Intervista

Vlera Lekaj: Si të parandaloni sulmet në zemër dhe infarktin

16:50 - 05.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Jo pak persona në ditët e sotme shfaqin shqetësime me rrahjet e zemrës, çka rrit mundësinë për formim trombesh e si pasojë edhe për të kaluar infarkt. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjekja patologe, Vlera Lekaj tregon disa prej trajtimeve që duhet të përdorin pacientët që kanë çrregullime të tilla, me qëllim shpëtimin e jetës. Më tej mjekja thekson se në mënyrë absolute nuk mund të ndërpritet medikamenti pa sugjerimin apo këshillën e mjekut. Gjithashtu, Lekaj shton se Warfarina është një tjetër antikoagulant i rëndësishëm në praktikën klinike për të mbrojtur nga formimi i trombeve. Ky medikament inhibon veprimin e enzimave që përdorin vitaminën K për prodhimin e faktorëve të koagulimit, duke ndërhyrë kështu në procesin e koagulimit dhe si pasojë duke e zgjatur atë.




Çfarë janë antikoagulantët?
Antikoagulantët përfaqësojnë një klasë të rëndësishme medikamentoze, e cila shërben për një mision thelbësor në ndalimin e formimit të trombeve në qarkullimin e gjakut. Një nga emrat më të rinj në treg dhe më të lakuar është dhe Rivaroxaban, i njohur ndryshe si Xarelto. Rivaroxaban përfshihet në atë grup antikoagulantësh të quajtur inhibitorë të faktorit Xa të koagulimit. Nëpërmjet inhibimit të këtij faktori të rëndësishëm në procesin e koagulimit të gjakut, ky lloj antikoagulanti ul drejtpërdrejt në këtë mënyrë aftësinë koaguluese të gjakut.

Ku përdoret ky lloj medikamenti?
Përdorimi i tij është kryesisht i përqendruar për rastet e trajtimit të trombozave venoze si dhe embolive pulmonare, si dhe ka një funksion të rëndësishëm parandalues të infarktit akut në pacientët, të cilët vuajnë nga fibrilacioni atrial. Te këta pacientë në të cilët si pasojë e rrahjeve të çrregullta të zemrës, rritet mundësia për formim trombesh dhe si pasojë për të kaluar infarkt.

Sa është doza e përcaktuar e barnave për trajtimin e trombozave venoze?
Doza ditore e këtij medikamenti varion në 2 herë në ditë për 21 ditë në rastet e trajtimit të trombozave venoze dhe embolive pulmonare dhe më pas kalon në një doze të vetme ditore. Si dhe në rastet e parandalimit të infarkteve në pacientët me fibrilacion atrial përdoret një dozë e vetme ditore, me vaktin e darkës rekomandohet zakonisht. Marrja e Rivaroxaban duhet të jetë e rregullt dhe në të njëjtin orar të ditës, duke ndjekur këshillat e dhëna nga mjeku.

Kur është e këshillueshme ndërprerja e medikamentit?
Një vëmendje e veçantë u këshillohet pacientëve nga mjekët për mosndërprerjen në mënyrë absolute të këtij medikamenti pa sugjerimin apo këshillën e mjekut. Medikamenti duhet të vazhdohet edhe nëse ndjeheni mirë si dhe në rast ndërprerjeje të rivaroxaban për një arsye ose tjetër siç mund të jetë një efekt anësor i mundshëm i tij me epistaksis (hemorragji nga hunda) apo një vend tjetër hemorragjie, atëherë duhet të zëvendësohet me një anticoagulant tjetër. Te mjeku i familjes, diagnoza e fibrilacionit atrial është ndër më të shpeshtat dhe përfaqëson një nga sëmundjet kronike me incidencë të lartë në popullatë, ku më të prekurit janë mosha e mesme dhe të moshuar. Ndërsa marrja e rivaroxaban është e indikuar vetëm në raste të rrezikshme. Sigurisht, tek pacientët të cilët krahas diagnozës bazë, kanë edhe sëmundje të tjera shoqëruese si insuficience kardiake, diabet mellitus, ishemi cerebrale është një kuadër alarmues, që kërkon ndërhyrjen me këtë medikament të fuqishëm në parandalimin e formimit të trombeve.

Si mund të parandalohet formimi i trombeve?
Përpara se të prezantoj një studim të kohëve të fundit që tregon epërsinë e xareltos në raport me antikoagulantët e tjerë, do të flas pak për barin Warfarinë. Warfarina është një tjetër anticoagulant i rëndësishëm në praktikën klinike për të mbrojtur nga formimi i trombeve. Warfarina inhibon veprimin e enzimave që përdorin vitaminën K për prodhimin e faktorëve të koagulimit, duke ndërhyrë kështu në procesin e koagulimit dhe si pasojë duke e zgjatur atë.

Çfarë u konstatua në studim?
Në studimin retrospektiv në popullatë reale krahasohet incidenca e hemorragjive gastro-intestinale në pacientët e trajtuar me antikoagulantë që nuk janë antagonist të vitaminës K dhe Warfarinës.

Ku në rastin e parë u regjistruan vetëm 5 pacientë me hemorragji madhore, ndërsa në rastin e dytë u regjistruan 158 raste. Si dhe gjatë hospitalizimit 90-ditor të pacientëve, 12 pacientë në grupin e Warfarinës vdiqën dhe 2 pësuan trombozë të venave të thella, ndërsa në grupin e antikoagulantëve jo antagonistë të vitaminës K nuk pati asnjë rast vdekjeje, aksidente cerebro-vaskulare, apo tromboza te venave të thella. Studimi tregon ndjeshëm epërsinë e antikoagulantëve joantagonist të vitaminës K, ku Xarelto është një nga përfaqësuesit e këtij grupi. Sigurisht është një nga zhvillimet më të mëdha në mjekësi dhe në farmaceutikë dalja në treg e një medikamenti të tillë. Një medikament me efekte anësore të rralla, i cili parandalon rrezikun e infarktit te të sëmurët me fibrilacion arterial, duke shpëtuar çdo ditë një jetë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.