OPINION

Dy “alvanosët”, një ngjarje e letrarizuar

09:53 - 07.11.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para se t’ju tregoj se çfarë ndodhi në kufirin grek, disa vjet më parë me dy “alvanosët nga veriu i Shqipërisë, që ishin nisur për një jetë më të mirë në shtetin grek, që ishin futur në burg e më pas ishin arratisur … dhe që u ekzekutuan si Kaçilla, dy kilometra larg kufirit të atdheut amë.




Çfarë ndodhi në tokën shqiptare, në fshatin Bularat, pikërisht dy kilometra larg kufirit grek? Ishte dita e çlirimit të Greqisë. Kjo ditë përkujtimore festohej nën flamujt e shumtë të shtetit grek në fshatin shqiptar, madje dhe duke inauguruar një varrezë të ngritur artificialisht, për viktimat e ushtrisë greke në tokën tonë gjatë luftës italo-greke. Së pari, e që kjo gjë ka kaluar jashtë vëmendjes së mediave, në lidhje me këtë varrezë të çuditshme, lindin shumë pikëpyetje: Pse qeveria greke nuk i strehon dëshmorët e vet në tokën e saj, përjetësisht, por i lë jashtë atdheut të vet, në tokën e shtetit fqinj. Këtë problem e lëmë të rëndojë mbi ndërgjegjen e qeverisë greke, e cila mendoj se ka lidhje më tepër me dinakërinë greke. Ajo që më shqetëson mua e që i shqetëson të gjithë, është qëndrimi ynë dinjitoz përpara fqinjit, por edhe përpara ligjit. Çdo qeveri e ka për detyrë të ruaj qetësinë, brenda shtetit të vet dhe të ruajë fqinjësinë e mirë me shtetin fqinj. Rasti i fundit, vrasja e shtetasit shqiptar Kacilla, me kombësi greke, në tokën shqiptare, e cila pritet me protesta të nacionalistëve grekë në Greqi…tregon më së miri se si shteti grek e për më tepër nacionalizmi grek nuk e vlerëson këtë parim reciprociteti. Le t’u kujtojmë nacionalistëve grekë sa të vrarë “alvanosë“ ka pasur në këto dy-tri dekada në tokën greke dhe pse nacionalizmi shqiptar ka heshtur ndaj këtyre rasteve. Pse kur ligji dhe policia shqiptare vepron në tokën e saj dhe ekzekuton një person që i kthen armën policisë shqiptare nacionlizmi grek nis të turfullojë.

A nuk ishin bij nënash dhe shqiptarët e masakruar në Greqi”? A nuk kishin nëna që i prisnim me padurim të ktheheshin dhe Aleksi me Markun? A nuk janë bij nënash qindra e qindra shqiptarë që për hiç mosgjë lëngojnë në burgjet famëkeqe greke?

Ja historia e trishtë e dy “alvanosve”, e letrarizuar.

[i]

-Aleks, mos shko më tutje!

Në çast Hëna që e dëgjoi thirrjen e tij, nxori kokën nga një re e bardhë, shkëlqimtare dhe e brengosur. Ishte dita e 24 dhjetorit. Të nesërmen ishte festa e krishtlindjeve, e cila festohej jo vetëm në gjithë Greqinë, por edhe në burgun e Korifalosë të cilin e kishin lenë para dy ditësh. Dritat e shtëpive të fshatit kufitar qëndronin ndezur. Dy djemtë mirditorë kishin dy ditë që vërtiteshin pranë kufirit shqiptar.

Djalit nga Bulshari i Mirditës ca nga lodhja, ca nga tmerri dhe ca nga të ftohtit e mbrëmjes i ishte mpirë trupi. Djersa i ishte tharë por këpucët i ishin mbushur me ujë. Aleksi tri vjet më i vogël se Marku kishte një gjendje alarmi. Lehjet e largëta të qenve të policisë u jepnim fare pak siguri për të besuar se dhe ajo pak rrugë që u kishte mbetur nuk do të shkelej kurrë. Jo më shumë se pesëqind metra nga vendi ku ishin fshehur i priste me mall toka amtare.

Strategjia e përdorur e arratisjes, koha e aksionit, shpejtësia e lëvizjeve e të tjera detaje si këto ishin për policinë e burgut aq hipnotizuese sa që ata kishin mbetur me gisht në gojë. Nuk kishin armë me vete. Nuk kishin asgjë, përveç trupave të sfilitur. I mbante gjallë liria dhe malli për vendlindjen. Kishin hyrë në Greqi, para shtatë vjetëve, tre vjet kuturisje për të kapur ndonjë punë rrugëve e Athinës dhe katër vjet të tjera në burgun famëkeq të Korifallosë, nuk ishin pak për të kuptuar se vendi drejt të cilit ishin nisur me shpresë për të gjetur parajsën kishte qenë ferri i vërtetë.

Aleksi bëri disa hapa para, i ndriçuar nga drita e Hënës dhe u kthye sërish nënë pemët hijerënda. Te kodra përballë përdridhej vija kufitare. Kodra dukej si një gungë e zezë.

-Aleks, dëgjon gjë?

-Është zhurma e erës.

Markut iu kujtua rruga nga kishin ardhur. Po e njëjta kodër… lumë. Kishin kaluar një lumë, vetëm me brekë. Rrobat i kishin lidhur me rripin e pantallonave dhe i mbanin lart, në dorë, me dorën tjetër përpiqeshin të notonin. gjatë kalimit të lumit kujdeseshin dhe për Dedën, ish-kryetari i kooperativës së Sangut, që nuk dinte not.

Tani Hëna shkëlqimtare dhe e brengosur hidhte dritë mbi rrugën nga duhet të kalonin…Matanë kodrës ishte Shqipëria. Ishte një çast vendimtar…

I pari doli Marku, duke shkelur me hapa të rëndë e me shpejtësi mbi barishte dhe gjëmbaçët me lule ngjyrë manushaqe, pas tij vrapoi Aleksi

Vrapo Mark vrapo…Vrapo Aleks vrapo! Dy të rinjtë nga Mirëdita nuk ecnin po fluturonin. Ishte fluturimi i tyre i fundit. Në çast u lëshua në ajër një breshëri automatikësh…Trupat e të rinjve u lëkundën në erë…Më pas u bënë rrafsh me tokën dhe barin e njomë.

*   *   *

Kur dëgjon këtë histori të trishtë të dy shqiptarëve që u nisën një ditë të bukur në Greqi me shpresën për një jetë më të mirë dhe ranë viktimë të ligjeve të rrepta greke që zbatohen vetëm ndaj shqiptarëve, dy kilometra në kufi të shtetit amë askush nuk mund të mos përlotet. Mirëpo, ne mendojmë ashtu si gjithë të tjerët, se vrasja e tyre ishte pjesë e ligjit. Ekzekutimi i tyre në kufi të tokës amë ishte një zbatim i ligjeve të shteti grek, për këdo që shkel ligjin e më pas çan rrethimin me tela të burgjeve …Pra, kur vjen fjala për ligjin askush nuk mund t’i kundërvihet atij pasi kundërvënia përfundon me pasoja tragjike. Kështu ndodhi me dy shqiptarët në tokën greke dhe kështu ndodhi me shqiptarin e greqizuar në tokën shqiptare…Kur është fjala për të folur për nervozizëm dhe padrejtësi nga mediatgreke dhe nacionalizmi grek ne ju kujtojmë paralelet e tyre, ju kujtojmë vrasjet e shumë shqiptarëve të pafajshëm që kanë ndodhur në tokën helene…Para ligjit jemi të barabartë, të gjithë. Analizën më të bukur të këtij fenomeni e bëri vetë ish- ministri i Jashtëm i Greqisë, Pangallos, këto ditë, kur u prononcua para një televizioni grek duke thënë: kush ngre dorën kundër policisë duhet të vritet. Kështu ndodh kudo. Kështu ndodh në Amerikë. Kështu ndodh në Itali dhe në Greqi. Kështu ndodh në Francë dhe në Gjermani. Kjo ndodhi dhe në Shqipërinë fqinje, të dashur miqtë e mi, nacionalistë grekë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.