EKONOMI

OSHEE me rekord historik për faturat e pambledhura, qeveria nuk paguan energjinë

12:15 - 05.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gjendja e detyrimeve të paarkëtuara të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shënoi një rekord të ri historik në gusht të këtij viti, duke kapërcyer rekordin e mëparshëm të regjistruar në dhjetor 2014, kryesisht si pasojë e shtimit të mospagesave nga ndërmarrjet jobuxhetore, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të sistemit të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë.




Në fund të gushtit, OSHEE kishte 73 miliardë lekë fatura të paarkëtuara, në krahasim me 68.6 milionë që ishte niveli më i ulët i shënuar në dhjetor 2015 dhe 71.4 miliardë që ishte para fillimit të reformës në këtë sektor nga qeveria aktuale.

Dallimi është që shtimi i detyrimeve të papaguara gjatë viteve të fundit është shkaktuar në masë të madhe nga sektori publik, ndërkohë që borxhet e konsumatorit familjar kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme. Kështu, OSHEE kishte 55.6 miliardë lekë fatura të paarkëtuara nga konsumatorët familjarë në vitin 2014, detyrime që ranë në 49.3 miliardë në vitin 2018. Por ndërsa konsumatorët familjarë po paguajnë, konsumatorët publikë, përfshirë institucionet buxhetore dhe ndërmarrjet jobuxhetore, vetëm sa i kanë shtuar detyrimet e papaguara. Ndërmarrjet jobuxhetore, ku peshën më të madhe e kanë ujësjellësit që janë nën administrimin e bashkive, kanë shtuar faturat e papaguara nga 3 miliardë në vitin 2014 në 9 miliardë më 2018.

Borxhet e ndërmarrjeve publike ishin në masën 5 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro në nisjen e reformës, por ato u morën përsipër në masë të gjerë nga buxheti i shtetit, me shpresë se disiplina financiare do të forcohej dhe këto ndërmarrje do të paguanin faturat e veta. Pas shlyerjes së pjesshme nga qeveria, borxhet e këtyre ndërmarrjeve ndaj OSHEE ranë në 3 miliardë lekë. Që nga ajo ditë, faturat e papaguara janë shtuar me mbi 2 miliardë lekë në vit për të arritur në gusht 2018 në një nivel gati dy herë më të lartë nga sa ishin para fillimit të reformës.

Edhe institucionet buxhetore, ndaj të cilave janë ndërmarrë herë pas here masa për të imponuar disiplinë financiare, kanë shtuar në mënyrë konstante faturat e papaguara ndaj OSHEE. Në gusht, totali i detyrimeve të tyre ishte 2.9 miliardë lekë.

Rritja e faturave të papaguara të sektorit publik ka qenë edhe më e lartë se sa rënia e faturave të papaguara të konsumatorëve familjarë. Nga ana tjetër, borxhet e sektorit privat kanë mbetur në nivel të njëjtë me katër vjet më parë.

Në krahasim me dhjetorin 2015, borxhet e paarkëtuara të OSHEE janë rritur me 34 milionë euro në total, ku familjarët kanë ulur detyrimet me 28 milionë euro ndërsa ndërmarrjet jobuxhetore kanë akumuluar borxhe të reja prej 49 milionë eurosh./ Burimi: BIRN


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.