Intervista

Rrozhani: “Lëndina e arushëve”, thirrje urgjente për të rigjetur lidhjen e njerëzve me natyrën

16:30 - 08.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Natyra e të shkruarit që ajo ka zgjedhur është paksa e vështirë, pasi u dedikohet fëmijëve. Një proces delikat, por që ta mbush shpirtin plot me kënaqësi. Rovena Rrozhani, autorja e disa librave për fëmijë vjen në një rrëfim për “Gazeta shqiptare” për të hedhur dritë mbi “Lëndina e arushëve”. Autorja na zbulon se nga ka ardhur frymëzimi për të shkruar këtë përrallëz me në qendër arushin Tomi, për të vazhduar pastaj me motivet, risitë dhe mënyrën se si gazetaria e ka ndihmuar me hulumtimet letrare. Kërkuesit e zellshëm të librave për fëmijë e sidomos prindërit vënë re se magjia e një libri të shkruar për të vegjlit e tyre ka të bëjë me mënyrën e të rrëfyerit. Në librin e autores, përveç fabulës së veçantë, vihen re fjalitë e shkurtra e dialogët e saktë, që të fusin në “kurthin” e botës fëminore, që të bëjnë të përjetosh gëzimet dhe trishtimet e arushëve të futur në kafaz nga njeriu. I përjeton njësoj si të jesh një fëmijë i futur vetë në kafaz. Në këtë libër që mund të lexohet edhe nga të rriturit, Rozhani i bashkohet atij grupi të vogël të shkrimtarëve shqiptarë, atyre që iu rrëfejnë me shumë dashuri rrëfime plot jetë dhe energji fëmijëve. Prandaj shkrimtarja ka vendosur t’u rrëfejë fëmijëve një fenomen që e ka parë me sytë e saj, atë të robërimit të arinjve. Gjithçka e trajtuar bukur dhe rrjedhshëm. Ndër faqe kridhemi në botën e fantazisë që ka indicie nga realiteti. Për të gjithë prindërit, Rovena Rrozhani jep këshillën që të lexojnë sa më shumë me fëmijët, pasi kështu forcojnë edhe më shumë lidhjen mes tyre.




“Lëndina e arushëve”, libri që desha ta shkruaj që kur pashë Tomin në kafaz

Të shkruash letërsi për fëmijë është e vështirë, duke marrë parasysh moshën delikate të tyre. Çfarë risie i keni sjellë kësaj letërsie me “Lëndina e arushëve”?
Unë e quaj letërsinë më të vështirë. Leximi është i lehtë, i këndshëm, i bukur, por shkrimi i kësaj letërsie është një sfidë më vete dhe kushdo që ka provuar, ia ka ndjerë shijen e fortë. Sa i përket risisë së këtij libri, mund të them se është një rrëfim që vjen nga realiteti. Sigurisht, është i mbushur me shumë ndjenja të forta, aventura të papritura dhe një gjuhë plot figura. Por, mbi të gjitha është i mbushur me shumë dashuri. Kur e shkruaja, më dukej sikur titroja një film. “Lëndina e arushëve” ka një tematikë mjedisore, një temë që nuk e ndesh në letërsinë shqipe për fëmijë, por që jashtë vendit është mjaft e lëvruar, ashtu si edhe shumë botime specifike që trajtojnë problematika, apo fenomene të veçanta. Dhe ashtu siç është një libër me temë të veçantë, ashtu përkoi edhe promovimi i tij. Në atmosferën e kafshëve të kopshtit zoologjik në Fier, që u zhvendosën në Tiranë, në një ndjesi që thërret për ndryshim dhe reagim. Është një temë që i fton të gjithë të shohin ndryshe marrëdhënien e tyre me kafshët. Një histori që nëpërmjet fëmijëve synon të shkojë te të rriturit për të dëshmuar se gjithçka duhet lënë aty ku natyra i ka bërë vend. Imazhet e arinjve apo kafshëve të lidhura për fotografi, apo të mbyllura në kafaze, ku u jepet raki e birrë apo ushqime çfarëdo, të keqtrajtuara duhet të marrin fund. Por, mbi të gjitha është një thirrje urgjente për të rigjetur lidhjen e njerëzve me çdo element të natyrës. Kur jemi të lodhur nga puna dhe rutina, sa shumë e duam një udhëtim në natyrë! Sa qetësi gjejmë dhe sa shumë kërkojmë nga natyra, te kafshët, zogjtë, por sapo qetësohemi, harrojmë dhe u biem ndesh. Risitë e tjera të “Lëndinës” ia lë kritikës, që të shprehen për vlerat letrare të këtij libri dhe sigurisht lexuesve, nga të cilët pres me padurim reagimet.

Cilat janë motivet kryesore që e frymëzuan këtë libër?
Arushët. Të bukurit arushë të murrmë, që janë personazhe në shumë përralla, por për fat të keq janë edhe protagonistët e kronikave të sotme. Tomi, Xhina, Pashuku e arushë të tjerë janë pjesë e një fenomeni të shëmtuar në Shqipëri, por edhe në vende të tjera. Kam dashur ta shkruaj këtë libër që kur kam parë Tomin, arushin e trishtuar që pushtoi mediat e huaja për fatin e tij brenda një kafazi lokali. Pastaj e ndoqa fenomenin nga afër edhe për shkak të punës. Mësova shumë gjëra që nuk i dija, ashtu si shumë të tjerë. Mësova që këta arinj nuk mund të kthehen më në habitate, pasi janë shkëputur nga jeta e tyre. Një udhëtim me gazetarë në Pyllin e Arinjve në Prishtinë, të fondacionit “Katër Putrat”, ku ishin mbledhur arinj të çliruar nga robëria, ishte një shkundje për të gjithë që panë me sytë e tyre një realitet të shpërfillur, ndoshta nga problemet e mëdha të këtij vendi, ndoshta nga padija, apo ndoshta sepse kurrë nuk kishim ndalur të pyesnim apo të mendonim sesa vlen një selfie me një arush të mbyllur në kafaz. Dikur më trishtonin këto kafshë të mbyllura, ndërsa sot më zemërojnë kafazet. Puna në ministri ka filluar të japë frytet e para në mbrojtje të këtyre arinjve, por sigurisht që ka akoma më shumë për të bërë. Sidomos në mentalitetin e njerëzve. Këtu shpresoj të ndryshoj diçka me këtë libër.

Për çfarë keni qenë e kujdesshme gjatë shkrimit të librit?
Jam përpjekur shumë për gjuhën, pastërtinë e gjuhës standarde për të mbajtur leximin dhe fjalorin larg ligjërimit të sotëm, zhargoneve dhe shpesh përçudnimeve nga përdoruesit. Dhe jam kujdesur të ruaj nivelin e gjuhës për fëmijë, por sidomos elementët e natyrës kam dashur t’i përfshij pa kufi. Për mua natyra është e gjitha një qenie. Gjithashtu, edhe linjat e historisë, të cilat shpesh donin të dilnin jashtë kufijve dhe më duhej t’i riktheja në shinat e duhura. Nëse do të kisha shkruar variantin e parë të historisë, natyrisht që nuk do të ishte një libër për fëmijë, por një dramë e fortë që do të kishte shkundur të rriturit. Por, ky variant i botuar më duket edhe më i bukur, sepse tregon shpresën dhe rëndësinë e njeriut në fatin e kafshëve. Dhe përtej kuptimit të parë, libri është një rrëfim për familjen, vendlindjen, dashurinë dhe miqësinë. Ndaj jam kujdesur që psikologjikisht ky libër të ishte sa më i saktë, ndaj ia kam besuar gjykimit të dr. Blerta Bodinakut. Nga pikëpamja letrare, kumbara e librit është shkrimtarja e njohur e letërsisë për fëmijë, Adelina Mamaqi.

Cilës grupmoshe i sugjerohet “Lëndina e arushëve”?
Grupmosha është nga 6-10 vjeç, por të them të drejtën kam parë edhe fëmijë më të rritur që e kanë lexuar. Madje edhe të rritur. Të gjithë i duan përrallat. Mbaj mend një orë letrare në shkollën e Pishkashit, rreth 5- 6 vjet më parë. E kisha konceptuar si një orë leximi jo vetëm të asaj çfarë shkruaja, por edhe të krijimeve të nxënësve. Përralla “Pulat shkojnë në plazh” ishte botuar në revistën “Mrekullia” dhe unë e kisha shumë për zemër që ta lexoja me ciklin e fillores. Por për shkak të një ngatërrese, m’u desh ta lexoja para një klase të 8-të. Çfarë djersësh të ftohta më kaluan! Por nuk kisha asnjë zgjidhje. Ula sytë në tekst dhe lexova pa guxuar të ngrija kokën. Për çdo situatë komike dëgjoja të qeshura dhe në fund duartrokitje. Ngrita kokën dhe pashë se disa prej nxënësve ishin mbështetur mbi banka dhe dukej sikur donin që leximi të mos mbaronte. Pastaj filluan të lexonin vjershat e tyre. Edhe “Lëndina e arushëve” ka pasur lexime të suksesshme nga të rriturit.

Pse keni vendosur të shkruani për fëmijët?
Sepse ndihem shumë mirë. Sepse që e vogël më ka pëlqyer t’u mësoj më të vegjëlve, të kujdesem për ta dhe të krijoj për ta. Janë pjesa më e mirë, më e bukur, më delikate dhe më e sinqertë e shoqërisë. Janë e djeshmja jonë, fëmija që e humbim ose e harrojmë brenda vetes.
Nga bota e letërsisë për fëmijë, ka pasur ndonjë autor që i jeni referuar para se të nisnit shkrimet tuaja?
Fëmijëria ime e paraviteve ’90 nuk linte vend për zgjedhje, por unë i kam dashur dhe lexuar të gjitha botimet që më binin në dorë, qofshin libra shqiptarë apo të huaj. I lexoja dhe rilexoja, sidomos librat me aventura, të gjitha përrallat dhe rrëfenjat folklorike. Nuk dua të veçoj asnjë prej tyre, sepse çdo libër ka qenë një udhëtim më vete, unik, i papërsëritshëm nga një titull të tjetri, nga një shkrimtar te tjetri.

Sa ju ka ndihmuar gazetaria në raport me hulumtimet letrare?
Gazetaria të mpreh syrin dhe mendjen. Ajo më ka falur vëzhgimin deri në detaje. I kam dashur shumë detajet edhe kur lexoja libra që në fëmijëri, por kur vëzhgimi bëhet profesion, të duket sikur mendja është gjithmonë zgjuar dhe gati të përthithë çdo gjë rreth e rrotull. Në përgjithësi e gjithë përvoja ime në punë, edhe kjo në zyrën e shtypit në Ministrinë e Mjedisit më ka krijuar një mundësi për të parë gjërat ndryshe. Në kinema “Millennium”, ku për vite me radhë isha zëdhënëse, kam parë anën tjetër të botës së kinematografisë, artistëve, filmave, produksioneve dhe përgatitjes së premierave të para, që më pas u kthyen në modë. Të gjitha këto dikur i shikoja thjesht si gazetare. Në punën time aktuale shoh anën tjetër të gazetarisë sociale, ku pata edhe fillimet e mia në këtë profesion. Kur kthej kokën pas, në përvojën e shkurtër jetësore kuptoj se asnjë sekondë e jetës nuk ka vajtur dëm. Edhe qëndrimet në vend, edhe prapakthehut, edhe drejtimet e tjera që nuk i kisha menduar ndonjëherë, të gjitha kanë lënë gjurmën e tyre tek unë. Koha i bën me vlerë të gjitha momentet e jetës.

Cilës i jepni përparësi, fantazisë apo realitetit?
Unë i dua të dyja dhe përparësitë ua lë t’i vendosin vetë, mes tyre. Por besoj se nuk ka një letërsi të mirë apo një art të mirë nëse nuk ka një bazë realiteti, nëse nuk ka të vërtetën artistike. I gjithë realiteti që ti jeton shndërrohet dhe vesh kostumin e vet të fantazisë gjatë procesit krijues.

Këshilla juaj për prindërit që u zgjedhin libra fëmijëve?
Për prindërit është e vështirë të zgjedhin librat, sepse tregu në Shqipëri është shumë kaotik nga tranzicioni i gjatë jo vetëm shoqëror, por edhe shpirtëror. Sistemet e vlerave janë çoroditur dhe jo vetëm në art. Por, unë do t’u thosha që brenda mundësive të lexojnë vetë librin dhe të shohin me kujdes gjuhën, por edhe trajtimin e temave. Duhet të zgjedhin librat sipas moshës ose sipas zhvillimit të fëmijës. Por ajo që ka më shumë rëndësi është që duhet të lexojnë sa më shumë me fëmijët, duhet të rrëfejnë mbrëmjeve historitë, përrallat, të krijojnë bashkë me fëmijët, të bashkëbisedojnë edhe pse mund të jenë shumë të lodhur nga punët e ditës. Të jenë të bindur që kur të lexojnë një përrallë, edhe vetë do të qetësohen e do të flenë më të qetë. Kështu afrojnë fëmijët me librat dhe forcojnë lidhjen prindër-fëmijë. Libri është një formë e shkëlqyer e shprehjes së emocioneve, ndjenjave, një portë e mirë për komunikim dhe në kohët e sotme kur komunikimi po përfundon në nivel teknologjik, leximi është shpëtim, ushqim shpirtëror.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.