DOSSIER

Pirro Kondi mbështet Koço Danajn: Të ndalohet filmi “Gruaja më e bukur”

16:15 - 30.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Brezi i shqiptarëve që kanë qenë në moshë të rritur në fillimin e viteve ’70-të e kujtojnë fare mirë se si thyheshin sportelet e biletave dhe dyert e kinemave në mbarë vendin kur shfaqeshin filma të huaj si psh., ato të regjisorit të famshëm italian, Damiano Damiani, “Gruaja më e bukur” (La Miglie Piu Bella) të interpretuar nga aktorja Ornela Muti, (asokohe 14-vjeçare) në rolin e Françeska Çimarozës dhe Alesio Orano në rolin e Vito Juvarës, apo “Rrëfimet e Komisarit të Policisë”, ku rolin kryesor e interpretonte i madhi Franko Nero, (dhe në role të tjera, Martin Balzam e Mariku Toro), filma të cilët bënë një bujë të madhe dhe u pritën me një interes të jashtëzakonshëm nga publiku artdashës shqiptar, edhe për faktin se në qendër të filmit ishte mafia italiane e asaj kohe. Por, shkëlqimi i këtyre filmave nuk zgjati shumë dhe u venit shpejt, pasi papritur aty nga fundi i vitit 1974, si me magji, ato u zhdukën përgjithmonë nga qarkullimi për të mos u shfaqur më kurrë në kinematë shqiptare, ku bashkë me sportin, pothuaj ishin të vetmet argëtime apo më saktë “frengjitë” e vogla nga ku mund të shikohej pak bota e jashtme nga ai realitet i izoluar dhe mbyllja në të cilën e kishte futur vendin udhëheqja e lartë komuniste me në krye Enver Hoxhën.




Edhe pse në vitet që pasuan regjisori i famshëm italian me përmasa botërore, Damiano Damiani, do të ishte përsëri “mysafir” në Shqipërinë komuniste me filmin “La Piovra”, të interpretuar në rolin kryesor nga aktori i jashtëzakonshëm Mikele Plaçido, filmat e tij “Gruaja më e bukur” dhe “Rrëfimet e komisarit të Policisë” do të mbeteshin si një kujtim i bukur i së shkuarës dhe në memorien e të rinjve të asaj kohe nuk do të fshiheshin lehtë portretet e aktorëve Ornela Muti, Alesio Orano, Franko Nero etj. Po ç’kishte ndodhur me këta filma dhe përse ata nuk u shfaqën më në kinematë shqiptare, ku vazhdohej të bëhej “rituali” me filma të huaj dhe ata italianë gjithashtu?! Të vërtetën e kësaj, pra të ndalimit të dy filmave të Damianit, që asokohe po shkëlqentë me mjeshtërinë e tij në Europën e uritur për kinemanë italiane, as sot e kësaj dite nuk e di njeri, pasi pothuaj të gjithë ata që morën vendimin për ndalimin e atyre filmave, tashmë prej vitesh janë ndarë nga kjo jetë. Por për fat të mirë, i vetmi dëshmitar që jeton ende është pikërisht personazhi që u bë shkas, apo më saktë ai që i “zhduku” ata dy filma nga qarkullimi dhe bashkë me to edhe filmin rumun “Shën Tereza dhe djajtë”, (të regjisorit të famshëm, Serxhu Nikolaesku, ku rolin kryesor e interpretonte aktorja, Reka Nagi, nga pakicat e minoritetit hungarez), filmin televiziv serial, prodhim çekosllavak, “Kapiteni Klos”, (titulli origjinal,

“Çmimi më i lartë se jeta”), si dhe disa libra “të verdhë” si “Qeni i verdhë” (i autorit Zhorzh Simeon), etj. Ai është Koço Danaj, me origjinë nga Tepelena, personazh publik mjaft i njohur pas viteve ’90-të si publicist e studiues, por edhe i mjediseve politike si kryetar i një partie të vogël, i cili në vitin 1974 kur shërbente si oficer për kufirin (sekretar rinie), në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, i dërgoi një letër Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës, ku i kërkonte ndalimin e filmave dhe librave të sipërcituar. I diplomuar atë vit në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe me një formim e bagazh kulturor për t’u pasur zili, (kryesisht për njohuritë e tij në letërsinë dhe kinematografinë botërore), por edhe i indoktrinuar jashtë mase, në letrën e tij dërguar në adresë të kabinetit të Enver Hoxhës, Koço Danaj ka analizuar me detaje se përse ato filma dhe libra nuk kishin vend në Shqipërinë socialiste.

Pra sa më sipër, duket se nuk ishte vetëm regjimi komunist me institucionet përkatëse të propagandës që “i bënin sytë katër” për të mos “depërtuar ideologjia e huaj” në Shqipërinë Socialiste, por “roje vigjilente” bënin edhe individë të veçantë, si në rastin në fjalë, që nuk e kishin atë gjë detyrë funksionale. Dhe si rezultat, duket se letra e oficerit të ri, Danaj, asokohe “ka zënë vend”, pasi filmat dhe librat që ai “sugjeronte” të ndaloheshin, jo vetëm u hoqën nga qarkullimi, por disa institucione që i kishin ato në varësi, si Kinostudio “Shqipëria e re”, “Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” apo Radio-Televizioni Shqiptar, patën mjaft probleme sepse i kishin lejuar apo hedhur ato në qarkullim. Jo vetëm kaq, por letra e oficerit të ri të Kufirit ishte e “kopsitur” aq “hollë”, sa vuri në siklet edhe vetë udhëheqjen e lartë të PPSH-së së asaj kohe, si Hysni Kapon, Piro Kondin etj., saqë nuk dinin se si, ku dhe çfarë përgjigje t’i jepnin atij si autor i saj?! Interesant është fakti se përse ajo letër nga kabineti i Enver Hoxhës nuk i është dërguar për “shqyrtim” Ramiz Alisë që mbulonte artin, kulturën dhe propagandën, por Hysni Kapos, i cili mbulonte organet e “Diktaturës së Proletariatit”?! Lidhur me këto e të tjera, na njeh letra në fjalë që publikohet e plotë dhe për herë të parë në faqet e këtij libri e gjithashtu ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”.

(vijon nga numri i kaluar)
LETRA E KOÇO DANAJT PËR SEKRETARIN E ENVERIT, HAXHI KROI

“Qeni i verdhë” është një roman i Zhorzh Simeonit, i njohur në botën borgjeze si autor romanësh policorë, por që prek edhe tema sociale. Lidhur me figurën e këtij autori, qëndrimi i autorit të parathënies së romanit bie në kundërshtim me qëndrimin që mban një autor tjetër i huaj. Në librin “Shthurje dhe degjenerim në Jugosllavinë titiste”, të Dimitri Joiçit, thuhet se shprehje e degjenerimit të kulturës dhe letërsisë jugosllave është midis të tjerash edhe përkthimi i veprave të shkrimtarit bulevardesk, Zhorzh Simeon. Po të lexosh romanin tek filmi “Rrëfimet e komisarit të Policisë”, është krejt false. Këto figura “shërbëtorësh të borgjezisë”, mund të ekzistojnë vetëm në imagjinatën e autorëve, po në asnjë mënyrë në realitetin e asaj shoqërie. Ky komisar Megre dhe Bonavia, sipas autorëve, na bëkan shumë të mira, i pari fut në burg tre afaristë borgjezë për të shpëtuar një marinar të varfër, kurse i dyti arrin dhe vret padronin e tij, manjatin e fuqishëm Lomuno.

Sa e paqenë është figura e komisarit Megre, me anë të cilit Simeoni kërkon të na mbushë mendjen për karakterin “demokratik” të rendit borgjez, na e tregon një film tjetër i huaj dhe pikërisht filmi “Çështja Sabiel”, në të cilën për të mbuluar vrasjet e Sabielit, mekanizmat e ndryshme shtetërore vunë në shërbim të tyre çdo gjë dhe, kur u mundua një komisar policie të zbulonte vrasjen, ai u zhduk menjëherë. Dhe kjo është e natyrshme: diktatura borgjeze nuk mund të lërë në organet e saj njerëz që s’i shërbejnë me fanatizëm. Po kështu, edhe filmi “Rrëfimet e komisarit të policisë”, që kur mbaron të duket sikur thotë: “Dëgjoni njerëz, mos ngrini kokën dhe mos protestoni kundër gjendjes suaj të vajtueshme, sepse mafia të bën të zezën”. Për të larë borxhin, regjisori fut në skenë edhe një punëtor që gjoja proteston dhe në fund gjen vdekjen, por që në fakt s’ka asgjë të përbashkët me proletariatin, është një surrogate i tyre. Skenat makabre dhe ato të ngjethshme, për mendimin tim, autorët e filmit i kanë vënë jo pa qëllim, ata kanë dashur të tregojnë forcën dhe fuqinë që marrin forcat më të zeza të reaksionit italian, në krye të të cilave qëndron banditi Almirante.

Këto ishin disa nga prodhimet e huaja që i janë dhënë spektatorit tonë dhe për arsyet e mësipërme sjellin më shumë dëm se sa dobi. Këtë gjë e them duke u nisur nga i gjithë vlerësimi që i bën Partia dhe shoku Enver armiqve tanë dhe veçanërisht nga materialet mbi rrethimin e egër imerialisto-revizionist. Duke folur për këtë rrethim të egër dhe real shoku Enver tregon qëllimin dhe rrezikshmërinë e tij si dhe detyrat që u dalin njerëzve tanë për ta përballuar atë.
Së pari, shoku Enver thekson se: “Partia me luftën kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste e ka parë…”, gjithmonë si një ndër kushtet themelore për zhvillimin e pandërprerë të revolucionit dhe ndërtimit të socializmit… Gjithashtu, si një kusht i domosdoshëm për vetë ekzistencën dhe zhvillimin e saj si parti marksiste-leniniste”.

Së dyti, shoku Enver godet rëndë mendimet dhe konceptet se armiqtë s’kanë ç’të na bëjnë, se ne jemi imunizuar nga shfaqjet e huaja etj. “…Në kushtet aktuale të rrethimit dhe të një presioni të gjithanshëm imperialist-revizionist jemi shumë larg asaj që të mendojmë se jemi të imunizuar nga rreziqet”.
Së treti, shoku Enver jep edhe karakteristikat e diversionit të sotëm ideologjik, veçorinë e tij kryesore. “Karakteristikat e diversionit të sotëm ideologjik të borgjezisë dhe revizionizmit kundër socializmit është bashkimi në një front të vetëm i rrymave themelore kundërrevolucionare, që nga ideologjitë e mirëfillta borgjeze me karakter të hapët antikomunist e deri tek oportunizmi i vjetër tradicional, që nga revizionistët modern e deri tek rrymat e sotme oportuniste të ashtuquajtura të majta…”.

Së katërti, shoku Enver tregon dhe qëllimin e vërtetë të artit dhe kulturës borgjezo revizioniste, duke treguar falsitetin e tyre mbi pretendimet për të mosnjohur “paragjykime sociale dhe angazhimin ideologjik”. Ky qëllim është “… ta kthejë njeriun e thjeshtë në një konsumator pasiv të ideve të helmatisura borgjeze dhe t’ia bëjë këtë konsum një nevojë e zakon. Nga kjo kulturë ne jo vetëm njohim masat dhe rininë, por atë ne duhet ta flakim me përbuzje dhe ta luftojmë me vendosmëri”.

Së pesti, shoku Enver tregon dhe karakterin delikat të vlerësimit të kulturës dhe të artit të huaj, rrezikun e rënies në ksenofobi apo ksenomani. “…E tërë kjo – thekson shoku Enver – kërkon një punë të kujdesshme nga ana jonë të pjekur dhe të shkallëzuar, kërkon mënjanimin e qëndrimeve ekstreme që kanë për bazë ksenomaninë ose ksenofobinë, liberalizmin ose sektarizmin, mungesën e qëndrimit kritik ose të qenit brenda…”.

Së gjashti, shoku Enver jep edhe porosinë e vlefshme për t’i luftuar shfaqjet e huaja që në embrion. Ai thekson se, “…shoqërinë tonë të shëndoshë e shqetësojnë dhe duhet ta shqetësojnë gjithnjë fenomene të tilla edhe sikur këto të jenë fare të pakta, për arsye se ne luftojmë që të ruajmë pastër e të shëndoshë ndërgjegjen dhe figurën morale të çdo njeriu, për të ruajtur të pastër gjithë shoqërinë tonë socialiste…”.

Së shtati, shoku Enver jep dhe përcaktimin klasik të mënyrës borgjezo-revizioniste të jetesës, shfaqjet më tipike të të cilit janë individualizmi dhe egoizmi i shfrenuar, boshllëku dhe vaniteti, rendja pas luksit dhe plotësimit të gjithfarë tekash, shthurja dhe degjenerimi, parazitizmi dhe kriminaliteti që janë bërë plagë të pashërueshme morale dhe sociale të shoqërisë së sotme kapitalisto-revizioniste”.

Duke u nisur nga këto mësime të çmuara të shokut Enver, mendoj se Kinostudio dhe Televizionit, kur nxjerrin filma të huaj në qarkullim, harrojnë në disa raste porosinë e udhëheqësit tonë që thotë se, “…duhet të kemi parasysh kurdoherë dhe në çdo hap që bëjmë nëse kjo u shërben dhe sa u shërben formimit dhe edukimit të njerëzve tanë, ndreq apo prish atë që Partia po e ndërton çdo ditë, çdo orë…”.
Po kështu, shokët e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” me disa botime liberale të huaja harrojnë përsëri porosinë e shokut Enver se çfarë duhet të përkthejnë nga letërsia botërore. “Ne duhet të zgjedhim – thotë shoku Enver – ata autorë dhe ato libra që janë nga më përparimtarët, nga më revolucionarët dhe të momenteve revolucionare”. Por, duke harruar këtë porosi, ata në disa raste i japin prioritet anës materiale, realizimit të planit, duke mos parë dëmin e tyre në fushën ideologjike.

Mendimi im është se shfaqja e disa filmave dhe përkthimi i disa librave të huaja më shumë i shërbejnë armikut se sa neve, me këto ndodh ashtu si thotë partia jonë që shkallmojmë natën atë që ndërtojmë ditën.

Unë mund të mos kem plotësisht të drejtë në vlerësimin e këtyre prodhimeve të huaja, helmi atje mund të jetë fare i pakët, megjithatë partia na mëson se duhet të shqetësohemi dhe për më të voglat për të ruajtur të pastër shoqërinë tonë socialiste. Atëherë kur ne kemi të qartë porosi të tilla, përse të marrim filmin, pavarësisht nga idetë që ka dhe t’ia japim si ushqim shpirtëror spektatorit? A i prishim kështu punë Partisë, luftës që bën ajo për të përballuar rrethimin imperialisto-revizionist? Për mendimin tim, i prishim.

Partia neve na ka bërë të qartë se periudha e rrethimit është një periudhë e jashtëzakonshme. Duke u nisur nga ky mësim i Partisë, del konkluzioni se edhe kërkesat e njerëzve ndaj vetes dhe punës duhet të jenë të jashtëzakonshme, vigjilenca për të mos depërtuar asnjë “pilulë” helmi të jetë po ashtu e jashtëzakonshme. Këtë mësim të çmuar të Partisë, institucionet e përmendura më lart nganjëherë e nënvlerësojnë ose nuk e kanë kuptuar siç duhet.
Këto ishin, shoku Haxhi, problemet që unë mendova t’i shtroj në këtë letër dhe jam munduar t’i shikoj me syrin e Partisë dhe të marksizëm-leninizmit, por nuk di nëse kam të drejtë apo jo për këto çështje. Prandaj do t’ju lutesha a ka mundësi të më sqarojë partia për këto problem, jam unë me këto mendime që kam për veprat e lartpërmendura plotësisht në vijën e Partisë apo mendimet e mia janë të gabuara.

Koço Danaj
Dega e Punëve të Brendshme
Shkodër
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
SHËNIMI I HYSNI KAPOS PËR PIRO KONDIN LIDHUR ME LETRËN
Shoku Piro
E shihni këtë letër me kujdes, bisedoni me shokët, çfarë konkluzione nxirrni? Çfarë mendime kini?
Nëse vërejtjet e këtij oficeri të ri janë të drejta, të paktën duhet t’i bëjmë përgjigje dhe të mbahen parasysh.
Më raportoni

30.XII.1974 Hysni Kapo
…………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
SHËNIMI I SEKRETARIT TË ENVERIT, HAXHI KROI, PËR LETRËN
Autori i kësaj letre, Koço Danaj, që ma dërgon mua si sekretar i shokut Enver është një i ri nga Tepelena nga familje e mirë. Është anëtar i Komitetit Qëndror të Rinisë, që ka kryer vitin e kaluar Fakultetin e Filozofisë. Tani është oficer në Organet e Punëve të Brendshme në Shkodër, ku punon me rininë e forcave të kufirit.
Ai shpreh shqetësimin lidhur me disa nga filmat me përmbajtje të huaj, që shfaqen dhe me disa botime që janë bërë e bëhen tek ne. Koço Danaj, në frymën e materialeve të Partisë dhe të fjalimeve të shokut Enver, analizon drejt më duket përmbajtjen e disa filmave dhe librave të përkthyera që më parë ka lexuar.
Mendoj që letra t’i dërgohet Komitetit të Partisë në Shkodër për ta sqaruar të interesuarin për shqetësimet e tij.

27.XII.1974 Haxhi Kroi
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
LETRA E PIRO KONDIT PËR HYSNI KAPON LIDHUR ME LETRËN

Shoku Hysni
Problemet që ngre në letrën e vet Koço Danaj për disa filma dhe vepra letrare janë të drejta. Veprat u ripanë e u studiuan dhe njëherë prandaj dhe përgjigjen e vonuam. Kinostudio dhe Televizioni e kanë rishikuar në tërësi tërë fondin e filmit. Veprat për të cilat bëhet fjalë në letër u shikuan dhe veçanërisht. Lidhur me filmat, për të cilat bëhet fjalë, janë marrë masa: “Shën Tereza dhe djajtë”, “Gruaja më e bukur” si dhe filmi televiziv çek, për të cilin bëhet fjalë janë hequr nga qarkullimi. Filmi “Rrëfimet e komisarit të policisë” ka disa kufizime ideore, por ka edhe vlera demaskuese. Shokët e Kinostudios po i bëjnë disa shkurtime dhe do ta shoqërojnë me një shënim kritik, pastaj mendojnë ta hedhin prapë në qarkullim.
Libri “Komisari i Policisë” ka gjithashtu gabime ideore dhe nuk duhej përkthyer.
Për të njoftuar autorin e letrës, meqenëse ai punon në Shkodër, lajmëruam Komitetin e Partisë të atij rrethi ta thërrasë atë, ta falënderojë për interesimin e t’i tregojë se vërejtjet që bën janë të drejta e u morën masa. Atë e thirri shoku Sotir Kamberi.

Tiranë, më 14.4.1975
Pirro Kondi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.