Homo Albanicus

A duhet të jemi kaq nacionalistë?!

19:22 - 10.11.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shqiptarëve, në vitet e fundit, u vendoset faji për çdo shfaqje nacionalizmi që ndodh në Ballkan pranë kufijve të tyre. Shtuar me të ashtuquajturin koncept të “Shqipërisë së Madhe”, kjo është bërë gati si një nga atributet e reja agresive të shqiptarëve. Dhe, për ta provuar të gjithën këtë, mjafton të merret në konsideratë çështja e dronit, që u ngrit gjatë një ndeshje tejet të rëndësishme të përfaqësueses Serbe me atë Shqiptare në Beograd për Kampionatin Evropian të Futbollit, ku shigjetat u drejtuan për frymën agresive që vjen përgjithnjë nga shqiptarët.




A është gjithnjë e vërtetë kjo?!

Duhet kujtuar se indoktrinimi nacionalist në Ballkan është një fenomen që ka prekur të gjitha vendet. Ajo ka treguar hapur se të gjitha vendet ballkanike, pa veçuar aspak ato që janë anëtare të BE-së, e kanë humbur betejën me varfërinë me shpresën e qytetarëve të tyre, ndaj i janë falur sintaksës nacionaliste. Në fashën e madhe sociale, ku bashkohen breza të tëra ballkanasish (përfshirë dhe shqiptarët), problemi më i madh është ai i mbijetesës dhe kuptohet e ardhmja e munguar. Nacionalizmi është bërë streha dhe mbulesa ku fshihet zemërimi i mbrujtur për kushtet jo ekzistente të jetës, mungesën e punës, jetesën normale, arsimimin e duhur dhe mbi të gjitha shpresën. Feja, siç ndodh zakonisht, ka bërë udhë në këtë kaos duke bashkëjetuar me indoktrinimin. Dhe, çfarë ndodhi?! Kaq të papërgatitur ishin kinse strukturat politike saqë një moment e gjetën veten të pagojë përballë fenomenit të rekrutimit të ISIS.

Populizmi qesharak i politikanëve dhe indoktrinimi që i bëjnë turmave në Ballkan, shtuar me mesazhet mesianike të tyre thjesht i dha frymë kësaj popullate, që shprehet me nacionalizëm dhe e cila gjeti objektiva të tjera shfryrje. Fillimisht, mu në kufijtë e afërt jashtë vendit. Serbët në Kosovë, Grekët në Shqipëri, Kroatët në Serbi, Shqiptarët në Maqedoni janë shembuj të qartë të këtij argumenti. Të zemëruarit (lexo nacionalistët e indoktrinuar) e çdo vendi kërkojnë si objekt shfryrje pjesën tjetër të popullatës në kufi, ndërsa për ta shfryrë realisht të gjithë këtë potencial zemërimi shërbejnë luftërat e huaja, ku ke prezencë jo të vogël të njerëzve të Ballkanit, që me këtë qetësojnë vrundujt e inatit por dhe mbushin xhepat bosh lënë prej qeverive të tyre.

A mundet Shqipëria dhe shqiptarët të jenë jashtë këtij fenomeni?! Aspak. Për fat të keq, ballkanasit nuk e shikojnë bashkërisht varfërinë si problem të tyre të përbashkët, por shikojnë nacionalizmin agresiv si shkak që krijohet nga fqinji. Nga ana tjetër, mospasja e një armiku të përbashkët ose identifikimi me të njëjtat shqetësime ka bërë që gjendja të majiset. Ndërkohë që nacionalistët për shkak të zgjedhjeve politike kanë gjithnjë e më shumë frymë në te gjitha vendet e Ballkanit. Pasi qeverive u duhet populizmi dhe mbi të gjitha incidenti me fqinjët, për të tërhequr vëmendjen nga realitetet e tyre respektive sociale-ekonomike.

Në Ballkan ende nuk bëhen përpjekje realisht konstruktive të hartohen dhe të konsiderohen tekste të përbashkëta për historinë e tyre. Kështu, serbët, shqiptarët, grekët etj., vazhdojnë të urrehen si dikur, por thjesht me një veshje më moderne, kurse interesi i shtetit komb, paçka mëtimeve të shteteve të veçanta për të kundërtën ka mëtime të qarta agresive. Në këto kushte, Shqipëria nuk mund të ulë armët. Nacionalizmi i saj duhet të jetë i njëjtë me vendet e tjera për të ruajtur veten në këtë regjistër absurd sjellje, ku mungon një narrativë moderne dhe qasje ndryshe. Shqipërisë dhe shqiptarëve, paçka shumë fjalëve, u duhet një narrativë patriotike moderne, që shpesh të bëhet pse jo dhe nacionaliste (pa teprim), për të identifikuar përgjegjësitë e institucioneve të saj, që shpesh i shikojmë të përgjumura, para rasteve si ai i Greqisë në orët e fundit. Kuptohet kurrsesi duke bërë  nacionalizmin patetik folklorik, atë që na ka lënë kaq pas deri më tani. Shqipëria ka sërish nevojë ndoshta për atë lloj nacionalizmi-patriotik të kohëve të ndryshme, që ngriti vetëdijen kombëtare, që bëri shkencën e albanologjisë dhe zhvilloi vendin, por kurrsesi atë që e izoloi vendin, duke e bërë qesharak me sloganet e saj patetike.

Me pak fjalë, Shqipërisë i duhet një dozë e caktuar nacionalizmi, por jo populizmi që përdorin politikanët për të forcuar pushtetin e tyre. Te populizmi janë politikanët tanë dhe kolegët e tyre ballkanas që na shtypin me manipulimet e tyre, por edhe gjendje që reflekton pasigurinë e përbashkët në Ballkan, mungesën e barazisë dhe probleme të tjera. Të gjitha ato, që në fund na tregojnë sesa është e vështirë në Ballkan të ndash realisht mikun me armikun. Ndaj nacionalizmi na duhet ende si mbrojtje, paçka se tashmë nuk duhet të jetë aq i koracuar sa dikur. (Homo Albanicus)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.