DOSSIER

“Me romanin ‘La Quinta’ tentoj të paraqes realitetin shqiptar në diktaturën komuniste”

15:00 - 26.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Dashnor Kaloçi – Konkursi “Premio Letterario Internazionale – La Pergola d’Arte 2018”, edicioni X, Firence, që organizohet nga shoqata kulturore “La Pergola d’Arte” (Firence), është një konkurs ku editorët mund të paraqesin vepra letrare, si: poezi, tregime, ese dhe romane të llojeve të ndryshme dhe aty marrin pjesë autorë të ndryshëm nga e gjithë bota. Ambienti dhe tradita kulturore e krahinës së Toskanës dhe Firences në veçanti e kanë transformuar ketë event të botës së artit në një synim të dëshiruar të njerëzve të botës letrare. Këto ditë juria e konkursit botoi ‘online’ emrat e finalistëve të konkursit, ceremonia e të cilit do të bëhet në 27 tetor në auditorin e shoqatës në Firence. Konkurrimi në këtë aktivitet bëhet në disa seksione, ndër të cilat ajo e prozës së gjatë (romanit) është nga më të rëndësishmet. Aty marrin pjesë shkrimtarë italianë dhe të huaj. Mund të përmendim disa emra të njohur si Wdward Carrino me romanin “Il segreto del Volo”, J.C. Casalini me librin “Generazione Arcobaleno” etj., por e veçanta e këtij aktiviteti është pjesëmarrja e një shqiptari, prof. dr. Albert Frashëri, me origjinë nga Shkodra, i cili prej gati 30 vitesh jeton dhe punon në Itali. Prof. Frashëri konkurron në këtë event me romanin “La Quinta” dhe përfshirja e tij në 5 finalistët e këtij konkursi të rëndësishëm, mendoj se ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për atë si autor, por edhe për botën shqiptare. Kjo për disa arsye. Së pari, sfondi historik i ngjarjeve të rrëfyera në romanin “La Quinta” i përket periudhës së regjimit komunist që kombi shqiptar vuajti për gjysmë shekulli. Së dyti, argumenti i trajtuar me kujdes nga autori nuk është thjesht një kronikë e historisë, por konflikti i ashpër ndërmjet lirisë së qytetarit dhe pushtetit si një formë e skajshme e totalitarizmave të shekullit XX etj. Kjo e dyta i jep një vlerë universale në kohë e në hapësirë romanit “La Quinta”, sepse totalitarizmi nuk karakterizon identitetin e një kombi. Ai është thjesht një formë e degjeneruar e pushtetit. E veçanta e rastit shqiptar është dimensioni dhe egërsia e pafund e dhunës, me siguri një nga më të urryerat që popujt europianë kanë njohur. Por, për të pasur një ide më të qartë rreth këtij romani, ne ju drejtuam për një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, vetë prof. Frashërit, i cili pranoi me kënaqësi.




 Profesor Frashëri, romani juaj rrëfen jetën e një grupi artistësh nën regjimin totalitar në Shqipëri, duke vënë në plan të parë represionin e diktaturës. Cili ka qenë objekti apo synimi juaj i vërtetë në këtë libër që botohet në Itali tri dekada pas rënies së atij regjimi?

Pas rënies së nazifashizmit, arti me format e shumta të tij e ka rivizituar realitetin dhe vuajtjet e shkaktuara nga dy prej totalitarizmave më mizore të historisë. Në rastin e regjimeve totalitare të Lindjes Europiane, përkundrazi, mbre-tëron një heshtje relative e pafalshme. Nuk janë nostalgjitë për regjimet totalitare që mund ta shpëtojnë botën. Nuk mund të jetë as propaganda e partive që mund ta thellojë njohjen e së “Vërtetës mbi të Keqen Absolute të shekullit XX”. Vetëm arti, me të gjitha format shprehëse të tij do të mund t’u transmetojë breznive të reja të vërtetën historike bashkë me tragjedinë e vuajtjes njerëzore të popujve europianë.
Universi dhe natyra, misteri i të bukurës dhe drita e urtësisë, paqja si shprehje e ekuilibrit dhe harmonisë nuk kanë kombësi. E dinë mirë artistët që në aftësinë krijuese shohin magjinë e natyrës dhe, në një farë kuptimi, pavdekësinë e njeriut. Për këtë bindje dhe ndjeshmëri fisnike artistët janë viktimat e para të regjimeve diktatoriale. Ashtë ky sfondi historik i romanit “La Quinta”, në të cilin jam përpjekur të rrëfej dramën reale të një grupi artistësh që e vuajtën dhunën fizikisht e shpirtërisht, por pa tradhtuar aspak bindjet dhe ndjeshmëritë e tyre fisnike. Nga kjo pikëpamje ata janë heronj të vërtetë të asaj periudhe obskurantiste, që shumë prej sivëllezërve tanë nuk njohin ose po harrojnë.

Introduksioni apo hyrja e librit i ngjan një eseje. Cili është mesazhi që ju keni dashur të transmetoni me atë hyrje?
E shkruajta këtë roman jo si një realitet që karakterizon botën shqiptare, sepse atë eksperiencë e kanë përjetuar edhe kombe të tjera, kush më shumë e kush më pak. Ajo përvojë tregoi që totalitarizmi ashtë forma më ogurzezë e pushtetit që historia moderne ka njohur. Objekti apo argumenti kryesor i këtij libri ashtë konflikti midis artit dhe pushtetit, që në rastin e regjimeve totalitare arrin format më të dhunshme e më absurde. Kjo ndodh sepse pushteti kurdoherë përpiqet të dominojë hapësirën që e ndan nga arti dhe shkolla. Arti dhe shkolla janë ato që e bëjnë të pavarur qytetarin, pra të aftë të mos bjerë në grackën e propagandës, por të gjykojë më objektivitet realitetin. Në rastin e totalitarizmave ky konflikt arrin shkallën më të lartë. Kjo rrethanë duhet të na bindë për rolin e madh që kanë shkolla dhe arti në jetën e një kombi. Sot, me që ra fjala, ideja për të shkatërruar teatrin e parë të rëndësishëm të vendit është e papranueshme, sepse ai teatër dëshmon veprën e shquar të një plejade artistësh për kulturën kombëtare. Historia ka kulturën si udhërrëfyes, si frymëzues dhe si thelb të ekzistencës së një kombi. Ekonomia dhe të tjera fusha janë instrumente për të pasuruar kombin në të gjitha pamjet që kultura na ofron. Romani “La Quinta” i kushtohet pikërisht këtij konflikti mes formave të devijuara të pushtetit dhe kreativitetit të shoqërisë. Ky fenomen universal në kohë dhe në hapësirë dhe nuk i përket vetëm botës shqiptare.

Librin, me një sfond historik të pasur me ngjarje nga bota shqiptare, ju e keni shkruar në italisht dhe e botuat në Romë. Pse pikërisht në italisht dhe jo në shqip?
Shumë qytetarë e njerëz të shquar të artit në Shqipëri kanë punuar mjaft në këtë drejtim. Janë shkrimtarë, publicistë, muzikantë, piktorë etj. Unë jetoj në Itali dhe shoh që edhe atje, si në të gjitha shtetet perëndimore, ka nevojë të njihen disa karakteristika të totalitarizmit që janë trajtuar më pak, sidomos në art e letërsi. Psh., Musolini i detyroi profesorët të deklarojnë me shkrim besnikërinë ndaj fashizmit. Nuk ia kërkoi teknikut, inxhinierit apo ekonomistit, por thjesht njerëzve që ndikojnë formimin kulturor të qytetarit. Funksionin edukativ të shkollës dhe të artit, ai donte ta vinte në shërbim të ideologjisë fashiste. Ata që nuk e deklaruan atë besnikëri, u flakën nga shkolla. Pikërisht këto aspekte të totalitarizmit janë më pak të rrahura. Së dyti, bota perëndimore ka propaganduar me të drejtë kundër totalitarizmit të majtë, por propaganda nuk ashtë në gjendje të zëvendësojë atë që mund të bëjë arti dhe letërsia. Historia formale na jep një kronikë të vyer e absolutisht të nevojshme ngjarjesh mbi evolucionin e shoqërisë, por këto mbeten larg dhimbjes njerëzore, pasioneve dhe meditimeve individuale. Ne jemi në gjendje të dallojmë njeriun e Romës së lashtë nga ai i kohës sonë vetëm në sajë të veprave që arti na ka sjellë: poezia, drama, romani, muzika, piktura etj. Në këtë det të pafund, unë desha të shtoj diçka nga realiteti shqiptar: forcën dhe fisnikërinë me të cilën shqiptarët përballuan një nga format më të urryera e mizore të totalitarizmit. Përvoja shqiptare jep një kontribut të pamasë në njohjen e totalitarizmit të majtë, pra mendoj që duhet njohur nga bota dhe nga brezat e rinj në Shqipëri. Romanin e shkruajta në italisht, sepse jetoj atje prej gati 30 vjetësh dhe sepse ky argument u intereson të gjitha vendeve.

Ngjarjet në libër janë kryesisht nga Shkodra në Tiranë. A ka diçka reale në personazhet dhe ngjarjet që tregoni?
Ky roman rrëfen ngjarje reale e që shqiptarët njohin mirë, por me personazhe të krijuara nga autori. Natyrisht, kush i ka jetuar ato vite, në personazhet kryesore të librit do të gjejë modele të ngjashme me artistë të njohur. Ajo që lexuesi i brezit tim gjen në atë libër ashtë ndjenja e frikës dhe pasigurisë që shoqëronte jetën tonë nga lindja deri në vdekje. Përkundrazi, lexuesi i ri, që fatmirësisht nuk e ka njohur atë regjim satrap e absurd ka nevojë të njohë mirë atë formë të pushtetit arbitrar e despot për të evituar që në të ardhmen ai mjerim të përsëritet. Në roman ka disa drama kryesore që lidhen me një grup artistësh, miq mes tyre e të talentuar. Në jetë e në punë ata survejohen nga policia politike, në të cilën një ish-shok shkolle i tyre bën karrierë dhe ka si detyre të vëzhgojë ambientet artistike të qytetit. Njëri prej artistëve, basi lirik Marin Kraja, ishte kundër heqjes së veprave të klasikëve të muzikës botërore nga repertori i Teatrit të Operas dhe Baletit. Ai u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe iu dha gjykatës për dënim. Të njëjtin fat pësoi edhe piktori i talentuar Naim Bregu, që u akuzua si modern dhe i papajtueshëm me ideologjinë e regjimit. Ky u dënua rëndë nga gjykata. E shoqja e këngëtarit iu nënshtrua fatit dhe nuk e braktisi të shoqin, edhe pse iu desh të punonte për bukën e gojës në një fermë bujqësore. Përkundrazi, e shoqja e piktorit e fshiu nga jeta e vet të shoqin. Këto diferenca ne i njohim mirë. Dhuna arrinte deri sa të tjetërsonte deri edhe dashurinë, miqësinë apo të ndante familjet. Personazhi kryesor dhe më kompleks ashtë ai i një instrumentisti dhe kompozitori të ri, Fran Kola, që ka sukses, por presioni i regjimit ia vështirëson jetën dhe e godet pikërisht në veprën e tij më të mirë, “Poema e Paqes”, një koncert për trombë dhe orkestër në Do Maxhor. Epilogu i romanit ka një farë spiritualizmi në mënyrën se si Frani e gjen shpëtimin. Një shpëtim virtual, që e gjeti arsyen në bukuritë e kësaj jete: dashuria, natyra, liria dhe muzika.

Kopertina paraqit basorelievin e Rozafës të skulptorit Skënder Kraja. Është e rastit kjo zgjidhje, apo lidhet me përmbajtjen e romanit?
Jo, nuk ashtë e rastit. Libri hapet me legjendën e Rozafës dhe mesazhin e saj, që në thelb shoqëron nga kreu deri në fund një ide që jam përpjekur ta përpunoj në libër. Heronjtë e romanit krijojnë veprat e tyre, edhe pse në kushte të lirive shumë të kufizuara. Ata e pyesin veten si ashtë e mundur që edhe në mjerim e në robëri, njeriu të krijojë. Liria ashtë ajo që i jep krahë krijimtarisë njerëzore në të gjitha format e saj. Por, edhe në historinë e regjimeve despote, njeriu ka krijuar në të gjitha fushat. Kjo e vërtetë gjen në legjendën e Rozafës një maksimumin absolut, edhe pse në pamje absurde. Rozafa që porsa kishte lindur, kur i thanë që do e flijonin nuk kërkoi jetën, por u lut ta varrosnin pjesërisht duke i lanë një sy, një gji dhe një dorë jashtë që të mund të kujdesej për fëmijën, krijesën e saj. Pra, një mesazh, që edhe pse makabër, ashtë nga format më njerëzore, tragjike dhe bindëse për forcën e krijimtarisë të njeriut: gruaja që edhe pas vdekjes përpiqet t’i japë jetë krijesës së vet. Pikërisht këtë mesazh të asaj legjende hyjnore, për thelbin që shpreh, desha ta vendos në piedestalin e njërës prej ideve kryesore të romanit: vendosmëria dhe forca krijuese e njeriut janë të pathyeshme. Ajo i përket natyrës njerëzore dhe nuk ka totalitarizëm që ta asgjësojë. Njeriu ashtë një krijesë e natyrës, ndërsa totalitarizmi ashtë një tjetërsim i urryer i natyrës njerëzore. Jeta e ka konfirmuar këtë të vërtetë: ithtarët dhe liderët e totalitarizmave e kanë përfunduar jetën të dështuar si frikamanë, të dënuar e të urryer nga njerëzimi. Në këto rrethana medituese më lindi e natyrshme dëshira për të vendosur në kopertinë basorelievin e Rozafës, gjë që ma bëri të mundur me shumë fisnikëri autori i basorelievit, profesori Skënder Kraja.

Titulli “La Quinta” tërheq vëmendjen. Çfarë shpreh dhe si do të ishte në gjuhën shqipe?
Këtë roman fillimisht e pata titulluar “Il sogno di un musicista”, pra “Ëndrra e një muzikanti”. Ky titull ishte një shprehje domethënëse e epilogut të romanit. Nga ana tjetër, muzika në këtë libër ka një rol të veçantë. Ajo përbën një farë sfondi që, sipas mendimit tim, harmonizohet mrekullisht me përmbajtjen. Heroi i romanit, Fran Kola, pas goditjes që merr nga regjimi, ka një ide kah vetëvrasja dhe sjell ndërmend fundin tragjik të Preng Jakovës. Në ato ditë të vështira, mendja e tij virtualisht interpretonte muzikën e simfonisë së pestë të Bethovenit si një ekuivalent shpirtëror dhe moral i jetës dhe pikëpamjeve të tija. Ai e braktis idenë e vetëvrasjes. Dashuria për shoqen e jetës, Rudinën, magjia e natyrës, ajri i pastër i malit, muzika e kësaj simfonie dhe fluturimi i një shqiponje, që çuditërisht shoqëron shëtitjen e tij në mal krijojnë një atmosferë spirituale në të cilën Frani rigjen qartësinë dhe forcën për të mbijetuar.

Muzika ishte jeta dhe forca e tij. Për këtë arsye mendova që kjo simfoni t’i japë titullin romanit. Në italisht titulli i shkurtuar qëndron, madje ashtë i bukur, “La Quinta” dmth., “E pesta”. Për një version të këtij titulli në shqip, nëse kjo do të jetë e nevojshme, do të doja të konsultoj miq të mi muzikantë dhe gjuhëtarë.
Ky është romani juaj i dytë, që rrëfen jetën shqiptare gjatë regjimit totalitar të Hoxhës. Çfarë diference ka ndërmjet këtyre dy librave, ose çfarë të reje sjell njëri kundrejt tjetrit?
Hannah Arendt ka shkruar shumë për totalitarizmin dhe jo vetëm ajo. Kjo filozofe gjermane, emigruar në USA, ka njohur mirë nazizmin dhe tragjedinë e Luftës së Dytë Botërore. Atë tragjedi dhe ideologjinë përkatëse ajo i ka trajtuar në aspektet filozofike. Nga ana tjetër, shumë artistë e kanë trajtuar të njëjtin problem me instrumentet që arti ofron. Sipas mendimit tim, problemi i totalitarizmit si formë e devijuar e pushtetit (ideologji e praktikë) ashtë gjithmonë aktual. Nëse ne duam të evitojmë praninë e një tirani në historinë tonë, duhet të kujdesim edukimin e të rinjve duke filluar nga fëmijëria e hershme e tyre, sepse siç thotë Platoni “Në çdo njeri dremit një tiran”. Kjo fjalë e urtë mund të interpretohet edhe në një rrethanë specifike: në çdo realitet ka shtresëzime të ideologjive të tilla si fashizmi, nazizmi dhe komunizmi që kemi njohur. Sot, fjala vjen, Europa po kalon një fazë të vështirë jo vetëm ekonomike, por edhe më thellë. Ato shtresëzime të ideologjive totalitare përtërihen sa herë që shoqëria hyn në krizë. Sot thuajse në të gjitha vendet europiane forcat ekstremiste po fuqizohen. Cili njeri mund të konfirmojë që kjo gjendje nuk ka rreziqe për demokracitë perëndimoreë Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet që sjellin situata të tilla.

Shkolla dhe arti duhet të punojnë në këtë drejtim. Në rastin e dy librave të mija çfarë mund të themë I pari, “L’amara favola albanese”, tregon një realitet të dhunshëm nga pikëpamja dhe ndjeshmëria e një të riu, nga fëmijëria deri në përfundimin e studimeve universitare. Ai vëzhgon, mediton dhe dëshmon hipokrizinë e një sistemi absurd. Përkundrazi, romani “La Quinta” ka një hapësirë ngjarjesh, një sfond historik e personazhe në të cilat jam përpjekur të rrëfej një nga konfliktet e shumta të regjimeve totalitare me shoqërinë: persekutimi i intelektualëve dhe njerëzve të fesë, censura e dhunshme e artit dhe madhështia e njeriut, që e vuajti fizikisht dhe shpirtërisht atë regjim pa tjetërsuar aspak thelbin e tij: dëshirat, miqësitë, pasionet dhe bindjet. Jo të gjithë janë të vetëdijshëm për forcën që kombi shqiptar tregoi në atë gjysmë shekulli. E varfëruan në palcë, e internuan pa gjyq, e dënuan për një fjalë goje, por ai nuk e humbi fisnikërinë e tij. Ndoshta Shqipëria ashtë vendi i vetëm në të cilin asnjë ish-i dënuar apo i internuar për dekada me pleq e fëmijë që u rritën rrethuar nga telat me gjemba nuk ka tentuar të vrasë apo të hakmerret kundër njerëzve të atij regjimi.

Një pyetje të fundit, a e keni menduar botimin në shqip të këtyre dy librave?
Po, e kam menduar, por nuk kam pasur asnjë sinjal apo interes nga ana e editorëve. Nëse kjo do të konsiderohet e dobishme, atëherë duhet parë problemi i përkthimit. Profesoresha e letërsisë italiane, Loretta Santini, më shkruante këto ditë: “Me ka tronditur leximi i këtij romani. Edhe shkollat duhet ta studiojnë atë…”. Dua të shtoj dhe e mbyll, që romani “L’amara favola albanese” është përfshirë shpeshherë në programet e letërsisë si lexim komplementar për njohjen e totalitarizmave të shekullit XX. Ai libër gjendet në një numur shumë të madh bibliotekash nacionale, universitare, krahinore, si dhe në katalogë të librave shkollorë. Pra, problemi i botimit në shqip nuk varet nga unë, edhe pse ai botim do të më jepte një kënaqësi të veçantë.

Së fundi, duke ju falë-nderuar profesor, ju urojmë suksese në konkurrimin e këtij libri, që zhvillohet nesër, në datën 27 tetor.
Faleminderit juve personalisht, por gjithashtu edhe “Gazeta Shqiptare”, që gjeni mundësi dhe trajtoni tema të tilla, edhe për ne shqiptarët që jetojmë, puno-jmë, por edhe krijojmë prej vitesh larg atdheut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.