DOSSIER

Dr. Spiro Qirko: Kur isha 10 vjeç, babai më mësoi frëngjishten, dëgjoja “Traviatën”

17:20 - 09.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dëshmia: “Te RAI, në ora 20 e 30 të darkës, kishte një emision “In vito al opera” d.m.th. “Ftesë për opera”. Babai im i linte të gjitha punët kur fillonte ai”




 Para disa ditësh, mjeku i famshëm, Prof. Dr. Spiro Qirko, një nga emrat më në zë të kardiologjisë shqiptare, ishte i ftuar në Tv Svan, në emisionin ‘Rrëfim’, i cili prej tre-katër vjetësh realizohet nën drejtimin e gazetarit të njohur, Dashnor Kaloçi, si autor, dhe moderohet nga gazetarja Albana Shehu Qirjako. Në këtë emision ku prej vitesh kanë qenë të ftuar emra dhe personazhe nga më të njohurit e politikës, artit, kulturës, sportit etj. etj., Dr. Qirko rrëfeu për më shumë se 90 minuta historinë e panjohur të jetës dhe familjes së tij, nga babai dhe nga nëna, duke filluar nga gjyshi, Athanas Qirko, i diplomuar në Paris për Mjekësi, te babai, Telemak Qirko, i diplomuar në Itali dhe Zvicër për Jurisprudencë, e deri tek vetë profesori i njohur, i diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe i specializuar në Francë në vitet ’70-të. Si dhe historinë e familjes nga nëna e tij, (familja Leka nga Durrësi), ku për katër breza me radhë kanë qenë të gjithë intelektualë të njohur në fusha të ndryshme, si në Mjekësi e Jurisprudencë, të gjithë të diplomuar jashtë Shqipërisë. Po kështu, Dr. Qirko rrëfen për herë të parë edhe shkollimet e tija nga klasa e parë e më tej deri në fakultet, duke kujtuar mjaft nga profesorët e tij të gjimnazit etj., si dhe ata që e ndihmuan dhe i dhanë mundësinë për t’u specializuar në Francë në vitin 1975, ku atë e lutën për të qëndruar përgjithmonë me punë aty. Për më shumë rreth kësaj dhe të tjera histori dhe ngjarje interesante nga jeta e tij, na njeh intervista e koleges sonë, Albana Shehu Qirjako, e cila vazhdon në tre numra radhazi në ‘Gazeta Shqiptare’.

Doktor Spiro, dhe gjyshërit nga nëna ju i keni po ashtu të njohur dhe të shkolluar?

Ekzakt, gjyshi nga nëna ime, ka qenë tregtar manifakturash, por kishte mbaruar shkollën Françeskane në Shkodër dhe dinte nja 3-4 gjuhë të huaja (dinte frëngjisht, gjermanisht, italisht), dhe njëkohësisht bënte tregti nga Durrësi në Trieste. Gjyshi quhej Spiro Leka dhe unë kam marrë emrin e tij. Familja e nënës sime vjen nga familja Leka në Durrës, një familje e njohur, një familje tregtare. Ndërsa nëna ime nga nëna e vet, pra gjyshja nga nëna, vjen nga katër breza intelektualësh.

Nga Berati?

Po nga Berati, gjyshja ime quhej Urani. Por desha të them se gjyshi i saj, pra gjyshi i gjyshit të nënës sime ishte mjek, pastaj, babai i saj ka qenë avokat, ndërsa i vëlla i saj dhe daja i nënës sime, kanë qenë përsëri mjekë. Por unë e kisha në gen të bëhesha mjek, në fakt, sepse kisha shumë kushërinj dhe nga nëna që ishin mjekë. Kështu që nga nëna ime ka një traditë intelektualësh.

Nuk ka sesi të mos bëheshit mjek?

Po, ç’është e vërteta unë e kisha genetikisht të bëhesha mjek. Dhe kushëriri i parë i nënës sime u bë mjek dhe kështu ka qenë një traditë e madhe mjekësore në të dy familjet e prindërve, por edhe juristësh. Me thënë të drejtën edhe unë kisha qejf në një moment të bëhesha jurist kur mbaruam gjimnazin, por ishte e vështira ta merrja unë të drejtën e studimit pastaj për jurist, ishte shumë e vështirë, pasi kishte të tjerë që mund ta merrnin atë. Dhe kështu pastaj vendosa që të bëhesha mjek.

Ne do të ndalemi pak te dëshira juaj për t’u bërë mjek, por më parë desha t’ju them doktor, ju e dini që jeni një rrëfimtar shumë i mirë, përvese jeni mjek shumë i mirë. Pasi unë po dëgjoj me shumë kureshtje historinë e gjyshërve tuaj, të prindërve tuaj.

Po mundohem…

Doktor, kthehemi përsëri te dëshira për t’u bërë mjek. Nuk e di, ju kishte lindur ju ajo dëshirë, apo ishte ndikimi i gjyshit tuaj që ju ishte imponuar, por dhe nga babai, pra familja kishte një ndikim të madh te ju, tek edukimi juaj dhe i motrës suaj, gjithashtu?

Në fakt, dëshira për t’u bërë mjek lindi vetvetiu, nuk ishte një imponim as i gjyshit tim, dëshira më lindi që kur isha i vogël, dhe mbase ishte diçka genetike dëshira për t’u bërë mjek pasi, siç thashë pak më lart ne e kemi familjare. Ishte një dëshirë e dytë e babit tim për t’u bërë unë jurist, pasi unë i kisha të gjitha librat, pra në një farë mënyre e kisha profesorin brenda, por dhe, gjithashtu, duhet thënë se kjo gjë ishte mjaft e vështirë, pra që unë të merrja juridikun. Dua të theksoj se familja ka ndikuar shumë në edukimin tim, familja nga babai dhe nëna ime, që ishin shumë të dashur për mua, por, gjithashtu, dhe shumë të rreptë. Ishin prindër që bënin gjithçka dhe vetëmohoheshin për mua. Ishin gjithmonë seriozë dhe unë nuk mbaj mënd kurrë që të më thoshin: të keqen mamaja, të keqen babai, asnjëherë nuk ka ndodhur kjo. Ato më lavdëronin kur bëja ndonjë punë të mirë, më thoshin bravo, vazhdo dhe për çdo nevojë që kisha unë, ata bëheshin copash për mua. Mua më kujtohet se kur isha i vogël dhe dua ta theksoj këtë se ndoshta ju shërben dhe gjithë të tjerëve, si moment edukimi, që kur isha nja shtatë tetë vjeç, babai im filloj të më mësojë frëngjishten dhe filluam bashkë, me libra etj. Unë isha i detyruar që krahas mësimeve të tjera të shkollës të punoja çdo ditë me frëngjishten. Pra, bëja mësimet dhe me babain mësoja edhe frëngjisht. Si çdo fëmijë edhe unë luaja me top nga dy tre orë, por kur vinte ora që më kishte caktuar babai për frëngjisht, dëgjohej zëri i mamasë që më thërriste, dhe unë i lija shokët menjëherë dhe vrapoja për në shtëpi për detyrat dhe frëngjishten.

Një edukim spartan?

Po, por me thënë të drejtën edhe unë si fëmijë 11-12 vjeç, më vinte zor kur lija lojën, se shokët e mi talleshin me mua, duke thënë: ja iku ky djali i mamasë, pse na e ndërpret lojën, etj. dhe më vinte shumë zor. Por kthehesha atje edhe pse i mërzitur se kisha lënë lojën dhe shkoja para babait gati për të filluar mësimet. Babai ishte i prerë dhe nuk diskutohej që unë të shkoja qoftë dhe një minutë më vonë se tek ai për të filluar mësimet e frëngjishtes. Kurse nëna më thoshte: ç’thotë babai do bëhet, ai është kryeministër dhe në të gjithë i bindemi atij. Ai më edukoi dhe për muzikën dhe librat. Babai më mësoi që libri lexohet duke mbajtur shënime.

Pra, ka pasur autoritet të padiskutueshëm në familje dhe i mbështetur, gjithashtu, nga nëna juaj?

Absolutisht ashtu dhe nëna ime shumë e fortë. Kështu bënim mësimet dhe unë e mësova frëngjishten dhe kur shkonim në gjimnaz, që unë e kisha mësuar mirë frëngjishten, babai më vinte radion te stacioni i Monte Karlos ku dëgjohej mirë frëngjishtja dhe unë dëgjoja shumë. Dhe duke qenë edhe i vogël e mësova shumë mirë atë gjuhë, sepse rrija gjithmonë nën kujdesin e tij. Pastaj më merrte, se në ato vite te radiot italiane, RAI, në ora 20 e 30 të darkës, kishte një emision “In vito al opera” d.m.th. “Ftesë për opera”. Babai im i linte të gjitha punët kur fillonte ai emision, pasi ishte shumë i pasionuar pas muzikës simfonike dhe operës aq sa i dinte përmendësh të gjitha se i kishte mësuar andej nga kishte studiuar. Dhe kur vinte ora, ai më thoshte mua: ulu këtu dhe p.sh., vinte opera “Traviata”, në atë kohë ishte Maria Kalas, diva e famshme, Xhuzepe Di Stefano, Mario del Monako, etj. që unë s’i harroj kurrë, këngëtarë të mëdhenj, si Tito Gobi e kështu me radhë. Pastaj më tregonte përmbajtjen e operës përpara se të fillonte opera, më thoshte; dëgjo, “Traviata” ka këtë përmbajtje, që të jesh pak a shumë në brendësi dhe dëgjoje me vëmendje tani. Unë rrija aty, dëgjonte ai, dëgjoja dhe unë. Dhe këtë gjë ne e bënim çdo të shtunë, llogarite, unë në atë kohë nuk isha më shumë se 10 vjeç. Kam dëgjuar “Normën”, kam dëgjuar “Otellon”, kam dëgjuar këngëtarë të mëdhenj dhe unë në atë kohë u familjarizova me operën dhe duke dëgjuar shumë, u thosha ndonjëherë këtyre të Operës këtu në Tiranë, dëgjo: më vini dhe mua në juri që t’ju them se, bën ky zë apo nuk bën ky zë, se unë nuk di muzikë, nuk di nota.

Keni pasur fatin në atë kohë të dëgjoni emra të mëdhenj të muzikës klasike dhe operës botërore…

Po, emra të mëdhenj, dhe unë isha në gjendje t’i përcaktoja dhe bëja përcaktimin në sekondë. Pastaj babai filloi të më mësonte se çfarë librash duhen lexuar. Unë kam lexuar në atë kohë librin e parë, “Il cuore” (“Zëmra”), të Edmondo de Amicis, ishte libri i parë, shumë libër i bukur, me një domethënie të jashtëzakonshme, të mësonte dhe edukonte si të bëhesh njeri. Pastaj sigurisht filluan dhe libra të tjerë.

Librin e parë ua përzgjodhi babai, e ka bërë enkas?

Po, babai enkas e ka bërë. Atë më dha të parin që të kuptoja se si duhet të jetë dashuria njerëzore. Pastaj sigurisht “Pinokio”-n që e morëm, pastaj “Kasollja e xha Tomit” etj. etj., libra që vazhduan pa fund. Babai ishte njeri që kur lexonte, mbante shënime. Dhe deri sa vdiq, mbante shënime. Dhe në fund, rilexoi Plutarkun, duke mbajtur shënime. Dhe më mësoi se libri lexohet me shënime, pasi te libri i mirë, do marrësh ca fraza, ca sentence etj. që të duhen për t’i përdorur gjatë jetës tënde, t’i kesh si busull. Dhe këto fjalë të babait më dolën që kur fillova gjimnazin.

Doktor, ku e keni mbaruar gjimnazin?

Unë isha në gjimnazin “Qemal Stafa”, një ndër gjimnazet më të mira në atë kohë të Tiranës me profesorë të shkëlqyer. Flas për vitet 1959-‘60-të, ’61, ’62, ‘63-’64. Dhe një nga profesorët më të shkëlqyer që unë nuk do ta harroj kurrë dhe sot po bëj një homazh për të. Profesor i gjeografisë mbaruar në Rumani, por kur fliste ai, ne mahniteshim. Ai kishte lexuar aq shumë, sa gjeografinë e shpjegonte kështu: Na fliste sikur ne ishim në një avion dhe po fluturonim mbi Apeninet dhe na thoshte; poshtë janë Apeninet, këtu duket lugina, këtu duket lumi, këtu djathtas, këtu keni këtë, këtu keni atë. Pastaj fluturonim që aty p.sh., në Andet dhe na thoshte: Andet janë lartësia kaq, kini parasysh se ka pjerrësinë maksimale këtej majtas, këtej djathtas është një përrua, atje del një lumë. Ne rrinim, ishim fëmijë në gjimnaz 13-14 vjeç, rrinim të habitur me njohuritë e atij, sepse ato që kishte lexuar, i përkthente sikur i kishte përpara. Një profesor i jashtëzakonshëm, unë nuk e harroj kurrë gjeografinë e tij, sepse gjeografia e tij mua më ka mbetur sot në mënd se di shumë gjëra falë atij. Sepse ju thashë se gjimnazi ishte gjithçka.

Gjimnazi ishte baza?

Po baza, ishte gjithçka. Pastaj aty kam pasur profesorë të paharruar. Kam pasur Fadil Rrepishtin në fizikë, një kollos i padiskutueshëm, profesor Ibrahim Shabanin në kimi, profesor Zef Zymerin, profesor Paulin Mamolin, e kështu me radhë. Ato na dhanë ne bazat, na dhanë mundësitë maksimale, por mbi të gjitha, kam pasur një profesor të paharruar dhe të pavdekshëm, Pashko Gjeçin. Pashko Gjeçi është ai që ka përkthyer “Komedia Hyjnore” të Dante Aligerit dhe ç’është e vërteta, e kishte përkthyer në burg e na e recitonte neve dhe italisht dhe shqip. Ne mrekulloheshim, por ishim të vegjël dhe mërziteshim nganjëherë se s’e kuptonim dot, por ajo na bëri shumë mirë se ajo ishte shumë e vështirë pasi unë e lexova dhe rilexova relativisht më vonë dhe më bëri shumë mirë, se me të parën ishte shumë e vështirë. Se ajo Tercina e Dantes është e jashtëzakonshme, është për një moshë ndoshta më të madhe. Por ne asokohe ç’është e vërteta kishim letërsi në gjimnaz, edhe pse ishte realizëm socialist, por këto klasiket ishin vënë. Dhe ai (Pashko Gjeçi) me një pathos të jashtëzakonshëm na i recitonte neve këto. Po e them për shaka, por në një moment ai u dëshpërua me ne se ne po qeshnim, ki parasysh ne kalamaj, po qeshnim dhe ai u ndje keq e na tha: “Prani morr derra”. Na bëri dhe këtë “fyerje” por me shumë kujdes. Desha të them se ishin profesorë të jashtëzakonshëm dhe unë kam pasur fatin që të jem nxënës i tyre pasi më kanë dhënë një shtysë të jashtëzakonshme.

Profesor, babai juaj u mundua që t’ju jepte një formim të përgjithshëm një formim artistik, t’ju jepte bukurinë e shpirtit, përveçse ju të ndiqnit mësimet. Në shkollë të mesme, a kishit ndonjë lëndë që ju e veçonit ose e donit më shumë?

Mua më pëlqente më shumë Letërsia ç’është e vërteta, kisha prirjen e për Letërsi, kam qenë shumë i mirë në hartime, atëherë bëheshin hartime, ishte një gjë shumë interesante, sot nuk e di a bëhen hartime?!

Sot bëhen ese …

S’e di…por hartimet tona atëherë… ishte një gjë e madhe, ne e bënim njëherë në dy javë hartimet, ehhh unë në atë kohë përveç këtij profesori, kam pasur dhe Vedat Islamin dhe Nexhat Hakiun, të famshmin. Por ishte shumë interesant dita kur vinte profesori me hartimet e korrigjuara. Ai nxirrte hartimin më të mirë të atyre dy javëve dhe thoshte: “Hartimi më i mirë i këtij dy javëshi është…” dhe bënte dhe ndonjë koment duke lexuar paragrafë, shiko sa bukur e ka shkruar filani këtë pjesë. Kjo ishte një nxitje dhe një stimul për gjithë të tjerët dhe hartimet që bëheshin ishin shumë të mira. Kanë qenë dhe nxënës shumë të mirë, dhe në fakt shokët e mi të shkollës kanë shkëlqyer në profesionet e tyre, si inxhinierë, pedagogë në Matematikë, në Fizikë, në Mjekësi, etj. e kështu me radhë. Kështu që ishte një klasë që unë akoma e kam nostalgji edhe për shoqërinë që kishim, nuk ka pasur smirë, por ka pasur një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, ishin shumë të sinqertë, shumë të dashur, shumë social dhe më të dashur se sot. D.m.th. kishte shumë ndjenjë njerëzore. Kishte ndjenjë njerëzore. Kishte diçka që praktikisht të jepte një kënaqësi të veçantë. Dhe tani më kujton një shprehje të Van Gogut që thotë: “Me kalimin e kohës, unë po kuptoj, se gjëja më artistike në këtë botë, është dashuria njerëzore”.

Shumë e bukur kjo doktor…

Po, d.m.th., dashuria midis miqve, dashuria për njëri-tjetrin, më e përkryera. Kur thotë Van Gogu, që lë pak pikturën mënjanë dhe thotë për këto, pra që dashuria midis njerëzve më e përkryera në botë, pra që të japësh dashuri. Pra siç thoshte edhe një njeri i madh: Pra, gëzoje jetën, se është aq e shkurtër, sa nuk ka biletë kthimi. Pra, të urresh tjetrin për një kohë kaq të shkurtër sa ç’është jeta, është mjaft e dhimbshme. Të urresh, është vërtet e dhimbshme dhe të sëmur para kohe. Por kjo miqësi për fat të keq nuk ekziston më, por më kujton se ne kemi bërë dhe 50-vjetorin e gjimnazit.

Jeni mbledhur?

Sigurisht jemi mbledhur… unë kam një nostalgji të jashtëzakonshme dhe ata më kanë thënë; hajde ta bëjmë prap… dhe herë të tjera, po siç jemi ne me punë etj. etj. Por fatmirësisht një pjesë e madhe e tyre jetojnë dhe mbeten gjithmonë aktiv dhe vetëm pak kanë ndërruar jetë. Miqësitë e gjimnazit ju e dini vetë se nuk humbasin kurrë, se ato të fakultetit nuk para mbahen. Pastaj doli problem se unë mbarova maturën…

Doktor, e çuditshme është, të dashurosh letërsinë, ju ishit i shkëlqyer në Letërsi por zgjodhët të studionit për Mjekësi?!

Po e dashuroja letërsinë edhe nga babai edhe, sepse kisha filluar që të lexoja që i vogël etj. etj., por më tërhiqte më pas Mjekësia, se më dukej më konkrete dhe unë mund të bëja një mision më të madh. Kisha merak të bëja një mision ashtu si gjyshi im. Desha të imitoja gjyshin tim, Athanasin. Ai ishte shëmbëlltyra më e mirë për mua, ashtu sikurse edhe e babait tim, Telemakut, i cili ishte një jurist realativisht i shkëlqyer me thënë të drejtën. Ai pas çlirimit punoi në Ministrinë e Drejtësisë së bënë këto ligjet e reja deri nga viti 1952 dhe pastaj kaloi avokat deri sa vdiq. Ai ishte një avokat i ndershëm dhe mua më vjen mirë që edhe sot kur më takojnë disa njerëz që më lavdërojnë babanë për zotësinë e tij dhe për ndershmërinë e tij maksimale, diturinë e tij, ishte një enciklopedist. Ju kam thënë edhe njëherë, kur bëhej ekspozita e Odhise Paskalit, ai e thërriste dhe i thoshte: “A ja vlen ta nxjerr në ekspozitë këtë”? Ai ishte një enciklopedist se ju thashë se kishte marrë atë shkollën e vogël kur shkonte në Fierence dhe njihte shumë mirë kulturën, letërsinë, muzikën e kështu me radhë. Një njeri që lexoi gjithë jetën dhe na edukoi. Ka qenë një njeri që unë nuk e harroj gjithë jetën, pasi ai çdo të shtunë shkonte në spital, kanë qenë ato biskotat 50 lekëshe, dhe thoshte; është shtruar filani në spital dhe do shkoj ta shoh. Eshtë shtruar ky, është shtruar ai, por pafund këta. I thosha unë: “Or baba… ç’farë bën”, se ishin pafund këta. Por ai e përjetonte thellë se ishte një miqësi kaq e ndjerë saqë ai e ndjente vetën shumë mirë, më mirë e ndjente ky veten, se sa ata që shkonte dhe i shihte. Ishte shumë i dhënë pas kësaj gjëje…., pastaj kaloi avokat dhe doli në pension. Por e morën në Gjykatën e Lartë për të bërë disa libra, lidhur me, udhëzues të praktikës së Gjykatës së Lartë për këta juristët e rinj. D.m.th., në qoftë se është ky vendim, si zbatohet ky vendim në detaje, në mënyrë që të kishte një praktikë të shkruar për këta juristët e rinj të Gjykatës së Lartë, ose juristët në përgjithësi, ai bëri nja tre vëllime të tilla. Dhe pastaj vdiq në Greqi me thënë të drejtën, vdiq në Athinë se atje kishte një vëlla avokat, ai kishte ikur prej shumë vitesh, kishte qenë kundër Zogut, (s’e kishte qejf Zogun), kishte mbaruar në Paris dhe pastaj shkoi në Aleksandri te xhaxhai i vet dhe në 1927-ën, shkoi në Athinë. Ishte avokat shumë i zoti në Athinë, ishte anëtar i Kasacionit atje, duke mbetur shqiptar gjithë jetën. Dhe ne kemi pasur gjithmonë një situatë të vështirë, atë që thamë: ky Spiro, është shumë i mirë, por ka pasur xhaxhanë në Greqi?!

Jeni parë gjithmonë me tjetër sy?!

Gjithmonë,…thoshin: “Eshtë shumë i mirë ky Spiro, por ka pasur xhaxhanë në Greqi, ka babanë avokat, se avokati atëherë konsiderohej si borgjez dhe…?! Ç’është e vërteta kur mbarova gjimnazin, mua më doli Mjekësia, se ishte shumë e vështirë Juridiku…

Në ato kohë ishte me përzgjedhje e drejta e studimit…?

Po, në atë kohë bëhej me përzgjedhje, pavarësisht se unë kisha dalë me mesatare 9.9 dhe të parën kisha vënë Mjekësinë, të dytën Letërsinë, të tretën s’e mbaj mënd. Por praktikisht ishte e vështirë ta merrja pasi isha djalë avokati dhe në atë kohë ishte shumë e preferuar Mjekësia. Por fati im, do t’ua them në fillim këtë, se do t’ua them këto. Atë vit babai i një zëvendësministri të Arsimit të asaj kohe, pati një problem juridik dhe rastësisht, ca miq të babait, i thonë atij; shiko, vë avokat Telemak Qirkon, që ta mbrojë babanë. Ishte një çështje ordinere, në fakt, nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Dhe babai e nxori, iku ai, e fitoi, nuk ishte ndonjë gjë e madhe. Por pas gjashtë muajsh, vinte koha ime e studimeve që do të shkoja në universitet. Atëherë ne i themi babait dhe ai shkon në ministri dhe e takon atë dhe i thotë; a ka mundësi të më bësh një nder? Atëherë ne i kishim marrë të gjitha dokumentet që duheshin, si në lagje etj., dhe i tha: a ta vëmë në Mjekësi se e ka më shumë dëshirë? Dhe ai u tregua i gatshëm dhe më dhanë Mjekësinë. Kështu e kam marrë unë Mjekësinë.

(vijon nesër)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.