Intervista

Pacientët me diabet: Nuk kryejmë dot disa prej analizave në spitalin shtetëror

15:10 - 08.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në muajin e sensibilizimit ndaj diabetit, pacientët që vuajnë nga kjo sëmundje zbardhin disa prej problematikave që i shqetësojnë dita-ditës. Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, kreu i shoqatës së fëmijëve dhe të rinjve me diabet, Asim Toro tregon se po nënshkruhet një peticion për të rimbursuar fishat për të gjithë komunitetin me diabet pa përjashtim moshe. Ai thekson se blerja e fishave nga pacientët me diabet mbi 18 vjeç ka kosto financiare të lartë dhe më tej shton se hemoglobina e glukozuar ofrohet, por ka mungesë të madhe reagentësh ose diagnostikim të një numri minimal gjatë ditës për të matur HbA1c në shtet.




Sa është numri i personave me diabet në vendin tonë?
Vendi jonë nuk ka statistika për diabetin, madje mendohet se 10% e popullsisë nuk është diagnostikuar ende. Kjo gjë çon në diagnostikim të vonshëm, të shoqëruar me sëmundje apo dëmtime të tjera shëndetësore, vuajtjen e individit dhe dëme ekonomike për të gjithë shoqërinë.

A kanë gjetur pacientet trajtimin e duhur nga shërbimi shëndetësor?
Pacientët me diabet mjekohen me insulinë dhe me kokrra. Të dyja medikamente të dobishme për të mbajtur nën kontroll sëmundshmërinë diabet. Por, në qoftë se ndjek rrugën e sigurimit të këtyre medikamenteve, shikojmë që njerëzit nuk e kanë të lehtë për t’i marrë ato, pavarësisht se rrugët e abuzimit apo të vlerësimit për të ndryshuar medikamentet siç ka ndodhur vite më përpara janë ndaluar dhe duhet ta përgëzojmë këtë pjesë të arritur. Por duhet të theksojmë se sigurimi i tyre çon në abuzime të tjera ekonomike, duke vetësiguruar një shëndet më të mirë. Ka disa aktorë që kur ngelesh pa mjekim duhet të rrish të presësh datën e daljes në kemp, duhet të kesh parasysh datën fikse për të bërë dokumentet që t’i sigurosh medikamentet, gjë që të vështirëson dhe shton problemet e menaxhimit shëndetësor.

Sa iu shkon pagesa për fishat brenda një muaji?
Fishat, janë ato materiale mjekësore për të cilat është për t’u vlerësuar ministrja Ogerta Manastirliu, që realizoi kërkesën tonë për fëmijët me diabet. Por përsëri ka shumë për t’u bërë. Ne si shoqatë pacientësh me fëmijë dhe të rinj me diabet, kemi marrë iniciativën e një peticioni me 3000 firmëtarë për të rimbursuar fishat për të gjithë komunitetin me diabet pa përjashtim moshe. Për faktin se këto janë materiale që ne mbajmë në kontroll sheqerin në gjak dhe si pasojë nuk abuzojmë me medikamentet kokrra apo insulinë (teprica apo mungesa). Pa ditur nivelin e sheqerit në gjak ne injektojmë ose pimë kokrra pa masë dhe kjo çon në dëmtim shëndetësor, ekonomik dhe abuzime në dozat e larta të mjekimit për të mos ngelur asnjë moment pa mjekim apo duke pritur datën që kaloi për të marrë medikamentet. Vetëm një matje kushton 50 lekë, por disa matje që mjeku rekomandon, vlera shpenzuese e tyre shkon deri në 200 lekë. Kjo kosto shkon në dëmtim të studentëve bashkë me streset e tyre… Të rinjtë që janë në krijimin e familjeve dhe dashur pa dashur neglizhojnë shëndetin duke mos siguruar asnjë pagesë mesatare. Femrat që mbeten shtatzënë dhe më pas dështojnë si pasojë e pamundësisë për të pasur shëndetin nën kontroll. Moshat e 3-ta, të cilët me pensionin e tyre arrijnë të bëjnë matje të sheqerit në gjak dhe 1-herë në muaj, gjë kjo që çon në dëmtime shëndetësore më të rënda dhe ekonomike, gjithashtu, ku gjithmonë jemi përfshirë me probleme të tilla. Të gjithë duam dhe kërkojmë të jetojmë shëndetshëm.

Po kostot e trajtimit sa shkojnë?
Kostot e trajtimit janë të pamatshme, e theksoj sepse disa nuk ofrohen, disa duhet t’i vetësigurosh, disa në privat dhe shumë pak në shtet. Hemoglobina e glukozuar ofrohet, por ka mungesë të madhe reagentësh ose diagnostikim të një numri minimal gjatë ditës për të matur HbA1c në shtet. Mjeku e kërkon në moment, laboratori të tregon se duhet të presësh 2 ose 3 muaj. Kjo është analizë që kryhet 3 herë në muaj duke treguar ecurinë e diabetit. Në Shqipëri është një HbA1c mesatare mbi 8, e cila është shumë shqetësuese për mjekët. Problem shumë i madh janë analizat e kurimit të syrit diabetik, të cilat në spitalin francez mungojnë. Ato janë skaner, antografi, OCT tomografia optike e syrit, aniografi digital, edhe është e vështirë për sigurimin e tyre. Më kryesoret edhe elementaret mungojnë, pa folur për dëmtimet e veshkës apo humbjen e gjymtyrëve dhe të tjera…

A keni bërë kërkesa ndaj MSHMS për rimbursimin e fishave?
Shumë shpejt do t’i dorëzojmë një peticion për rimbursim të fishave për të gjithë komunitetin që jeton me diabetin. Arsyeja është shumë e thjeshtë “Kërkojmë të jetojmë shëndetshëm të gjithë pa përjashtim”.

Cila ka qene përgjigjja qe keni marre?
Deri sa nuk kemi bashkëpunim, mirëqenie dhe lehtësim, ç’rëndësi mund të kenë përgjigjet? Vuajtja vazhdon…!

Sa e vështirë është të bashkëjetosh me diabetin?
Vështirësia e një bashkëjetese me diabetin nis që në momentin që ne përballemi në spital me kryerjen e matjeve të sheqerit në gjak dhe kryerjen e insulinës pas çdo vakti. Frika e bërjes së gjilpërave i shoqëron njerëzit për gjatë gjithë jetës dhe ne mundohemi t’i shmangim, por në momentin që ne përballemi me diabetin, përballemi dhe me frikën e bërjes së injeksioneve të shumta çdo ditë, gjithashtu, me frikën e të jetuarit me një sëmundje gjatë gjithë jetës, e cila të privon deri diku jetesën e të tregon se mos menaxhimi i saj të çon në probleme serioze shëndetësore, deri në humbjen e jetës. Diabeti privon fëmijët nga aktivitetet e përditshme dhe të bën një riorganizim të orareve të të ushqyerit, gjumit e të gjithë aktiviteteve të jetës.

Diabeti privon të rinjtë nga ana psikologjike dhe ekonomike drejtpërdrejt me blerjen e materialeve mjekësore, bërjen e insulinës, përballjen e vetvetes me diabetin si dhe përballjen e shoqërisë me problemin tonë shëndetësor.

A ndiheni të paragjykuar nga shoqëria?
Shpesh, përballja me mos informimin e njerëzve dhe paragjykimet e tyre, janë dhimbja më e madhe që ne ndiejmë, e cila kalon në stres e ankth kur na drejtohen me “koment”. Mos informimi i njerëzve na fut në një rreth vicioz, ku përreth na sillen paragjykime si: “Do na ngjitësh diabetin”, “Diabeti të vret” e të tjera. Vështirësia nis sapo unë hap sytë dhe gjithmonë nëse kam mirë sheqerin, sepse në të kundërt duhet të më zgjojë dikush ose të më ushqejë me ëmbëlsues. Nis të përgatis një mëngjes të mirë dhe bio, ndryshe nga ushqimet e shpejta që gjithkush përdor.

Sa kushton jeta me diabetin?
Bëj një matje të sheqerit në gjak, ku një fishë kushton 50 lekë. Aty nis dita ku unë mendoj dhe llogaris çdo kalori, ushqim, aktivitet fizik, punë, stres, lodhje për të llogaritur vlerën e sasisë së caktuar të insulinës, për të korrigjuar, gjithashtu, vlerën e marrë të sheqerit në qoftë se nuk ka qenë në norma. Nisem për aktivitetin e ditës dhe aktiviteti bën të vetën duke luhatur sheqerin, gjë që më bën të kem luhatje, të cilat vështirë të menaxhohen. Rutina e ditës më bën që oraret të shtyhen duke mos mbuluar intervale kohore me insulinë, e kështu shtohen dhe shpimet kur ne tentojmë të marrim insulinë jashtë orareve. Çdo shpim ka kostot material, si blerja e lancetave dhe shëndetësore, si dëmtimi i lëkurës që mua më shoqëron gjithë jetën. Dëmtimi i lëkurës bën që sasia e insulinës të mos merret në sasinë e duhur, duke sjell çrregullime të vlerës së glicemisë. Çdo krem që unë përdor për lëkurën e siguroj jashtë shtetit, për faktin e mungesës që ka vendi jonë. Dhe ato janë të detyrueshme për ne, ndryshe pas disa viteve shtresat e lëkurës dëmtohen plotësisht. Ndodh që pasdite të hap dhe të lexoj informacione të diabetit e risi të cilat janë të shumta, por në Shqipëri nuk ekzistojnë akoma, jo më të jenë të rimbursueshme. Gjithsesi fishat do të na e lehtësonin jetën. E nevojshme për mua është dhe bërja e Hemoglobinës 4 herë në vit sipas kritereve dhe këshillave me mjekun endokrinolog. Monitorimi i diabetit është e vetmja mundësi për ne, për të mos u përballur me problemet që në moshë të re. Një person me diabet jeton gjithë jetën me stres edhe paragjykime, të cilat shtojnë privimet e jetës normale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.