OPINION

Pas Bularatit, ushtarët grekë duhet të përcillen në atdhe

07:25 - 05.11.18 Mujë Buçpapaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ngjarja e Bulararit, ku një i vetëquajtur “ushtar i Vorio Epirit” u ekzekutua ndërsa sulmoi pa asnjë shkak Policinë e Shtetit shqiptar, ka risjellë në vëmendje pasojat që mund të ketë në të ardhmen ekzistenca e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në jug të vendit gjatë luftës së largët italo-greke.




Në fakt, qysh kur marrëveshja ndërshtetërore Shqipëri-Greqi i jepte të drejtën shtetit helen të ndërtonte në mënyrë provokuese varreza kolektive në tokën shqiptare, e kemi kundërshtuar atë si një praktikë që vinte në kundërshtim me historinë, me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat që kanë rregulluar në të kaluarën çështjen e ushtarëve të rënë në luftërat botërore.

Një praktikë e paparë që vinte në kundërshtim me marrëdhëniet aspak miqësore mes dy vendeve, për shkak të ruajtjes së ligjit absurd të luftës nga Greqia, të pretendimeve territoriale të Greqisë dhe kërcënimeve të vazhdueshme, përfshirë edhe ato të ministrit aktual të Mbrojtjes, i cili nuk lë rast pa përmendur, sipas tij, “superioritetin ushtarak të Greqisë”.

Nuk ka dyshim që pranimi i ndërtimit të varrezave të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë nga qeveritë shqiptare nuk kishte për qëllim poshtërimin e Shqipërisë dhe dhënien e një argumenti ekstremistëve grekë për të kërkuar piramida të reja aty ku janë varrezat, por ndenja humane për të rënët kushdo qofshin ata, një gjest që shprehte në fund të fundit pafajësinë e Shqipërisë në atë konflikt italo-grek dhe idenë për të shikuar nga e ardhmja e përbashkët euroatlantike, por tani gjërat duken krejt ndryshe, të cilat e bëjnë pranimin e asaj marrëveshjeje të padrejtë dhe kërcënuese për sigurinë dhe sovranitetin e vendit.

Është krejt e qartë se në Greqi asnjëherë nuk do të gjendet një klimë miqësore ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë, por të paktën dy shtetet që përpiqen të ndërtojnë një politikë me orientim pro europian nuk duhet t’u japin shkas ekstremistëve grekë si në rastin e Bularatit që të kapin pushkët dhe të mësyjnë policinë shqiptare, duke pasur si pretekst, apo shfrytëzuar ceremonitë për “nderimet për ushtarët e rënë”.

Zgjidhja më e mirë në këtë rast do të ishte shfuqizimi i marrëveshjes që lejoi ndërtimin e varrezave dhe nisjen e procedurave të nderimeve të fundit të ushtarëve grekë të rënë në një luftë të verbër, duke i zhvarrosur dhe çuar në atdheun e tyre, të atyre fatkeqëve të rënë në një konflikt të ashpër, që përveçse është zhvilluar në tokën shqiptare, nuk ka asnjë lidhje me shtetin shqiptar, as atë të kohës së mbretërisë të shfuqizuar nga pushtimi fashist, por edhe as me shtetin aktual shqiptar.

Nderimi i fundit që do të duhej t’u bëhej atyre viktimave të luftës italo-greke do të ishte që me dinjitet dhe mëshirë të arkivoheshin dhe të përcilleshin në atdheun e tyre, ashtu siç parashikohet në rrugë portokollare dhe praktikës ndërkombëtare me një komision trepalësh Shqipëri-Itali-Greqi, si dhe vëzhgimin e afërt të SHBA-ve, duke u thënë se sa herë që do të vini në këtë tokë, do t’i merrni siç shprehet Kadare tek “Gjenerali”, në thasë najloni.

Kjo gjë do ta çlironte tokën shqiptare nga një “faj” që nuk ka pse e mban, do ta çlironte nga ankthi dhe mitet mjerane të vorio-epirotëve, ndërsa qeveritë nga incidentet e panevojshme për çdo 28 tetor. Tek e fundja, nuk do t’u linte brezave të ardhshëm një konflikt të hapur.

Ekspertët e dinë se në nivel ndërkombëtar, të gjitha çështjet e ushtarëve të rënë në Luftën e Dytë Botërore janë mbyllur dhe ushtarakët e rënë janë përcjellë në vendin e origjinës, pavarësisht se ku kanë humbur jetën, ta zëmë si ushtarët grekë në vetminë e luftës dhe frikën që i ka përcjellë në momentin e fundit, ndërsa kanë parë për herë të mbarme tokën e huaj dhe malet e ashpra të Shqipërisë.

Ka qenë dashakeqësia, pafuqia dhe frika që Greqia ka ndaj shtetit italian që ndërsa ndaj Romës sillet si pulë, ndaj Shqipërisë ka mbajtur për gati 80 vjet në këmbë ligjin e luftës, kërcënime, provokacione dhe të tjera shantazhe të përhershme, që nuk e nderojnë shtetin fqinj grek.

Nuk ka dyshim që qeveria e zotit Cipras ka pasur një politikë me mirëkuptuese me Shqipërinë dhe siç thotë Pangollos, e ka kuptuar se konflikti me Shqipërinë dhe fqinjët veriorë në tërësi e çon vendin helen në izolim dhe armiqësi rrethore, prej së cilës humbet vetëm Greqia.

Por siç duket, grupet ekstremiste në atë vend që nuk mund të jetojnë pa konflikte dhe armiqësi me shqiptarët janë duke i fryrë zjarrit të urrejtjes dhe spekuluar me një veprim rutinë të policisë shqiptare si të çdo policie tjetër në botë, kur një person, kushdo qoftë ai, kërcënon jetën, pasurinë, rendin publik dhe ekzistencën e qytetarëve të tjerë, aq më tepër kur kap armët edhe ndaj Policisë së Shtetit, siç bëri greko-shqiptari.

Ishte e lodhshme, raskapitëse dhe dëshpëruese konspiracioni grek për ta përfshirë policinë shqiptare në një konflikt dhe krim me motive etnike ndaj një qytetari shqiptaro-grek.

Vetëm pasi dolën videot nga qytetarë të rastësishëm në vendngjarje, por edhe ato të regjistruara nga polica gjatë aksionit, kushdo u bind që policia shqiptare veproi si forcë e përgjegjshme profesionale, se policia shqiptare kishte konsumuar të gjitha përpjekjet e saj të parashikuara në ligj për të ndaluar, çarmatosur dhe neutralizuar paqësisht një njeri që kishte deklaruar disa ditë më parë në rrjetet sociale se ishte “ushtar i Vorio-Epririt”, “ja vdekje, ja Greqi”, etj.

Nëse në çdo shtet krimi dhe kriminelët nuk kanë etni, disa të mjerë në mediat greke apo qarqe të falimentuara si mbeturina të megalo-idesë, akoma vijojnë të gjejnë shkaqe për një frymëzim të ri antishqiptar, siç duket për të penguar marrëveshjen e re ndërshtetërore, që do të çonte siç janë shprehur zyrtarët grekë, “në heqjen e ligjit të luftës më Shqipërinë”. Kjo histeri e radhës ishte një tjetër turp i atyre që e bënë.

Askush në Shqipëri nuk ka ndezur histeri antigreke edhe kur në burgjet e Greqisë janë ekzekutuar qytetarë shqiptarë që vuanin dënimet në këtë shtet, edhe kur shqiptarë si Gramoz Palushi është vrarë vetëm pse ka festuar me flamurin kombëtar shqiptar për të kremtuar si çdo tifoz në botë fitoren e vendit të tij në një ndeshje futbolli, ndërsa përpiqen të gjejnë nacionalizmin në shtetin shqiptar.

Askush në Shqipëri nuk e ka ngatërruar, as nuk e ngatërron një minoritar grek kriminel, apo terrorist me gjithë komunitetin grek në Shqipëri. Për mendimin tim, me përjashtime të rralla, ata janë qytetarë besnikë të shtetit dhe shoqërisë sonë dhe janë integruar pa komplekse dhe pa paragjykime në jetën shqiptare.

Në fakt, për të vetmen gjë që nuk duhet ta akuzojë askush shtetin shqiptar historikisht, por as edhe shtetin aktual është nacionalizimi, biles as patriotizmi.

Gjatë shtetit komunist izolimi i vetëkërkuar i diktatorit Hoxha e kishte mbyllur vendin në luftën e brendshme për pushtet dhe eliminimin e armiqve të revolucionit dhe megjithëse zotëronte një arsenal ushtarak për të luftuar edhe me NATO-n, ai nuk shpenzoi asgjë, as ideologji, as armë dhe as para për të destabilizuar Greqinë dhe as ndonjë vend tjetër të rajonit. Biles, edhe bunkerët e famshëm i pati ndërtuar si një infrastrukturë mbrojtëse.

Shteti shqiptar demokratik gjatë 30 viteve të fundit, pavarësisht qeverive dhe ngjyrimeve politike, ka bërë çdo përpjekje për të ndërtuar marrëdhënie të mira me Greqinë, ndërsa ka gjetur atje politikën e kërcënimeve dhe ujdive poshtëruese të imponuara me gjakftohtësi Shqipërisë.

Ndihma greke ka qenë permanente për hyrjen e Shqipërisë në NATO apo liberalizmin e vizave në zonën Shengen, por kjo ndihmë nuk ishte siç duhet të në vërtetë të jetë ndihma që vjen nga një fqinj i vogël mijëravjeçar, por si një shtet armik, që përftoi nga pozita e palakmueshme e Shqipërisë në fillim të viteve 1990 dhe pastaj nga etja e Shqipërisë për të siguruar integrimin saj në NATO dhe BE, duke kërkuar favore poshtëruese për çdo ndihmë të dhënë, ndryshe nga Italia fqinje dhe sidomos nga partneri ynë strategjik SHBA-të, të cilat ndihmën e dhënë e lidhën vetëm me demokracinë dhe forcimin e saj.

Si rregull, Greqia duhet të ishte aleati dhe vendi më i afërt me Shqipërinë për njëmijë arsye që dihen, por politika që bën Athina ia imponon Shqipërisë që në politikën rajonale të afrohet me Turqinë, jo thjesht për arsye fetare siç i intereson dikujt ta vlerësojë, por vetëm strategjike.

Ministri aktual i Mbrojtjes, Kamenos, disa herë gjatë viteve të fundit është parë në kufirin jugor të Shqipërisë të bëjë deklarata kërcënuese ndaj Shqipërisë, duke dëshmuar sipas tij “supremacinë ushtarake” apo “ekonomike të Greqisë ndaj Shqipërisë”. Kjo është e pafalshme dhe sjell menjëherë reagimin e aleatëve ushtarakë të Shqipërisë si Turqia, ku një këshilltar Erdoganit deklaroi edhe këto ditë se “për tre-katër orë Turqia mbaron punë me Greqinë”, duke bërë edhe ky përshkrimin e potencialit superior ushtarak të vendit të tij ndaj Greqisë.

Shqiptarët kanë aleat strategjik SHBA-të dhe kaq mjafton për të kërcënuar çdo armik që sheh ëndrra vorio-epirote ndaj vendit të shqiponjave, pa llogaritur forcën shkatërruese të Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon ndaj çdo agresori real apo imagjinar, si dhe rreth 3 milionë shqiptarëve që jetojnë në Greqi (pa llogaritur 1 milion emigrantë ekonomikë shqiptarë) të cilët mund ta destabilizojnë vendin helen sa herë që të dojë Tirana.

Nuk është thjesht deklarata e babait të të ndjerit në Bularat, që pohoi për mediat greke se i biri ra si ushtar i Vorio-Epirit, që ai dëshironte ta bashkonte me Greqinë, por edhe shumë të tjerë në Greqi, përshirë edhe intelektualë të njohur që i kam takuar në konferenca ndërkombëtare, që mendojnë se kufijtë Shqipëri-Greqi nuk janë zgjidhur akoma!

Por, a mundet që incidenti tragjik i Bularatit të ishte një prove? Ka shumë mundësi.

Ka shumë gjasa që kërkesa për rishqyrtimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë të këtë nxitur ekstremistët grekë që të krijojnë një platformë të njëkohshme për rishikime në jug.

Në këto rrethana, shtetit shqiptar i rekomandojmë:

  1. Të anulojë marrëveshjen e varrezave, të rizhvarrosë dhe të përcjellë ushtarët grekë në atdheun e tyre, sipas protokollit ndërkombëtar dhe praktikës ndërkombëtare, të ndjekura pas dy luftërave të fundit botërore.

Është shumë më e mirë për të dyja shtetet ta zgjidhin këtë problem, qoftë edhe përmes mosmarrëveshjes se sa çdo vit të gjenden para provokacioneve që janë në gjendje jo vetëm të shkatërrojnë marrëdhëniet shqiptaro-greke, por edhe të nxisin një luftë të re midis vendeve.

  1. T’i bëhet e qartë Greqisë, se Shqipëria do të shpallë të paligjshme paratë e dhëna, donacionet dhe investimet sekrete nga shteti grek për qëllime asimilimi, fetare, etnike etj., tek të ashtuquajturit homogjenë, vorio-epirotë etj., për rekrutim individësh, mediash, politikanësh dhe rretheve mediatike me ndikim, që shkojnë në favor të helenizimit të vendit.
  2. Të detyrojë me ligj Kishën Autoqefale Ortodokse Shqiptare të kryejë të gjitha predikimet fetare në gjuhen shqipe. Po kështu, edhe për komunitetet e tjera fetare. Në këtë mënyrë zgjidhet edhe çështja e kreut të kishës Autoqefale Shqiptare, i cili ka refuzuar prej gati 30 vitesh që është në këtë post, gjuhën shqipe dhe përdorimin e saj, edhe pse përdorimi i shqipes është detyrim i sanksionuar në aktin e saj themeltar nga Fan Noli.

 

  1. Të ngrijë çdo marrëveshje me Greqinë, përfshirë edhe atë të detit, pa hequr ligjin e luftës me Shqipërinë.

5.Te përpiqet që me dialog të dyanshëm, të arrijë një marrëveshje të re të partneritetit strategjik, e cila të ketë në thelb partneritetin reciprok dhe dinjitetin e secilit shtet dhe shoqërive përkatëse, duke shprehur vullnetin për fqinjësi të mirë dhe vlera të përbashkëta euro-atlantike.

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përgëzime autorit për analizën e sotme. Është me nerv, me logjikë. Por kolegut të shumëvlershëm, në një përpjekje opozitare të tijën(vërtet, me cilët?) nuk i shkon sot, e për këtë temë, të fajësojë … izolimin “e vetëkërkuar të diktatorit”.
    Autori duhet ta dijë, se ai “diktatori i poshtër”, qysh në fillimvitet e 80-ta, kur ia kërkuan varrezat, ai ua dha hartën e varreve me numër, në çdo fshat e qytet të Shqipërisë. Dhe bëhej fjalë, për fiks 2500 ushtarë grekë të vrarë nga italianët në Luftën e Dytë Botërore. Asnjë më pak, e asnjë më tepër. Dhe i tha palës tjetër, se…. “Ju do të keni të njëjtin bashkëpunim që patën edhe italianët me ne, për këtë punë. Madje, do t`i përcjellim me nderime deri në Kakavi”.
    Por grekërit, nuk nxitohen zakonisht. Ata pritën me durimin e “kristianit të mirë”, sa të vdiste ai “diktatori i poshtër”, madje derisa të vdiste edhe ai “i poshtri që zëvendësoi diktatorin” dhe… Me vulën e shtetit shqiptar, miratoi varreza për…plot 12.500 skelete. Tani, se ku do t`i gjejnë, ata e dinë. Dhe e dinë mirë, pasi ka plot varreza shqiptarësh në Shqipëri. Në të gjithë trekëndëshin: Kosinë-Vlorë-Tropojë.
    Ashtu siç nuk mund të fajësojmë grekërit se na blekan ne me para, kur jemi ne ata që shitemi.
    Ashtu siç nuk mund të fajësojmë kishën (jo)shqiptare ortodokse, se për çfarë arsyeje zoti Janullatos, kurdo që të ndërrojë jetë(Jetë Pastë!), do të “përcillet” me flamurin grek, e me nderime shtetërore greke, kuptohet, në tokën shqiptare. Thjesht, sepse ai veç të tjerash, është Shtetas Shqiptar, me vulën e këtij shteti.

    Përgjigju ↓
  2. Z. Mujë përgëzimet e mia më të sinqerta. Një thirrje e fortë, serioze, e paanshme dhe e domosdoshme për tu mbajtur parasysh nga shteti Shqiptar. Nuk jemi as për luftë, as për të mbajtur pushkët të ngrehura, as për të treguar trimëri.Jemi vërtet tolerantë, por jo të nënështruar, as e kemi dhe as e ndjejmë veten inferiorë, kushdo që kërkon të bashkëpunojë me ne, duhet të ketë të qartë se është i mirëpritur, i mirëkuptuar, por mos ti shkojë mendja se mundet të na poshtërojnë, apo të na nënvleftësojnë.
    Ne shkruajmë dhe flasim me kujdes, mes rreshtave të shkrimeve tona, është mirë që të tjerët, kushdo qofshin, të arrijnë të kuptojnë se sa tolerantë jemi, dhe më e rëndësishmja ata të kuptojnë se toleranca e jonë brenda saj ka respektin për njerëzit, dëshirën që të mos i prekim në sedër të tjerët edhe kur ata gabojnë, ne u a themi me kujdes, që ata të korigjohen dhe të marrin kthesat e duhura.
    Por ja që bdodh që të gjitha këto nuk kuptohen. Ne, vërtetet bëjmë lëshime, por ja që nuk kuptohemi si duhet, tolerancat, lëshimet (jo bazike) na i marrin për dobësi, gjoja se i “lëpihemi” dikuj.
    Është fatkeqësi për fqinjët kur nivelin e lartë të ndjeshmërisë njerëzore dhe ndërgjegjen kombëtare që ka populli ynë, ata na e marrin për dobësi, duke e konvertuar me frikën. Ne u a kemi thënë dhe stërthënë ndërshekuj se frika tek ne nuk ka ekzistuar, ajo nuk ka shans të hyjë në kufijt e shtetit Shqiptar.
    E keqja tek fqinjët është se edhe shtetarët e tyre flasin për marrëdhënie fqinjësore etj, por realisht ata nuk kanë qenë dhe as janë seriozë. Ata me veprimet e tyre ndërhyjnë edhe hajdutesh për të na destabilizuar dhe ka raste që e kanë realizuar. Por kur ne kuptojmë se po shkohet në greminë, atëherë i madh i vogël mobilizohemi dhe, si dikur e përherë, hedhim guna për mbi tela, grykat e maleve dhe dallgët e detit oshëtijnë si vetëtima ku godasin errësirat dhe sjellin dritën e lirisë. Këtë mirë është të mos e harrojnë ata që mendojnë se janë “më të fortë”. Fortësia është e pa matshme tek ne kur atë e kërkon Atdheun dhe Populli ynë.
    Respekte dhe falenderime

    Arbëror Epiroti. 05.11.2018

    Përgjigju ↓