MILOSAO

Ekspozita “Nëntori”, 21 vjet ngjitje në absurd

14:45 - 11.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Për çdo vit, kur ndahen me njëri- tjetrin dhe mbledhin punët e tyre, ka të ngjarë që artistët pjesëmarrës të “Nëntorit” në vetvete duhet të ruajnë një përshëndetje largimi, që mund të jetë e tillë e konceptuar si një formë shprese. Vitin tjetër, me shpresë shumë më mirë! Mot më mirë!




Por, vitet ikin dhe para “Nëntorit” ka vetëm të përpjeta. Pak vëmendje. Pak interes. Pak mbështetje. Dhe, fare pak mediatizim. Kritika hesht…

Të gjitha këto janë vënë në dukje vazhdimisht, sepse krahas kinse indiferencës, kjo gjendje ende vazhdon dhe duket pak si e arsyeshme. Për “Nëntorin” ka vetëm rezervime. Që do të thotë heshtje në formë mohimi. E të mendosh, pothuaj një javë më parë, Ekspozita “Nëntori”, që mbledh një komunitet artistësh të tre brezave, i kaloi të dy dekadat. Kuratori Besim Tula, që e ka kuruar edhe këtë vit , për çdo vit lufton me indiferencën e shtetit dhe të vetë kolegëve artistë, por edhe me përpjekjen për të mbajtur gjallë këtë frymë të këtij komuniteti simpatik artistësh.

Njësoj edhe këtë vit te “Nëntori” janë pothuaj të njëjtët artistë: Kujtim Buza, Adrian Devolli, Ksenofon Dilo, Zef Shoshi, Llazar Myzeqari, Gazmend Leka, Buron Kaceli, Besim Tula, Nikolin Ivanaj, Hasan Çapari, Stefan Taçi, Artan Buca e shumë të tjerë. Një grup, që bën një përpjekje aspak të vogël të mbajë gjallë një nga aktivitetet më jetëgjatë në vend.

Ashtu si ndodh për çdo vit, një pjesë e punëve, ekspozohen për herë të parë dhe synimi mbetet që piktura e kavaletit, që ata prezantojnë, të sjellë traditën me një nga llojet e gjuhës së kohës. Në këtë vit, shprehja individuale e artistëve mundohet të bëjë rrugë në konceptimin e artit të sotëm, por edhe i jep kësaj ekspozite një liri më të madhe fryme.
Prej vitesh, artistët e këtij grupimi kundrejt indiferencës së pashpjegueshme të institucioneve kulturore, vetë kolegëve të tyre jo vetëm kanë treguar vlerat më të bukura individuale, por mbi të gjitha kanë shpërfaqur edhe një përgjegjshmëri për të treguar perceptimet e tyre kushtuar kohëve të reja. Veçantia e tyre, duke folur në përgjithësi, është se përveç cilësisë realizuese posedojnë individualisht bagazh të madh teorik, kusht që duhej t’i afronte njerëzit e artit për të ndjekur logjikën, por edhe për të krijuar debate për artin tonë. Çuditërisht, kjo nuk ka ndodhur sepse në zhvillimet e artit tonë vazhdon një situatë shumë e përçarë dhe duket se identifikimi bëhet në forma shumë të ngushta.
Këtë herë, “Nëntori”, është afruar më shumë te figura njerëzore me të gjitha tiparet e saj, duke i dhënë me këtë rast grupimit një lloj specifike, që është e pakufizuar sa i përket atributeve artistike. Ka mbetur te artisti mënyra sesi është përshtatur puna e tij.

“Nëntori” ka një specifikë ku autorët nuk punojnë në bazë të një teme kuratoriale. Kushti i parë është vetëm pjesëmarrja dhe mundësisht punët të jenë të paekspozuara.
Edhe njëherë duhet theksuar se: Vështirësitë, puna e madhe për të gjetur mjedise e duhura për të ekspozuar, por edhe elementët e tjerë e bëjnë ekspozitën të mos ketë më shumë se 25-30 artistë. Njerëzit që merren me të i kushtohen me të gjitha mjetet por edhe me angazhime që e tejkalojnë shpesh mundësitë e tyre.
Ndaj, “Nëntori”, mbetet një stoli e bukur dinjiteti për qytetin tonë, por edhe mësim për traditën dhe mbi të gjitha vazhdimësinë. Pikërisht, qoftë edhe për këtë element të fundit, ata meritojnë një duartrokitje të plotë dhe nderim.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.