BLUETOOTH

Rrëfehet Albert Marashi: Si është të punosh me Cardi B

16:45 - 10.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – Flet fotografi shqiptar në SHBA: Të pathënat e projekteve nga Ralph Lauren tek Gigi Hadid e 50 Cent  – “Çdo gjë është e mundur nëse ndjek ëndrrat e tua”




Suksesi i arritur nga ata që ndjekin ëndrrën jashtë vendit dhe arrijnë ta realizojnë atë është i vogël dhe të paktë janë ata që vërtet thonë se janë në rrugën e duhur. Nëpër botë ka shumë shqiptarë të cilët me pasionin e tyre arrijnë të kenë famë apo sukses në një fushë të caktuar, por për një arsye apo për një tjetër jo të gjithë arrijmë t’i njohim apo identifikojmë. Ditët e fundit ai spikati si shqiptari i vetëm në moshë shumë të re, i cili ishte fotografi i një prej këngëtareve më të famshme e më të përfolura të momentit në botë, Cardi B. Djaloshi me prejardhje nga Mali i Zi vjen në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” për të na rrëfyer më tepër për veten. Albert Marashi është shqiptari i cili bashkëpunon me vipat e njohur si Gigi Hadid apo 50 Cent si dhe markat më të njohura të kozmetikës nëpër botë si ‘Maybelline’ New York apo ‘Ralph Lauren’. Por cilat janë vështirësitë, prapaskenat, të pathënat në rrugën e një profesioni të tillë? Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

 Si nisi pasioni për fotografinë?

E kam nisur si ilustrues duke rikrijuar fushatat kozmetike, editoriale mode dhe u apasionova mbas fotove të bëra nga fotografët për revista të ndryshme. Në moshën 17-vjeçare mora një aparat fotografik dhe nuk kisha aspak njohuri nga fotografia por kisha vizionin e një artisti. Asnjëherë nuk pashë nga e shkuara. Atë kohë vendosa të studioja teknika për “Advertising” dhe “Creative Direction” në universitetin F.I.T në New York ,dhe ndërkohë udhëtoja për projekte deri në Australi.

Keni nisur në një moshë shumë të re të punoni në Amerikë. Prej sa kohësh keni nisur këtë profesion? Si ishin fillimet tuaja në vend të huaj dhe deri sa arritët të hapnit studion tuaj?

Kam pasur mundësinë të rritem në Amerikë, prindërit e mi kanë lindur në Malin e Zi. Për mua nuk ka qenë e vështirë sa ka qenë për prindërit e mi. Edhe pse i lindur në Amerikë, gjithmonë kam pasur mendjen, traditën dhe krenarinë e një shqiptari. I respektoj pa masë gjithë shqiptarët që imigrojnë në Amerikë dhe krijojnë diçka nga asgjë, e kam parë te prindërit e mi që u është dashur të punojnë 100 herë më shumë që unë të ndiqja ëndrrat e mia.

Cili është bashkëpunimi i parë që keni bërë me një VIP? Si arritët të fitonit kontratën me të?

Një nga bashkëpunimet më të dashura që kam realizuar ka qenë kopertina e parë e revistës ‘Forbes Africa’, me super modelen Alek W. Ishte një nga stuhitë e dëborës më të mëdha që kishte përfshirë New York-un, por duhej realizuar si projekt. Alek W ka qenë një nga personazhet më të preferuara që gjithmonë kisha shumë dëshirë të bashkëpunoja dhe nuk e besoja që isha unë i zgjedhuri të fotografoja një bukuri unike si ajo. Në fillimet e para të karrierës time, isha shumë krenar që si make up artist në këtë projekt ishte një shqiptare shumë e talentuar, Vjollca Broja.

Mund të përmendni disa nga vipat e njohur më të cilët keni punuar? Kush ju ka lënë më tepër mbresa?

Të punoja për Ralph Lauren, Maybelline New York, Bloomingdales. Kam pasur shansin të takoj shumë personazhe të modës dhe showbizit si Gigi Hadid, Bella Hadid, Adriana Lima, 50 cent, French Montana, Cardi B e shumë të tjerë. Por më të preferuarat e mia kanë qenë shqiptarët VIP si Emina Cunmulaj, Adelina Ismajli dhe muzat shqiptare mundem të përmend Xhesika Berberi, Arselajda Buraku, Donique Gjurashaj, Kleofina Pnishi .

Si ishte të punoje me Cardi B në videoklipin e saj te fundit? Sa e lodhshme apo e vështirë ishte si projekt?

Ishte një ditë shumë e gjatë të ndërtoje gjithë atë studio xhirimesh, drejtimin artistik dhe mbi të gjitha të krijoje hapësirë për fotografi gjatë xhirimeve. Ishte një mundësi aq e madhe që më ishte besuar të bashkëpunoja me producentin Kristian Kruz dhe regjisorin Fernando Lugo, të dy shumë të talentuar. Cardi B punon shumë, një energji e paparë, fluturoi nga java e modeles në Paris për të xhiruar një video për 36 orë dhe kur mbaroi se xhiruari realizoi një koncert po atë ditë. E adhuroj përkushtimin që dha në video dhe besimin që dha mbi vizionin që ishte krijuar.

Me siguri në punën tuaj ashtu si dhe në çdo punë tjetër private ka konkurrencë të fortë. A keni pasur ndonjë rast që ndonjë nga Vip-at ka hequr dorë nga kontrata duke shkuar diku tjetër? Cili ka qenë ai?

Industria është shumë konkurruese dhe ka shumë mundësi ndonjëherë nuk vijnë në momentin e duhur. Unë jam shumë falënderues për çdo mundësi që më ka ardhur në jetë dhe më shtyn të përpiqem më shumë.

Kush ka qenë personazhi që ju ka dhënë më tepër ndihmë për të arritur këtu ku jeni sot në krahë të vipave të njohur botërorë?

Prindërit e mi më kanë mbështetur në gjithë procesin tim artistik dhe të isha ndryshe. Në fillimet e mija nuk kisha njohuri mbi modën sepse jam rritur në Bronx, me jo shumë mundësi artistike si në pjesët e tjera të New York. Mësoja dhe krijoja vetë mbi drejtimin artistik. Fatmirësisht puna ime tërhoqi vëmendjen e Emina Cunmulaj dhe Fadil Berishës që më mbështetën si artist shqiptar. Kam patur fatin të punoj me të dy për shumë vite. Çdo gjë është e mundur nëse ndjek ëndrrat e tua.

Nëse nuk do të ishit fotograf, cili do të ishte profesioni i dytë i juaji?

Për mua kamera është ura që lidh fotografinë me vizionet e mia, por më pëlqen të krijoj ide dhe trende për fushatat e ndryshme kozmetike. Besoj se do qëndroja në këtë industri si drejtor artistik. Ndonjëherë na duhet të mendojmë dhe krijojmë jashtë lentes së një aparati fotografik.

Mund të më thoni prapaskenat më qesharake të ndonjë videoklipi që ju kanë lënë mbresa në memorie?

Momenti im më gazmor ka qenë në një projekt fotografie në Miami. Ishte një ditë e gjatë dhe përvëluese dhe u realizua në një nga shtëpitë luksoze të ‘Versaçe’. Më kishte zënë dielli dhe ndërkohë që bëja foto rashë në pishinë me gjithë mjetet e punës. Aq gazmore ishte sa që sikleti, që kisha, nuk kishte fare rëndësi vetëm të mendoja që po notoja në një nga pishinat e Giani Versaces.

Cila është shuma më e madhe që keni marrë nga një punë e bërë me videoklip apo në një fotosesion?

Më lumturon shumë që çdo mundësi që më ka ardhur pavarësisht nëse ka qenë e madhe apo jo. Por shumë klientë më kanë ofruar kontratë për fushata kozmetike si Maybelline New York për 3 vite me radhë dhe Ralph Lauren për 5 vite.

Në punën që bëni kemi dëgjuar që ka edhe flirtime apo ngacmime nga vetë personat me të cilët keni lidhur kontratën. Juve ju ka ndodhur një rast i tillë? Si keni reaguar?

Në fillimet e karrierës time kam parë shumë situata të çuditshme. Unë gjithmonë kam krijuar një atmosferë pozitive dhe kam mundësuar që modelet dhe artistët të ndihen vetvetja. Nuk ka vend për sjellje të tilla dhe më vjen mirë që po ndërmerren fushata sensibilizuese si #metoo dhe liria e fjalës po ndikon për mirë që të tërheqë vëmendjen mediatike. Asnjë njeri nuk duhet të jetë pjesë e situatave të tilla.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.