AKTUALITET

Ekskluzive/ Meidani: Mosbashkëpunimi solli krizën mes Ramës e Metës

09:30 - 06.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-Presidenti socialist, Rexhep Meidani gjatë viteve 1997-2002 ia lë fajin mungesës së dialogut mes dy krerëve të shtetit krizën politike dhe institucionale që është krijuar së fundmi nga mosdekretimi i ministrit të ri të Brend-shëm. Për “Gazeta Shqiptare” ai ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend dhe në mënyrë të veçantë konfliktin e krijuar mes presidentit dhe kryeministrit, duke theksuar se ngërçi ka ardhur si pasojë e mungesës së diskutimeve paraprake mes tyre. Ai u shpreh se gjatë presidencës së tij procedohej ndryshe nga tani, ku kryeministri para se të bënte një propozim konkret, siç është edhe rasti i tanishëm, diskutonte paraprakisht me presidentin. Kjo mënyrë thekson Meidani arrinte që të shmangte konflikte apo kriza të tilla. “Praktika e mëparshme edhe gjatë kohës që unë isha në Presidencë ka qenë që bashkëbisedohej përpara se të niseshin letrat zyrtarisht.




Pra, bashkëbisedohej mes presidentit dhe kryeministrit paraprakisht për të sheshuar mosmarrëveshjet që mund të kishin dhe pastaj procedohej me propozim. Prandaj dhe nuk kishte probleme dhe konflikte të të kësaj natyre”, – u shpreh ish-Presidenti, Rexhep Meidani. Kur bëhet fjalë për zgjidhjen që mund të ketë situata aktuale, ai shprehet skeptik, pasi Gjykata Kushtetuese që mund të përcaktonte se kush ka të drejtë është jashtë funksionit për shkak se aktualisht ka vetëm 2 anëtarë. “Tani nuk e di si zgjidhet kjo situatë se ne nuk kemi as Gjykatë Kushtetuese”, shtoi Meidani. Në fakt, kryeministri Edi Rama, si në mesazhin që u nisi deputetëve ditën e shtunë, fill pas publikimit të vendimit për mosdekretimin e Sandër Lleshit, ashtu edhe dje gjatë mbledhjes së grupit foli për shkelje të Kushtetutës dhe një konflikt i tillë për marrje kompetencash mund të zgjidhej vetëm nga Gjykata Kushtetuese.

Ndaj nisur nga mungesa e saj, mazhoranca ka vendosur që të procedojë me një zgjidhje, ekskluziviteti i së cilës i takon ish-kryeministrit Fatos Nano, pra qeverisja me zëvendësministra. Por ndryshe nga Nano që problemin e kishte me një pjesë të deputetëve të vet që në atë kohë udhëhiqeshin nga Meta dhe që nuk votonin propozimet e ministrave të rinj në parlament, Rama problemin e ka po me Metën, por kësaj herë në pozicionin e kreut të shtetit. 10 ditë më parë kryeministri pasi kishte pranuar dorëheqjen e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, i çoi menjëherë Presidentit të Republikës emrin e Sandër Lleshit si zëvendësues të tij. Por ndërsa propozimin për shkarkimin e Xhafajt, Meta e firmosi menjëherë, atë për emërimin e Lleshit e la pezull. Ai shfrytëzoi gjithë afatin 7 ditor që i lejon Kushtetuta për të shpallur për herë të parë në historinë e Presidencës shqiptare, mosdekretimin e një ministri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.