AKTUALITET

Lehtësira për dokumentet e emigrantëve shqiptarë në 13 shtete

16:20 - 09.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë në Austri, Bullgari, Republikën Çeke, Hungari, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal të Zi, Rumani, Sllovaki, Zvicër, Turqi mund të përfitojnë shërbime elektronike falas në portalin qeveritar “e-Albania”. Përkatësisht, shqiptarët që qëndrojnë në shtetet e sipërpërmendura mund të kryejnë aplikime në portal për marrjen e vërtetimeve për certifikatë personale dhe familjare, dy dokumente mjaft të rëndësishme për një sërë procedurash të mëtejshme.
“‘e-Albania’ vjen me shërbime të reja për shqiptarët jashtë atdheut. Ne jemi pranë të gjithë shqiptarëve, kudo ata ndodhen. Vëmendja e qeverisë shqiptare nuk është shkëputur asnjëherë nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë atdheut, ndaj puna për t’iu ofruar komoditet në aksesimin e shërbimeve shtetërore shqiptare vijon me të njëjtin intensitet”, – thuhet në njoftimin e portalit “e-Albania”.




Përfitimet
Përmes portalit “e-Albania”, shqiptarët që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të botës kanë pasur mundësi që të kryejnë disa lloj aplikimesh, të kryejnë pagesa falë portalit qeveritar dhe shërbimeve elektronike që institucionet ofrojnë. “Tek ‘e-Albania’ tashmë gjejnë 2 shërbime të reja elektronike, vetëm në funksion të tyre: aplikim për vërtetim mbi verifikimin e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti). Aplikim për vërtetim mbi verifikimin e lejes së drejtimit për denoncim ose konvertim”, – thekson “e-Albania”. Më hollësisht, për aplikimet për dëshmi penaliteti dhe vërtetim për verifikim patente, përdoruesit e portalit pas plotësimit të formularit dhe autorizimit të nënshkruar për kryerjen e verifikimeve të nevojshme nga përfaqësues të ambasadës ose konsullatës, njoftohen se aplikimi është pranuar. Aplikuesit informohen me anë të ‘e-mail’-it për kryerjen e procedurave të mëtejshme. Ndërkohë, dokumentet për të cilat aplikuesit janë të interesuar dërgohen me postë, në adresën e shënuar nga vetë ata brenda harkut kohor dyjavor.

Deri më sot kanë qenë dhe do të jenë funksionale shërbimet elektronike, që u mundësonin shqiptarëve që jetojnë në Itali për të kryer aplikime për marrjen e vërtetimeve për certifikatë personale dhe familjare, dy dokumente mjaft të rëndësishme për një sërë procedurash të mëtejshme. Por, përveç Italisë, shërbimin e përfitojnë edhe shqiptarët që jetojnë në Austri, Bullgari, Republikën Çeke, Hungari, Kosovë, Kroaci, Japoni, Mal të Zi, Rumani, Sllovaki, Zvicër, Turqi. Qytetarët e interesuar mund të aplikojnë ‘online’ për të marrë më pas nëpërmjet shërbimit postar, vërtetimin e certifikatës së lindjes dhe vërtetimin e certifikatës familjare. Pas verifikimeve të nevojshme të kryera nga përfaqësues të ambasadës ose konsullatës, aplikanti ftohet më pas të ndjekë procedurat për të kryer pagesën dhe për të dërguar mandatin origjinal me postë. Kthimi i përgjigjes kryhet me ‘e-mail’ te qytetari dhe njoftohet gjithashtu për dërgimin e vërtetimit të certifikatës së lindjes dhe të certifikatës familjare me postë në adresën e qytetarit. “Falë rritjes së efikasitetit të ‘e-Albania’-s dhe përmirësimit të vazhdueshëm të ndërveprimit institucional, gjatë 2018-ës numërohen 162 540 përdorime të shërbimeve konsullore, të cilat i kryeson si i përdorur më shumë shërbimi: aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti”, – thuhet në njoftim. Sipas statistikave, mesatarisht çdo muaj kryhen mbi 5 aplikime te këto lloj shërbimesh dhe me hyrjen në funksion të shërbimeve të reja pritet një shtim i numrit të përdoruesve nga radhët e qytetarëve shqiptarë, që jetojnë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë.

Shtetet

Itali
Austri
Bullgari
Republika Çeke
Hungari
Kosovë
Kroaci
Japoni
Mal të Zi
Rumani
Sllovaki
Zvicër
Turqi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.