Kryesore

Studimet/ Zbardhen kategoritë që përfitojnë falas vitin akademik

14:00 - 09.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ata që vazhdojnë studimet e larta në një prej programeve në Fakultetin e Shkencave Sociale në UT kanë afat për të dorëzuar dokumentacionin për t’u përjashtuar nga tarifa e studimit deri në 27 nëntor të këtij viti. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot kategoritë që nuk do të paguajnë tarifë si dhe dokumentet përkatëse që duhet të dorëzojnë aplikantët.




Kategoritë përfituese dhe dokumentacioni

Nuk do të paguajnë tarifë studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, studentë që nuk shikojnë (të verbër) tetraplegjikë/paraplegjikë/ me aftësi të kufizuar. Studentët e sipërpërmendur duhet të dorëzojnë një fotokopje të noterizuar të Vërtetimit të KMPV-së (Komisionit të Përcaktimit të Verbërisë) ose të vërtetimit të KMCAP-së (Komisionit të Caktimit të Aftësisë për Punë).

Vërtetimi origjinal nga njësia e vetëqeverisjes vendore për masën e pagesës së verbërisë/paaftësisë që merr studenti. Gjithashtu, ata duhet të dorëzojnë edhe një vërtetim nga shoqata e të verbërve të Shqipërisë ose nga shoqata përkatëse; një fotokopje të noterizuar e librezës së verbërisë/fotokopje e noterizuar e statusit të paraplegjikut/teraplegjikut si dhe një certifikatë familjare dhe fotokopjen e kartës së identitetit. Nuk kanë asnjë detyrim financiar ndaj universitetit edhe studentët që janë fëmijë të personave/familjes me aftësi të kufizuara. “Këta studentë duhet të dorëzojnë një kopje origjinale ose të noterizuar të vërtetimit të KMCAP-së për studentin me prindër me aftësi të kufizuar, vërtetim që lëshon shoqata e invalidëve të punës së rrethit përkatës së bashku me fotokopjen të përfituar sipas statusit të invalidit të punës, vërtetim origjinal të institutit të sigurimeve shoqërore për pagesën e pensionit të invaliditetit, vërtetim nga njësia e vetëqeverisjes vendore për masën e ndihmës ekonomike të plotë apo të pjesshme që përfiton familja e studentit, certifikatë familjare që vërteton lidhjen e studentit me invalidin e punës/ invalidin paraplegjik ose tetraplegjik, fotokopje të kartës së identitetit të studentit dhe të prindit invalid”, – thekson Fakulteti i Shkencave Sociale. Ndërkohë, ky i fundit bën me dije se përjashtohen nga pagesa e tarifës edhe studentët, familjet e të cilëve trajtohen apo përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore. Studentët që bëjnë pjesë në këtë kategori duhet të dorëzojnë një certifikatë familjare që vërteton lidhjen e studentit me kryefamiljarin familja e të cilit përfiton ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, një vërtetim nga njësia e vetëqeverisjes vendore në lidhje me masën e ndihmës ekonomike që përfiton familja si dhe një fotokopje të kartës së identitetit të studentit.

Jetimët

Edhe studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve përfitojnë vitin akademik 2018-2019 falas. Ata duhet të dorëzojnë një certifikatë familjare dhe fotokopjen e kartës së identitetit, një certifikatë vdekjeje të prindit që u është ndarë nga jeta si dhe vërtetime që vërtetojnë të ardhurat vjetore të familjes. Në këto vërtetime përfshihen: vërtetimi nga njësia e vetëqeverisjes vendore që familja përfiton ndihmë ekonomike si familje në nevojë, vërtetimi që asnjë nga familjarët e studentit nuk ushtrojnë aktivitet privat, vërtetim nëse prindërit apo ndonjë pjesëtar i familjes mbi 18 vjeç janë të regjistruar si punëkërkues të papunë, vërtetim familjarisht nëse përfitojnë pension ose jo si dhe një vërtetim nëse familjarët kanë tokë ose pasuri të paluajtshme fitimprurëse në pronësi. Përfitojnë nga ky program edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç, të cilët duhet të dorëzojnë brenda afatit të përcaktuar një certifikatë familjare, një fotokopje të kartës së identitetit, certifikatën e vdekjes së dy prindërve si dhe fotokopjen e noterizuar e statusit të jetimit të përfituar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Studentët pa kujdestari

Përfitojnë vitin akademik 2018-2019 falas edhe studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë. Përkatësisht, bëhet fjalë për rastin kur studenti e ka humbur përgjegjësinë prindërore nga të dy prindërit. Këta studentë duhet të dorëzojnë një certifikatë familjare dhe fotokopjen e kartës së identitetit, vendimin e gjykatës së formës së prerë që studenti ka humbur përgjegjësinë prindërore (nga të dy prindërit). Ndërsa në rastet kur studenti e ka humbur përgjegjësinë prindërore nga njëri prind dhe prindi tjetër nuk jeton. Ai duhet të dorëzojë një certifikatë familjare dhe fotokopjen e kartës së identitetit, një vendim gjykate të formës së prerë që studenti ka humbur përgjegjësinë prindërore (nga njëri prind) si dhe certifikatën e vdekjes së prindit tjetër. Një tjetër kategori që përfiton arsimimin falas janë edhe studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore. Ata duhet të dorëzojnë një certifikatë familjare dhe fotokopjen e kartës së identitetit, një vërtetim nga Ministria e Mirëqenies Sociale ose Ministria e Brendshme, që kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore. “Për t’u përjashtuar nga pagesa e tarifës, studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe ajo e mbrojtjes duhet të dorëzojnë një certifikatë familjare dhe fotokopjen e kartës së identitetit, certifikatën e vdekjes së prindit që ka humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës si dhe një vërtetim konfirmimi nga ministria përkatëse”, – thekson fakulteti. Nga ky program përfitojnë edhe studentët romë dhe ballkano-egjiptianët, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale, si dhe studentët që janë fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie. Nuk përfitojnë nga ky vendim individët që u takojnë shtesave sociale më lart, të cilët janë duke ndjekur një program të dytë studimi për të cilin duhet të përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer dhe përsëritës”, – bën me dije fakulteti.

Kategoritë përfituese

Studentët me aftësi të kufizuara, studentë që nuk shikojnë.
Studentët që janë fëmijë të personave/familjes me aftësi të kufizuara.
Studentët, familjet e të cilëve trajtohen /përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore.
Studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve.
Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç.
Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë.
Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore.
Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës
Studentët romë dhe ballkano-egjiptianët, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale.
Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.