindra mijëra qytetarë që mbështesin PD-në, por edhe socialistë të zhgënjyer. Si deputet i Kuvendit për këtë paguhem, si anëtar i Grupit Parlamentar të PDSH kam detyrimin të punoj për objektivat që vendos kryetari i opozitës, z.Basha. Është dukshëm dëshpëruese sesi qeveria dhe mazhoranca më sulmojnë pa asnjë fakt apo për asnjë shkelje në funksionin tim publik, por me trillime pa asnjë të vërtetë. Si deputet i opozitës ndjehem i vlerësuar për çdo sulm që bën regjimi, sepse e di që përballja dhe publikimi i fakteve do prodhojë përherë e më shumë sulme dhe shpifje, sepse regjimi kriminal ka para, media dhe pushtet, por për pak kohë derisa popullit do t’i kthehet sovraniteti.

Ju jeni sekretar për ‘Aksionin Qytetar’ në PD, strukturë kjo në funksion të qytetarëve, por sa denoncime në ditë vijnë në selinë e PD-së, si verifikohen ato derisa i përcillen publikut?
Në Partinë Demokratike çdo ditë vijnë minimalisht 30 qytetarë në ditë për denoncime, për të kërkuar ndihmë për çështje të caktuara apo për të kërkuar që deputetët e PD-së të ngrenë zërin për çështje që shqetësojnë qytetarët. Ne mbledhim çdo fakt apo çdo të dhënë që na vjen, e verifikojmë me burimet tona në terren, e ballafaqojmë me dokumente dhe më pas e publikojmë. Shpeshherë, ne i orientojmë qytetarët edhe tek media investigative, ashtu siç dhe shpeshherë zyrtarë të ndershëm të policisë, ministrive, administratës publike na sjellin fakte dhe shkresa konkrete, siç ka ndodhur psh., me TIMS-in e Ballës.

Çfarë denoncimesh vijnë kryesisht në PD?
Çdo denoncim që vjen dhe ka vlerë për publikun ne e kemi bërë publike. Vijnë shqetësime për çdo sektor të qeverisjes, por edhe denoncime konkrete për persona konkretë. Shumë denoncime janë për lidhjet e qeverisë me krimin, për papunësinë, për rritjen e çmimeve, për ryshfetet që duhet të paguash për t’u përfshirë në administratë, për mungesën e ilaçeve dhe shërbimeve në spitale, për mungesë infrastrukture etj., etj.

Si koordinator i PD dhe drejtues i Departamentit për të Drejtat e Njeriut, keni qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe problematikat e tyre. A po i bind dot PD-ja qytetarët që të ngrihen kundër Edi Ramës për ta rrëzuar atë?
Unë mendoj që opozita i ka bindur aq shumë qytetarët, sa tani janë vetë qytetarët që po i bëjnë presion opozitës për ta rrëzuar sa më parë një qeveri, që nuk ka interes për ta, por për ta privatizuar dhe shpërdoruar çdo aset të Shqipërisë.

Ju drejtoni grupin e punës për dekriminalizimin e plotë përmes vetingut të politikanëve të lidhur me krimin. Çfarë po bëhet konkretisht në këtë drejtim?
Ne kemi depozituar në Kuvend projektligjin dhe siç jeni në dijeni, Rama po përpiqet ta shtyjë pafundësisht nismën për ndryshimet kushtetuese, duke bërë dëgjesa pa sens, apo duke e dërguar draftin në Komisionin e Venecias, ndërkohë që ky draft e ka marrë opinionin pozitiv të Komisionit të Venecias në rastin e ndryshimeve kushtetuese për vetingun e gjyqtareve dhe prokuroreve. Ne kërkojmë që të shtojmë si subjekte të kontrollit të pasurisë, integritetit apo lidhjeve me krimin të çdo politikani me të njëjtat kritere dhe standard si në rastin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është shumë e thjeshtë, kontroll i plotë për çdo politikan dhe shpejtësi për të çuar më pas para drejtësisë, SPAK-ut dhe BKH cilindo që ka probleme me pasurinë apo favorizimin e krimit.

Para disa kohësh ju keni përmendur një “listë të zezë” me 100 emra, të cilët preken nga vetingu i propozuar nga PD. Për kë bëhet fjalë konkretisht?
Ne kemi denoncuar çdo ditë lidhjet e qeverisë dhe deputetëve të PS me krimin dhe nuk ka pasur asnjë reagim. Ajo që kam thënë ka qenë që kjo nismë shkon vetëm në përfitim të qytetareve. Nga kjo nismë preken vetëm 100 politikanë dhe për këtë arsye nuk ka pse qytetarët të mbeten peng i frikës së Ramës për t’u kontrolluar ai vetë së pari dhe më pas çdo ministër, deputet apo kryetar bashkie.

Çfarë ndodhë nëse mazhoranca do të refuzojë vetingun e politikanëve?
Qytetarët dhe shumica dërrmuese e qytetareve duan pastrimin e politikës nga politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin. Kjo nismë mund të vonohet ashtu siç ndodhi me dekriminalizimin, por do të kalojë në Kuvend si vullnet i shumicës së shqiptarëve.
Ku konsiston aksioni opozitar dhe sa kohë do t’i duhet opozitës që të largojë nga pushteti qeverinë, sipas saj të lidhur me krimin?
Ne jemi çdo ditë në aksion, PD po përfundon riorganizimin në bazë dhe zgjedhjen e strukturave të reja dhe paralelisht po merr mendimin e qytetarëve dhe po përgatitet për vendimin që do të marrë për çdo aksion dhe përballje.

A i mbështesni zërat brenda së djathtës për djegien e mandateve, apo revoltë popullore kundër Edi Ramës?
Mbështes çdo zë që kërkon realisht rrëzimin e Ramës. Çdo opsion duhet dhe do të merret parasysh.

Nëse opozita s’do ketë garanci për votën e lirë, a do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale?
PD-ja ka paraqitur platformën e saj të plotë për çlirimin e qeverisjes nga krimi dhe reformën e plotë elektorale se si mund të garantohet vota e lirë. Gjithçka do të varet nga pranimi i propozimeve tona. Ne synojmë standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa ndikimin e krimit, pa shitblerje të votës, pa përdorimin e pushtetit për të intimiduar votuesit, pa kriminelë në listat e deputeteve apo kryebashkiakëve. Nëse realizohen këto, gjithçka tjetër mund të ndodhë në çdo moment, zgjedhjet mund të jenë edhe bashkë me lokalet nëse arrihet të vendosen standardet e kërkuara.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.