DOSSIER

Dr. Spiro Qirko: Përse s’pranova të qëndroja në Paris në 1975-ën, kur m’u lut profesori im”

15:01 - 10.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Para disa ditësh, mjeku i famshëm, prof. dr. Spiro Qirko, një nga emrat më në zë të kardiologjisë shqiptare, ishte i ftuar në TV “Scan”, në emisionin “Rrëfim”, i cili prej tre- katër vjetësh realizohet nën drejtimin e gazetarit të njohur, Dashnor Kaloçi, si autor dhe moderohet nga gazetarja Albana Shehu Qirjako. Në këtë emision ku prej vitesh kanë qenë të ftuar emra dhe personazhe nga më të njohurit e politikës, artit, kulturës, sportit etj., dr. Qirko rrëfeu për më shumë se 90 minuta historinë e panjohur të jetës dhe familjes së tij, nga babai dhe nëna, duke filluar nga gjyshi, Athanas Qirko, i diplomuar në Paris për mjekësi, te babai Telemak Qirko, i diplomuar në Itali dhe Zvicër për Jurisprudencë, e deri tek vetë profesori i njohur, i diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe i specializuar në Francë në vitet ’70-të. Si dhe historinë e familjes nga nëna e tij, (familja Leka nga Durrësi), ku për katër breza me radhë kanë qenë të gjithë intelektualë të njohur në fusha të ndryshme, si në mjekësi e jurisprudencë, të gjithë të diplomuar jashtë Shqipërisë. Po kështu, dr. Qirko rrëfen për herë të parë edhe shkollimet e tij nga klasa e parë e më tej deri në fakultet, duke kujtuar mjaft nga profesorët e tij të gjimnazit etj., si dhe ata që e ndihmuan dhe i dhanë mundësinë për t’u specializuar në Francë në vitin 1975, ku atë e lutën për të qëndruar përgjithmonë me punë aty. Për më shumë rreth kësaj dhe të tjera histori e ngjarje interesante nga jeta e tij, na njeh intervista e koleges sonë, Albana Shehu Qirjako, e cila vazhdon në tri numra radhazi në “Gazeta Shqiptare”.




(vijon nga numri i kaluar)

Ka qenë fati juaj në fakt, ju ka ndjekur fati?
Ekzakt, ka qenë fati im. Dhe fati më ka ndjekur gjatë gjithë jetës, por ky qe kyçi i parë i jetës. Kyçi i dytë, ishte kur mbarova fakultetin, dola shkëlqyeshëm, hyra në punë. Po kur mbaroj fakultetin, që kur isha në vitin e V, më kërkoi profesor Josif Adhami, mjek dhe profesor i shquar, që ishte gastroentrolog dhe patolog, të bëhesha asistenti i tij në gastroenterologji. Më thotë: “Dëgjo Spiro, unë dua të marr në gastroenterologji”. Sigurisht i thashë, por mua më kërkoi dhe profesor Gliozheni për gjinekolog. Ai e njihte edhe babain tim dhe i thotë ‘do ta marr Spiron atje’. Unë në fakt nuk kisha dëshirë gjinekolog, duhet të kesh dhe pak dorë për kirurg, unë në fakt nuk kisha dhe pranova këtë të Josifit. Më pas më mori doktor Josifi ku punova për një vit me një përkushtim maksimal. Mirëpo është ajo zilia që kemi thënë. Më pas një ditë prej ditësh, papritur më thërret profesor Adhami dhe më thotë: “Spiro, ti duhet të largohesh nga spitali. – Si – i thashë unë”?! Ai m’u përgjigj: “Tani për tani nuk mund të them gjë, se këtu do vij një doktoreshë që ka dëshmor babanë”, a ç’e kishte, xhaxhanë më duket. Nga niveli ishte zero, por ishte punë biografie.

I kishin dhënë urdhër të të zëvendësonin?
Po, por më tha: “Kur të shkosh në drejtori – ishte drejtor Drini Ohri – atëherë ti – tha – nuk do të reagosh, sepse më prish shumë punë”, tha.
Tha do thuash: Jam dakord…!
Po, ashtu tha: “Do thuash jam dakord dhe pastaj do shohim se ç’mund të bëjmë”. Mua më ra… imagjino, unë isha një djalë i ri 21 vjeç dhe sa kisha filluar ëndrrën për t’u bërë gastroentrinolog, më ra si një rrufe kështu nga qielli!

E kishit me shumë pasion?
Shumë, e kisha shumë pasion. Shkoj atje në orën 12, më pret drejtori, i cili si një prokuror, hapi atë letrën dhe më tha: “Shiko, me një vendim të Komitetit të Partisë të Rajonit, ju largoheni, ikni që andej dhe viheni në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë”. Po të shkoje në atë kohë në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, do të thoshte të shkoje nga Konispoli, në Skrapar dhe në Tropojë. Çdo gjë pritej. Vete në shtëpi, babai i shkretë kur ia thash, si s’vdiq! Ishte një situatë e tmerrshme, por Josif Adhamit unë ia di shumë për nder, d.m.th. lutem për shpirtin e tij. Ai, ç’bëri? Unë pata prapë një shans. Në atë kohë, zv.ministre e Shëndetësisë ishte Vera Ngjela (e ëma e Spartakut). Vera në atë kohë ishte personi më i fuqishëm në Ministrinë e Shëndetësisë, që bënte ligjin. Por ajo në atë kohë bënte edhe Fakultetin e Mjekësisë me korrespodencë, se puna ishte që zv.ministri i Shëndetësisë duhej të ishte edhe mjek. S’kishte bërë ndonjëherë vaki që të bëje Mjekësinë me korrespondencë. Dhe korrespodnencën e bënte Josif Adhami. Josofi i thotë Verës: “Shiko, filanin e hoqët që këtej, unë nuk po e kundërshtoj, por nisur nga fakti se ai është djalë shumë i mirë dhe i përgatitur si mjek, bëni një nder, mos e çoni andej larg, mbaheni këtu në Tiranë, mos ma çoni andej larg, andej-këtej”! Ajo e dëgjoi dhe më shpëtoi. Më vuri në Urgjencën e Poliklinikës Qendrore në Tiranë. Punova në Urgjencën e Poliklinikës Qendrore. Ki parasysh, shkonim nëpër shtëpi tek të sëmurët që kishin nevojë urgjente. Më vlejti shumë vajtja aty, se unë mësova urgjencën në një qytet të madh. Se aty kishte infarkte, dhimbje barku (abdomenakut i themi ne), perforacion ulcere, shikonim edhe fëmijë, pediatri dhe kështu që unë pata një rast të madh që të mësoja shumë gjëra, mua më vlejti shumë urgjenca. Po e them këtu që një njeri, pra një mjek që nuk ka bërë urgjencën, nuk është mjek. Mbaroi ajo punë. Ai le të jetë dermatolog, por kur të vjen një krizë hypertensive tek komshiu, është turp që t’i të thërrasësh urgjencën, se ti je mjek, pesë gjëra të urgjencës duhet t’i njohësh, është e domosdoshme kjo…

Kjo ju ndihmoi?
Po, më ndihmoi shumë, por ishte një situatë “instabile” kjo. Unë nuk mund të rrija më atje në një ambient, pasi kisha dëshirë edhe kardiologjinë. Në atë kohë kishte kardiologji në poliklinikë, por ishte kardiologji ambulatore. Dhe ndodhi një fat që hapet një vend për kardiologji, një vend i dytë, por kush e “hante” atë vend, unë isha i hequr nga spitali!

Ju s’kishit asnjë shpresë?
Absolutisht, isha i hequr nga spitali, por fati është i jashtëzakonshëm. Kështu, kur isha në urgjencë, shkoj në një shtëpi dhe kontrolloj një të sëmurë, me kolikrenare, ai ishte operuar disa herë dhe nxirrte gurë dhe unë i them: Po ça gurësh nxirrni ju? Ai thotë: Urate, ahh… i them unë. Në atë kohë unë kisha marrë një revistë, (se i shkreti babai im ishte i lidhur dhe i vinin revista nga jashtë, se s’kishte revista aty) dhe ishte një revistë për gurët në veshka, ku thuhej: përdorimi i cetrateve, i (kripërave) i shkrin uratet dhe kështu që s’ka nevojë për kirurgji. Ky njeri ishte një person shumë i fuqishëm, që kishte kunat sekretaren e parë të Rajonit Nr. 3 të Tiranës, që ishte Katina Starja në atë kohë. Dhe i dhashë këtë mjekim dhe ai shpëtoi…

Fati juaj?
Fati im… Pas kësaj, ai më kishte mbret, idhull. Kur ndodhi ky problem pra, që u hap vendi aty për kardiolog, unë i them: “Dëgjo, është hapur një vend aty, po unë nuk e ha dot, ti e kupton si është puna, duhet një person tjetër aty që të ndërhyjë dhe ta bëjë këtë punë. Unë besoj se e meritoj”. “Poooo – tha ai – ti i meriton të gjitha, ça flet, do t’i them unë tha asaj”. Dhe i tha, urdhëroi ajo dhe u bë. Ishte pak e vështirë për mua, por fati ishte me mua, se u caktova në poliklinikë si kardiolog ku bëra dhe stazhin.

Ju ndoqi fati si duket prej të mirave që kishte bërë gjyshi juaj mjek…
Prit, tani do t’u them për këtë punën e të mirave që kishte bërë gjyshi im. Kështu, një ditë prej ditësh nga viti 1980, ka qenë një nëpunëse e lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila kishte qenë paciente gjyshit tim në Vlorë. Në vitin 1940, kur ishte e vogël, kishte pasur malarie dhe ishte mjekuar nga gjyshi im për malarien, dhe tani jemi 40 vite më pas, pra 1940-ta me 1980-ën dhe ishin harruar të gjitha. Më vjen i biri i saj dhe më thotë: “Dëgjo Spiro, mamaja ime do të çojë në Paris”. “Unë në Paris?! – i thashë – Dëgjo Fatos, mos bëj shaka”!

Ju nuk e besonit dot, ju prisnit që nga Ambulanca Qendrore të shkonit në ndonjë rreth…?!
Absolutisht po, ekzakt si drita e diellit është e vërtetë. Me ato histori që kisha unë, me ato heqje dhe vënie që më kishin bërë, ku na doli Parisi tani? “Jo – tha – nuk po bëj shaka, por mamaja ime nuk të harron kurrë, sepse gjyshi yt e ka shpëtuar nga vdekja kur ka qenë e vogël në Vlorë”. Në fakt, kjo histori më duket nga më të çuditshmet. Mua më dukej shumë e vështirë me ato çfarë kisha kaluar këtu, duke më lëvizur disa herë nga vendet e punës. Ai bëri shumë përpjekje dhe unë nuk kisha shumë shpresa, mirëpo ajo ishte e fuqishme, ajo e realizoi.

Kur shkuat në Paris?
Unë kam shkuar në Paris në shtator të vitit 1980. Dhe kam shkuar për ekografinë, për atë që unë kam studiuar dhe kam bërë librin më pas. Unë kam qëndruar në Paris për 7 muaj për ekokardiografi, e cila ishte një teknikë e re që në Shqipëri nuk ekzistonte. Atje shkova tek profesor Gurgoni, i cili ishte një ndër profesorët më të mëdhenj të Parisit.

Tjetër atmosferë atje…?
Absolutisht gjë tjetër… Për mua ishte një ndihmesë e madhe që dija frëngjishten. Po të mos dije frëngjishten, ata nuk të afronin. Në ato momente më është kujtuar babai im dhe thashë me vete “sa të drejtë kishte që më hiqte nga loja e kalamajve dhe që më kishte mësuar frëngjishten që i vogël”. Atje punoja me përkushtim në një spital për rreth shtatë muaj. Në Paris mësova shumë gjëra. Atje punoja ditë dhe natë, hyja në 8 të mëngjesit dhe dija në 10 të natës. Mendoja që m’u dha dora dhe unë këtë dorë duhej ta shfrytëzoja, një herë të jepet kjo dorë. Ishte një shans i rrallë. Dhe tani më kujtohet që kur më ftonin kolegët nëpër darka, aty nuk flitej për mjekësi. Aty kishte rreth 7 apo 8 profesorë dhe flitej për letërsi, art, kulturë dhe ti duhej të flisje diçka. Dhe unë në fakt para se të shkoja, hapja fletoret e babait tim që shikoja shprehje e gjëra të tjera dhe flisja dhe unë diçka e ata çuditeshin se ku i kisha mësuar ato gjëra unë. Atje në fakt mësova shumë, profesori im më thoshte “ka rëndësi njeriu, pastaj sa i aftë është”. Pra, ka shumë rëndësi të gjejmë njerëzit e mirë dhe jo vetëm në mjekësi. Kur mbarova, profesori më tha: “Të mbaj unë këtu në Paris, të konvertosh diplomën dhe të fillosh punë”. Por ajo punë nuk bëhej, se unë kisha nënën dhe motrën këtu dhe po të rrija atje, dihej se çfarë do të ndodhte. Dhe u ktheva se nuk bëhej ajo punë. Kam humbur atëherë fatin, pasi mu dha rasti që të rrija në Paris…
Do të ndiqnit dhe ju fatin e gjyshit dhe babait tuaj për t’u kthyer në Shqipëri, pra s’kishte si të ndodhte ndryshe…

Ekzakt kështu ishte, por aty në Paris unë kam mësuar shumë gjëra edhe nga profesori im, i cili thoshte: “Spiro, kur të ndërtoni një staf, e para do kërkosh të gjesh njeriun, jo më të mirin në zanat, por njeriun më të mirë. Sepse njeriu – thoshte ai – është njëshi, aftësitë janë zerot që vijnë pas. Por po të vësh zerot përpara, njëshi pas nuk vlen”. Dhe kjo nuk vlen vetëm për Mjekësinë, por vlen për kudo. Ishte i tërë problemi që të gjenim njerëzit e mirë, po gjete njerëzit e mirë, bëhesh i suksesshëm. Dhe e dyta, më kujtohet dhe një tjetër episod interesant, sesa e vlerësonin personalitetin e tyre. Isha në zyrën e tij dhe bie telefoni e vjen sekretarja e tij dhe foli në telefon me sekretaren e Zhiskard D’ Esten-it, Presidenti i Republikës së Francës. Dhe ajo i thotë: “Profesor, Presidenti i Republikës kërkon një konsultë për mbesën e tij, kur t’ia lëmë orarin”? Ky i tha: “Shife kur të jetë koha, kur kam unë kohë”. Koha ishte pas dy javësh, sepse ishin të zëna datat. Pas dy javësh planifikoje i tha. Ai më pa që po shikoja i habitur dhe më tha: “Pse habitesh Spiro”, jo i thashë profesor, se po të ishim ne atje, do bëhej në sekondë dhe nuk diskutohej. Dëgjo tha si është puna, D’ Esteni është President me afat të caktuar, Pas 7 vjetëve ikën. Unë tha jam President i përjetshëm. Mua nuk më mbaron mandati kurrë, vetëm ditën që do të vdes. Atëherë tha më thoni kush është më i rëndësishëm, unë apo ai?

Jemi pikërisht në ato vite kur ju thatë qe ju hap ajo porta e tretë e fatit, ju nuk qëndruat në Francë, u bëtë pishman profesor që nuk qëndruat atje?
Unë nuk qëndrova në Francë për shkaqe që dihen, sepse do të kishte pasoja sigurisht familja, por më erdhi keq me thënë të drejtën, por kur mendova që, nëna ime ishte këtu në Tiranë, thashë absolutisht jo. Motra ime është një njeri po kaq i suksesshëm, por që nuk ju fut shkencës, por i doli matematika. Në fakt, motra ime doli po ashtu shkëlqyeshëm në gjimnaz dhe në fund i doli matematikë se kështu ia caktuan, ajo nuk e zgjodhi. Ne ishim gjithmonë të prirur nga këto shkencat e tjera, por ajo ju vu matematikës dhe rendi dhe mbaroi shkëlqyeshëm vitin e pestë të matematikës speciale. Për njëfarë kohe bëri stazhin tek shkolla e natës e këpucarisë tek “Petro Nini”. Dhe më vonë pastaj në 1981-in filloi të ishte pedagoge e fakultetit të Inxhinierisë në Matematikë dhe jepte Analizën Numerike që ishte një nga degët më të vështira.

Motra juaj, znj., Margarita është marrë dhe me politikë?
Po, aty nga viti 1990-’92, doktor Berisha e kishte vënë në gazetë në ato vite, që ishte anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Me Berishën unë kam mbaruar shkollën, kemi qenë shokë shkolle dhe kolegë, dhe ky zgjodhi Ritën dhe e vuri aty. Por gjithmonë motra ime ka pasur misionin e idealeve studentore të dhjetorit 1990-të. Dhe në qoftë se motra ime u fut në politikë, ajo u fut vetëm me një mision atë të studentëve për t’i bërë ata njerëz. Se ne me politikën nuk kishim asnjë lidhje. Se neve na kishte thënë gjyshi që mos u ngatërroni me politikë kurrë, sepse politika në Ballkan ka probleme. Në fakt, ajo aty u mundua të bëjë maksimumin e mundshëm si nënkryetare parlamenti, e kërkuan edhe për ministre Arsimi, por ajo nuk pranoi, ndërsa në parlament ajo punoi me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Dhe në 1997-ën pastaj, pasi u bënë zgjedhjet e reja, ajo u kthye përsëri në misionin e vet. Dhe vazhdon të jetë pedagoge në Inxhinierinë Elektronike, ku jep një nga lëndët më të vështira që është Analiza Matematike.

Profesor, në vitet ’90-të shumë profesionistë si: ekonomistë, juristë, inxhinierë etj., hoqën dorë nga profesionit dhe ju futën politikës… Po ju e menduat ndonjëherë këtë gjë?
Jo, asnjëherë nuk e mendova. Nuk isha i prirur për politikë dhe isha edukuar nga prindërit e mi që i pari dhe i vetmi është profesioni. Këshilla që më ka dhënë babai im është që të bëhesha shumë i aftë dhe që të bëja misionin që më takonte. Nuk të duhet absolutisht politika më thoshte ai. Po ju tregoj me sinqeritet që nuk jam joshur kurrë nga politika dhe kur kam parë njerëz të zotë, që janë futur në politikë, me thënë të drejtën, për mua nuk kanë bërë mirë. Problemi është, që ti kur je shumë i mirë në profesionin tënd, u shërben përjetësisht njerëzve. Dhe kam përshtypjen që kam bërë mirë. Unë u shërbeva njerëzve dhe kontributin që dhashë mendova që bëra mirë. Kontributin që kam dhënë për njerëzit nuk do e jepja kurrë në politikë. Ndjehem jashtëzakonisht mirë tek profesioni im.

Doktor, keni kaq vite në shërbim të pacientëve, çfarë mesazhi do t’u jepnit mjekëve më të rinj?
Do t’i këshilloja të gjithë mjekët, duke u thënë se ka shumë rëndësi komunikimi me të sëmurin. I sëmuri duhet pritur si njeri, ajo që duhet bërë dhe që unë kam parë andej, është se ne i heqim stresin dhe i marrim anamnezën. Unë jam bërë pjesë e sëmundjes së pacientëve, kam dhënë maksimumin tim. Çdo mjek duhet ta vendosë veten në vendin e pacientëve. Unë gjithmonë rri gjatë më të sëmurin dhe jo shpejt e shpejt. Unë qëndroj në kontakt me të sëmurin, kam komunikim të vazhdueshëm me të sëmurët. Unë me thënë të drejtën, punoj deri në orën 9 të darkës, unë kam telefonin e hapur për të gjithë dhe iu them për çdo problem që të keni në ora 21.00 mua më keni të gatshëm. Kjo është rruga më e mirë për të qenë i suksesshëm në mjekësi.

Përveç vizitave rutinë që bëni, ju hyni dhe në botën emocionale të tyre? A ndikon emocioni i tyre tek ju?
Absolutisht po, shumë njerëz nuk kanë probleme me zemrën por kanë vetëm neuroza, kanë gjendje stresi për arsye nga më të ndryshmet. Më vjen keq kur vizitoj vajza apo djem të moshën 25-30 vjeç dhe ankohen për dhimbje zemre, në fakt ato nuk kanë asgjë, ato janë normal, ato kanë nevojë vetëm për komunikim. Gjëja që i them çdo njeriu është se duhet të ecë shumë. I këshilloj për një aktivitet fizik. Çdo njeri sot në botë duhet të bëjë 10.000 hapa. Duhet çdo ditë të ecë 1 orë e 30 minuta, që të ruajmë zemrën. Pra janë disa rregulla që edhe psikologët nuk i thonë. Zemrën duhet ta marrësh me të mira. Duhet të hipim në vagonin e ditës së sotme, të mos e lodhim zemrën dhe mendjen se çfarë do të ndodhë nesër apo çfarë iku. Siç thotë Ajnshtajni, “Jeta është një mister. Jeta është një biletë pa kthim”! Ta jetojmë ditën e sotme.
Përveç ditëve të zëna me pacientët, juve nuk ju mungojnë konferencat dhe udhëtimet jashtë shtetit.
Unë kam pasur një fat të madh që kam krijuar shumë miq, sidomos në Paris. Atje kam shkuar vazhdimisht dhe shkoj vazhdimisht. Unë ata miq i kam ftuar edhe në Shqipëri, disa nga këta janë kardiologët më të mirë të Europës. Në librin që unë kam bërë, kanë qenë nja dhjetë profesorë të huaj që kanë marrë pjesë. Unë kam hyrë në botën e brendshme të tyre. Ky libër është promovuar në Lisbonë në dhjetor të 2017-ës në Kongresin europian të Ekokardiografisë. Unë shkëmbej miqësinë me ta, por dhe eksperiencën. Sot për fat të keq ka rënë mjekësia klinike që është e para, ndërsa mjekësia teknologjike, vjen pas saj. Një mjek intelektual duhet të lexojë 50 faqe në ditë. Ne duhet të gjejmë një kohë që pas punë një libër duhet ta kemi në tavolinë. Unë ju jap një mesazh të gjithë mjekëve të jenë të ditur dhe të lexojnë. Një tjetër gjë që unë mësova atje, është që çfarë do të thotë të jesh padron apo shef. Për të gjitha mendon shefi i personelit dhe vendos po ai dhe jo ministri se kush mjek vjen e kush jo. Sepse është e organizuar në këtë mënyrë që shefi është gjithçka dhe që quhet patron. Dhe këtij i është varur kambana që do të drejtojë shërbimin. Nëse ky e drejton shërbimin mirë, rri ky, nëse se drejton mirë, ikën. Ndërsa grua të martuar, është ligj që nuk mund të jetë shefe. Sepse nuk mundet dot që të rrijë 12 orë në punë.
Profesor, për të gjitha meritat tuaja ju keni marrë edhe titullin “Mjeshtër i Madh”, besoj se edhe kjo ka qenë një kënaqësi në jetën tuaj personale apo jo?
Padyshim unë u vlerësova atëherë nga z. Bamir Topi, Presidenti i Republikës. Por me thënë të drejtën, ju më kini bërë diagnozën, unë kënaqësinë më të madhe e kam kur shëroj një të sëmurë dhe kur vë një diagnozë të saktë. Unë nuk rroj për titujt, pasi këto shkojnë e vijnë.
A mendoni se e keni arritur nivelin e gjyshit tuaj? Ju e keni pasur idhull?
Gjyshi im ka qenë vërtetë i veçantë por e njoha pak, por nivelin e babait tim nuk e kam arritur. Ai ishte më i mirë se unë. Por ai më ka lënë këshillat e tij, që unë i kam të shenjta në jetë. Dhe unë dua të përçoj këto këshilla tek njerëzit, ky është misioni im. Jo vetëm për mjekësi, por edukim në përgjithësi. Të punosh me korrektësi dhe përkushtim.

(Intervistoi
Albana Shehu Qirjako)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.