Kryesore

Shpenzimet e Kuvendit, 355 mln lekë për “blerje autoveture”

13:55 - 08.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ndonëse një periudhë e shtrëngimit financiar, blerja e automjeteve mbetet një nga kërkesat më të shpeshta nga institucionet shtetërore, thuajse në çdo buxhet që paraqitet për miratim. Përjashtim nga kjo nuk bënë as Kuvendi i Shqipërisë, i cili në buxhetin e tij për vitin 2018 kishte parashikuar një zë të veçantë “blerje autoveture” në vlerën e 355 milionë lekëve.




Është vetë Shërbimi i Financës dhe Buxhetit në Kuvendin e Shqipërisë, ai që në relacionin mbi zbatimin e buxhetit të këtij institucioni për 4-mujorin e parë të këtij viti bën të ditur ndër të tjera dhe fondin e parashikuar për “blerje autoveture” në vlerën e 355 milionë lekëve. Në këtë relacion, siç shihet edhe në tabelën shoqëruese, nuk jepen shpjegime nëse bëhet fjalë vetëm për një autoveturë apo për disa të tilla, ndonëse nga mënyra e përkufizimit të zërit në këtë buxhet “blerje autoveture” lë të kuptohet se bëhet fjalë vetëm për një automjet. Ndërkohë që burime nga Kuvendi kanë pohuar se bëhet fjalë për 3 ose 4 automjete.

Në faqen zyrtare të Kuvendit nuk janë publikuar të dhëna të tjera lidhur me procedimin e kësaj blerje të parashikuar në buxhetin e Kuvendit, ndërsa ajo që dihet është se ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e këtij institucioni edhe në vitet e mëparshme, blerja e një automjeti për titullarin. Një kërkesë e tillë daton që nga periudha kur Kuvendi drejtohej nga Jozefina Topalli, por që për shkak të problemeve financiare, nuk ishte realizuar.


Kanali televiziv
Një tjetër zë i parashikuar në buxhetin e Kuvendit të Shqipërisë për vitin 2018 ishte edhe “projekt për ndërtimin e një kanali televiziv”. Sipas relacionit të Shërbimit të Financës dhe Buxhetit në Kuvend, fondi i parashikuar në buxhetin e këtij institucioni kap vlerën e 43 milionë lekëve. Në fakt, bëhet fjalë për një projekt të paralajmëruar edhe më parë nga Kuvendi i Shqipërisë dhe kryeministri Edi Rama dhe që ka për qëllim që t’u ofrojë lehtësira mediave të ndryshme që të marrin nga një regji e posaçme sinjalin e transmetimeve të seancave plenare dhe komisioneve parlamentare. Rreth një vit më parë Kuvendi e cilësoi projektin si një zgjidhje përfundimtare që do t’u sigurojë mediave aksesin viziv për seancat plenare. Ndonëse disa media në atë kohë e kundërshtuan këtë projekt për shkak se ai mund të cenojë lirinë e tyre për të marrë vetë pamjet dhe informacionin direkt nga seanca dhe komisionet, projekte të ngjashme janë të pranishme thuajse në shumicën e parlamenteve të vendeve të Bashkimit Europian.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.