DOSSIER

I thjeshtë si njeri, vigan në mendime e veprime…

16:30 - 22.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Rexhep Hida e Nikolla Sudar  – Të lësh gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e popullit, këtë do ta dëshironte cilido që mendon dhe punon për të dhe për atdheun. I tillë ishte dhe do të mbetet përherë humanisti i shquar, personaliteti i madh i arsimit, i kulturës dhe sportit shqiptar, ministri më i suksesshëm në tërë historinë moderne të Shqipërisë, mendjendrituri Thoma Deliana.




Ndonëse vitet, dekadat kalojnë, figura e këtij njeriu të rrallë shndrit gjithnjë e më fort. Ai sikur me atë dashurinë e tij të pakufishme njerëzore, me atë modestinë e tij unikale, u drejtohet njerëzve me fjalë zemre: “Miqtë e mi! Asnjëherë mos e harroni detyrën e shenjtë për t’i shërbyer atdheut! Mos e braktisni atë, jepni gjithçka për të, se kështu do të fitoni përjetësinë”! Pikërisht më tepër se kurrë, në këto kohëra të vështira për të ardhmen e vendit, figura e madhe e këtij veprimtari të shquar është shembulli më konkret për cilindo, që e do sadopak vendin e vet.

E kush nuk do të dëshironte të thoshte fjalë zemre për këtë burrë të shquar, që e ngriti aq lart figurën e edukatorit dhe të Shqipërisë dhe që i deshi aq fort? Mjaftojnë disa nga vlerësimet e bashkëkohësve për të kuptuar madhështinë e këtij njeriu.

Në kujtimet e veta, ish-zëvendësi i tij, intelektuali i përmendur Musa Kraja, i cili do të shkarkohej nga detyra për “pikëpamje borgjezo-revizioniste”, shkruan: “Nga njohja ime e drejtpërdrejtë po nënvizoj disa fusha, në të cilat ka spikatur Thoma Deliana. Së pari, ai luajti rolin e një drejtuesi shumë të suksesshëm në masivizimin e arsimit 7-8 vjeçar. Së dyti, nxiti e punoi në zbatimin e politikës arsimore të kohës për përgatitjen e kuadrit të fushës së arsimit në rrugë normale, përmes shkollave pedagogjike, të kulturës, sporteve, të Universitetit të Tiranës, Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës, filialeve të tyre etj. Ai u shqua për modestinë karakteristike, për aftësinë e shkëlqyer komunikuese, aftësitë organizative, përkushtimin në punë, zemërgjerësinë dhe njërzillëkun shembullor”.
Drejtuesi shquar i arsimit në qarkun e Elbasanit, etnologu, historiani dhe publicisti i mirënjohur Thanas Meksi, thekson: “Kam pasur fatin e madh që gjatë kohës si drejtues i arsimit në Elbasan të kisha epror njeriun e shquar e të paharruar, Thoma Deliana. Vështirë është t’i japësh përcaktimin e plotë këtij njeriu të madh, mbase më i suksesshmi në veprimtarinë arsimore e kulturore në të gjithë vendin. Ai ishte një masovik i vërtetë, problemet e dikasterit i shtronte para të gjithë personelit. Me atë modestinë e rrallë, ai kërkonte dhe dëgjonte me vëmendje mendimet e secilit. Përveç aparatit, ato i bënte të njohura edhe për organet e pushtetit në bazë, me të cilët punonte me përkushtim për zgjidhjen e tyre. Horizonti i gjerë shkencor dhe kulturor e bënin me të vërtetë të veçantë këtë reformator energjik. Në morinë e problemeve që duhej të ndiqte, ai veçonte një specifikë shumë të rëndësishme: cilësinë e mësimdhënies (sidomos në hapat e para të shkollimit, në ciklin e ulët). Ndonëse i ngarkuar me shumë detyra, ai nuk linte rast pa marrë pjesë në çdo përvjetor të ‘Normales’ së Elbasanit. Thoma Deliana do të mbetet emblemë e arsimit dhe e kulturës së vendit”.

Në librin me kujtime “E bekuara mësuesi” të z. Evanthi Ciko (nëna e mjeshtrit të madh të muzikës Zh. Ciko), për vite me radhë drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës së Tiranës, në disa episode të tij ndihet konsiderata e lartë për ministrin e Arsimit e të Kulturës, zotin Thoma Deliana. Ai është më prezent ose më mirë i lexuar ndër rreshta, kur flitet për punën e saj (shpesh e quajtur “nëna e 268 jetimeve”).

Shprehës është fakti që ky kapitull hapet me një foto kryesore të ministrit Thoma Deliana në mesin e një grupi fëmijësh të Shtëpisë së Fëmijës. Puna e madhe që bëhej në këtë qendër të rëndësishme edukative të jetimëve nuk mund të realizohej pa mbështetjen e ministrit të kohës. Hapja e fondeve për ristrukturimin mjedisor, trajtimi më i mirë i fëmijëve dhe ekspozimi për herë të parë i problemeve të tyre “pa lustër” ishin frut i koordinimit të ideve të përbashkëta.
Z. Evanthi kujton me nostalgji dhe respekt të veçantë momente të paharruara kur Ministria e Arsimit organizoi një seminar vlerësues për Shtëpinë e Fëmijës të drejtuar prej saj, në kohën e ministrit Deliana dhe dekorimin me titullin “Mësuese e Merituar”.

“Familjarisht u tronditëm dhe u pikëlluam thellësisht, – thekson në kujtimet e saj, z. Evanthi, – kur mësuam për dënimin e ministrit Deliana, të cilin e quanim të padrejtë dhe të egër”.

Personaliteti i shquar i artit dhe kulturës shqiptare, dirigjenti i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, z. Zhani Ciko, kujtimet e tij për të paharruarin Thoma Deliana i ka përmbledhur në një pasazh shumë të ngrohtë dhe me një titull mjaft kuptimplotë “Njeriu i mirë, i kohës së vështirë”. Ardhja e një jubileu për çdo njeri është mundësia për të kujtuar protagonistin e asaj ngjarjeje sa personale, aq edhe familjare e shoqërore, si në rastin e përkujtimit të zotit Thoma Deliana. Ai ishte personalitet i viteve të asaj kohe kur, pavarësisht regjimit, kishte shumë nevojë për ndjeshmëri njerëzore, qëndrim parimor brenda limiteve të përcaktuara rreptësisht, si dhe për kompetencë profesionale, për kulturë dhe vizion historik. Fundi i viteve ‘60 më krijoi rastin e njohjes personale me të, në funksion të detyrës sime si udhëheqës artistik i Teatrit të Operas e Baletit dhe Ansamblit të Këngëve e Valleve, ku unë si violinisti koncert-maester i këtij institucioni qendror, në moshën 24-vjeçare, u ndodha si pjesë e jashtme e ministrisë, që drejtohej nga shoku Thoma.

I ngrohtë që në takimin e parë, besues në idetë e reja që parashtroja me guximin e një jopartiaku siç isha unë, ai nuk nguronte madje të kujtonte me veneracion të dy prindërit e mi dhe sidomos kompozitorin Nikollaq Zoraqi, dajën tim, të cilin gjithashtu e vlerësonte shumë. Për t’i analizuar më mirë këto karakteristika ju përmend ngjarjen e ndodhur pas dënimit të dramës ‘Njollat e murme’ (1970), e cila kishte pezulluar gjithë jetën kulturore të vendit, saqë në opera na ngriu premierën e baletit ‘Cuca e Maleve’, vepër që i dha shkas kritikës arriviste të shpaloste mllefet e egoizmit të tejskajshëm. Ardhja e beftë e diktatorit dhe e bashkëshortes krijoi tension të lartë tek artistët dhe tek ne drejtuesit. Gjithashtu, edhe shoku Thoma, prezent në lozhën e operas, ndjeu tensionin e një sprove, mbase përfundimtare për karrierën e tij. Suksesi dhe vlerësimi tepër pozitiv çliroi çdo tension si për ministrin, ashtu edhe për drejtorin e atëhershëm, Koço Vasili, mbështetës gjithashtu i qëndrimeve jokonformiste. Më tutje mund të rendis raste të shumta si Koncertin Jubilar 1971, ku unë guxova të fus në program ‘Koncertin No 1’, të F. Ibrahimit për piano dhe orkestër (ekzekutuar nga M. Kristidhi ), paraqitjen e Suitës me këngë partizane për kor a capella, nga Tonin Arapi dhe të imponoj një koncept profesional. Në rastin e koncertit sektori i kulturës me aparatçikët e tij ishte plotësisht kundër, por që nuk e tronditën dashamirësinë e ministrit Deliana ndaj ‘së resë e profesionalizmit’, që në fakt filloi të shpaloste një frymë të re në konceptet e ngurta të aparatit kulturor partiak. Pas ‘Festivalit të Dizhonit’, me atë suksesin e jashtëzakonshëm ndërkombëtar, që ndodhi bash në ato vite kur ai pati përkujdesjen institucionale që i takonte, por pa ndërhyrë në vendimet tona artistike, gjë e pazakontë për kohën, ministri Deliana u tregua objektiv në vlerësimin e punës sime dhe të operas, sidomos gjatë analizave të egra, pas Festivalit të 11-të. Thoma Deliana me qëndrimin e tij mbështetës, doli kundër zëvendësit të tij, njëherësh edhe sekretar i partisë për dikasterin, i cili kishte dalë të krasiste çdo lule të brishtë, që nxirrte kryet ne ranishten e thatë të izolimit kulturor. Çlirimi nga ‘makthi i kohës’ na solli mundësinë që t’u rikthehemi eksperiencave dramatike të gjithsecilit, pas viteve ‘90 dhe ta kujtojmë personalisht zotin Thoma, i cili na telefonoi për të njoftuar kthimin e tij të lirë në Tiranë”.
Në periudhën kur drejtonte sh. Thoma Deliana, dikasteri mbulonte edhe problemet e sportit. Ja si e përshkruan eprorin e vet rekordmeni kombëtar në atletikë, mjeshtri i sportit dhe ish-inspektor i sporteve në ministri, Sokol Morina: “Mbase duhet të kalojnë vite që të japësh vlerësimin e duhur për një personalitet në zë. Por, për të madhin Thoma Deliana mjaftonte vetëm një herë ta takoje dhe menjëherë të krijohej përshtypje se kishe njohur një njeri të vërtetë. Gjatë disa viteve pune në dikaster kam pasur rastin të dalloj të veçantën tek ky drejtues i shquar dhe i përkushtuar. Më kujtohet viti 1966. Në Bullgari do të zhvillohej krosi mbarëballkanik. Atletet tona të mirënjohura Adile Dani, Lumturi Markolaj dhe Elisabeta Muça do të konkurronin me më të mirat e Ballkanit, që ishin rekordmene edhe në Evropë. Mbështetja e ministrit Deliana qe e gjithanshme. Para nisjes e takova dhe ai me humor më tha: ‘Mos na e bëni si ata që shkojnë për lesh dhe kthehen të qethur’! Ndërkohë nuk më harrohen çastet kur gati me sytë e përlotur më përqafoi me shumë dashuri e respekt, sepse ekipi ynë zuri vendin e parë. Në një rast tjetër, ishte viti 1973, kur në Institutin e Kulturës Fizike ishin shfaqur probleme serioze. Në ekipin e dërguar bëja pjesë edhe unë. Gjatë konkluzioneve m’u drejtua mua (ai i jepte rendësi parësore mendimit të specialistëve). Unë iu përgjigja: ‘Shoku ministër, nga të gjithë sektorët dërgohen specialistë për specializim jashtë vendit, kurse sektori i sporteve punon me arritjet e viteve ‘50’. Ai më dëgjoi me shumë vëmendje dhe nuk vonoi që kolegë tanë dhe studentë u dërguan për specializim në Kinë’. Ai ishte njeri i fjalës dhe i punës si rrallëkush”.

“Mjeshtri i madh i Punës”, dirigjenti i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit, Ermir Dizdari, shprehet kështu për eprorin e vet: “E konsideroj privilegj që të them disa fjalë zemre për njeriun e shquar, Thoma Deliana. Për të mund të flasësh shumë, por unë do të përmend një ngjarje madhore, e cila la gjurmë jo vetëm në Durrës, por në tërë vendin. Në përkujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, më 1968-ën u mor një iniciativë sa e bukur aq edhe e vështirë: vënia në skenë, në Durrës, e operës ‘Bijtë e Skënderbeut’, e kompozitorit Abdulla Grimci, vetëm me amatorë. Vështirësitë ishin të shumta, përvoja na mungonte, por jo entuziazmi. Angazhimi i drejtuesve në rreth qe maksimal. Po ai i ministrit të Arsimit dhe Kulturës, z. Th. Deliana qe tepër i veçantë. Thjesht për ngritjen e orkestrës filarmonike të qytetit, prej 60 instrumentistësh, mungonte gjithçka. Me iniciativën e tij nga rezervat e shtetit u siguruan vegla cilësore, të cilat ishin blerë për Teatrin e Operës. Ai u kujdes që për të ndihmuar në realizimin me sukses të kësaj iniciative të vinin nga Tirana artistët më të shquar të operës. Vetëm në Tiranë opera ‘Bijtë e Skënderbeut’ u shfaq pesë net me radhë”.

“Piktori i Merituar”, tashmë me reputacion brenda e jashtë vendit, Agim Faja, për mjaft kohë drejtues i degës së Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve për rrethin e Durrësit, theksonte: “Poeti ynë i madh, Lasgush Poradeci thotë: ‘Prej çdo gëzimi e hidhërimi/ Mbetet prapa veç kujtimi!/ Ah, edhe i shkreti, mallëngjimi’! Kujtoj njohjen tonë të parë me të paharruarin Thoma Deliana në vitin 1967, që më la mbresa të veçanta. Ai jo vetëm që i donte dhe i respektonte shkrimtarët dhe artistët, por bënte çmos, duke ndërhyrë edhe në instancat më të larta për t’u siguruar tyre gjërat e nevojshme në ecjen përpara të krijimtarisë. Tek ai nuk gjenin strehë egoizmat e xhelozitë. Atë e kënaqnin sukseset e shokëve e të miqve. I tillë qe shokut Thoma. Njeri me kuptimin e vërtetë të fjalës, që edhe hallet e të tjerëve i përjetonte si halle të veta. Më kujtohet kur pata kërkuar fonde për ngritjen e disa studiove për piktorë e skulptorë në Durrës, Kavajë e Shijak. Shoku Thoma mu drejtua: ‘Ju vazhdoni punën tuaj dhe ju jap fjalën se, kur t’i përuroni, do të vijë edhe vetë’. Dhe më pas për krijuesit e Shijakut bëmë katër studio dhe si gjithnjë e mbajti fjalën. Ai ishte dhe mbeti njeri i thjeshtë, human, me shumë humor, por edhe dituri. Në një bisedë me të ai më foli me shumë ngrohtësi për normalistët elbasanas si Abedin Çaushi, Shefqet e Drita Demiri, Gjeovefa Stambolla, Myrteza Vërçani, Sigfrid Deliana, Hasan e Xhyhere Belshaku, Mali e Razije Llanaj, që kishin kontribuar kaq shumë për zhvillimin e arsimit në krahinën e Shijakut. Me respekt fliste edhe për veprimtaret e palodhura të arsimit, shijakasen Mereme Shkodra, që kishte kryer shkollën ‘Nana Mbretneshë’, Xheje Arbanën etj.

E kujtofshim gjithmonë me respektin më të madh njeriun e mrekullueshëm, Thoma Deliana”!
Cili ishte Thoma Deliana? Çfarë i dha ai popullit dhe atdheut?
Thomai u lind në Elbasan, më 20 shkurt 1924, në një familje të thjeshtë, por me emër në qytet. I pari i tyre, Ndrek Deliana kishte ngritur strehën e vet në lagjen “Kala”. Ndreka kishte gjashtë fëmijë e midis tyre do të evidentohej Thomai, njëri nga argjendarët më në zë të qytetit. Ky kishte djalë Mihalin, i cili rriti dhe edukoi me virtyte të larta Nosin, që më vonë u bë drejtor i Institutit të Kualifikimit të Mësuesve; Afërditën, pedagoge në fakultet dhe veprimtarin e rrallë e me të kaluar të ndritur, ish- ministrin e Arsimit, të dënuar nga diktatura, Thoma Deliana.

Ishin kohëra shumë të vështira për atdheun, kur ai djalosh filloi studimet në Normalen e Elbasanit. Që në atë kohë do të spikatnin dy tipare që do të përbënin më vonë edhe domethënien e karakterit të tij: etja e madhe për dije dhe shpirti altruist.
Fare i ri ra në kontakt me të rinj antifashistë si vëllezërit Xhuvani, Petro Kitën, Zihni Muçon, Kostaq Lazrin, Persefoni Todrin (Dervishi), me të cilët u bënë shokë ideali dhe zhvilluan aktivitet të pandërprerë antifashist. Normalja e Elbasanit, kjo çerdhe e kulturës kombëtare shqiptare, do të kthehej edhe në vatër të luftës antifashiste për të gjithë vendin. Në vitin 1943, Thomain e gjejmë sekretar politik të rinisë dhe anëtar të qarkorit të partisë. Në këtë kohë drejtuese organizative e rinisë së qytetit do të bëhej Virgjini Bishka, që kishte ndjekur shkollën femërore “Nana Mbretneshë”. Të dy morën në Kongresin e Rinisë, në Helmës të Skraparit dhe u zgjodhën anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë. Shokë ideali gjatë luftës, ndërsa pas çlirimit, ata do të shndërroheshin edhe në shokë jete.

Menjëherë mbas çlirimit, kur ishte vetëm, 21 vjeç, Thoma Deliana caktohet drejtues i partisë për qarkun e Elbasanit. Pa kaluar shumë Nako Spiro e tërheq në Komisionin e Planit të shtetit. Situata e brendshme politike dhe ekonomike ishte shumë e vështirë. Pikërisht ajo e shpuri drejtuesin e këtij dikasteri në vetëvrasje.
Pas vitit 1948, Thomai caktohet me detyrë në Komitetin Qendror, në drejtorinë e organizimit. Por detyrat e kohës ai i lidhte ngushtë edhe me përgatitjen e vet teorike. Kështu nga viti 1954 e deri në vitin 1958 e ndeshim student të filozofisë në Moskë, ku shkëlqeu për rezultate shumë të larta. Pas kthimit në atdhe, përsëri caktohet drejtues i partisë në Elbasan, ndërsa në vitin 1961 emërohet zëvendësministër i parë të Arsimit, kurse që nga viti 1963 e deri në vitin 1976 ai do të kryente detyrën e ministrit të Arsimit, të Kulturës dhe të Sporteve si askush më parë.

Shumë domethënëse është edhe jeta private, familjare dhe shoqërore e këtij njeriu të rrallë. Thoma Deliana dallohej për kujdesin e jashtëzakonshëm për shokët, miqtë, por edhe për të panjohurit në nevojë. Në një rast i mbërritën 80 ankesa nga Vlora për pakënaqësitë e shfaqura në dhënien e të drejtave të studimit. Ky fakt e shqetësoi shumë ministrin, prandaj vajti vetë në Vlorë, mori kontakt me të pakënaqurit dhe ja rezultati: nga 80 ankesat, 50 prej tyre i zgjidhi pozitivisht. Gjatë qëndrimit të tij në postin e ministrit nuk la rreth pa vajtur, jo vetëm për të zgjidhur problemet që shfaqeshin, por edhe për të festuar me bazën ngjarje lokale dhe kombëtare. Kënaqësi të madhe ndiente kur vizitonte familjet e mësuesve të thjeshtë për t’iu uruar 7 Marsin, të cilët e prisnin me përzemërsinë më të madhe. Ai ishte edhe një prind shembullor dhe të tillë do ta mbanin mend djemtë e tij të mrekullueshëm, Maksi dhe Artani.

Si i apasionuar pas muzikës, ai arriti të luante bukur në dy vegla muzikore: në mandolinë dhe violinë. Në momente çlodhjeje, ai ndiente kënaqësi të veçantë të luante me shumë pasion në violinë pjesë nga autorë vendas dhe të huaj. Në studion e tij gjeje me dhjetëra pllaka gramafoni me vepra të autorëve të mëdhenj, sidomos me muzikë operistike. Ai ishte njohës i mirë i disa gjuhëve të huaja: i frëngjishtes, i italishtes, i gjermanishtes e i rusishtes dhe kishte arritur të krijonte një bibliotekë shumë të pasur me vepra të të gjitha gjinive, të autorëve shqiptarë e të huaj.

Dashuria dhe respekti për këtë humanist mori përpjesëtime shqetësuese për kupolën e vendit. Me rastin e 50-vjetorit të lindjes, nga i gjithë vendi erdhën në Tiranë individë dhe kolektiva për ta uruar këtë burrë të shquar. Me këtë rast mbërritën për vizitë krerët e vendit. Njëri nga ata ishte edhe Hysni Kapo. Kur ministri po e përcillte, byroisti u shtang kur dalloi para derës, të vënë në rresht, njerëz të shumtë. Sekretari i KQ i drejtohet i habitur ministrit: “Ç’janë tërë këta njerëz, o Thoma”? Mikpritësi, i zënë ngushtë iu përgjigj: “Po ja, kanë ardhur të më urojnë 50-vjetorin”! “Ashtu”?! – dhe një hije mllefi mbuloi fytyrën e sekretarit. Por, rrebeshe të kohës do të përplaseshin fort mbi tërë vendin. Prishja e marrëdhënieve më BS dhe vendet e demokracive popullore në vitin 1961 do ta çonte vendin në një izolim të paimagjinuar, duke e përkeqësuar gjendjen politike dhe ekonomike të tij si asnjëherë më parë. Por sidomos paranoja e diktatorit Enver Hoxha, e cila në çdo skutë të vendit shihte “armiq të partisë e të popullit”, do të arrinte apogjeun e vet në vitet ‘70 të shekullit të kaluar. Goditjet në ushtri, ekonomi dhe kulturë do të sillnin pasoja të shumta negative në të gjitha aspektet e jetës së vendit. Por Thoma Deliana ishte nga ata burra shteti që me kurajë të jashtëzakonshme parashtroi mendimin e lidhjes me Perëndimin mbi bazën e leverdisë reciproke dhe të moscenimit të integritetit. Gjatë vizitave në Itali dhe Gjermani, ai konstatoi gatishmërinë e sinqertë të këtyre vendeve për bashkëpunim. Por ku të linte slogani antikombëtar dhe antinjerëzor se “do të hamë bar, por nuk do t’ia shtrijmë dorën imperializmit”, i cili do të triumfonte në të gjitha sferat e jetës dhe do ta shpinte Shqipërinë në një mjerim të tejskajshëm. Në këtë vorbull, sidomos nga Plenumi i 4-t, i vitit 1973 e deri në vitin 1976, do të merrte goditje pas goditjesh drejtuesi i dikasterit të arsimit dhe kulturës, Thoma Deliana.

Lidhur me këtë fakt, vetë z.Thoma, tashmë në demokraci, do të shprehej: “Më thërrasin në sekretariatin e Komitetit Qendror të Partisë dhe më bënë pyetjet: ‘Pse nuk flet në plenumet e Komitetit Qendror të Partisë kur diskutohen probleme madhore, kryesisht kur kanë të bëjnë me demaskime të grupeve armiqësore? Përse je kundër kontrollit punëtor? Etj. Më pas doli një shkrim në gazetën ‘Zëri i popullit’ me titull ‘Një pyetje nga salla’ dhe pak mbrapa tij, një shkrim i dytë me titull ‘Fryn erë Elbasani’. Këto shkrime ishin për të goditur direkt personin tim. Kjo nuk ishte e thjeshtë, po të mendoje se shkrime të tilla inicioheshin nga strukturat më të larta të nomenklaturës së partisë. Në shkrimin e parë konkretisht bëhej fjalë për një kontroll punëtor që ishte organizuar në aparatin e dikasterit tonë për të zhvilluar reformën në administratën e saj. E çuditshme, por propozimi që të shkurtonin specialistë, madje me disa tituj shkencorë të dikasterit të arsimit u ishte ngarkuar pikërisht disa kaldaistëve të mbledhur aty këtu. Në një mbledhje që u zhvillua me të gjithë aparatin e ministrisë, ndërsa zëvendësministri ishte duke folur, atë e ndërpret njëri nga ata kaldaistat-kontrollues, i cili, i ulur nga fundi i sallës, ndërhyri: ‘Shoku Hasan, duhet ta fillosh diskutimin që nga ministri, nëse duhet të jetë në ministri apo jo’. Ndërsa ai vazhdoi më tej me aludime të ndryshme të kësaj natyre, unë kuptova se tek ai kaldaist i gjorë që po lozte rolin e kryeministrit, po bëhej një lojë e poshtër, me skenar të përgatitur. Po ashtu, edhe shkrimi ‘Fryn erë e Elbasanit’ më kritikonte për faktin që shumë profesorë të universitetit dhe kryesisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës ishin marrë nga Elbasani, të cilit i përkiste fëmijëria ime. Harrohej me qëllim këtu fakti se çfarë disertacionesh kishin mbrojtur dhe çfarë titujsh shkencorë mbanin mbi supe këta profesorë. Nuk e vija në dyshim se ishte përgjuar biseda ime e bërë pak kohë më parë me Abdyl Këllezin. Unë në këtë rast nuk e mbajta revoltën e brendshme, por u përgjigja madje me ashpërsi, duke u treguar rastin e Koçi Xoxes, të cilin e kishin pushkatuar për të njëjtat gjëra se kishte vënë Sigurimin mbi gjithçka”.

Ishte pikërisht 30 prilli i vitit 1976 kur do t’i jepej mandata e shkarkimit nga detyra dhe e largimit për në Tepelenë, si drejtor shkolle. Ky hap do të pasohej me përjashtimin nga Komiteti Qendror. Kjo qe arsyeja e rëndimit të shëndetit të së shoqes, Virgjinisë, e cila kaloi në depresion. Fillimisht Thomait iu tha se do të drejtonte shkollën e mesme të Tepelenës, por në fakt u caktua si drejtor i shkollës tetëvjeçare të fshatit Dhemblan të këtij rrethi. Por kulmi i denigrimit do të arrinte pas një viti, më 1977, kur përjashtohet edhe nga partia si “armik i popullit”. Kalvari i vuajtjeve të rënda fizike do të vazhdonte për vite me radhë në këtë fshat të thellë, kur e detyruan të punonte me kazmë dhe për shumë kohë në punët më të vështira të blegtorisë, vazhdimisht i survejuar nga organet e Sigurimit të Shtetit. Siç veprohej në atë kohë, pasoja do të kishin të gjithë pjesëtarët e familjes, e shoqja dhe të dy djemtë. Djalin e madh, Maksin, e largojnë në Lezhë, ndërsa djali i dytë, Artani, me ndihmën e miqve e me shumë sakrifica kryen studimet e larta. Pas vdekjes së diktatorit, me insistimin e vetë Thomait, në vitin 1986, arrin të kthehet në Elbasan dhe vendoset tek shtëpia e vet e vjetër. Pikërisht në këtë kohë turmat e njerëzve nuk reshtnin së vizituari këtë njeri të rrallë, saqë u bë problem shumë shqetësues për drejtuesit e kohës në qytet. Vitet e përmbysjes së madhe do ta gjenin në vendlindje, tashmë të rënduar edhe nga mosha edhe shëndeti. Goditje shumë e rëndë për të qe ndarja në vitin 1999 nga shoqja e luftës dhe e jetës, veterania e palodhur, Virgjini Deliana. Prej vitesh me banim në Tiranë, Thoma Deliana, ky fisnik i rrallë, do ta ndiente thellë dashurinë dhe respektin e dhjetëra e dhjetëra njerëzve nga të gjitha shtresat, të cilët e ndalonin dhe e përqafonin me dashuri e respekt të thellë. Tjetër goditje e rëndë për të do të ishte vdekja e parakohshme e të birit, kardiologut të mirënjohur Artan Deliana. I rënduar nga vitet, por gjithnjë optimist, para katër vjetësh, më 14 shtator 2014, u nda nga jeta e nga populli që e deshi aq shumë, ky burrë i madh, jo vetëm i Elbasanit, por i të gjithë Shqipërisë.

Me shumë modesti dhe tepër i prekur, i biri i të paharruarit Thoma Deliana, profesori i mirënjohur i kimisë, Maksim Deliana, do të shprehej: “Si shumë të tjerë, fati i keq na përfshiu edhe ne. Pasojat do të ishin të shumanshme dhe negative. Ndonëse kanë kaluar dekada, me respektin më të madh u drejtohem miqve, shokëve dhe njerëzve të thjeshtë që na ndenjën pranë dhe nuk na braktisën, sepse e kuptuan qartë veprimin djallëzor të krerëve të diktaturës. Kudo ku u gjendën prindërit tanë dhe ne, djemtë, diku hapur e diku fshehur e ndjemë thellë dashurinë, respektin dhe gatishmërinë e tyre për të na ndihmuar. Mirënjohja e thellë e familjes Deliana le t’i ndjekë në çdo hap të jetës”!

Duke shkruar këto radhë, mendja të shkon tek ato kuadro të shquara të asaj kohe, të cilët, ndonëse në kushte shumë të vështira, mbetën të paepur në humanizmin e tyre, duke dhënë gjithçka për popullin dhe atdheun. Na takon të gjithëve t’i kujtojmë vazhdimisht këta njerëz të rrallë, që u bënë emblema e këtij vendit, njëri nga të cilët, Thoma Deliana, ka kaluar në përjetësi.

Tiranë, tetor 2018.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.