Homo Albanicus

A e ka kaluar simbolikën marrëdhënia Shqipëri – Kosovë?

18:33 - 26.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni




Përveç formës së këndshme duket se përmbajtja e mbledhjeve të përbashkëta Shqipëri-Kosovë ka mbetur në vend. Që prej vitit 2013, Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë zhvilluar disa mbledhje të përbashkëta, fryt i idesë së Edi Ramës dhe kolegëve kosovarë, që ka pasur si synim rritjen e shkëmbimeve tregtare, njohjen e diplomave, unifikimin e disa teksteve,  lehtësimin e barrierave doganore e shumë temave të tjera. Ato kanë kulmuar me sloganet, që i kanë futur dridhmat fqinjëve, të tilla si “Një Tokë, Një Popull, Një Ëndërr”, me të cilat të gjithë kanë menduar se “Shqipëria e Madhe” është tek dera.

Ka pasur prioritete 100 ditëshe, kalendarë të përbashkët, projekte për infrastrukturën rrugore ndërkufitare, projekte për tekstet, por që pas thënieve, jo pak janë harruar. Ka ende diploma që nuk njihen në vendet respektive ashtu si mure pa fund për njerëzit e arsimit të dy vendeve. Ironia më e madhe ka qenë se ishin vetëm pak javë pas një mbledhje të qeverive tona, kur qeveria e Kosovës pothuaj ishte krejt e papërgatitur për tarifën e “Rrugës së Kombit”. Është e tepërt të flitet sesi u përcoll ajo te njerëzit, por një gjë dihet mirë, pala kosovare e kundërshtoi aq ashpër e në një formë të tillë saqë tregonte hapur se marrëdhënia në mes të dy vendeve nuk ishte kaq e paqtë.

Por problemi  më i madh patjetër është ajo që nuk është realizuar dhe referohet si sfidë, bashkimi doganor, ku probleme të ndryshme i lenë vendin njëri-tjetrit. Shqipëria premtoi portin e Shëngjinit që në kohën e z.Berisha, por sot e kësaj dite ajo nuk shërben për ta, ashtu si problemet që janë ende me të ashtuquajturën pikën doganore në Durrës, që ende nuk funksionon si duhet. Serbia ka një peshë të jashtëzakonshme ekonomike në Kosovë, por një gjë e tillë ende nuk po ndodh me Shqipërinë, që gjithsesi e ka rritur shkëmbimin e saj.

“Përpos inflacionit të deklaratave politike për të përmirësuar tregtinë ndërmjet dy anëve të të njëjtit komb, arritjet në realitet janë modeste.

Volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës u rrit gjatë periudhës 7-mujore (janar-korrik 2018) me 14%, por baza e ulët e tregtisë e zbeh arritjen. Rezultatin më të madh në volumin tregtar e dhanë eksportet nga Shqipëria, të cilat u rritën në janar-korrik me 17.8%, teksa rritje shënuan edhe importet nga Kosova me 5.7%. Produkti më i eksportuar në Kosovë gjatë këtij viti ishin materialet e ndërtimit, energjia elektrike, ndërsa mallrat më të importuara ishin ushqimet”, citohet Monitor.

Dhe, akoma më keq, me gjithë peshën e saj dhe anëtarësimet, Shqipëria nuk po e zhbllokon dot procesin e Interkonjeksionit, që mbajtur peng nga Serbia.

Me pak fjalë, përveç sfondit patriotik dhe ecurisë modeste, mbledhjet e dy vendeve tona, ende nuk e kanë kaluar simbolikën e shqiponjës. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.