MILOSAO

Pas Guttenbergut një filxhan çaj me kamomil

14:30 - 04.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kujtim Dashi – Të Guttenbergut? – shqiptuan emrin nënë e bir thuajse njëherësh dhe sekush sipas mënyrës së vet; kryqëzuan shikimet me njëri-tjetrin të çuditur, po dhe të lehtësuar më në fund, pasi djali u dorëzua, kur nuk e prisnin dhe tashmë e morën vesh se kush paskesh qenë ai që ia kish prishur qetësinë djalit të tyre dhe të tjerat ishin të sigurt se do t’i merrnin vesh më vonë e cangaca.
I ati u ngrit gjoja të qëronte një mollë, po i biri e nuhati, se ai qe ngritur të hapte më mirë derën e kuzhinës, të bënte zakonin, për të dëgjuar gjithçka e ëma e shumëpushtetshme, që nga dhoma e gjumit bisedën në mes tyre, si vëzhguese në detyrë. Nuk kishte një shoqe të dytë për nga pathosi i saj, për të qenë e informuar, a si i pëlqente të thoshte, për të qenë në dijeni si zonjë shtëpie për gjithçka që ndodhte deri në imtësi, si të mbulonte të gjitha shërbimet…
– Gjerman është ky? Kështu më tingëllon mua…- tha gjyshja.




– Po, po të Guttenbergut, po jo atij që shpiku shtypshkronjën, është tjetër Guttenberg ky…Nuk mundi ta linte që t’i humbiste rasti pa e thumbuar gjyshen.
– E lëshove që e lëshove shashkën, po më thuaj se kush është dhe ç’punë ke ti me këtë Guttenberg a si quhet? Je ngatërruar gjë me ndonjërin prej këtyre ndërkombëtarëve që iu këshillojnë? – iu drejtua i ati me një ton të prerë e autoritar, duke e përmbajtur veten e t’i thoshte “ke guxuar?”, si për t’u rikthyer për një çast të vetëm te misioni e autoriteti i pacënuar prindëror, te ai i mëparshmi, i hershmi fare, kur i biri i bindej gati verbërisht në procesin e plastelimit për gjithçka sa nga frika, sa nga ndëshkimi a turpi, e sa nga ajo që i ati i kishte marrë në duar jetën e tij dhe po e drejtonte në sfidat e kohës, si çdo adoloshent tjetër, që rritet para syve të prindërve të vet, nën tutelën e rreptë të tyre.
Besimi gati i verbër i tij te i biri, që fatmirësisht po i rritej i mbarë, fjalët e mira që dëgjonte poshtë e lart, mbajtja tërë kohën nën kujdes e vëzhgim të rreptë, gjithsesi për ta ruajtur nga ndonjë implikim me të keqen e për ta formuar sipas modelit që kishte konturuar në mendje, mbarëvajtja në shkollë, njohja cangaca me rrethin e gjerë shoqëror e miqësor të vetin dhe disa përfitime jo të pakta që nxori prej tyre kohë pas kohe, në shkëmbim të nevojave e shërbimeve të tjera ektra për ta, kur iu lindnin nevojat a iu duhesh atyre, dhanë dhe frutin e vet. Drejtpërdrejt nga aulat e universitetit, me njëmijë e një halle dhe, duke mos lënë gur pa lëvizur, pati shansin ta fuste direkt e në administratën publike në dikasterin N të të majtëve të djathtë, apo si bënte gjoja se e ngatërronte e ëma, duke iu thënë të majtët e djalltë, që ishin në pushtet. Fillimisht, sa për të futur kokën brenda, me kontratë tremujore, siç ishte marifeti që u gjet dhe me një rrogë modeste, si një nxënës në ekonomi, si bënte shaka; pastaj në konkursin e pranimit, në sigurimin e pikëve maksimale dhe, në fund, emërimi, gjithnjë e në çdo fazë pas kuintave shokët e miqtë e tij. Po ama i biri, ndryshe nga bashkëmoshatarët, nuk provoi qoftë dhe një ditë të vetme të sillej vërdallë e të bënte gjeometrin apo të shpërndante CV poshtë e përpjetë, si traktet, nëpër zyra personeli apo ndër të njohur, që e përcillnin me sugjerimin “Ma dërgo njëherë një CV, shohim e bëjmë; mos ngurro, shëno gjithçka në të dhe, shiko këtu mos u trego leshko, modest, a më i kështenë se papa. Edhe në qoftë se ke shkuar te daja a te xhaja për qejf jashtë shtetit për dy-tre ditë, shënoje që jam specializuar”. S’i kishte shkuar mundi bosh, përkundrazi.

Mirëpo mirënjohja ndaj të atit për udhëheqësinë e tij largpamëse, me kalimin e kohës, kishte pësuar krisje dhe, nuk ishin të pakta rastet, kur meritën për këtë ngjitje të shpejtë në shkallët e karrierës, jashtë dyerve të shtëpisë, po dhe brenda tyre, kur binte fjala, zuri t’ia njihte më shumë vetes, zotësisë së vet, krahëve të vet dhe, se babai kishte bërë thjesht detyrën, si një dispeçer a polic rrugor, që i kishte treguar rrugën, shko këtu e shko atje; kishte bërë detyrën, po sidoqoftë, s’ia mohon kush, e ka bërë mirë; misioni i babait ishte i hershëm tashmë, i përkiste të shkuarës, historisë…

Edhe kur i hyri punës, për të marrë masterin prej të vërteti, – atëherë ndër të parët, që e nuhati se duhej siguruar edhe ai karton, po që e kishte edhe njëfarë mundi, – jo këtë të sotmin, që është bërë si ushtarllëku, ose shërbimi i detyrueshëm ushtarak, u kujtua për shokët e miqtë e babait që ende ishin dikushi nëpër katedra e departamente të universitetit publik, apo shumë syresh ishin kthyer në poste të rëndësishme pas rikthimit të të majtëve të djathtë në pushtet. Masterxhiku ishte i bindur si dhe i ati, se ato të gjithë ishin çue peshë dhe po e ndihmonin, po e mbështetnin e po ndërhynin lirshëm në veprën e të atit për modelimin e tij në këtë fazë, që ta përgatitnin e ta kishin, qoftë dhe për një ditë të vështirë për ta një të tarafit të tyre në atë dikaster, ku jo për të pikuar, por rridhnin fondet. Në fillim, dukej se profesorët e doktorët këtë po e bënin si njëfarë detyrimi që kishin për t’ia shlyer nderat, të cilat ua kishte bërë dikur i ati i masterxhikut, po në darkën që shtruan te “Taivani”, në ditën kur mori masterin, – gjyshja vazhdonte të thoshte, kur e hoqi qafe, – ata, njëri pas tjetrit ia thanë troç fare. Tani të kemi ty atje! Je a.i., domethënë përfaqësuesi ynë në dikasterin tënd! Mos u bëj merak, sekush ka të vetët atje dhe në dikastere e institucione të tjera; mos shiko që s’ndihen fare…Kështu është ndërtuar ky shteti ynë, që dalëngadalë po bëhet njëqind vjeç!… Njëqind vjeç, ama, po puro shqiptar!…
Masterxhikun toni autoritar i të atit e mblodhi dhe e kthjelloi ca. Madje i erdhi ca keq se mos atij befas i kishte lindur ndonjë keqkuptim për emrin e padëgjuar ndonjëherë të të huajit, që quhej Guttenberg, se mos e ngatërronte a mos kishte ndonjë implikim me ndonjë tjetër që kishte të njëjtin mbiemër, apo se edhe ai kishte rënë nën dardhën e së ëmës, po pa dijeninë e tij dhe i qe zgjuar befas instikti i mbrojtjes për ta shpëtuar nga e keqja të birin.

– E di unë kush po e çikrratë këtë punë, e di mirë…- tha masterxhiku tërë mllef, i cili në vend që ta kthjellonte e mjegulloi akoma më shumë me hakërrimën që u tret në një mllef të njohur prej tyre. Nga dhoma e prindërve u dëgjua e kollitura e së ëmës. Ajo, sipas kodit familjar po jepte shenjën që të ngrinin zërin, për të dëgjuar më mirë, si ta kishte vënë tashmë në punë laboratorin e saj.
– Edhe njëherë, a ka mundësi të ma qartësosh se kush është ky Guttenberg, që ta paska prishë gjumin e ç’lidhje ke ti me të, pastaj atë tjetrin që e paskësh çikrratë.
– Mirë e ka yt atë, – tha gjyshja.
– S’ia vlen. Sa gati i rri ti nëna?

– Ia vlen, ia vlen se edhe ne dimë diçka jo vetëm ai këshilltari yt më shumë se sa një ministër, – ironizoi i ati.
– Gjermani im quhet Karl-Theodor Maria Nikolaus Johann Jacob Philipp Franz Joseph Sylvester freiherr von und zu Guttenberg, shkurt, për ta mbajtur mend ju tani e tutje, Karl zu Guttenberg, – shqiptoi emrin me një saktësi të çuditshme e kujdes të jashtëzakonshëm, si një maxhodorm shumë i zoti, që njofton hyrjen në sallën e pritjes të ministrit, – është anëtar i aristokracisë së vjetër gjermane…
– Qysh e paske mbajtur mend tërë atë emër të gjatë si vagonat e një treni, – ironizoi sërish i ati.
– Çfarë s’të bën halli, baba! Gjermani im njërin gjysh e ka patur princ e tjetrin kont, edhe këta të dy politikanë profesionistë e të dëgjuar…
– Lëri këto, po ç’lidhje ka me ty, që të paska zënë lemeria?

– Ky Karli ka qenë nja tri herë ministër në qeverinë federale dhe, së fundi, ishte Ministër Federal i Mbrojtjes, ndër politikanët konservatorë më të admiruar dhe shihej si një kandidat i mundshëm për kancelar të ardhshëm të Gjermanisë…
– Do i biesh shkurt a si është halli yt? Ç’lidhje ka kjo me ty po të them?
Nga dhoma e prindërve u dëgjuan dy kollitje të forta të njëpasnjëshme të së ëmës, por masterxhiku nuk e mori vesh se çfarë sinjali po dërgonte ajo, s’i binte ndërmend fare, qe nisur për të ardhur në kuzhinë, apo të flisnin më ngadalë që të merrte vesh edhe ajo se ç’thuhej.
– E po ky Karli sapo ka dhënë…dorëheqjen, – tha masterxhiku me një ton teatral, duke e rrokjezuar fjalën e fundit me një trishtim të thellë si të shqiptonte mandatën e vet, – dhe ky lajm po bën xhiron e botës, baba. Ka mbërritë dhe tek ne dhe po merr erë…
– E pastaj?
– Nuk më pyete përse e ka dhënë dorëheqjen, baba, kjo është çështja, gjërat kanë rendin e tyre, – tha masterxhiku me një ton mentaro-masteri të kryer dhe zuri të bëjë ecejake nëpër kuzhinë si për t’ia kujtuar të atit zakonin e njohur të Leninit me ato ecejaket e tij dinamike e të rrëmbyeshme, që kishte parë dikur në filmat e dramat për të e ky për të qëmtuar ndonjëfarë ngjashmërie preokupimesh të mëdha.
– Pres të na e thuash ti, pra.
– Tanë këtë frikë s’e ka kot djali, ma ndjen zemra mua. Të kam thënë, mor bir, ti diçka iu ke bërë këtyre, se ata kot nuk të kanë bërë ty të madh, drejtor të madh fare në këtë moshë që ke ti, ma ndjen zemra mua…
– Nëna, mblidhi këto gjëra mbi tryezë, të lutem, se s’dua të ha, – tha masterxhiku, pa guxuar t’i thotë troç gjyshes në sy të atit shihi këto punë të shtëpisë gjyshe dhe mjaft janë për ty në këtë moshë, të dalin e të teprojnë dhe mos u përzie në muhabete të tilla burrash. E kishte fjalën dhe sjelljen e rëndë e cinike, natyrisht jo me të gjithë.
– Guttenbergu dha dorëheqjen vetëm se, u akuzua për plagjiaturë pasi në disertacionin e doktoraturës së vet, kur e kishte mbrojtur atë vite të shkuara, më saktë në 2006-ën, u gjetën ngjashmëri të theksuara me një artikull të botuar në Frankfurter Allgemeine Zeitung në fundnëntorin e 1997-ës. Por, eh këtu ka gabuar rëndë, i gjori, nuk ka cituar burimin, i ka marrë pa leje, m’i thënë shqip, troç. Leshkoja!
– Si?!

– …
– Për kaq?
– Universiteti i Bayreuth-it, ku mbrojti disertacionin e revokoi atë dhe Guttenberg u detyrua të japë dorëheqjen…
– Vetëm se kanë gjetur ngjashmëri të theksuara me një artikull të botuar?!- sikur s’po iu besohej të atit.
– Hë, pra këtë nuk e di fort mirë; e ka bërë se ka harruar, apo me ndërgjegje, kjo është punë tjetër, që do ta shkoqisin të tjerët dalëngadalë, por ama dorëheqja tashmë është një fakt i kryer, ka marrë dhenë, derisa ka mbërritë deri te ne. Ai s’është më Ministër Federal i Mbrojtjes i Gjermanisë dhe, sipas mendjes sime, zor se ngre kokë më…Sikur s’i njeh gjermanët sa skrupulozë që janë!? S’të falin ata!…

Një copë herë at e bir u përfshinë në një bisedë, të cilën s’e kishin bërë kurrë më parë kaq hapur e me një seriozitet të tillë. Pasiguria e përciptshmëria në njohuritë për dukurinë, si të shkelnin në një tokë të panjohur, i jepte një frymë diletante e pak si të frikshme bisedës së tyre. Njëri fliste se ç’dinte për plagjiarizmin në shkencë, po dhe në letërsi e në arte, tjetri e shihte si të ishte një dukuri e vjetër dhe e përbotshme, e cila ishte shpeshtuar dhe kishte tërhequr më shumë vëmendjen e të gjithë atyre që ishin në anën e njerëzve progresistë, që kërkonin ta frenonin veçanërisht pas zbulimit të internetit.

Frontin kundërshtues nuk e shihnin si mundësi depërtimi e rrezik të menjëhershëm dhe të lidhur drejtpërdrejt me ta. Interneti e ka bërë plagjiarizmin më të mundur, më të përhapur si epidemi, por edhe më lehtësisht të identifikueshëm, tha masterxhiku si të ishte ekspert i fushës. Përciptshmëria e njohurive dhe shikimi si një e keqe jo e vogël, që s’depërtonte dot në vendin e tyre, i jepte bisedës një frymë teorike, si të kishin lexuar në facebook ndonjë lajm të bujshëm të ndodhur në ndonjë cep të botës dhe s’kishte kurrëfarë lidhjeje me ta. Nuk e cekën fare plagjiarizmin si pandershmëri, si vjedhje e pronës intelektuale të tjetërkujt, se përndryshe do të dilte të merreshin me veten, me shfrytëzimin e punës të tjetërkujt, duke i shtrembëruar burimet e shfrytëzuara.

I ati vuri re se i biri ishte thelluar në heshtje në njohuritë për plagjiarizmin, por si për shumçka tjetër e shihte jashtë vetes, sikur ndodhte kudo gjetkë, po vetëm atij jo, sikur të ishte i imunizuar nga kjo e keqe e madhe e kohës. Ja, te citimet, që janë të domosdoshme për të provuar autenticitetin e temës, e shkelëm, tha masterxhiku, duke u rropatur të fshihte dëshpërimin a pengun, sikur temën ta kishin patur të përbashkët të dy me të atin, duke i nxjerrë kështu kokën merakut të vet jo të vogël, ose aty ku e dinte mirëfilli se kishte shkelur në dërrasë të kalbët. Vetëm se nuk u dorëzua fill e të thoshte copë “Baba unë jam një Guttenberg shqiptar!” Kur kjo dukuri ndodh në universitetet e Gjermanisë përfytyro se ç’situatë mund të ekzistojë te ne, në universitetet tona, që kanë mbirë si këpurdhat pas shiut, desh ta qetësonte i ati, si t’i thoshte se publiku i përgjumur dhe halleshumë e në kufijtë e ekzistencës, do të zgjohej vonë, për të mos i toleruar më shkelje të tilla, sidomos nga politikanët e tij.
– Ky princ, duke qenë i kamur si ai, me prona e ç’po të duash, ç’dreqin ka dashtë që ka shkuar të bëjë doktoratura e mastera? Ç’i duhen diplomat?
– Baba, më duket dr po i pret drutë shkurt, apo je duke i rënë pragut, e ke me mua? Është ndryshe atje, e di mirë ti; ata dhe pse kanë lindur me para e kanë gjithçka, si ky Guttenbergu ynë, i vënë qëllim të lartë e të fortë vetes dhe harxhojnë vite të tëra të jetës së tyre, duke bërë shkolla e diploma dhe duke mbrojtur doktoratura, – të vërteta, – që pastaj me anën e këtyre të punojnë e të bëjnë para për të jetuar më mirë…

– Shih, shih sa mirë që i ditke, qerrata! Sikur e ke lexuar në ndonjë gazetë tonën. Zaten jeni mësuar kështu, asnjë referencë. Ç’lexoni i kumtoni si mendimet tuaja. Të paktën kujtoja emrin këtij të mençuri, për respekt. Po ti ç’ke atëherë që trembesh, hane Shan, hane Bagdad i thonë kësaj…
– E, po te ne ngjet ndryshe; ne më parë bëjmë para, pastaj blejmë diploma…
– Mos e jep veten kështu. Ky është thjesht një lajm, ti po e përjeton si një mandatë për ty, si vendim të formës së prerë në tre shkallët e gjyqësorit!…Ti e ke lëshuar veten dhe dukesh sikur nesër do të gjesh mbi tryezë të punës një letër të bardhë dhe ministri të të kërkojë të shkruash dorëheqjen tënde si të jesh i lidhur në seri me këtë Karl zu Guttenbergun, apo si po i thonë më gjatë? Ka prapë edhe ndonjë tjetër? Mos more! Edhe Presidenti hungarez kështu? Si quhet? Pal Schmitt? Ç’ka këtu për t’u shqetësuar kaq? Ndoqe universitetin? Po. Nise punë? Po. Mbrojte masterin, sipas rregullave të kësaj kohe? Po…Ti s’mund të shpikje rregulla të tjera…Si është vendi bëhet kuvendi…
– Sikur s’e di ti baba?

– E, ç’të dijë unë tjetër, mos më luaj mendsh?
– Se qysh e bëra masterin, se kush më ndihmoi, se nga kush e tek kam marrë pjesë të tëra e çfarë kam marrë konkretisht e si e kam tëholluar kopjimin, si i kam përdorur burimet teorike të cituara, cila është saktësia e tyre, nga dhe kush m’I përktheu mua në njëmbëdhjetë gjuhë të huaja …
– E pastaj?
– Më keq se ministrit Guttenberg do të ma bëjnë, e di mirëfilli, jam i sigurt, ke për ta parë…S’e besoni, ë?! Ja, këtu do të jemi. Do ta bëjnë një shembull këtu…Pastaj tjetrin. Ku këputet peri, thonë? Ku është më i hollë…
– Ti në qoftë se s’iu ke bërë ndonjë gjë të mbrapshtë këtyre, në qoftë se s’ke marrë në qafë kënd s’ke përse të kesh frikë. Është bërë djali sa një grusht për një ministër gjerman e president hungarez, sikur ç’e ka gjetë, i ka hyrë frika në palcë. Ti s’je bërë kështu as kur e pate zënë atë çupën me dashnorin e dytë të saj!?…
– Ti gjyshe nuk ke nga t’i dish të gjitha, mos i ngatërro kotsëkoti gjërat, krejt pa lidhje; në këtë rast po flas me babin, – uli tonin, si të qe penduar me sjelljen e deriatëhershme të vrazhdë e pa kontroll fare ndaj gjyshes, që e kishte mendjen qefull, si i thonë fjalës. Nga dhoma e gjumit, si dukej, e ëma s’kishte asnjë vërejtje për çka po dëgjonte, pasi s’po jepte asnjë sinjal.

– Po ç’ke përse bëhesh merak? Punove dhe e bëre masterin, s’e di unë ç’ke hequr? Ç’ka këtu për t’u qederosur apo bën vetë, sikur të ka hyrë lepuri në bark? Si ti janë pajisur me doktoratura, mastera, specializime e diploma aq shumë njerëz në këtë vend, madje vetë deputetët në radhë të parë, ligjvënësit, – do t’i zë emrat një nga një? s’i lexoj unë gazetat përditë?- besa ndonjëri, që ka mbërritë të bëhet dhe ministër, edhe pa mbaruar shkollën e mesme…Nëntë deputetë, madje juristë, janë bërë të tillë, – nëse, – duke kaluar nga tetëvjeçarja e drejt e në universitet privat, natyrisht që privat. E si thua ti do të nisë tani ndonjë fushatë kombëtare për t’ua hequr të gjithëve gradat e titujt shkencorë, në qoftë se i hyjnë kësaj pune? Ia paskan hequr një pedagogu në Fakultetin e Shkencave?! S’ma merr mendja se do t’I marrin mbarë, se ndryshe do të bëhej një katrahurë e vërtetë që s’do ta marrë vesh i pari të dytin, skandal do të bëhej, do të qeshte bota me ne. Po është rradhë e madhe, mor bir?! Aa, tani e tutje, po, të kenë mendjen…Ke për të parë, kur të nxjerrin këta tanët edhe legjislacionin, se për këtë janë të vetmit, po jo me fuqi paravepruese, jo se nuk kanë luajtur menç, besoj, s’kanë leverdi për veten e tyre.
Më vër vesh se ç’po të them, shih bëji hysmet punës, drejtorllëkut, se ata që i rrinë strikt bindjeve të tyre po janë pa punë, edhe me familje e fëmijë, – na dëgjo edhe ndonjë këshillë tonën, se diçka dimë, – pa për këtë mos e vrit mendjen…Koha është një shoshë e madhe që punon non stop njëzet e katër orë, sit e sit, sit e sit…
– E parandjej, do të më denoncojnë të parin. Ke për të parë. Mezi presin, sidomos njëri, ai…

– Ish-kolegu?
– Po, po ai. Paskesh qenë thëngjill i mbuluar, inatçor i madh, hakmarrës…Nuk ka dalë vetë haptaz, i tunduri. Kështu në paraqitje duket sikur nuk ndjehet, si një burrë zotëri që është pajtuar me fatin e pafat të tij, – vetë më ndihmove me vëllanë e presidentit, që ta hiqnim qafe nga dikasteri, – po nga ana tjetër të përcëllon po t’i biesh në dorë…Në fakt s’ta përton. Baba ka njerëz me principe, po ne na duken si jashtëtokësorë…Kur nuk ka pyet fare për vite të tëra për Njeriun e Shpresës së Bjerrun, të cilin s’ka lënë rast pa e goditur brinjë për brinjë në gazeta, le më ne të vegjëlve…Të përcëllojnë të tjerët; ata janë më keq, po ç’e duan mor zot, e respektojnë, u ka ardhë keq, gjoja, se e hoqën nga ne; e mbajnë edhe personalitet…Se mos e hoqa unë? U bë ristrukturimi i dikasterit dhe ai doli i tepërt, ja kaq ishte, ç’t’i bëja unë, ta ndaja rrogën me të…Pastaj nxori atë batutën e famshme, – se është i vetmi për to dhe, sa shpejt që përhapen, si zjarri, – se kjo e ashtuquajtura reformë e të djathtëve të majtë ishte hiq një kal nga puna dhe vër dy gomerë! E kanë mësuar dhe këta ndërkombëtarët, një e dy e përdorin si pa gjë të keq. Edhe në Bruksel e kam dëgjuar njëherë. Sa u fyen kolegët!?

– Ti sikur ke thënë që ai e kishte statusin e nëpunësit civil, ndërsa ato që mbajtën në punë asnjëri? – ia bëri gjyshja.
– Nga nisesh? – rilidhi sërish bisedën i ati me një merak të ri tashti, pa pritur të kthente përgjigje i biri.
– Sikur ma ka dhënë një sinjal të fortë publikisht sot në një gazetë të përditshme. Dhe, s’ka dalë vetë, as nuk ka zgjedhë dokedo, po një analist personalitet, – kij inat, po jepi hakun, – që as ai s’të fal sekondën, antikonformist, që s’merr parasysh kurrëfarë rreziku. Se nuk është pa rrisk ta sjellësh këtë rast do të thosha unikal në realitetin shqiptar. Nuk u mjaftuan thjesht vetëm me një lajm, po e rimorën enkas; ju duhet përqasja me ne; ju duhet për t’iu rënë këmbanave të alarmit, sipas tyre. Vetë Njeriu i Shpresës Bjerrun e ka halë në sy atë analistin, – janë disa si ai, që ku s’i futin hundët, për gjithçka janë kompetentë, gjithologë u thonë me të tallur, – e di mirë unë, ma ka thënë vetë ai që ju nuk e honepsni më dot, këshilltari…

– Mund të jetë një rastësi, – desh ta qetësonte i ati. – Të është bërë ferra Brahim, mor bir, – shtoi.
I biri edhe pse po i afrohej të tridhjetave ende s’qe as i qartë dhe as i bindur, se vitet më të mira të jetës së njeriut janë ato kur vendos vetë që problemet e tua janë vetëm të tuat dhe s’mund t’ia hedhësh fajin askujt tjetër përse ato ngecin, përse nuk përparojnë, përse nuk shkojnë në kahjen që synon apo, akoma më keq, përse theqafen. Ndjente keqardhje, po edhe e brente ndërgjegjia aq sa herë-herë e quante veten fajtor para të birit për tutelën e gjatë inkubatoriane, – kështu i thoshte, – herë të dukshme e herë të padukshme, që e shihte qartë e më qartë, se ishte bërë njëfarësoj pengese për të birin, në mos deformacioni. Djali s’kishte mbërritur ende në atë fazë pjekurie, që ta kuptonte se ishte vetë ai që e kontrollonte fatin e vet dhe askush tjetër.
– Rastësi këtu te ne? Jo, baba, veç rastësi nuk ka…
– Për atë e ke fjalën, e di unë, prandaj je trembur paq. Ai që të kishte në këmbë të të birit, që i studionte jashtë dhe ti, me tët atë, s’latë gur pa luajtur dhe tinëzisht e nxorët në rrugë të madhe në atë moshë, pak vjet pa dalë në pension? S’kanë thënë kot, atë që s’do të ta bëjnë të tjerët, mos ua bëj ti. Thonë edhe ndryshe: kur do t’i bësh gropën tjetrit, bëje gati dy, edhe një për vete, se një ditë do ta shohësh veten brenda.
– Gjyshe, të lutem, – ngriti zërin masterxhiku. Veçse nuk i tha “Mjaft më, i njëjti avaz tash sa vjet! S’të mjaftojnë punët e shtëpisë?”
– Mama, si thua, të rrinte im bir pa punë? – e mbrojti i ati.
– I ka hyrë në hak keq tjetrit, sa s’ka ku të vejë më. Kap njërin e kap tjetrin deri sa ia gjetët rrëfanën me vëllanë e presidentit, edhe do lekë dhatë…Po ne rrogë e kokë ishim, ai po me një rrogë mësueseje e me dy fëmijë që i studionin jashtë, studionin e punonin për të fituar jetën me djersën e ballit; ky po i ri që edhe mund të gjente punë ndokund më kollaj se ai në atë moshë…Më vjen turp, kur e çoj nëpërmend të shkretin. Kur patët nevojë për të e nxirrnit prej kreje të dy, babë e bir, s’ka si ai, do ta ftonit edhe në dasmë po të bëhej, pastaj i futët stërkëmbsen…Unë ty të kam nip, po kam qenë gjithmonë me të drejtën dhe atë e dalloi lehtë, mos kini merak, paçka se po i bëj tetëdhjetë vjeç…Me ndërrue dollapi, të parët do t’i përqalleni atij si macja, sikur s’ka ndodhë asgjë…

(vijon numrin tjetër)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.