OPINION

E ardhmja e projektit europian dhe BE, në rrezik real

07:20 - 07.11.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projekti europian lindi si nevojë e domosdoshmëri për shtratimin e një të ardhmeje të sigurt të Europës. Dhe në fakt, e gjithë ecuria e tij deri më sot është histori suksesi, që e ka mbushur modelin europian me cilësi vlerash, duke e bërë atë aktualisht modelin për t’u ndjekur dhe për disa, për ta konkurruar, por edhe luftuar. Është e vërtetë që historia e evoluimit të tij që nga fillimi, përfshiu edhe një luftë të brendshme me euroskepticizmin, nacionalizmin dhe populizmin, por ai avancoi se kishte në themel sistemin e vlerave dhe mundësi e synime të qarta zhvillimi, modernizimi politik, ekonomik e social. Avancimi i tij solli më shumë paqe, bashkëpunim, tregues të lartë zhvillimi, siguri dhe standarde nga më të lartat, që e mundësuan atë realisht të fitonte mbi modelin komunist, që e konkurroi atë vendosmërisht. Njëlloj vetëkënaqësie, lodhje, konsumimi i klasës politike europiane e një ngurrim i hapur për të avancuar më tej ecurinë e projektit europian, krijoi mjaft terren për lëvizjen komplekse kundërvënëse ndaj projektit europian.




Sot evidentohet fakti se është forcuar një luftë nga brenda kundër së sotmes e së ardhmes së projektit europian. Kjo luftë nuk është rastësi, sepse ka qenë prezente që nga shtratimi i realizmit të këtij projekti ambicioz zhvillimi. Madje, vetë demokracia e brendshme u ka dhënë mundësi kundërvënësve të projektit europian. Kjo mundësi u shfrytëzua e ushqeu një proces zhvillimi, fuqizimi e trimërimi të nacionalizmit, populizmit e euroskepticizmit. Tashmë këta kundërshtarë janë zgjeruar e forcuar, aq sa po kërcënojnë hapur e rrezikshëm projektin europian dhe ardhmërinë e BE. 25 vjet më parë, përmes traktatit të Mastrihtit u krye kalimi nga Komuniteti Europian në Bashkimi Europian, që sanksionoi konvergjencën e vendeve anëtare për një bashkim politik e monetar dhe me futjen e një monedhe të përbashkët. Kontrata e nënshkruar më 7 shkurt 1992 hyri në fuqi më 1 nëntor 1993. Traktati i Mahstritit, që mori jetë në samitin e 12 krerëve të shteteve e qeverive anëtare më 9 dhjetor 1991, mbështetej në tri shtylla: shtylla e parë përfshinte komunitetin ekonomik europian të qymyrit e çelikut dhe atë të energjisë atomike. Shtylla e dytë lidhej me një politikë të përbashkët të jashtme e të sigurisë dhe shtylla e tretë përfshinte bashkëpunimin në punët e brendshme dhe të drejtësisë. Në shtyllën e parë vendimet u dakordësuan të merreshin me metodën mbikombëtare, kryesisht me shumicë të cilësuar dhe në të dy shtyllat e tjera, me vendime unanime. Gjithsesi, në Traktatin e Lisbonës në vitin 2009, kjo strukturë me tri shtylla u hoq. Traktati i Mastrihtit paraqiti dhe shtetësinë europiane, që ishte i lidhur me Traktatin e Romës të vitit 1957 dhe dokumentin e vitit 1986, duke krijuar kështu marrëveshjen e re: Traktatin mbi Bashkimin Europian. Ecuria dhe historia e këtij zhvillimi dëshmon për një problematikë konkrete, që u përballua me vullnetin për të ecur e parë përpara, ku konceptet e pozicionet skeptike e nacionalisto sovraniste ndikuan dukshëm në cilësinë e përmbajtjes së kësaj marrëveshjeje historike. Gjithsesi, marrëveshja ishte triumf i europianizimit dhe integrimit europian të mbështetur në sistemin e vlerave. Realiteti i BE është një dëshmi e pamohueshme e një modeli zhvillimi në standarde nga më të lartat e arritura deri më sot. Megjithatë, ai ka grumbulluar një problematikë të mprehtë nga brenda vetes, kryesisht apo më shumë nga fakti i futjes në një cikël vegjetimi, që ka penguar ecjen përpara të tij. Krijimi i organizmave mbikombëtare, mbështetur në teorinë mbi shtetin e së drejtën, u vlerësua si një hap avancimi i projektit europian, që rezultoi një veprim apo kompromis gjysmak, një zgjidhje, që synonte të shpëtonte më shumë projektin, thelbin e tij, se sa ta avanconte atë. Në njëfarë kuptimi, ky hap tregoi se klasa politike europiane nuk arriti të ngrihej në nivelin e vizionit të krijuesve të projektit europian. Mosmiratimi i Kushtetutës europiane ishte një dështim i rëndësishëm i radhës.

Projekti europian, siç dëshmoi edhe ecuria e tij e derisotme, nuk është një utopi e radhës, as një dëshirë subjektive, por një vizion i ndërtuar e mbështetur në koncepte shkencore. Ai ishte një përgjigje e nevojës historike për ta modernizuar modelin perëndimor të zhvillimit, të diskretituar keqas me nazizmin e fashizmin e jo vetëm me krizën apo depresionin e madh të viteve ‘30, të shekullit të kaluar. Zgjidhja e kryer me krijimin e organizmave mbikombëtare, krahas shteteve kombe, kishte brenda një kontradiktë konkrete, apo që krijoi një realitet të ekzistencës së dy pushteteve. Ky realitet ka funksionuar mbi kontradiktën e brendshme mes strukturave të BE-së, që shpesh thirreshin si burokracia europiane dhe shteteve kombe. Sot është në zhvillim një kontradiktë mes qeverisë italiane dhe strukturave të Brukselit, lidhur me nivelin e lartë të borxhit, që parashikon edhe kërkesës së Brukselit për respektimin e rregullave të vendosura e miratuara, por edhe një tjetër, që lidhet me defektet e shfaqura në zhvillimin e demokracisë funksionale dhe sundimin e ligjit në disa vende anëtare të BE, ish-vende të kampit socialist. Po kështu, një kontradiktë tjetër është ajo që lidhet me respektimin e sistemit të vlerave në zgjidhjen e problemeve të lindura nga kriza e refugjatëve, apo rreth çështjes së pranimit të kuotave konkrete, të menduara, pa harruar edhe një problematikë konkrete në trajtimin e fenomenit “brexit”, apo të përmbylljes së tij, sidomos të problemit mjaft të mprehtë për çështjen mes thellimit dhe zgjerimit të BE. Gjithsesi, deri më sot hap pozitiv ka qenë orientimi në vendimmarrjen kolektive nga sistemi i vlerave dhe interesat e përbashkëta si BE, por problemet kanë hyrë në udhën e shumimit të tyre, që e kanë bërë dhe po e bëjnë shumë të mprehtë problemin ekzistencial apo të së ardhmes së BE e të vetë projektit europian. Fenomeni i rënies së peshës e rolit të partive tradicionale, mbështetëse të fuqishme të projektit europian, shoqëruar me rritjen e dallgëve të nacionalizmit e sovranizmit, të rritjes së presionit të interesave të shtetit komb ndaj sistemit të vlerave e ecurisë së projektit europian, ka dëmtuar rëndë kohezionin e brendshëm të BE, po kërcënon vendimmarrjen kolektive, apo që ka vështirësuar seriozisht e realisht  këtë formë vendimmarrje, duke e shfaqur BE më shumë të fragmentizuar se sa të unisuar e të bashkuar.

Jo rastësisht, po kthehet koka në formate të tipit “Vishegrad”, apo të nostalgjive të vjetra të afinitetit, madje nuk kanë munguar edhe deklarime për bashkim të forcave nacionaliste brenda BE, që natyrisht drejtohet nga kundërvënia ndaj të sotmes e të ardhmes së BE. Një grindje reale mes SHBA dhe BE po ushqen dhe një grindje të brendshme të BE dhe jo vetëm për çështjet e sigurisë europiane. Nuk mund të mohohet një problematikë brenda BE, që evidenton më shumë ndasitë, që lidhen me çështjen e afinitetit ndaj sistemit të vlerave dhe kanë dobësuar shumë çështjen e ushqimit të integrimit, pavarësisht se fenomeni “exit”, tani për tani u ngurtësua vetëm me Britaninë e Madhe. Kjo situatë në fakt ka penguar seriozisht nevojën e një Europe të plotë, duke përfshirë edhe atë që njihet si Ballkani Perëndimor. Në vend të hapave vërtet të domosdoshme, po dëgjohen edhe zëra që shiten si opsione të kthimit prapa të formatit Komuniteti Europian apo i Tregut të Përbashkët Europian. Edhe një europianist i njohur si Busek, dorëzohet kur pohon se “Brukseli duhet të jetë më shumë partner, jo dikush që urdhëron”, “bëjeni këtë”, “plotësoni këtë” dhe duke kërcënuar me gisht. Busek duket se nuk mban parasysh se, strukturat e BE nuk po bëjnë më shumë se sa janë dakordësuar mes tyre vendet anëtare të BE, ndërsa disa vende apo qeveri duket që shkelin hapur vendimet e dakordësuara dhe sidomos sistemin e vlerave, që është bazamenti i BE dhe modelit perëndimor të zhvillimit. Problemi i vërtetë nuk është burokracia europiane, por ngecja e ngurrimi për ta çuar përpara dhe përmbyllur projektin europian. Në fakt, duket se është pjekur mjaft çështja: të jetë apo të mos jetë BE, të avancojë e të përmbyllet procesi i integrimit europian, apo të hiqet dorë prej tij? Po kështu, po bëhet tepër e mprehtë pyetja se, kush duhet e mund ta mbrojë projektin europian, të sotmen dhe të ardhmen e BE? Sot, nga kjo ndjeshmëri e problemit që kalon BE, evidentohet me të drejtë roli dhe kontributi i dalluar i Gjermanisë dhe Kancelares Merkel, në mbrojtje reale e efektive të projektit europian, sistemit të vlerave, të së sotmes e së ardhmes së BE. Roli i Merkelit i ka shërbyer kapërcimit të mjaft krizave e vështirësive reale, duke i kontribuar efektivisht stabilitetit europian dhe mbrojtjes së sistemit të vlerave, mbi të cilat qëndron dhe mund të qëndrojë BE. Roli e kontributi kompleks, praktik e ideor i  Merkel është i padiskutuar, siç do të jenë me vlerë mendësia e punës, argumentet, metodologjia e përdorur dhe idetë e propozimet e bëra prej saj. Mbrojtja e vendosur e sistemit të vlerave nga Merkel është kontribut me vlerë që do t’i shërbejë realisht lindjes së një përpjekjeje serioze, shumë të mirëpritur për mbrojtjen e projektit  europian dhe të BE.

Në këto kushte të njohjes së plotë të krizës së BE dhe përballimit të saj, merr një rëndësi të veçantë roli i klasave politike europiane, të cilat nevojitet të shkunden seriozisht, sa nuk është bërë tepër vonë. Është pjekur nevoja për një reflektim shumë serioz, që mundëson të kuptohet realiteti aktual, rreziqet e mëdha të një dështimi të mundshëm të projektit europian e të ardhmërisë së BE-së, për vetë popujt europianë, të ardhmen e Europës dhe më gjerë për stabilitetin e sigurinë në botë. Është koha për bashkim forcash e aleancë të fortë me shkencën e kërkimin shkencor, për të mundësuar edhe një njohje të plotë, por edhe për ndërtim të programeve shkencore, që avancojnë përsosjen e modelit perëndimor të zhvillimit e nuk lejojnë cenimin e degradimin e tij dhe jo për protagonizma individualë e hedhje shashkash për interesa individuale politike e afatshkurtra. Shikimi dhe ecja përpara është opsion e jo hapat prapa e dështimi i pranuar. Roli i klasave politike proeuropiane në këto kushte është i kuptueshëm, por nuk duhet harruar se pronar i vërtetë i projektit europian janë popujt europianë. Partitë tradicionale europiane kanë meritën e avancimit të projektit europian, por ato kanë përgjegjësinë e madhe se, sikur e pronësuan këtë projekt, duke ushqyer një lloj neutraliteti të qytetarëve në këtë proces avancimi, sidomos duke i mbajtur larg ndaj problematikës, që po grumbullohej e rreziqeve që po e kërcënonin ardhmërinë e projektit europian. Ato një ditë u mundën nga parti të tjera, përfshi edhe ato nacionaliste, por fenomenin e mbajtjes larg të qytetarëve nga problematika e ecurisë së projektit europian e lanë aty. Edhe pse sondazhet e kryera dëshmojnë me bindje mbështetjen e projektit europian, qëndrimi ndaj elementëve konkretë, sidomos sa i përket marrëdhënies me sistemin e vlerave dëshmojnë një problematikë, që është nënvleftësuar realisht.

Nuk mund të mohohet fakti vërtet tronditës, që qytetarët europianë nuk kanë një kuptim as të qartë se çfarë po ndodh brenda BE, të krizës që përjeton BE, të rreziqeve reale që qëndrojnë përpara ardhmërisë së BE-së e sidomos të së ardhmes së qytetarëve europianë. Një tregues i qartë i një pune vërtet të dobët për t’i mbajtur afër qytetarët në rrugëtimin e tyre për të avancuar projektin europian është ushqimi i konceptit se ato që janë arritur, nuk mund të kërcënohen e humben një ditë, nëse nuk avancon projekti dhe sidomos, nëse qytetarët europianë nuk mbështesin fuqishëm këtë avancim. Nuk mund të shpjegohet ndryshe, që në një numër të dukshëm, qytetarët europianë po mbështesin parti politike antiestablishment, nacionaliste, populiste e euroskeptike, të partive që hapur godasin sistemin e vlerave.

Nuk ka si shpjegohet ndryshe kjo mbështetje, në kushtet që cenimi i sistemit të vlerave dhe kundërvëniet ndaj projektit europian dëmtojnë pa kthim të ardhmen e qytetarëve europianë. Në rast të një dështimi të së ardhmes së projektit europian, qytetarët do të jenë humbësit më të mëdhenj. Dhe ata në shumicë të dallueshme nuk janë të qartësuar për këtë situatë. Duket që një numër i shumë i ndjeshëm i qytetarëve europianë duken si thjesht konsumues të sistemit të vlerave e jo si mbrojtës të vendosur të tyre. Është vërtet një fenomen shqetësues, që sidomos brezi i ri europian është vërtet i panjohur e i pa ndërgjegjësuar për këtë situatë, që kalon projekti e BE dhe sidomos nuk është i ndërgjegjësuar për të ardhmen jo të mirë që e pret, në rast se vërtet ndodh një dështim i BE e projektit europian. Ditën kur të rinjtë europianë do ta ndërgjegjësohen vërtet se e ardhmja e sigurt e tyre është e lidhur me ardhmërinë e projektit europian dhe mbrojtjen e sistemit të vlerave, do të besohet se një kthesë e vërtetë po fillon.

Më 6 nëntor 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.