MILOSAO

Modernizmi kritik i Besim Tulës

15:45 - 04.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Llambi Blido – Në vitin 1972 asistova në ceremoninë e mbrojtjes së diplomave të studentëve të Institutit të Lartë të Arteve Figurative. Më tërhoqën vëmendjen dy tablo, ajo e diplomantit Avenir Sadikaj dhe e Besim Tulës. Te Tula vihej re sadopak përpjekja për të folur me gjuhën e ngjyrave, sidoqë, me ato trishtueshmërisht pak njohuri që shkolla jonë e artit jepte në këtë drejtim. Që nga ajo kohë ecuria e këtyre dy artistëve më është dukur interesante.
Besim Tula u bë shpejt jo vetëm koleg por edhe miku im. Ai hyri në rrethin tonë shoqëror që e kryesonte kolegu dhe përkrahësi ynë i madh dibrani Burhan Cami. Burhani krijonte një klimë për të gjithë ne të ngrohtë dhe inkurajuese, por përveç kësaj ishte ai që na furnizonte dhe me libra e revista arti perëndimore.
“Pionieri”- revistë për fëmijë e Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë ku unë pata punuar më parë, kishte tani si piktor Besim Tulën. Kështu ne u lidhëm vetiu edhe në fushën e botimeve, ilustrimeve.




Me emërimin tim pedagog i Liceut Artistik, u kujdesa që edhe mikut tim të ri t’i gjeja herë pas here disa orë mësimi si i jashtëm. Me këtë rast munda të vlerësoj Tulën edhe si mësues pikture. Ai fitoi shpejt vlerësimin e këshillit pedagogjik për punën sistematike, për rregullin dhe disiplinën, metodën e mësimdhënies. Mbase pikërisht për këto aftësi kandidatura e tij u rrëzua me të drejtë në Akademinë tonë të Arteve në konkursin për të zënë një vend si pedagog i pikturës aty. Dialogu mes nesh pati një vazhdimësi normale edhe më tej në vitet ’80-të – 90-të.

Duke e pasur përherë pranë, siç shpjegova më lart, i kam ndjekur me vëmendje të gjithë hapat e besim Tulës të ri në moshë si dhe në pjekurinë e tij profesionale. Ishte e qartë që në krye se orientimi intuitiv i këtij piktori të ri qe gjuha moderniste e artit. Ai u dha me pasion pas literaturës më të avancuar të kohës që kishim mundësi të gjenim në ato kushte. Këtë e vija re në elemente të rinj shprehës që ai mundohej të zbatonte në kuadrot e tij. Punonte përditë sipas një orari të rregullt. Bënte përshtypje këmbëngulja dhe vullneti i tij për punë dhe kërkime sistematike drejt një gjuhe personale.

Në këto vite artisti realizoi disa nga punimet e tij më të mira si “Në kapanonin e aksionistëve në pushimin e vapës”, “Çiklisti dhe vajza”, “Natyrë e qetë me shalqi”,”Dy gjitonet te porta e avllisë”(interpretim sipas Simon Rrotës) etj. Tek Tula është përherë i gjallë malli dhe përfytyrimi për Shkodrën e tij të viteve të fëmijërisë.
Në ato vite Tula me familjen e tij (bashkëshorten Valdete dhe dy vajzat e tyre) jetonin në një apartament të vogël një dhomë e një kuzhinë. Kur shkoja dhe e takoja në shtëpinë e tij, gjeja të zotin e shtëpisë në dhomën e gjumit të ulur buzë krevatit bashkëshortor, përpara pëlhurës së tij të re të kavaletit-një karrige e rëndomtë , si dhe një stol përmbi të cilin kishte hapur kasetën e tij. Pas shakave të para dhe kafes me nga një teke raki që Valdetja e mirë dhe durimmadhe nxitonte të na e servirte, Tula niste të nxirrte nga poshtë krevatit bashkëshortor pikturat e tij të reja për të m’i treguar, ndërsa nga sipër dollapit të rrobave ato në të cilat boja nuk qe tharë mirë. Dhe niste një “diskutim krijues”, që vazhdonte më tej kur të dy merrnin dhe zbrisnim tatapjetë kodrës “Mihal Grameno” për të rrufitur kafen e dytë tek kafeneja elegante e Hotel ‘Arbanës’, brigjeve të Lanës.
Ai është një shembull i veçantë edhe sot.

Piktura e tij është realisht krijimtari e angazhuar. Korrupsioni, krimi ordiner dhe ai i organizuar, veset dhe shfaqje të panumurta të abuzimeve me lirinë e demokracinë janë sot objekt i “realizmit të tij kritik”, sepse me gjuhën e tij piktorike moderniste Besim Tula e furnizon artin e tij me motive konkrete dhe jetësore nga realiteti i ditëve tona. Imagjinata dhe energjia e tij krijuese janë vënë në mënyrë të ndërgjegjshme dhe konstante këtij këndvështrimi kritik. Është fjala për një meritë të padiskutueshme në qendrimin e përgjegjshëm të një artisti serioz i cili , mes të tjerash, nuk ka punuar kurrë thjesht për treg, ashtu siç shumë të tjerë rreth tij e bëjën këtë gjë hapur dhe paproblem. Sidoqë në natyrën e tij nuk kemi të bëjmë me një idealist në përgjithësi, në raportin me artin e tij Besim Tula mbetet një idealist .Besim Tula i përdor mjetet e tij me zhdërvjelltësi duke i shoqëruar me mesazhe të drejtpërdrejta dhe ka mbetur një artist i paprekur nga pushteti i tregut, propaganda dhe autopropaganda, modest.
Dihet tashmë se sa problematike ka qenë dhe mbetet mungesa apo varfëria e kritikës sonë të artit. Është një profesion i vështirë prandaj llafazanëria pavlerë dhe propaganda e autopropaganda që mbushin në disa raste botimet tona të artit është bërë problematike. Kështu kur gjenden artistë të këtillë si Besim Tula të cilët jo vetëm e njohin konkretisht procesin krijues artistik, por kanë edhe aftësi kritike e analitike, meriton të vlerësohet. Besim Tula dallohet në këtë fushë për lakonizmin, mungesën e retorikës boshe, për qartësinë dhe konkretësinë, kurajën- tipare këto që burojnë nga tërësia e e formimit të tij.
*Piktor dhe kritik arti
19.09.2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.