MILOSAO

Fati dhe metamorfoza e dhimbshme e artistëve të studiuar jashtë

12:00 - 04.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Ajo që i bashkon të gjithë, sidomos ata që vinë nga vendet latine është ajo që ata të gjithë do të përcjellin në shkollën shqiptare. Akademizmi italian ndihet fare dukshëm në veprat e artistëve, të cilët studiuan në akademitë italiane dhe një studiues mund të shikojë lehtë ndikimet që ata patën prej saj, “si ndershmëria ndaj punës, ngrohtësia, sjellja e figurës njerëzore në mjedise të vërteta, ç’ka përbën veçantinë e punës së tyre. Binomi artistik natyra dhe njeriu, të marra në Shkollën e vizatimit në Tiranë, ishte në një linjë me akademitë italiane. Laboratori përgatitor ishte pothuajse i njëjtë, por mos harrojmë se qytetet italiane ishin skena arti”, thekson studiuesi.
Por, nuk mbaron këtu. Pasi, në vitet ‘70 shfaqet një frymë liberale në artin shqiptar, e cila do të rezultojë fare jetëshkurtër. Ka elementë interesantë të impresionizmit, ekspresionizmit, formalizmit, fovizmit, por vetëm kaq, pasi nga këtu fillon goditja në fushën e kulturës dhe të arteve. Historia e bashkësisë së artistëve të shkolluar jashtë, lihet pak pas kuintave. Fillon troku i rëndë i Realizmit Socialist dhe ithtarët e saj, shumë syresh edhe brënda kësaj kolonie.




E mrekullueshme ideja juaj për të sjellë në një ekspozitë të përbashkët, autorët që kanë studiuar në Itali para Luftës së Madhe. A mendoni se shkolla shqiptare e vizatimit i detyrohet këtij brezi?
“Do të thosha që i detyrohet patjetër. Në vitin 1931 fillon në Tiranë Kursi i vizatimit me piktorin italian Mario Ridola dhe Andrea Kushin. Ridola ishte drejtori i parë (kur kursi kthehet në shkollë të rregullt).

Mbas një kohe të shkurtër zëvendësohet nga Odise Paskali. Vlen për t’u saktësuar, se pedagogët e parë në Shkollën e vizatimit ishin Andrea Kushi, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci, i cili jepte lenden histori arti, Hajro Xhunga që jepte lëndën e Gjeometrisë deskriptive ose siç e quajmë shkurtimisht, Perspektivën artistike dhe Mihal Zallari (Histori – Gjeografi).

Në vitin 1933 kemi zyrtarizimin e shkollës së parë, kushtuar Artit Pamor, me emërtimin “Shkolla e vizatimit”. Ndërtesa, ku u ngrit Shkolla e vizatimit, ka qenë ndër më të bukurat e kohës, dmth gjatë harkut të viteve 30. Një shtëpi banimi e Prefektit të parë të Tiranës, Qamil Pepa. Aty studiuan emra të rëndësishëm të Artit Shqiptar, të cilët fituan bursa të merituara në akademitë e Romës, Firencës, Parisit,Torinos etj. Vlen për t’u përmendur, që në Tiranë, gjatë vitit 1933, kemi ndërtimin e Kompleksit të Ministrive, hapjen e Bulevardit të Madh, zyrave të fashos, sot Universiteti i Tiranës , ngrihet ngrehina, ku sot kemi Institutin e Arteve, Muzeumin Arkeologjik, Kolonat dhe Stadiumin olimpik “Qemal Stafa”.

Godinat krijonin një figuracion të caktuar të arkitekturës tipike fashiste, ‘’Shpata e liktorit’’. Ndihet një hov i frymës italiane në arkitekturë, në planet rregulluese të qyteteve kryesore të vendit, Tiranë, Elbasan, Rubik, Porto Eda (Saranda), Berat etj. Ideja për të bërë bashkë artistët shqipëtarë, të cilët studiuan në Akademitë italiane, ishte një ndër projektet, që kam pasur për zemër.

Artistët Simon Rrota, Zef Kolombi, Vangjush Mio, Foto Stamo, Fadil Pullumbi, Ibrahim Kodra, Abdurrahim Buza, Guri Madhi, Hasan Reçi, Vangjush Tushi, etj., kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me veprat e tyre në zhvillimin e artit realist shqiptar, një pjesë e madhe e tyre kane qene pjesë e krijimit të Liceut Artistik “Jordan Misja” (1946) dhe të Institutit te Lartë të Arteve (1961)”.

Në kulturën dhe njohuritë tuaja, a mund të zbulohen autorë shqiptarë, që kanë mbetur në Itali dhe që janë ende të panjohur?
“Në njohurinë time më del të ketë ndonjë artist të panjohur gjatë atyre viteve. Do të ishte befasi mbresëlenëse nëse zbulojmë ish student të viteve 30 / 40 të cilët nuk njihen ende. Do të thoja është e pamundur. Nuk ishin të shumtë dhe pothuajse të gjithë artisët u kthyen në Shqipëri”.

Si i mbijetuan kanoneve të Realizmit Socialist këta artistë?
“Do t’i ndaja në dy grupe, grupi i pare, janë ata artistë, të cilët e pranuan metodën e Realizmit Socialist dhe punuan me pasion brenda kornizës së artit zyrtar. Rasti i Nexhmedin Zajmit dhe Foto Stamos, dy artistë të nderuar dhe të rëndësishëm bën fjalë për këtë. Por kemi dhe artistët e tjerë, që u përshtatën disi, por nuk u përmbushën me artin zyrtar të Realizmit Socialist, ndoshta nuk e pranuan në krijimin e tyre artistik. P.sh Sadik Kaceli nuk e pranoi dhe ai mbeti këmbëngulës formimit të tij në akademinë franceze. Vlen për t’u theksuar fakti, që mjeshtri Kaceli doli i treti në konkursin e pikturës për Akademinë e Arteve të Bukura Franceze, ndërsa mjeshtri Abdurrahim Buza me veprat e tij e tejkalon formimin akademik italian dhe pikturon në një frymë të veçantë, duke trajtuar botën malësore, të cilës ai i përkiste.
Pjesa më e madhe e artistëve jetuan si profesorë të nderuar dhe të respektuar. Ishin profesorët që krijuan bazat e Artit Pamor Shqiptar, bashkë me studentët, e ardhur më pas nga Shën Pietërburgu, Praga, Bukureshti etj. Dëshiroj të përmend edhe rastin fatkeq të piktorit Vangjush Tushi, i cili u lind në Korçë dhe ndërron jetë në Kampin e Punës në Ballsh dhe gati dhjetë vite internim”.

A ka pasur ndonjë gjë të veçantë, në njohuritë tuaja, laboratori përgatitor i punës së këtyre artistëve?
“Akademizmin italian ndihet dukshëm në veprat e artistëve, të cilët studjuan në akademitë italiane, ç’ka i shoqëroi për një kohë të gjatë në karrierën e tyre artistike, si ndershmëria ndaj punës, ngrohtësia, sjellja e figurës njerëzore në mjedise të vërteta, ç’ka përbën veçantinë e punës së tyre.
Binomi artistik natyra dhe njeriu, të marra në Shkollën e vizatimit në Tiranë, ishte në një linjë me akademitë italiane. Laboratori përgatitor ishte pothuajse i njëjtë, por mos harrojmë se qytetet italiane ishin skena arti. Në çdo 30 metra gjen një vepër arti, skulptura dhe arkitekturë mahnitëse. Studentët tanë nuk mundën të sillnin frymën e kohës, që shfaqej në një pjesë të ajkës artistikes italiane, sepse shkollat apo akademitë ishin me programe akademike dhe brenda kanoneve te studimit akademik. Artistët u kthyen në Shqipëri dhe nuk i jetuan vitet e bumit ekonomik si vërsnikët e tyre viteve në Itali. Mbas Luftës së Dytë Botërore Italia fillon të marri një përmasë tjetër në ekonominë e vendit dhe kjo pasqyrohet në të gjithë shoqërinë italiane si dhe në art”.

Juve shquheni për një qëmtim elegant të trashëgimisë pikturike shqiptare. A mund të flitet për një shkollë shqiptare të pikturës? Apo më saktë, a tentoi ndonjëherë piktura shqiptare të sillte ndonjë frymë të veçantë në historinë e artit rajonal?
“Në pikturën shqiptare ka pasur ndikime të qarta nga shkolla të ndryshme, perëndimore dhe lindore, ç’ka pasqyroheshin në prurjet e artisteve të ndryshëm. Mund të ve në dukje ndikime te shkollave nga Italia, Rusia, Çekosllovakia, sot Rep Çeke , Polonia, Rumania, Zagrebi etj,. Kemi dallim stilesh të ndryshme, por të gjithë bashkohen dhe përqëndrohen e qendërzohen në ide të orientuara nga arti zyrtar i Realizmit Socialist. Të gjithë bashkë u përpoqën të krijonin një pikturë me frymë kombëtare, por brenda tutelës shumë të fortë të Metodës së Realizmit Socialist, ç’ka nuk mund t’u jepte artistëve shprehje veprimi.

Në vitet ‘70 shfaqet një frymë liberale në artin shqiptar, por shumë jetëshkurtër. Vihen re disa shkuarje drejt impresionizmit, ekspresionizmit, formalizmit, fovizmit, por… deri këtu shkoi mendimi artistik shqiptar. Menjëherë mbas vitit 1973, ndonëse ana profesionale u shpreh më mire, por nuk gjejmë më vazhdimësinë të ndikimeve të artit bashkëkohor, madje aty fillon goditja në fushën e kulturës dhe të arteve.

Kemi denime të disa artistëve, të cilët përfunduan edhe në burg si Edison Gjergo, Maks Velo, Ali Oseku, Vangjush Tushi, të tjerë në punë korrektonjese dhe disa mënjanim nga jeta e gjallë artistike, duke iu prerë e drejta e ekspozimit, si psh Edi Hila, Vilson Kilica, Danish Jukniu. Kishte edhe artistë që u vetëlarguan nga skena e ekspozimit, si Thanas Papa, Alush Shima, Dhimitër Theodhori, etj., apo edhe fëmijë të nomenklaturës, si Arben Theodhosi, i cili pësoi dënim në internim nga i ati”.

A ishte zhgënjim për artistët shqiptarë (ata që Ju keni zgjedhur për ekspozitën tuaj), kthimi në vend?
“Mendoj se kthimi në Shqipëri nuk ishte zhgënjim ose zgjidhje e sforcuar, përkundrazi! Ata u kthyen me dashuri për familjet e tyre, për qytetet ku kishin jetuar, për vendin e tyre. Ata e ndjenë kthimin në Atdhe si një akt patriotik, ku dikush u rreshtua edhe me armë në dorë në luftën antifashiste dhe të tjerë, që u rreshtuan në ndërtimin e institucioneve të para të artit shqiptar. Kemi vetëm rastin e Ibrahim Kodres, që nuk kthehet, por qëndron në Milano. Më vonë shfaqet piktori Lin Delija, i cili pasi arratiset nga Shqipëria, jeton në Antrodoko deri në fundin e jetës së tij. Ndërsa artistë të tjerë u kthyen të gjithë ne vendlindje”.

A mund të na thoni diçka se si arritët që të menaxhoni të drejtat e autorit me pinjollët e artistëve tuaj?
“Personalisht nuk kërkoj në asnjë mënyrë të marr dhe drejtoj të drejtën e autorësisë për asnjë artist që ekspozohet në Rezidencën Italiane. Është tërësisht jashtë interesave të mia. Ngulmoj në vënien në dukje të arritjeve të artit dhe artistëve shqiptarë. Veprat janë në zotërim të familjarëve dhe të koleksionistëve të nderuar shqiptarë, të cilët kanë meritë të veçantë për ruajtjen e veprave dhe për gadishmërinë e bashkëpunimit me Ambasadën Italiane. U shpreh mirënjohjen më të thellë. Janë ata që zotërojnë ligjërisht të drejtat e pronës mbi veprat e huazuara për ekspozim. Kjo është një çështje e mbyllur”.

Çfarë ideje keni në të ardhmen e afërt për ndonjë aktivitet të tillë të përmasave kulturore?
“Idetë për të ardhmen janë të shumta. Puna ka filluar me kohë. Së afërmi do të jetë një ekspozitë e madhe me artistët shqiptarë, por vetëm artiste femra. Ku do përqendrohemi se si është trajtuar figura e femrës në Artin Shqiptar, nga Sofia Zengo te Zamira Xhafa, nga Kristina Koljaka, skulptorja e parë shqiptare te Suzana Kalo, nga Androniqi Antoniu te Ina Lajthia, nga Liljana Çefa te Fatbardha Shkupi, një plejadë e nderuar artistesh dhe kështu me radhë. Do të jetë një ekspozitë mbresëlenëse me vepra të veçanta. Do të organizojmë edhe një ekspozitë me ‘’outsider’’ nga arti shqiptar, artistë të cilët jane tepër të veçantë dhe ende të pavlerësuar. Por nuk do ndalemi këtu. Në vazhdim do të kemi edhe 7/8 projekte, por më mirë le t’ia lemë kohës për t’i shijuar dhe për të dhënë mbresat e përftuara.

Rëndësi ka që gjërat të rrjedhin natyrshëm, Brenda shtratit artistik, në bashkëkohësi dhe të kryhen me të vërtetë. Arti kërkon punë, durim, pasion, gjakim artistik të madh. Kush punon e kupton seriozisht çfarë do të thotë të ndërtosh ekspozita dhe të përditësosh art. Jam I bindur se jemi në një çast artistik kur do të kemi shprehje të bukura dhe të arrira artistike. E besoj këtë gjë dhe punoj për të”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.